KULTURË

TEFTA TASHKO KOÇO DIVA SHQIPTARE E SKENËS/ Zëri i magjishëm që u shua më 1947 dhe regjistrimet që e përjetësojnë

12:10 - 27.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shkrimi i mëposhtëm është shkruar nga Moikom Zeqo, që u nda nga jeta pak muaj më parë. 2 nëntori shënon 110-vjetorin e lindjes së Tefta Tashko Koços, dhe tri vite më parë, në 70-vjetorin e vdekjes së saj, Moikom Zeqo mbajti një fjalë në Akademinë e Shkencave. Në kujtim të sajin e njëherësh të tijin, një shkrim që i bashkon përjetësisht, prej përjetësisë ku gjenden të dy.




Dr. MOIKOM ZEQO*

Më 2 nëntor 1910 lindi Tefta Tashko Koço në qytetin Fajum të Egjiptit. Ajo qe vajza e Thanas Tashkos, një nga atdhetarët më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare.

Në moshën 11-vjeçare vjen për të studiuar në Shqipëri.

Por studimet e larta për Kanto i bëri në Francë për 9 vjet rresht.

Një shkresë e Mbretërisë Shqiptare e datës 14.08.1933 nga ministri i Arsimit i kohës i ndërpret bursën e studimit Teftës në Francë.

Fan Noli reagoi kundër këtij akti të neveritshëm me një artikull të tij në gazetën “Dielli”. Tefta megjithatë u diplomua shkëlqyeshëm dhe profesori i saj Zhan Sere ka shkruar mbresat e tij për talentin dhe të ardhmen artistike të Teftës.

Në këtë mënyrë nis epoka e shkëlqimit të figurës së madhe të Tefta Tashko Koços. Tefta qe një artiste e lindur, me një zë origjinal dhe tepër të rrallë. Zëri i saj i magjishëm, qe i mëvetshëm dhe kaq harmonik, sa ajo mund t’i thoshte denjësisht por dhe me modesti edhe Maria Kallas “Jam edhe unë!”. Epoka që përfaqëson Tefta kulturën muzikore shqiptare është ajo e viteve ‘30 të shekullit të kaluar, kur kanë dalë poetë të mëdhenj si Lasgush Poradeci dhe Migjeni, dijetarë si Eqerem Çabej dhe Hasan Ceka, përkthyes si Skënder Luarasi apo skulptorë si Odise Paskali. Në këtë konstelacion hyn me një shkëlqim të paparë edhe emri i Teftës, por edhe i këngëtarëve të tjera si Jorgjia Truja dhe Marie Kraja.

Ndërkohë në Francë dhe në Europë kishte tërhequr vëmendjen kënga popullore shqiptare por e kultivuar. Incizimet që kish bërë në Francë Meço Muko krijuan një tjetër dimension të njohjes së Shqipërisë.

Edhe Tefta e pakrahasueshme! Mund të bëjmë një krahasim: Ashtu si në shekullin XIX piktori francez Zheromë i tërhequr nga fustanellat dhe kostumet mahnitëse shqiptare i bëri të njohura ato nëpërmjet pikturave të tij në Europë, edhe këngët e incizuara me teknologjinë e kohës, me pllaka gramafoni të Teftës e bënë të njohur shpirtin muzikor të shqiptarëve në Francë dhe në Europë.

Tefta qe një figurë tipologjike e femrës së emancipuar shqiptare. Ajo qe një heroinë e emancipimit dhe artit vokal muzikor. Qe gjithashtu me një ndjeshmëri të lartë për të gjitha çështjet e mëdha politike dhe atdhetare të kohës. Risia që solli Tefta qe ajo e sopranos mjeshtre të kënduarit të arieve të veprave të kompozitorëve të mëdhenj botërorë. Ajo ka kënduar pjesë të veprave muzikore të Belinit, të Donixetit, të Gunosë, të Leonkavalos, të Moxartit, të Mejerberit, të Puçinit, të Rosinit, të Shopenit, të Shtrausit, të Verdit dhe Pergolezes. Ajo shkëlqeu dhe qe diva shqiptare e skenës në pjesën e parë të shekullit XX. Ajo qe një mjeshtre e pakrahasueshme me të tjerët.

Mua sonoriteti dhe karakteri melodioz i zërit të saj në disa këngë, si p.sh. te kënga “Kur më vjen burri nga stani”, më krijon një nostalgji pafund, të ndritshme, plot pritshmëri të madhe, ashtu siç krijon fjala vjen “Voltava” e Smetanës një kujtesë vezulluese të atdheut të tij. Tefta vdiq më 1947 dhe në 70-vjetorin e vdekjes, që është viti 2017, në vend që të nderohej me dinjitetin që i takon një emri aq emblematik që është emri i saj, u mjaftua me këtë ceremoni të bërë në Akademinë e Shkencave, ku biri i saj i mrekullueshëm Eno Koço, gjithashtu dirigjent, muzikant dhe muzikolog i shquar, kish përgatitur dhe botuar dy botime plot me dëshmi, që lidhen me jetën krijuese dhe artistike të Teftës, por dhe me ikonografinë e fotove të saj të jetës.

Nuk ka pse Tefta ta ndjekë lavdinë. Është lavdia që e ndjek nga pas Teftën. I paharruar në shekuj të shekujve kujtimi i Teftës!

 

*Botuar për herë të parë më 2 nëntor 2017, ribotohet me kërkesë të familjes Koço

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.