KULTURË

Bardhyl Londo: Atyre që kërkonin shembjen e teatrit, si iu duket Tirana pa shfaqje?

14:40 - 29.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli – Shkrimtari Bardhyl Londo ka ngritur zërin për jetën kulturore në kryeqytet. Ai pyet ata që kërkuan shembjen e teatrit se si iu duket qyteti pa shfaqje.

Përmes një postimi, shkrimtari duket se akuzon ata që ranë dakord për shembjen, se u bënë bashkëpunëtorë jo vetëm në atë që ndodhi, por edhe në atë që po ndodh.

“Ku janë ata aktorë që u futën mish tek Erion Veliaj dhe dolën sallam? Përse nuk mblidhen përsëri dhe të nënshkruajnë një peticion tjetër, ku të kërkojnë ngritjen sa më parë të teatrit siç e ëndërronin ata ose siç i urdhëruan të ëndërrojnë me sy hapur?” – pyet Londo.

Duket se jeta e zbrazët kulturore dhe heshtja për të vdekurin e kallur në mes qyteti ka shqetësuar së tepërmi London, aq sa ai bën një pyetje e akuzë publike për atë që ka ngjarë me shtetin e qytetin.

Në një heshtje të madhe të jetës, në një zbrazëti të madhe kulturore, me teatro ‘kthina’ të mbyllur, me drejtësinë e mbetur peng, Londo, pyet për heshtjet e fjalët e munguara.

“E keqja më e madhe është se nuk po flitet fare për të, si për një të vdekur të bezdisshëm. Llogaritni kohën sa të përfundojnë pazarllëqet për truall, tenderë etj., etj., llogarisni pastaj kohën e ndërtimit, dhe mendoni pas sa vjetësh mund të ngrihet i famshmi Teatër i ri”, – vëren ai.

KU JANË ATA QË KËRKONIN PRISHJEN E TEATRIT

“Tirana ka kaq kohë që, ndryshe edhe nga kryeqytete fare të humbura të botës, nuk ka fare Teatër. Kjo është gjysma e së keqes. E keqja më e madhe është se nuk po flitet fare për të, si për një të vdekur të bezdisshëm. Llogaritni kohën sa të përfundojnë pazarllëqet për truall, tenderë etj., etj., llogarisni pastaj kohën e ndërtimit, dhe mendoni pas sa vjetësh mund të ngrihet i famshmi Teatër i ri.

Natyrisht, unë dhe shumica e kryeqytetasve nuk presim gjë nga zyrtarët e lartë që ideuan prishjen e Teatrit, por pyetja që shtroj unë është: ku janë ata aktorë që nënshkruan me aq zell e entuziazëm shkatërrimin e Teatrit dhe na predikonin përralla për një teatër të ri madhështor? Ku janë ata aktorë që u futën mish tek Erion Veliaj dhe dolën sallam? Përse nuk mblidhen përsëri dhe të nënshkruajnë një peticion tjetër ku të kërkojnë ngritjen sa më parë të teatrit siç e ëndërronin ata ose siç i urdhëruan të ëndërrojnë me sy hapur?

Le ta dijë kushdo se talljen me Teatrin Kombëtar nuk do ta falë apo tolerojë askush! Teatri, më shumë se i firmëtarëve peticionistë, është i njerëzve, qytetarëve”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.