KULTURË

Gjermania mbështet ruajtjen e arkivit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër

18:42 - 29.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjermania mbështet Fototekën “Marubi” në Shkodër në katalogizimin, arkivimin digjital dhe ruajtjen e vazhdueshme të arkivit të saj të negativëve në xham, shiritave filmikë, dokumenteve dhe objekteve të tjera. Ministria e Jashtme Federale, në kuadër të Programit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, vë sërish në dispozicion për këtë qëllim 9.000 euro. Ambasadori Peter Zingraf në vizitën e para disa ditëve në Shkodër u bind personalisht për progresin e këtij projekti dhe pati mundësinë të përftojë një panoramë të drejtpërdrejtë në punët e arkivimit. Në kuadër të mbështetjes së dytë gjermane për muzeun, u mundësua ndër të tjera blerja e kutive speciale të arkivimit dhe dosjeve për ruajtjen dhe konservimin profesional të shiritave filmikë dhe dokumenteve, si p.sh. katalogëve dhe objekteve të tjera të arkivit.




Me këtë projekt Gjermania vijon mbështetjen e saj për ruajtjen e kësaj trashëgimie të vlefshme kulturore fotografike të Shqipërisë. Tashmë prej vitit 2016, pra vetëm disa muaj pas inaugurimit të muzeut të ridizenjuar, Ministra e Jashtme Federale mbështeti financiarisht procesin e arkivimit me një projekt në vlerën e 70.000 eurove. Asokohe Qeveria Federale kishte mbështetur me blerjen e kutive të arkivimit, në të cilat u konservuan në mënyrën e duhur dhe u siguruan në vazhdimësi rreth 500.000 negativë të Muzeut Fotografik Kombëtar. Ndër to bënin pjesë dhe rreth 150.000 negativë në xham shumë të vlefshëm, por dhe shumë delikatë.

Tashmë që prej vitit 1981 Ministria e Jashtme Federale angazhohet përmes “Programit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore” për ruajtjen e kësaj trashëgimie në të gjithë botën dhe për forcimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar. Në Shqipëri, Ministria e Jashtme Federale ka mbështetur financiarisht qysh prej vitit 1989 njëzet projekte të ruajtjes së pasurisë dhe trashëgimisë kulturore. Pjesë e tyre kanë qenë ndër të tjera restaurimi i Kishës së Shën Antonit në Kepin e Rodonit, restaurimi i Mozaikut të Trikonkës Paleokristiane në Parkun Arkeologjik të Antigonesë si dhe ruajtja e ikonave në Korçë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.