OPINION

Padia kolektive, mjeti i ri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të individëve

22:03 - 29.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ola Mitre – Nëse konstatoni se banka juaj ka nisur aplikimin e një komisioni bankar të pajustifikuar, nëse punëdhënësi ju detyron të punoni orë shtesë të pa paguara apo nëse jeni banorë të një zone në të cilën një fabrikë shkakton ndotje të madhe në mjedis, duke dëmtuar dhe shëndetin, ju do të mund të depozitoni në gjykatë një padi kolektive, për të kërkuar zgjidhje. Këto janë disa prej rasteve kur ky instrument i ri ligjor mund të përdoret nga një grup individësh që pësojnë një dëm me rëndësi e me vlerë relativisht të vogël, ndërkohë që kjo lloj padie mund të ngrihet në rastet kur ekziston një pretendim për shkelje në disa fusha të ndryshme.Aktualisht është gati projektligji që detajon këtë proces, i cili ka për qëllim të lehtësojë aksesin në drejtësi, të ndalojë apo parandalojë sjelljen e paligjshme si dhe të lejojë personat e dëmtuar të kompensohen në rastet e dëmeve kolektive. Sipas Lira Hakanit, nga qendra mjedisore EDEN, miratimi i këtij ligji, që mundëson përdorimin e këtij instrumenti të ri ligjor, është domosdoshmëri. “Ngritja e një padie në gjykatë shoqërohet me shpenzime të shumta dhe kërkon një angazhim jo të vogël kohor, ndërkohë që arsyeja e vetme që do të nxiste një person për të filluar një proces të tillë dhe për të paditur dikë është vetëm nëse dëmet që personi ka pësuar janë të konsiderueshme, si në rastet e dëmtimeve të rënda fizike ose humbjeve financiare”,-thotë Hakani, duke shtuar se “në jo pak raste, ndërmarrjet me pozita të favorshme në treg shpesh kryejnë shkelje ligjore në dëm të individëve të një grupi të caktuar, ku përfshihen shkeljet e evidentuara nga operatorë të industrisë bankare, të telekomunikacionit, të tregtisë dhe shërbimit në industrinë ushqimore dhe jo-ushqimore”. Por sipas saj, “trajtimi individual i këtyre shkeljeve nuk ka pasur ndonjë efekt, për të mos thënë që çdo përpjekje individuale ka rezultuar e dështuar për shkak të pafuqisë që mbart individi përkundrejt ndërmarrjeve të cilat gëzojnë një mbështetje dhe mbrojtje me të madhe, falë burimeve financiare dhe logjistike, por dhe për shkak të pozitës së tyre në treg”. Për këtë arsye, instrumenti i padisë kolektive shihet më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtye raste, bazuar kjo edhe në hulumtime të kryera nga organizata të shoqërisë civile.




PADIA KOLEKTIVE

Sipas projektligjit “padia kolektive” do të jetë një mjet ligjor nëpërmjet së cilit një organizatë jo-fitimprurëse mund të ngrejë një padi në gjykatë në emër të një grupi personash të dëmtuar, për të përfituar dëmshpërblim për veprimet e paligjshme të një ndërmarrje të caktuar”. I njëjti dokument saktëson se OJF-ja, që legjitimohet të paraqesë këtë lloj padie, duhet të ketë përmbushur një sërë kriteresh ligjore të cilat garantojnë transparencën dhe ndalimin e abuzimit me këtë të drejtë nga OJF-të, të cilat mund të influencohen nga ndërmarrjet ndaj të cilave mund të ngrihen paditë kolektive. Kjo padi do të mund të ngrihet në rastet kur ekziston një pretendim për shkelje në disa fusha të ndryshme, sikurse janë: E drejta konsumatore e parashikuar nga ligji për mbrojtjen e konsumatorit; ndalimi i praktikave që kufizojnë konkurrencën apo rregullat e tregtimit në tregjet e rregulluara dhe abuzimin me pozitën dominuese në treg. Gjithashtu, ajo do të mund të përdoret në rast të cenimit e të drejtave të punëmarrësve, nga ana e punëdhënësve të cilët kanë të paktën 50 punëmarrës, përgjegjësia për dëmet që i janë shkaktuar ose mund t’i shkaktohen mjedisit apo diskriminimi kolektiv. Sipas Hakanit, “padia kolektive i garanton aksesin në gjykatë të gjithë individëve që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për të nisur një proces gjyqësor për dëmet që i shkaktohen nga ndërmarrje të ndryshme, ose atyre që i duket me interes të vogël investimi në një proces të ndërlikuar dhe të gjatë”. Ndërkaq, qendra EDEN rendit një sërë avantazhesh nga përdorimi i padisë kolektive, si në drejtim të personave të dëmtuar, ashtu edhe në drejtim të gjykatave, duke theksuar se ajo nuk e përjashton të drejtën për ngritjen e një padie individuale. Kështu, ky mjet i ri ligjor shmang ngritjen e disa padive individuale për të njëjtin veprim të paligjshëm të një ndërmarrje; realizon interesat e një grupi të madh individësh, pa shpenzime monetare dhe kohore për ta si dhe mundëson që të gjithë individët e dëmtuar nga një sjellje e paligjshme e një ndërmarrje që ofron mallra ose shërbime, ose nga punëdhënësit, të dëmshpërblehen pa pasur nevojë që të ngrejnë personalisht një padi në gjykatë. Gjithashtu, ky instrument ligjor ndihmon në uljen e ngarkesës së gjykatave, duke mundësuar afate më të shkurtra kohore për përfundimin e procesit gjyqësor. Ndërkaq,  duket se interesi për këtë instrument ligjor nga ana e qytetarëve është i konsiderueshëm. Aktualisht, qendra mjedisore EDEN në kuadër të projektit “E drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm ka domosdoshmëri mekanizmin e padisë kolektive”, mbëshetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në bashkëpunim me pikat fokale në Shkodër dhe Berat, nga “Qendra e Informacionit Aarhus” dhe “Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore” po zhvillojnë takime informuese me banorët në lidhje me projektligjin. Ndërkohë që, nga takimet në secilin qytet vihet re një interesim i banorëve, pasi shqetësimet e tyre janë të lidhura me dëmtimet në kanale vaditëse, prerje drurësh, zjarre të qëllimshme, helmime nga ushqimi, infektime me virusin Sars Cov 2 nga njerëz të papërgjegjshëm, etj. “Për këto shqetësime, banorët nuk kanë gjetur zgjidhje dhe nëpërmjet këtyre rasteve të paraqitura dukej qartë nevoja dhe mbështetja e banorëve për ligjin”,-thotë Hakani. Projektligji “Për paditë kolektive” do të dorëzohet për diskutim në Kuvend, si një nismë qytetare në bazë të ligjit “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”, i cili i jep mundësi votuesve të Republikës së Shqipërisë për të paraqitur përpara Kuvendit propozime për miratimin e ligjeve, sipas vlerësimeve dhe interesave të tij. Sikurse parashikon ky ligj nevojiten për t’u mbledhur  20 000 nënshkrime të banorëve mbështetës, me qëllim nxitjen e miratimit të projektligjit “Për paditë kolektive”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.