KULTURË

Manipulimi gjuhësor i anglezëve për Korfuzin

16:12 - 30.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Zamir Mati  – Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u ndërtua prej nevojës që kishte Organizata e Kombeve të Bashkuara e sapoformuar mbas Luftës së Dytë Botërore. Kjo organizatë ishte si një vazhdim i traditës së Lidhjes së Kombeve për mbarëvajtjen në marrëdhëniet ndërkombëtare të formuara mbas Luftës së Parë Botërore. Këtë organizëm të ri, OKB-në, vendosën ta krijojnë tre udhëheqësit aleatë, Rosvelti, Stalini dhe Çurçilli, gjatë takimeve të tyre të famshme gjatë viteve të luftës.
OKB-ja mbështetej në funksionimin e saj në Kartën e saj dhe respektonte mjaft ligje, marrëveshje, traktate, kode dhe të drejta të cilat ishin nënshkruar midis vendeve, apo pjesëmarrje e miratim të traktateve të deriatëhershme.
Shqipëria kishte qenë anëtare e Lidhjes së Kombeve, por ajo nuk ishte anëtare e këtij organizimi të ri botëror i quajtur OKB, Organizata e Kombeve të Bashkuara, me seli në New York të SHBA-ve.
Shqipëria ishte nga vendet e para që u pushtua nga Italia fashiste, duke humbur sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Mbreti Zog, edhe pse i shpalli luftë Italisë fashiste, u largua nga vendi, dhe qeveritë kuislinge të vendosura nga pushtuesit dhe në shërbim të politikave të tyre bënë edhe bashkimin politik nën kurorën e Viktor Emanuelit III, mbretit të Italisë fashiste.
Mbas 27 vjetëve të pavarësisë së shtetit shqiptar, Shqipëria u gjend përsëri e vetme dhe e kërcënuar për pavarësinë e saj.
Askush nga Fuqitë e mëdha, edhe ato që kishin përcaktuar kufijtë dhe pavarësinë e saj në Konferencën e Londrës në vitin 1913, në protokollin e Firences dhe Parisit në vitet 1913, 1925-1926 nuk e dënoi pushtimin nga Italia fashiste. Në të kundërt, ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Anglisë lajmëronte dhe informonte qeverinë jugosllave se ndoshta pritej likuidimi i Shqipërisë. Zëvendëssekretari i “Foreing Office”, D. Sergent bëri të ditur se “Britania nuk do ta mbështesë çështjen shqiptare, në çdo rast”, deklaroi ai, “ne nuk mund të bllokohemi në frontin shqiptar”.
Kështu Mbretëria angleze ndenji ftohtë në qëndrimin ndaj pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Mosdeklarimi për pushtimin, mosdenoncimi i pushtimit miratonin në heshtje cenimin e sovranitetit dhe pavarësisë së Shqipërisë. Politika angleze prej kohësh ishte përkrahëse dhe mbështetëse e politikave të konsolidimit të Mbretërisë greke qysh me shpalljen e pavarësisë së saj. Edhe firmosja prej Anglisë e Protokollit të Korfuzit për Vorio-Epirin në të kundërt të mosnjohjes prej shtetit shqiptar kishte kohë që qëndronte si handikap në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë. Mbështetja për Mbretërinë greke nga Britania ishte e jashtëzakonshme, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu ajo mbështeti dhe ndihmoi edhe Jugosllavinë në organizimin e lëvizjes antifashiste, ashtu siç dëshironte dhe bënte projekte ushtarake diversioniste që jugosllavët të kryenin aksione kundër italianëve fashistë në Shqipëri. Ndërsa në Shqipëri, misionet ushtarake angleze iu drejtuan disa figurave krahinore të ndryshme për të krijuar forca të organizuara kundër fashizmit dhe nazizmit dhe i furnizuan me armë dhe lira e sterlina.

Misionet angleze me vështirësi arritën që ta njohin e kuptojnë me të vërtetë se cilat nga forcat e deklaruara antifashiste ishin ato që do të luftonin me të vërtetë fashizmin dhe nazizmin. Lëkundjet e qëndrimeve të misioneve angleze për mbështetjen e Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ushtrisë së saj ishte rezultat edhe i politikës së Anglisë për çka ajo parashikonte në gjeopolitikën e saj, e cila do të ishte mbas luftës në Shqipëri, dhe kjo edhe pse në takimin e tyre të Jaltës, Shqipëria nuk ishte marrë parasysh në ndarjen e influencave të tyre dhe përcaktimit të kufijve lindje-perëndim. Kështu Shqipërinë, duke qenë një hapësirë gjeopolitike e papërcaktuar politikisht nga marrëveshja e Jaltës, anglezët filluan ta përfshinin në planet e saj gjeopolitike të strategjisë së tyre, aq më tepër duke e parë, sidomos jugun e Shqipërisë, si një shtesë të Greqisë veriore ose më mirë të themi si një realitet të një përcaktimi shovinist politik, Vorio-Epiri, përcaktim dhe emërim nga qarqet me të errëta shoviniste në fillimet e shekullit të njëzetë.

Historia detare në Detin Mesdhe është e pasur me ngjarje, beteja detare, luftë për të sunduar njëra apo tjetra flotë e perandorive apo shteteve të fuqishme që lundronin e kërcënonin njëra-tjetrën gjatë shekujve. Në këtë histori detare deti Adriatik dhe deti Jon ka qenë hapësira detare nga më të pasurat me ngjarje, sidomos në shekujt e fundit, dhe një nga problemet kryesore në këtë hapësirë detare ka qenë Ngushtica e Otrantos, si një portë e rëndësishme hyrëse për në Europë dhe në atë qendrore në veçanti. Kështu, dominimi dhe kontrolli i saj ka qenë dëshira e pothuaj të gjitha perandorive dhe shteteve të fuqishme historikisht. Kjo portë në shekuj ishte një lakmi për ta zotëruar dhe kontrolluar. Ishujt e detit Jon me Korfuzin janë dhe kanë qenë të njohur dhe njihen si grup ishujsh të veçantë gjeografikisht, politikisht dhe historikisht.

HISTORIA

Historikisht, 663 para Krishtit, ishulli i Korfuzit dhe ishujt e tjerë të detit Jon ishin të liburnëve ilirë e phanikasve gjigantë që u përzunë nga korinthasit mbas luftërave të ashpra.
Ishujt e Jonit ishin të Epirit, Pirroja i Epirit zmbrapsi flotën e fuqishme kartagjenase që tentoi të zbarkonte në bregun Epir dhe të zotëronte gjithë detin lindor të perandorisë romake.
Ishujt e Jonit ishin të admiralit të Teutës, Dhimitër Farit, ishujt e detit Jon u zotëruan nga perandoria romake, ishujt e Jonit kalojnë nën zotërim të venedikasve, ishujt e Jonit u njohën si Republika e 7 ishujve të Jonit, ishujt e Jonit të pushtuar e të administruar nga Rusia, ishujt e Jonit kanë qenë nën pushtetin e Republikës Franceze, ishujt e Jonit kanë qenë të Pashallëkut të Janinës.
Ishujt e Jonit kanë qenë të anglezëve. Flota italiane në Luftën e Parë Botërore vepronte e operonte për kontrollin e Ngushticës së Otrantos.
Flota austro-hungareze në Luftën e Parë Botërore vepronte e operonte për kontrollin e Ngushticës së Otrantos. Flota gjermane në Luftën e Parë Botërore vepronte e operonte për kontrollin e Ngushticës së Otrantos. Në këtë hapësirë, detare numri i shumtë i anijeve luftarake të mbytura dëshmon për rëndësinë e kësaj hapësire detare dhe Ngushticës së Otrantos në veçanti.
Në vitin 1920, ishujt e detit Jon dhe ishulli i Korfuzit iu dhanë në administrim Greqisë nga Fuqitë e Mëdha si rezultat i shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Këta ishuj dhe Korfuzi kanë qenë të pushtuar nga Italia fashiste e Musolinit në vitin 1923 dhe më vonë në Luftën e Dytë Botërore u pushtuan përsëri, ashtu si edhe nga flota naziste gjermane. Flota e “Royal Navy” menjëherë sa iu krijuan mundësitë nga tërheqja e forcave të Gjermanisë naziste u bazua në portet e ishujve të Jonit dhe në Korfuz gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anglezët kështu po i afroheshin një ëndrre dhe plani të vjetër, kontrollit të Ngushticës së Otrantos. Që gjatë luftës, gjeopolitika e Mbretërisë angleze me presione dhe manovra politiko-ushtarake kërkonte rritjen e influencës politike dhe vendosjen në pikat kyçe të trupave të saj, e ndër këto ishte edhe kontrolli i hyrjes dhe daljeve të detit Jon e Adriatik, ku rol të madh historik luante Ngushtica e Korfuzit dhe Ngushtica e Otrantos.
Për këtë Komanda e Forcave Aleate të Mesdheut në fund të muajit shtator 1944 i kërkoi Komandës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të zbarkonte në bregdetin jugor shqiptar me pretekstin e luftës kundër forcave nazifashiste gjermane që do të tërhiqeshin nga Greqia.
Anglezët me lejen e komandës shqiptare menjëherë filluan operacionin e zbarkimit në bregdetin shqiptar në veri të qytetit të Sarandës, në Kakome. Kakomeja ndodhet në pjesën verilindore të Ngushticës së Korfuzit, por shpejt u kuptua që qëllimi i tyre nuk ishte bllokimi i rrugës së tërheqjes së trupave naziste gjermane, sepse terreni i vështirë dhe rrugët malore të kalimit nuk lejonin tërheqjen e tyre në këtë zonë, por ishte dislokimi i anglezëve në këtë pikë strategjike të Ngushticës së Korfuzit. Menjëherë iu kërkua anglezëve nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare me ultimatum të largoheshin dhe qëndrimi i tyre u bë i pamundur, trupat angleze u larguan nga bregdeti shqiptar. Konferenca e Jaltës kishte përcaktuar influencën gjeopolitike për të gjitha vendet europiane dhe kjo influencë politike, se si do të ishte në të ardhmen përcaktohej qartë në bazë të prezencës ushtarake të tyre në vende të ndryshme. Kjo ngjarje dëshmon për dështimin e një përpjekjeje të zotërimit të Ngushticës së Otrantos, megjithëse flota e “Royal Navy” ishte e bazuar në portin e Korfuzit, duke mbështetur forcat e qeverisë mbretërore greke në luftën civile greke të sapofilluar ndaj forcave demokratike dhe forcave të komunistëve, por edhe duke mos dënuar e mos denoncuar gjenocidin ndaj popullsisë çame të forcave të Zervës, po ashtu edhe të pranimit të gjendjes së luftës së Greqisë ndaj Shqipërisë prej ligjit të shpallur qysh në tetor 1940, ku qeveria e mbretërisë angleze dëshmonte edhe për një qëndrim të njëanshëm në konfliktin midis dy vendeve, qëndrim i dënueshëm nga ligjet ndërkombëtare.
Shqipëria u çlirua pa praninë në territorin e saj të forcave aleate. Qeveria demokratike kreu në 2 dhjetor 1945 zgjedhjet ku fituan kandidatët e Frontit Demokratik. U pa qartë edhe nga këto zgjedhje se Shqipëria do të ishte e ndryshme nga politika dhe interesat angleze në këtë rajon, e sidomos duke parë mbështetjen angleze ndaj Greqisë dhe shovinizmit të saj. Anglezët menjëherë mbas zgjedhjeve filluan të tërheqin misionet e tyre nga Shqipëria. Misionet ushtarake angleze u larguan në pranverë të vitit 1946. Anglezët nuk e pranonin Republikën Popullore të Shqipërisë në OKB, ashtu siç nuk pranonin as ankesat dhe denoncimet e qeverisë shqiptare ndaj gjenocidit të Greqisë ndaj popullsisë çame drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB. Në këtë kohë lufta civile greke vazhdonte, ashtu si edhe përpjekjet e shovinizmit grek për të përfituar në politikën vorio-epirote dhe kryer gjenocidin ndaj popullsisë çame. Pikërisht në këtë kohë në bregdetin jugor të vendit, nga Saranda në Himarë, kemi disa dhjetëra provokime dhe aksione diversioniste nga grupe të armatosura, duke përdorur dhe anije të vogla e të shpejta duke cenuar kufirin detar dhe territorial. Njësi të “Royal Navy” ishin dislokuar edhe në ishullin e Korfuzit.
Ngushtica e Korfuzit ishte një ngushticë e lirë për lundrim ndërkombëtar të anijeve në të dyja hyrjet e saj veriore dhe jugore drejt porteve të Korfuzit dhe Sarandës, edhe për faktin se Komanda Aleate e Mesdheut kishte kryer misionet e çminimit nga minat detare italiane dhe gjermane të quajtura MEDRI në Ngushticën e Korfuzit, si dhe në hyrje-daljet e porteve shqiptare, duke përcaktuar korridor ose kanal lundrimi të sigurt, me koordinata të sakta, dhe këto koordinata të kanaleve të sigurta të lundrimit ishin bërë të njohura botërisht. Në misionet MEDRI të kryera në bregdetin shqiptar në muajt dhjetor 1944, janar, shkurt 1945 në ekipet e misionit MEDRI ishte edhe kapiteni i parë i marinës, Abdi Mati.
***

Duhet theksuar se në Ngushticën e Korfuzit korridori apo kanali i sigurt i lundrimit, i cili ishte çminuar prej minave detare, kishte të përcaktuara me koordinata dhe pika orientuese drejtimin dhe hapësirën e tij si një rrugë kalimi e cila nuk përputhej me vijën e mesit të Ngushticës së Korfuzit dhe që ishte vetëm një rrugë e ngushtë, vetëm një kanal në Ngushticën e Korfuzit.
Në 15 maj 1945, anije luftarake iu afruan bregdetit shqiptar, duke dalë jashtë kanalit të përcaktuar dhe pa shenja të dallueshme identifikimi. Artileria bregdetare shqiptare i goditi me qitje të paarrira paralajmëruese, duke i gjykuar si shkelje të ujërave dhe ligjit të detit mbi kalimin e lirë, paqësor të anijeve luftarake në ngushticë. Anijet luftarake ngritën menjëherë flamujt e “Royal Navy”.
Qeveria shqiptare dhe kryeministri E. Hoxha shpalli ndalim të lundrimit të lirë të luftanijeve në ujërat e saj që përfshiheshin edhe në Ngushticën e Korfuzit, e mbështetur në të drejtën për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së vendit, kur dhe kjo ngushticë detare përfshihej në hapësirën e një gjendjeje lufte të shpallur nga tetori i vitit 1940 prej Greqisë. Incidenti me anijet luftarake angleze në maj 1945 dhe bazimi në portin grek apo kalimi jo i rregullt i tyre në ngushticë, përbënin në fakt një shkelje të ligjeve të njohura ndërkombëtare të detit, të asnjanësisë dhe të ndërhyrjes në konfliktin midis dy vendeve duke qenë palë me grekët. Admiraliati i “Royal Navy”, me megalomaninë e forcës më të fuqishme detare nuk pranoi goditjen e anijeve të saj edhe pse ato kishin shkelur të drejtat e një shteti të vogël si Shqipëria. Admiraliati urdhëroi flotën e saj të Mesdheut t’i japë ‘mësim si të sillet’ Shqipërisë, dhe kështu me urdhra luftarakë mjaft mirë të përgatitur ndërmori kalimin në Ngushticën e Korfuzit pa respektuar rregullat e kalimit paqësor të luftanijeve në datën 22 tetor 1946.

Pse pa respektuar rregullat?
Sepse luftanijet nuk kaluan brenda kanalit të përcaktuar me koordinata të njohura, të cilën e njohim si kanali i çminuar i lundrimit të lirë MEDRI. Luftanijet dalin nga kanali i njohur aty ku ky kanal kthehet drejt veriperëndimit, pikërisht kjo kthesë ndodhet përballë portit të Sarandës.
Duke vazhduar lundrimin drejt, jashtë kanalit, drejt bregut të gjirit të Sarandës, dy luftanijet e “Royal Navy” ndeshin njëra pas tjetrës në dy mina detare. Humbjet janë 44 oficerë e detarë të vrarë, 42 të tjerë të plagosur. Kjo ngjarje shënon incidentin e dytë në Ngushticën e Korfuzit. Në datat 12-13 nëntor 1946, “Royal Navy” në mënyrë të njëanshme ndërmerr çminimin me një flotilje anijesh e midis tyre aeroplanmbajtësja “Ocean”, duke shkelur sovranitetin e Shqipërisë. Dhe ky është një tjetër incident në Ngushticën e Korfuzit. Mbretëria e Anglisë dhe Irlanda e Veriut i drejtohen Këshillit të Sigurimit me një aktakuzë ndaj RP të Shqipërisë për incidentin e datës 22 tetor 1946.
Ajo e cilëson me qëllim “The Corfu Channel case”. Këshilli i Sigurimit pranon notën angleze dhe kërkon që mosmarrëveshja të kalojë mbas një marrëveshjeje të kompromisë midis palëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke theksuar në rekomandimin e saj në gjuhën angleze “The incident of strait Corfu”. Pse ky ndryshim dhe emërim në të njëjtën gjuhë?
Për anglezët “The Corfu Channel case” (Çështja e Kanalit të Korfuzit) ndërsa për OKB-në “The Corfu Strait Case” (Çështja e Ngushticës së Korfuzit). Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, në bazë të marrëveshjes së palëve përcaktonte vlefshmërinë e barabartë të dy gjuhëve në proces, gjuhës angleze dhe franceze. Atëherë në kopertinën e të gjitha materialeve shohim; “AFFAIRE DU DETROIT DE CORFOU”, që do të thotë: Çështja e ngushticës së Korfuzit. Atëherë pse edhe ky emërtim i ndryshëm për të njëjtën emër të vendngjarjes? Të shohim në hartat detare angleze emërtimet për ngushticat. Ngushtica e Gjibraltarit në hartat angleze shkruhet; “Strait of Gilbraltar”, po kështu edhe “Strait of Bering” etj., etj.
Këmbëngulja e palës angleze dhe të Irlandës së Veriut për të paraqitur incidentin në Kanalin e Korfuzit ka të bëjë me përcaktimin e vendndodhjes së shpërthimit të minave, kur në gjykatë nuk u paraqit asnjëherë prej tyre koordinata e vendndodhjes. Duke përcaktuar si emërim vendndodhjen në Kanalin e Korfuzit, anglezët dhe irlandezët mbështetnin akt-ekspertizën e tyre se shqiptarët kishin minuar kanalin të cilin ata, anglezët kishin çminuar në dhjetor 1944 dhe janar, shkurt 1945 me misionet MEDRI, dhe të cilin e kishin përcaktuar si një rrugë lundrimi të lirë në Ngushticën e Korfuzit. Fajësia ishte përcaktuar ndaj Shqipërisë qysh në emërimin e incidentit, i cili ka ndodhur sipas anglezëve, irlandezëve dhe gjuhës angleze të përdorur në Gjykatë në Kanalin e Korfuzit (“The Corfu Channel case”) dhe jo në emërimin e shprehur në rekomandimin e Këshillit të Sigurimit në Ngushticën e Korfuzit (Strait of Corfu), në të njëjtin kuptim të shprehur në të gjitha materialet në gjuhën franceze “Detroit de Corfou”- Ngushtica e Korfuzit, ku përdorimi i dy gjuhëve prej Gjykatës është i barasvlershëm. Aq i fuqishëm është përdorimi në gjuhën angleze i emërimit të Ngushticës së Korfuzit si “Kanal i Korfuzit”, saqë edhe në studimet dhe librat e studiuesve dhe historianëve shqiptarë vazhdon të quhet i tillë dhe jo “Incidenti i Ngushticës së Korfuzit”, duke u vetëfajësuar e pranuar vendndodhjen e shpërthimit në atë rrugë kalimi e cila ishte çminuar dhe e njohur si e tillë. A është korrekt ky qëndrim dhe përdorimi i një terminologjie të gabuar kur pretendojmë të zgjidhim problemet e delimitimit të detit me Greqinë, apo ka vend për reflektim, dhe sidomos për ngritjen sa më parë të Institutit të Detarisë?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.