Aktualitet

Ambasadori turk Yoruk: Tensionet me Greqinë dhe deklaratat e ministrit Dendias në Tiranë

18:05 - 29.10.20 Gazeta Shqiptare

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Murat Ahmet Yoruk, gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin “News24”, flet për raportet me Shqipërinë, rreth tensioneve të fundit me Greqinë për Mesdheun lindor dhe konfliktin e armatosur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nagorno Karabakh. Mbi deklaratën e fundit të ministrit të Jashtëm grek Dendias në Tiranë se Turqia po shkel kriteret dhe parimet e BE-së çdo ditë, ambasadori turk deklaron se çdo çështje të cilën mund ta zgjidhim në nivel dypalësh dhe me anë të dialogut reciprok, pala greke e mbart në nivelin e opinionit publik ndërkombëtar dhe tentojnë të gjejnë mbështetje.



  1. Ambasador, kjo intervistë përkon me festën kombëtare të Turqisë, ditën e Republikës së Turqisë. Urime dhe, meqenëse jemi në këtë temë, pse është e rëndësishme që parimet e themeluesit të Turqisë moderne, Kemal Ataturk, të vazhdojnë të jenë gur themeli i zhvillimit të vendit tuaj?
  2. Kaçorri, së pari dua të theksoj se ndihem i lumtur ngaqë jam përsëri i ftuari juaj pas dy viteve. Me këtë rast përshëndes përzemërsisht popullin shqiptar mik dhe vëlla. Ashtu siç e theksuat edhe ju, kjo intervistë përkon me 29 tetorin, festën e Republikës së Turqisë dhe përvjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë. Themelimi i Republikës së Turqisë u bë një pishtar shprese jo vetëm për popullin turk, por njëkohësisht edhe për popujt e tjerë të shtypur që jetonin nën robërim në atë periudhë.

Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë COVID-19 që mori nën ndikim të gjithë botën që prej muajit janar të shkuar, festën tonë të Republikës nuk mund ta festojmë në mënyrë madhështore ashtu si në vitet e kaluara. Por sidoqoftë ndjejmë të njëjtin entuziazëm. Siç e dini, recepsionet që organizojmë në Tiranë në lidhje me këtë festë kombëtare, janë recepsione në të cilat marrin pjesë me një emocion dhe kënaqësi të madhe shumë nga miqtë tanë shqiptarë.

Republika e Turqisë, që prej themelimit e deri më sot, e vijon politikën e jashtme në kuadër të parimit të Mustafa Kemal Ataturkut në formën “Paqe në atdhe, paqe në botë”. Duke u nisur nga ky parim, me “Politikën e jashtme humanitare dhe sipërmarrëse”, vazhdon veprimtarinë e saj me vendosmëri drejt objektivave të vitit 2023, 2053 dhe 2071, objektiva këta të shpallur nga presidenti ynë i nderuar.

Turqia, si një shtet me rrënjë të bazuara në kohë të hershme dhe si një vend që zotëron traditën e demokracisë, merr forcë nga pozicioni i saj gjeostrategjik, eksperienca e historisë së moçme, popullsia e re dhe e arsimuar, institucionet e fuqishme dhe ekonomia dinamike. Si rrjedhojë, Turqia sot ka ardhur tashmë në gjendjen e rrjetit të pestë më të madh në nivel botëror të përfaqësive, me gjithsej 246 misione diplomatike dhe konsullore.

Në këtë kuadër, politikën e jashtme e ushtrojmë në një nivel global, duke qenë të vetëdijshëm se sfida ashtu si terrorizmi, emigracioni i parregullt dhe varfëria nuk kanë veçse ndikime rajonale, por njëkohësisht edhe ndikime globale. Ndërsa zgjidhja e problemeve globale është e lidhur me përpjekjet e përbashkëta në bazën efektive shumëpalëshe dhe në atë të bashkëpunimit. Për këtë arsye i kushtojmë shumë rëndësi diplomacisë shumëpalëshe. Së fundmi, zgjedhja e ish-ministrit të BE-së, Z. Ambasador Volkan Bozkır si Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është një demonstrues i rëndësisë që i kushtojmë diplomacisë shumëpalëshe.

Objektivi ynë është të mundësojmë lartësimin e Turqisë si një fuqi rajonale, vend ky që është i detyruar të jetojë në një gjeografi mjaft problematike. Teksa po ndërtohet një rend i ri botëror gjatë përjetimit të sfidave dhe trazirave serioze, krijon një mjedis ndërkombëtar të mbizotëruar nga paqja, prosperiteti dhe stabiliteti në rajonin tonë dhe në botë. Veprimtaritë tona në këtë kuadër do i mbartim në vitet e ardhshme në udhëheqjen vizionare dhe me përvojë të presidentit tonë dhe në përputhje me parimet e Mustafa Kemal Ataturkut.

Marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë nuk luhaten, pavarësisht se kush mund të jetë në pushtet në vendet përkatëse. Turqia i ka dhënë ndihmë të vlefshme Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit, duke premtuar asistencë për njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre. Në cilën pikë jeni në këtë aspekt?

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë bazohen në disa shekuj me radhë dhe në një lidhje të ngushtë vëllazërie. Në fakt, unë do të doja të shkoja edhe më tej dhe të thosha se ne nuk jemi vetëm miq dhe vëllezër, por edhe të afërm. Pasi populli turk dhe populli shqiptar kanë jetuar bashkërisht për qindra vite me radhë, kanë formuar familje së bashku. Më shumë se 4 milionë shtetas me prejardhje shqiptare që jetojnë në Turqi janë treguesi më konkret i kësaj lidhjeje të fuqishme midis dy shteteve.

Me këtë vetëdije, pas tërmetit që ndodhi më 26 nëntor 2019, ne mobilizuam të gjitha mjetet tona për vëllezërit tanë shqiptarë pa ngurruar aspak. U munduam të kurojmë plagët e popullit shqiptar. Avioni ynë i parë që mbante ekipet tona të kërkimit dhe shpëtimit me çadra, pajisje të ndihmës së shpejtë dhe pajisje higjienike arriti në Shqipëri në mbrëmjen e 26 nëntorit. Me të njëjtin avion nisëm për në Turqi edhe 21 shtetasit tanë të shpëtuar nga rrënojat e një hoteli në Durrës. Njëkohësisht një delegacion i formuar nga bashkëshortja ime, anëtaret e Grupit Sipërmarrës të varur nga Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) dhe bashkëshortet e personelit të Ambasadës sonë, brenda disa ditëve të para pas tërmetit shpërndanë kuti me ndihma ushqimore dhe higjienike ndaj 750 të prekurve nga tërmeti, me kontributet e personelit të Ambasadës sonë dhe të shtetasve tanë. Ashtu siç e dini, edhe Presidenti ynë deklaroi se TOKI (Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Banesave Sociale) do të ndërtonte 500 njësi banimi në Shqipëri. Ne e përsëritëm këtë angazhim në Konferencën e Donatorëve të organizuar në Bruksel më 17 shkurt 2020. Ne synojmë të përfundojmë etapën e parë të shtëpive të ndërtuara nga TOKI në zonën e Laçit në muajt e parë të vitit 2021 dhe t’ua dorëzojmë njësitë e ndërtimit pronarëve të tyre.

Në 3 vitet e fundit kemi fituar vrull në marrëdhëniet politike midis vendeve tona. Ministri ynë realizoi një vizitë zyrtare në muajin tetor 2018 dhe së fundmi në muajin e shkurtit të shkuar. Gjatë vizitës së Ministrit tonë u nënshkruan 3 marrëveshje për të përmirësuar bashkëpunimin tonë. Gjatë vizitës së tij zyrtare, Ministri ynë deklaroi se vizita e tij ishte një përgatitje për vizitën e Presidentit Erdogan në Shqipëri. Edhe në muajin shtator Kryeministri Rama dhe Presidenti ynë u takuan në Marmaris, në kuadër të një vizite të veçantë. Ne dëshirojmë të vazhdojmë këtë vrull në periudhën e ardhshme dhe të zyrtarizojmë dhe konsolidojmë partneritetin tonë strategjik me nënshkrimin e Deklaratës Politike në lidhje me krijimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, e cila u nënshkrua gjatë vizitës së Ministrit tonë në tetor 2018. Ne dëshirojmë ta vazhdojmë këtë vrull në periudhën e ardhshme dhe të zyrtarizojmë dhe konsolidojmë partneritetin tonë strategjik me nënshkrimin e Deklaratës Politike në lidhje me krijimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, e cila u nënshkrua gjatë vizitës së Ministrit tonë në tetor 2018.

Njëri prej dimensioneve më të rëndësishëm të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Shqipërisë janë marrëdhëniet tona tregtare dhe ekonomike. Deri në fund të vitit 2019, vëllimi ynë dypalësh i tregtisë ka tejkaluar vlerën e gjysmë miliardë (600 milion) dollarëve. Megjithatë mendojmë se kjo vlerë është nën potencialin e Turqisë dhe Shqipërisë. Ne vazhdojmë punimet tona për të rritur edhe më shumë vëllimin e tregtisë dypalëshe.

Turqia, kur merren parasysh dhe shërbimet nënkontraktore, gjithashtu është në pozitën e investitorit më të madh në Shqipëri, me investimet në vlerën e 3.5 miliardë dollarëve në sektorë strategjikë si telekomunikacioni, energjia dhe sistemi bankar. Sakaq, dua të shpreh me keqardhje se më shumë se 600 kompani tonat që operojnë në Shqipëri, në veçanti ato në fushën e energjisë, minierave dhe telekomunikacionit, janë përballur me vështirësi në veçanti gjatë vitit të fundit. Z. Ministër, gjatë vizitës së tij zyrtare, solli në vëmendjen e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar problemet me të cilët përballen kompanitë tona. Edhe unë si ambasador vazhdoj iniciativat e nevojshme kundrejt autoriteteve përkatëse shqiptare. Besoj se bashkë me zgjidhjen e këtyre problemeve të kësaj kategorie do të shtohen më shumë investimet turke në Shqipëri. Pasi, fakti që kompanitë tona këtu do të mund të punojnë në një mjedis të qetë dhe të paqtë, do të përbëjë një referencë pozitive për kompanitë tona të tjera që do të duan të investojnë në Shqipëri.

Është e qartë se marrëdhëniet e Turqisë me Greqinë janë mjaft të tensionuara për shkak të kërkimeve nga ana e Turqisë në detin Mesdhe. Gjatë një vizite në Tiranë, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias tha se Turqia po shkel kriteret dhe parimet e BE-së çdo ditë, prandaj duhet të merren masa urgjente. Cili është qëndrimi i Ankarasë mbi këtë deklaratë, veçanërisht kur një deklaratë e tillë vjen gjatë një vizite të ministrit grek të Punëve të Jashtme në Shqipëri?

Ju falënderoj në veçanti për këtë pyetje. Me këtë rast dua të parashtroj në mënyrë të qartë qasjen e shtetit tonë në lidhje me zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe në Egje.

Politika e Turqisë në Mesdheun Lindor mbështetet në dy baza:

E para prej këtyre është përcaktimi i zonave të juridiksionit detar në Mesdheun Lindor në një mënyrë të drejtë mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me parimin e barazisë. Ne si Turqi kemi deklaruar disa herë se jemi të gatshëm të negociojmë për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar me të gjitha shtetet që lagen nga Mesdheu Lindor, përveç Administratës Greke të Qipros Jugore – GASC (Guney Kıbrıs Rum Cumhuriyeti – GKRY).

Dimensioni i dytë është mbrojtja e të drejtave të Republikës Turke të Qipros Veriore dhe të turqve qipriotë në Mesdheun Lindor. Pasi Republika Turke e Qipros Veriore dhe turqit qipriotë, si pronarë të përbashkët të ishullit, zotërojnë të drejta të barabarta mbi të gjithë burimet e ishullit, bashkë me palën greke.

Baza e problemeve që përjetohen sot në Mesdheun Lindor janë hapat e njëanshëm të Greqisë dhe të Republikës së Qipros Jugore, hapa të cilët gjithashtu bien ndesh me ligjin ndërkombëtar. Greqia dhe Administrata Greke e Qipros Jugore (GASC), mundohen të përjashtojnë Turqinë dhe turqit qipriotë në Mesdheun Lindor, si dhe të imponojnë pretendimet e tyre maksimaliste.

Ashtu siç mund t’ju kujtohet, në vitin 2004, teksa turqit qipriotë pranuan planin “Annan” (i njohur gjithashtu si plani i ribashkimit të Qipros, si një propozim i Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros), pala greke e refuzoi planin dhe kështu u humb një mundësi historike për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Qipros. Ndërsa më pas BE-ja, me një gabim strategjik, pranoi anëtarësimin në BE të Administratës Greke të Qipros Jugore, republikë kjo e cila refuzoi planin “Annan”. Kështu thuajse e vlerësoi me shpërblim Administratën Greke të Qipros Jugore. Ky njëkohësisht ishte një vendim që binte ndesh me ligjin dhe legjislaturën e BE-së. BE-ja në fakt edhe sot po e paguan së tepërmi koston e këtij vendimi të gabuar. Pasi dyshja Administrata Greke e Qipros Jugore (GASC) – Greqi bllokon proceset e vendimmarrjes së BE-së në kuadër të interesave të politikës së saj të jashtme. Thuajse merr peng mekanizmat e vendimmarrjes së BE-së. Shembullin e fundit të kësaj e pamë kur Administrata Greke e Qipros Jugore (GASC) vuri si kushtëzim zbatimin e sanksioneve ndaj Turqisë në kuadër të sanksioneve që BE-ja parashikonte të zbatonte në Bjellorusi.

  1. Ambasador, cili është sfondi i tensioneve në detin Mesdhe?

Për të perceptuar në kuptimin e plotë tensionin ekzistues në Mesdheun Lindor duhet të rishikojmë prapaskenën historike. Administrata Greke e Qipros Jugore (GASC), duke nënshkruar marrëveshje kundrejt “të ashtuquajturit” kufizim të juridiksionit detar në vitin 2003 me Egjiptin, në vitin 2007 me Libanin dhe në vitin 2010 me Izraelin, cenoi si platformën kontinentale të Turqisë, por edhe të drejtat absolute të turqve qipriotë mbi burimet e ishullit. Ndërsa në vitin 2011 startuan punimet e para të shpimit me sondë në Mesdheun Lindor. Pa dyshim që nuk mund të mbeteshim spektatorë të grabitjes së të drejtave si të Turqisë, ashtu edhe të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), për të cilën jemi garantues. Sakaq vazhduam t’i ofrojmë mundësi si diplomacisë, ashtu edhe dyshes Greqi-Administratë Greke e Qipros Jugore (GASC); për shkak se në vitin 2019 mosmarrëveshja nuk ishte zgjidhur ende, si në platformën tonë kontinentale, po ashtu edhe në kuadër të licencave që Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) i dha TPAO-s (Korporata e Naftës e Turqisë – Turkiye Petrolleri Anonim Ortaklıgı), startuam aktivitetet tona kërkimore.

Greqia dhe Administrata Greke e Qipros Jugore (GASC), me pretendimet e tyre maksimaliste dhe në kundërshti me ligjin ndërkombëtar në Mesdheun Lindor, mundohen të kufizojnë Turqinë në Gjirin e Antalya-s. Do të doja t’ju tregoja mbi hartën e ashtuquajtur si “Harta e Seviljes”, se sa absurde dhe të pakuptimta janë këto pretendime maksimaliste të Greqisë.

Ashtu siç e shihni, Greqia, në kuadër të nenit të 121-të, Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, pretendon se të gjithë ishujt janë zona ekskluzive ekonomike. Thelbi i problemit këtu qëndron tek ishulli Meis, që gjendet në një distancë 2 km nga Turqia dhe 580 km nga Greqia. Greqia pretendon se ky ishull me një hapësirë prej 10 km2 është një zonë ekskluzive ekonomike prej 40.000 km2. Në rast se Turqia do të pranonte këto pretendime, do të duhej që një anije e nisur nga Stambolli për në Antalya, të merrte leje nga Greqia për të kaluar. Vallë cili shtet sovran do të mund të pranonte një imponim të tillë krejtësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare? Edhe miqtë tanë në shtetet anëtare të BE-së pranojnë se këto hipoteza të Greqisë janë të papranueshme. Sakaq mbështesin një pretendim të padrejtë, duke menduar se “Greqia është anëtare e BE-së, dhe si e tillë duhet të jemi në gjendje solidarizimi”.

Ne, në përputhje edhe me ligjin ndërkombëtar, mbrojmë faktin se ishujt e mbetur në lindje të linjës përgjysmore midis Turqisë dhe Greqisë, nuk janë zona ekskluzive ekonomike. Pasi në rast se do iu jepej kompetencë e plotë të gjithë ishujve grekë, të vegjël apo të mëdhenj qofshin, atëherë do të ishte e pamundur të flisnim për një ndarje të drejtë në Mesdheun Lindor dhe në Egje. Kjo tezë e jona mbështetet gjithashtu edhe nga këndvështrimet e legjislacionit detar ndërkombëtar.

Dyshja Greqi – Administrata Greke e Qipros Jugore, e cila nuk arrin t’i imponojë Turqisë pretendimet e saj maksimaliste dhe e cila është e vetëdijshme se do të humbasë edhe në tryezë, tentojnë të krijojnë një fakt të kryer, duke bërë mjet të lojës së tyre BE-në dhe shtetet e tjera të rajonit. Pavarësisht gjithë thirrjeve tona për dialog, formuan Forumin e Mesdheut Lindor për Gazin, kundër Turqisë dhe turqve të Qipros. Formuan gjithashtu mekanizma bashkëpunimi trepalëshe dhe katërpalëshe me shtetet e rajonit. Nuk u mjaftuan edhe me kaq, por në çdo rast, ashtu si një fëmijë i llastuar, në çdo rast shprehin drejt BE-së ankesat e tyre ndaj Turqisë. Edhe BE-ja, fatkeqësisht, nën petkun e “solidarizimit të bazuar në unitet dhe bashkim”, bëhen mjet në këtë lojë të dyshes Greqi – Administratë Greke të Qipros Jugore. E si të tillë kërcënojnë Turqinë me gjuhën e sanksioneve. Tani dua të drejtoj këtë pyetje: Mos është vallë BE-ja një gjykatë ndërkombëtare, e si e tillë zotëron kompetencën për kufizimin e juridiksioneve detare?

Po ashtu duhet të vlerësojmë deklaratat e Dendiasit, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në këtë kuadër. Mund të themi se ata trokasin në çdo portë dhe kërkojnë mbështetje për pretendimet e tyre të pabazë. Mundohen t’i injektojnë opinionit publik shqiptar ide dhe mendime kundër Turqisë. Unë këtë rast e përngjasoj me nxënësin, i cili pasi e kupton se do të humbasë në lojën e luajtur gjatë pushimit në shkollë, ankohet vazhdimisht te mësuesit për shokun e tij që do të fitojë. Duket qartë se fqinjët tanë grekë tashmë këtë e kanë si një shprehi e zakon. Çdo çështje të cilën mund ta zgjidhim në nivel dypalësh dhe me anë të dialogut reciprok, e mbartin në nivelin e opinionit publik ndërkombëtar dhe tentojnë të gjejnë mbështetje. Në fakt nuk është aspak e nevojshme diçka e tillë, pasi me qetësi dhe me gjykim të shëndoshë mund të zgjidhet çdo çështje.

  1. Ambasador, ju jeni duke thënë se Turqia është e gatshme të negociojë me Greqinë. Është e saktë kjo?

Pavarësisht se ne kemi shprehur në çdo nivel dhe disa herë thirrjen dhe ftesën tonë për negociata, pa paraqitur një kusht paraprak për këtë, Greqia kurrsesi nuk ka pranuar të negociojë. Përkundrazi, me veprimtarinë e saj të njëanshme dhe që nuk pajtohen me legjislacionin ndërkombëtar, vazhdon provokimet e saj drejt Turqisë. Do të doja ta theksoja përsëri këtë fakt: Pala që shton tensionimin në Mesdheun Lindor nuk është Turqia, por Greqia me veprimtarinë e saj të njëanshme dhe të papajtueshme me legjislacionin ndërkombëtar. Greqia pretendon se problemi i vetëm në Mesdheun Lindor dhe në Egje është “përkufizimi i juridiksioneve detare”. Ndërkohë, duke organizuar stërvitje ushtarake në Mesdheun Lindor dhe në Egje, duke ngacmuar dhe shqetësuar anijet tona civile kërkimore, duke cenuar statusin e demilitarizimit të Ishujve të Egjesë dhe të ishullit Meis (Kastellorizo), duke deklaruar planet e tyre për zgjerimin e kufijve detarë me 12 milje në Egje dhe duke ushtruar presion mbi pakicën muslimane – turke në Thrakinë Lindore, e provokon vazhdimisht Turqinë dhe si e tillë shton edhe tensionimin. Sot është festa jonë kombëtare. Veçanërisht sot ata organizojnë stërvitje ushtarake. Këta janë lëvizje të panevojshme.

Po ashtu ndjekim së afërmi edhe negociatat mbi juridiksionin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Të negociosh me Greqinë kërkon shumë durim. Pasi në realitet nuk ulen në tryezë për të negociuar. Mundohen që në një mënyrë të imponojnë pretendimet e tyre maksimaliste. E kur shohin se nuk ia arrijnë ta bëjnë këtë, atëherë e kthejnë tryezën përmbys.

Më lejoni të paraqes një shembull spikatës në lidhje me qëndrimin e Greqisë në formën “pazgjidhshmëria është vetë zgjidhja”: Në datën 21 korrik 2020 vendosëm të dërgojmë një anije kërkimore sizmike në anën jugperëndimore të platformës sonë kontinentale, zonë kjo e cila u regjistrua në OKB në vitin 2004. Mirëpo duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjeve të Gjermanisë dhe të BE-së për t’i dhënë një mundësi të fundit diplomacisë, pavarësisht pritshmërisë së opinionit publik të Turqisë, shtymë për një kohë aktivitetet tona kërkimore. Gjatë kësaj periudhe kohore, konsulentët e liderëve tanë politikë zhvilluan bisedime në ndërmjetësimin e Gjermanisë, si rrjedhojë u mor vendimi për rifillimin e bisedimeve dhe konsultimeve në kuadër të Masave të Ndërtimit të Besimit. Madje edhe u arrit në një kompaktësi në çështjen e njoftimit të rezultateve të këtyre bisedimeve me një deklaratë të përbashkët në datën 7 gusht 2020. Pak orë para se të zhvillohej kjo deklaratë, Greqia, duke cenuar edhe juridiksionet detare të Turqisë dhe të Libisë, shpalli se do të arrinte të nënshkruante një marrëveshje me Egjiptin në lidhje me kufizimin e juridiksioneve detare. Një zhvillim të tillë edhe drejtuesit e lartë të BE-së dhe të Gjermanisë e pritën me habi. Pas kësaj, fqinjët tanë grekë, akoma arrijnë të pretendojnë me pafytyrësi se është Turqia ajo që shton tensionimin në Mesdheun Lindor.

Unë me këtë rast dua të shpreh përsëri këtë fakt: Nëse BE-ja pret që ne të përkulemi përballë kërcënimeve të sanksionimeve, gabohet. Turqia nuk do të heqë dorë në asnjë mënyrë nga të drejtat e saj në Egje dhe në Mesdheun Lindor. Do të vijojmë të mbrojmë deri në fund si të drejtat tona, po ashtu edhe të drejtat e turqve të Qipros. Turqia nuk ka as një pëllëmbë tokë, e as një pikë ujë për të dhënë në Mesdheun Lindor. Cilado qoftë kostoja e kësaj, kurrsesi Turqia nuk do të lejojë që ligji dhe legjislacioni i Turqisë, i turqve të Qipros dhe i brezave tanë të ardhshëm të nëpërkëmbet.

  1. Ambasador, një temë e rëndësishme është tensioni midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nago-Karabakut. Cili është qëndrimi i Ankarasë në lidhje me këtë konflikt?

Ashtu siç e dini, pavarësisht vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sipas të cilave kërkohet që forcat pushtuese armene të sprapsen menjëherë, pa asnjë kusht paraprak dhe plotësisht nga Karabaku i Sipërm (vendimet me numër 822, 853, 874 dhe 884 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së), Armenia, ashtu sikur tallet me ligjin ndërkombëtar, vazhdon të mbajë nën pushtim prej 30 vitesh afërsisht 20% të tokave të Azerbajxhanit.

Në mëngjesin e datës 27 shtator, forcat armene, duke cenuar armëpushimin, nisën të bombardojnë dendësisht me armë të rënda pozicionet e Azerbajxhanit dhe zonat ku banonte popullsia civile. Në thelb këto sulme ishin në cilësinë e vazhdimësisë së sulmeve në zonën Tovuz, sulme këto të organizuara në datën 12 korrik. Edhe Azerbajxhani, në kuadër të së drejtës së vetëmbrojtjes legjitime të bazuar në nenin e 51-të të Kartës së OKB-së, kaloi në kundërsulm me qëllim që të çlironte tokat e tij. Dua të nënvizoj realitetin se këto operacione të Azerbajxhanit janë të kufizuara brenda kufijve të njohur nga ligji ndërkombëtar dhe po ashtu janë të kufizuar edhe vetëm me forcat armene.

Sigurisht që ne nuk duam luftë as në kufijtë tanë, e as në rajon në përgjithësi. Mirëpo pengesa më e madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon është Armenia dhe pushtimi i paligjshëm armen në Karabakun e Sipërm. Për këtë arsye, mbështesim plotësisht operacionin që Azerbajxhani nisi pas sulmeve të Armenisë dhe përpjekjet për të çliruar tokat e tij. Sakaq dua të hedh dritë mbi një keqkuptim: Mbështetja që ne i ofrojmë Azerbajxhanit nuk buron vetëm nga këndvështrimi “një popull, dy shtete”, por edhe nga pozicioni i Azerbajxhanit në ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit ka 100% të drejtë.

Dëshirojmë që pushtimi armen në Karabakun e Sipërm të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe që çështja të zgjidhet duke u bazuar në tërësinë territoriale të Azerbajxhanit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Ndërkaq Armenia nuk tregon asnjë qasje kundrejt diplomacisë dhe tërheqjes nga Karabaku i Sipërm. Ndërkohë kur edhe lufta ka një ligj dhe rregullat e saj. Armenia nuk respekton madje edhe këto rregulla. Armenët, të cilët nuk arrijnë të rezistojnë përballë forcave azerbajxhanase në terren dhe që po humbasin një nga një njësitë e vendbanimit, nisën të përcaktojnë me poshtërsi si objektiv civilët e pafajshëm dhe të thyejnë armëpushimin njerëzor me sulmet e organizuara në mesnatë. Këto veprime të Armenisë janë krime lufte të kryera haptazi dhe qartazi. Pa dyshim që duhet të kërkohet llogari për këtë. Si rezultat i këtyre sulmeve të Armenisë, më shumë se 80 vëllezër turq të Azerbajxhanit humbën jetën. Bile mund të shihni, kjo është karta e identitetit e një foshnjeje të lindur në vitin 2020, që humbi jetën në sulmet e armenëve. Kush, si mund ta mbrojë këtë tradhti, pabesi dhe barbarizëm? Teksa masakrat e Bosnjës dhe të Kosovës janë ende të freskëta në kujtesën tonë, nuk mund të mbetemi spektatorë ndaj masakrave të tjera.

Qeveria e Armenisë, po ashtu rrezikon edhe sigurinë e energjisë së Europës, duke përcaktuar si objektiv infrastrukturën civile në rajon, e po ashtu gazin dhe tubacionet. Me këto sulme mundohet të provokojë Azerbajxhanin e ta mbartë luftën jashtë Karabakut të Sipërm.

Pa dyshim që këto sulme të Armenisë nuk janë të habitshme për ne. Ajo që përbën zhgënjim për ne është heshtja e shoqërisë ndërkombëtare dhe e Bashkëkryetarëve të Grupit Minst përballë këtyre sulmeve çnjerëzore. Ju lutem, mendoni krejt të kundërtën. Nëse Azerbajxhani do të organizonte sulme të ngjashme dhe civilët armenë do të humbitnin jetën, ç’do të ndodhte? Jam i sigurt se shoqëria ndërkombëtare nuk do ta ruante heshtjen dhe qetësinë. Vendimet e qortimit dhe të sanksionimeve do të ndiqnin njëri-tjetrin.

Jemi të mendimit se shoqëria ndërkombëtare dhe veçanërisht Bashkëkryetarët e Grupit Minsk duhet të jenë më aktivë në çështjen e Karabakut të Sipërm. Është kusht që ta detyrojnë Armeninë të tërhiqet menjëherë dhe plotësisht nga Karabaku i Sipërm dhe të ndalojnë sulmet ndaj civilëve. Çdolloj armëpushimi dhe zgjidhjeje në të cilën nuk merr fund pushtimi armen, do të jetë larg zgjidhjes së problemit të Karabakut të Sipërm, do të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe e brishtë.

Armenët kanë akuzuar Turqinë për përfshirje në këtë konflikt. Ata akuzuan Ankaranë për rrëzimin e avionëve armenë dhe furnizimin e Azerbajxhanit me armë, dronë turq etj…

Pretendimet e Armenisë se Turqia lufton në mënyrë aktive në terren janë të pabaza dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Liderët politikë armenë, të cilët po humbasin përballë Azerbajxhanit në terren, duke pretenduar se Turqia është përfshirë në konflikt, mundohen të marrin mbrojtjen e shoqërisë ndërkombëtare dhe ta paraqesin veten si viktima. Si zyrtarët e lartë të Azerbajxhanit, po ashtu edhe zyrtarët tanë të lartë, i refuzuan haptazi dhe prerazi këto pretendime të armenëve.

Për më tepër, fakti se Turqia ka realizuar shitje armësh ndaj Azerbajxhanit nuk është një sekret. Azerbajxhani më parë ka blerë armë nga Rusia dhe Izraeli. Së fundmi edhe armenët nuk luftojnë me gurë e shkopinj.

Si përfundim dua t’ju sjell në kujtesë se qeveria e Azerbajxhanit zotëron informacione dhe dokumentacione që tregojnë se armenët, terroristët e lidhur me PYD/YPG/SDF, si elementë të PKK-së në Siri, organizatë kjo e pranuar si organizatë terroriste nga BE-ja, SHBA-të dhe NATO, i kanë sjellë në frontin e luftës dhe i kanë bërë pjesë të luftës së tyre ndaj Azerbajxhanit.

Karabaku është Azerbajxhan, Turqia do të jetë gjithmonë pranë Azerbajxhanit. Ndërsa është e vendosur të vijojë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë ndaj tij.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.