KULTURË

Kola: I shkruan Enverit. Besnik Mustafaj: Disa shkrimtarë paguan një taksë

14:43 - 28.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli – Kryetari i Komitetit përzgjedhës për “Poetin Laureat”, nismë e Qendrës Kombëtare të Librit, ka sqaruar në këtë intervistë, kriteret e marra parasysh për listën e diskutuar. Ndërsa pritet të përzgjidhet emri fitues, ai u jep përgjigje debateve për moshën mbi 45 vjeç të të nominuarve dhe letërsinë e shkruar para ‘90-ës.

“Janë pasur parasysh kriteret e veprës letrare të shkruar, dhe vazhdimësisë së saj. Mundësisht të ketë pasur ndonjë botim edhe në dy vitet e fundit. Sigurisht, këtë herë të parë janë pasur parasysh kryesisht, brezi i poetëve që janë më të mëdhenj se unë, pra brezi i poetëve para meje”, – tha Mustafaj. Ai sqaron se debati për emrat e poetëve në listën e kandidatëve, poetë që kanë shkruar para ‘90-ës, është për të i pakuptimtë.

“Poetët nuk gjykohen nga veprat më të dobëta apo nga skarcitetet. Poetët gjykohen nga veprat e tyre më të mira. Këto mbi kohën kur kanë shkruar, janë debate meskine e ziliqare nga poetë të vegjël që mbase nuk kanë për t’u bërë kurrë poetë. Duan që ende pa pasur vepër, të marrin kunorën”, – tha Mustafaj.

Lisandri Kola, poet e pedagog, ka shtruar për diskutim çështjen e moshës së poetëve të përfshirë në listën nga ku do të përzgjidhet fituesi dhe të veprës së shkruar gjatë komunizmit prej tyre. Për çka, Mustafaj, bën një ndarje të qartë.

“Ju thashë që poetët gjykohen nga vepra e tyre më e mirë, jo nga skarcitetet. Edhe Lasgushi shkroi për dëshmorët e të rënët, por nuk e gjykojmë për atë, por për veprën e tij më të mirë. Disa shkrimtarë e paguan kështu taksën e mbijetesës, disa të tjerë ndryshe. Po, unë jam i ndjeshëm kur shkrimtarët kanë qenë informatorë Sigurimi ose denonciatorë, por sa i takon veprës së shkruar, vepra është e shkëputur nga jeta”, – thotë Mustafaj.

“Poeti Laureat” do të ketë mandat dyvjeçar dhe detyrën e promovimit të poezisë.

DEBATI

Nisma e ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për zgjedhjen e një “Poeti Laureat”, ‘institucion’ që gjendet në disa vende europiane, ka ngjallur debat në qarqet letrare. Kryesisht prej emrave që janë përfshirë në listat për të zgjedhur një poet që do të jetë laureati i parë shqiptar. Në një shkrim të publikuar në ‘sbunker’, Lisandri Kola, poet e profesor, shkroi një sërë arsyesh që nuk e bindin, mes të cilave edhe faktin që poetët janë vetëm nga Shqipëria.

Kola në artikullin e tij argumentonte se “Nji problem tjetër që lidhet me 25 poetët e shpallun kandidatë për kunorën e larit, asht se për çudi dallohet nji lojë spathish ku asht përjashtue gjenerata poshtë moshës 45 vjeç (kund afër kësaj). Pra mungon larmia dhe natyrshmënia e nji kompeticioni normal”. “Ky nuk asht nji çmim rutinor, vjetor që analizon prumjet e nji viti kalendarik-libresk, por asht nji çmim i cili inaguron nji projekt a nji traditë që mundet ose jo me pasë vijimsi. Nëse mendja ju shkon, që këto argumente lidhen me mungesën e emnit tim aty (pra si gjeneratë poshtë 45-s)” dhe se “as nuk pres dhe as due të jem pjesë e asnji nominimi a kandidimi të mundshëm, edhe pse kjo nuk asht në dorën e autorit. Nuk e mohoj ekzistencën time si autor, por refuzoj çdo listim, short-listim apo çmim, që ka me ardhë (?) prej institucioneve shtetnore shqiptare”.

Në vijim të një shkrimi kur argumentonte ato që për të janë kundërshti ndaj mënyrës se si po vijon procesi për “Poetin Laureat”, Kola shtonte se “Në këtë përzgjedhje gjeo-poetike dhe gjeneratash ka tre përbâs që të bien në sy. (I) Gjenerata e parë asht ajo e trubadorëve të deklaruem të komunizmit shqiptar (Londo, Lako, Zhiti, Marku, Zogaj) e ndonji tjetër disi ma i maskuem, kripto. (II) Gjenerata e dytë asht ajo e mbas 90-s, ku disa prej tyne kanë mbetë me reputacionin e asaj kohe dhe pendën e kanë flakë kahmot”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.