Aktualitet

Rama, Vuçiç dhe Zaev arrijnë disa ujdi në kuadër të “Mini-Shengenit”

22:00 - 30.10.20 Gazeta Shqiptare

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë rënë dakord të lëshojnë leje të përbashkëta të punës, të lehtësojnë shërbimet doganore si dhe të ofrojnë ndihmë të ndërsjellë në rast të katastrofave humanitare. Kështu bëri të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili bisedoi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të nismës së “Mini-shengenit”.



Vuçiq tha se janë bërë gjitha përgatitjet teknike që qytetarët e këtyre vendeve të udhëtojnë, nga njëri vend në tjetrin, vetëm me letërnjoftime. Kjo masë sipas tij do të fillojë së zbatuari më 10 nëntor.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin sistemin e softuerit nga Serbia, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të atyre dy vendeve që të aplikojnë për punë në mënyrë elektronike, dhe se ky sistem do të hapë mundësinë për të gjithë qytetarët e këtyre vendeve për të punuar në tre vende pa dokumente shtesë. Njësitë e emergjencave të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pritet gjithashtu të bashkëpunojnë ngushtë në rast të katastrofave natyrore, të tilla si tërmete, përmbytjet ose zjarret.

“Ne jemi duke punuar mbi një marrëveshje se si të veprojmë së bashku për luftimin e pandemisë dhe të dalim nga kriza sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Vuçiq.

Ai tha se të tre udhëheqësit diskutuan gjithashtu forcimin e rolit politik të këtyre vendeve.

Iniciativa e “Mini-Shengenit” nisi vitin e kaluar me qëllim të, siç është thënë, përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal.

Kosova ende nuk është pjesë e kësaj nisme.

Autoritetet në Prishtinë fillimisht e kishin kundërshtuar kyçjen në këtë iniciativë, mirëpo ata ndryshuan qëndrim, pasi në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Uashington më 4 tetor, njëra ndër pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të kësaj nisme.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, i ka thënë më herët, Radios Evropa e Lirë se integrimi ekonomik duhet të jetë paraprirës për integrim politik dhe në këtë drejtim eliminimi i barrierave në Ballkanin Perëndimor është prioritet kryesor.

“Mini-Shengeni në aspektin politik po krijon një mundësi të re që përmes dialogut dhe bashkëpunimit ekonomik të eliminohen barrierat e trashëguara me vite. Në aspektin ekonomik, është një mundësi reale për të tërhequr investime nga jashtë dhe për të fuqizuar ekonomitë vendore përmes eliminimit të barrierave. Në aspektin integrues, sa më herët që të kuptojmë rëndësinë e eliminimit të barrierave, i përshpejtojmë proceset integruese”,  – ka thënë Gërxhaliu.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.