KULTURË

“Poeti Laureat” dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

11:44 - 28.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Mimoza Ahmeti – Poezia është një fenomen kaq i përhapur në vendin tonë. Shpjegime të ndryshme ka rreth këtij masiviteti të shtrirë në mosha dhe shtresa.




Disa mendojnë se poezia lidhet me aspiratën e shprehjes së lirë dhe të çfarëdolloj lirie. Disa mendojnë se poezia është një art i tejkaluar që nuk gjen më tërheqje imediate si dikur. Madje në fillimet e demokracisë u bë e modës bezdisja e padurueshme me pyetjen që u drejtonin gazetarët poetëve, “A mendoni se ka vdekur poezia?”. Kjo pyetje u bë sa bajate aq edhe nevrastenike, derisa më në fund edhe vetë pyetja u harrua dhe u duk sikur modën e botimit e pushtoi romani social politik, historik, reportazhor, intrigues, që shkonte jek e jek me politikën bashkëkohore që zëvendësoi mediat.

Por këtë vit ndodhi edhe befasimi me çmimin Nobel të radhës. E fitoi poetja amerikane Louise Gluck, e cila edhe pse e botuar në Europë, nuk kishte tërhequr vëmendje të gjerë publike si tani. Kjo lëvizje në politikën e çmimeve nuk mund të ishte rastësore.

Përse u ndie nevoja të kthehet fytyra drejt poezisë?

Në vetvete poezia është një tokë imagjinare, një tokë që ndoshta asnjëherë nuk do të provohet veçse si imagjinim, e megjithatë kaq e nevojshme për shpirtin. Ajo krijon një objekt me të cilin shpirti identiton edhe pa realitet, përputhet aty në realitetin e tij të padukshëm, shkakohet, duke transcenduar përmes nervave dhe qiellit.

Qysh në kohën e Homerit, shekuj përpara Krishtit, njihej Muza si personalitet i pavarur. Kjo perëndeshë e frymëzimit, së cilës shpesh i kanë kënduar duke pranuar individualitetin e saj sublim: “Këndo, o Muzë, mërinë e Akil Pelidit…kështu edhe fillon “Iliada”, një nga librat më të vjetër të botës, që bashkë me Biblën ndërtoi themelet e Europës klasike.

Në këtë kohë krize, kthimi i vështrimit drejt poezisë është një tërheqje vëmendjeje për këtë zhanër aspirues i cili gjithmonë i ka kënduar shpresës dhe njeriut fenomenal. Njeriut pa emër, ose atij me emër nëpër dramat e njeriut pa emër.

Ndryshe nga proza, poezia është një përçuese e gjuhës së pakontrolluar, e gjuhës së shtyrë nga ndjenja, nga vetmia, nga arratia drejt visesh mendore të reja që së pari shfaqen në gjuhë si zmadhim hapësire, nëpërmjet magjisë dhe fshehtësisë së metaforës, që thotë pa e thënë. Struktura të plota metaorike deri në nivele poezie dhe poeme, kanë aftësi ta transformojnë shpirtin, ta transferojnë atë në brigje të reja kuptimore dhe ndjesore, aty ku nuk shkel dot realiteti i përditshëm normativ, duke e bërë poezinë një medicinë energjetike për shpirtin.

Në këtë hapësirë të sensibilizuar Shtëpia e Librit, Tiranë, reagon duke shpallur konkurrimin për “Poetin Laureat”. Janë përfshirë disa nga emrat më të mirë të poezisë shqipe.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që prej krijimit të saj ka bërë një punë intensive për të promovuar vepra, autorë, përkthime, botime, zëra të dëgjuar dhe më pak të dëgjuar, të letërsisë shqipe, brenda dhe jashtë kufijve, për të përcjellë eko dhe rifreskim vlerash dhe gjuhe.

Tema abstrakte të fushës së filologjisë kanë zënë vend si dhe lexime poezish e tekstesh ngasëse e informuese.

Ky çmim në vetvete, i ofruar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si dhe Ministria e Kulturës, përbën një pikë kthese në ndjeshmërinë ndaj artit poetik, i cili, edhe pse është përballur disa herë me sfidën e ekzistencës, prej racionalizmit triumfues, gjeti përsëri të shtrirë ballë inoçencës së tij dhe sinqeritetit, dorën e shoqërisë, e cila kërkon ndihmën e poezisë, ndërsa kupton se nga kriza nuk mund të dilet pa zbutur shpirtrat e egërsuar nga filli i jetës materiale.

Poezia gjithmonë e ka përgatitur botën për ndryshim. Ajo asnjëherë nuk ka marrë shpërblimin, dhe as nuk e ka tentuar, pasi në ekzistencën e saj ajo është imagjinare dhe ndër- identitare, mijë vjet dritë tej realitetit.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.