OPINION

Shqipëria “zogiste..” dhe “enveriste..”, histori, shifra, fakte

08:26 - 12.11.20 gsh
GSH APP Get it on Google Play

Nga VLADIMIR LULAJ




Kush mund të thotë realisht, pa bërë komente ideologjike dhe të politizuara, se çfarë kanë qenë dhe si duhen vlerësuar dy figurat historike, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, në raport me interesat kombëtare të Shqipërisë..??!!

 

  1. Mëtesa historike
  2. Ahmet Zogut lindi në 8 Tetor1895 në fshatin Burgajet të Matit dhe vdiq më 9 Prill 1961 në spitalin Foch, pranë Parisit në Francë. Figura e tij vlerësohet si komplekse dhe kontraverse.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Vrioni dhe Pandeli Evangjeli, më 2 Dhjetor 1922 Ahmet Zogu u bë kryeministër i Shqipërisë përballë opozitës demokratike të Fan Nolit. Pas vrasjes së heroit Avni Rustemi, populli u ngrit në revoltë të armatosur dhe A. Zogu, më 20 Prill 1924, u arratis në Jugosllavi; ku nënshkroi marrëveshje me kryeministrin e Jugosllavisë, serbin Nikolla Pashic, me 15 detyrime, që kufizonin dhe vinin nën kontrollin e Beogradit pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Shqipërinë.

 

Më 24 Dhjetor 1924 A. Zogu u rikthye forcërisht në pushtet dhe qeveria e tij hoqi dorë nga sovraniteti mbi Manastirin e Shën Naumit. Më 21 Janar 1925 Zogu paraqiti projekt kushtetutë, që e bëri Shqipërinë Republikë dhe atë President. Më 1 Shtator 1928 ai e ndryshoi sërisht Kushtetutën, shpalli Monarki Shqipërinë dhe veten “mbret të shqiptarëve”.

 

Analistët me prirje prozogiste konsiderojnë se “mbreti Zogu 1” i shqiptarëve ishte burrë shteti, që bëri reforma në administratë, ushtri, xhandërmari, drejtësi, arsim, besime fetare dhe u kujdes për shqiptaret jashtë shtetit..; duke i pajisur shtetasit e mbretërisë së tij me një pasaportë të vlefshme për lëvizje të lirë në mbarë Botën..; veçanërisht në SHBA, ku qysh në vitin 1922 kishin emigruar mbi 50 mijë shqiptarë.

 

Mendësia e propagandës gjysëm shekullore komuniste e ka vlerësuar figurën e Zogut si autokrat, tradhëtar, ryshfetxhi, plaçkitës së thesarit të shtetit, lake të Benito Musolit, frikacak dhe ikacak, që nuk guxoi të luftonte kundër agresionit fashist, nuk bëri detyrën për mbrojtjen e atdheut, por u arratis bashkë me ‘oborrin’ nga Shqipëria.

 

Por dipllomatët e huaj, që kanë shërbyer në Tiranë në kohën e mbretërisë, kanë shkruajtur se mbreti zotëronte inteligjencë të jashtëzakonëshme, se populli e donte..; se “Zogu i gjeti shqiptarët si turmë dhe arriti t’i bëjë popull, komb dhe shtet të respektuar”. Shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij “Mosmarrëveshja” (faqe 26) shkruan se duke e shpallur veten “mbret të shqiptarëve”, me këtë gjest Zogu mëtoi se: “.. ishte aludim i bashkimit të shqiptarëve”.

 

Ahmet Zogu kishte prirje moderniste, për këtë flet fakti se në vitin 1927, përpara se të bëhej mbret, mbiemrin Zogolli e ndryshoi në Zogu,.. Ai zevendësoi kodin e vjetëruar penal Osman me Kodin e Napoleonit; përkujdesje i kushtoi arsimit publik, duke dërguar dhjetra të rinj me bursa në universitetet europiane jashtë vendit, midis tyre ishte edhe Enver Hoxha; të cilët, pasi dipllomoheshin, i emëronte në administratën e mbretërisë. Mbreti Zogu 1 vuri në funksionim katër linja të brendëshme të komunikacionit ajror dhe postar; bëri heqjen e ferexhesë, ndaloi poligaminë, martesat dhe divorcet i trajtoi si çështje civile e jo fetare.

 

Historiani britanik Joseph Swire në librin e tij “Shqipëria – ngritja e një mbretërie” (botim i vitit 1929) shkruan se: “.. Shqipëria u ngrit nga thjesht një shprehje gjeografike në një mbretëri.”. Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri (1933 – 1939) Hugh H. Grant ka thënë: “.. do t’a përmend mbretin e Shqipërisë Zogu 1, si një nga udhëheqësit  më të famshëm ushtarak dhe politik të kohës së tij.”..; kurse Faik Konica, në gazetën “Dielli” në numrin e datës 25 Tetor 1929 ka shkruar se në mbretërinë zogiste kishte: “Rregull në vend të trazirës, qetësi shembullore.., udhë të mira dhe tregti atje ku s’kishte veçse pronjë, shpella dhe papunësi, ushtarë të stërvitur në vend të bashibozukëve.”. Të gjitha këto ndryshime Konica ia dedikonte “fytyrës historike” të mbretit Zogu 1.

 

  1. Enver Hoxha lindi në 16 Tetor 1908 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe vdiq më 11 Prill 1985 në Tiranë. Ai ishte person fizik krejt i panjohur, ose klandestin, deri në shtator të vitit 1942; por ngjarjet historike e bënë udhëheqës dhe çlirimtar të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë italianë dhe nazistët hitlerianë. Ai e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore më 11 Janar 1946 dhe u bë kryeministër, si përfaqsues i frontit nacional-çlirimtar.

 

Kur vdiq Enver Hoxha, u vlerësua si një figurë kontraverse nga personalitet shtetërore, mediat vizive e të shkruara ndërkombëtare. Presidenti turk  Kenan Evren tha: “Enver Hoxha – burrë shteti i madh i vlerësuar nga mbarë bota”. Ministri i jashtëm i Greqisë, Karolos Papulias e vlerësoi si: “.. një antifashist i madh”. Kryeministri i Italisë, Betino Kraksi: “..pratagonisti kryesor i historisë së re të vendit të tij”. Presidenti frances Fransua Miteran: “Personaliteti i fortë i Enver Hoxhës ka lënë gjurmë të thella në historinë bashkëkohore të Shqipërisë.”.

 

Gazeta “The Washington Post” e datës 12 Prill 1985 shkruante: “Hoxha arriti që Shqipëria, nën udhëheqjen e tij, të gëzonte kohën më të gjatë e të qenurit e pavarur.”. Radio “Zëri i Amerikës” komentoi: “Enver Hoxha me politikën e tij të brendëshme e transformoi shoqërinë shqiptare.”.  AFP, më 11 Prill 1985: “Enver Hoxha – e ka çuar Shqipërinë nga stadi pothuajse feudal në qytetërimin e shekullit të 20-të.”. Rojter, më 13 Prill 1985, komentonte: “Hodhi bazat e një industrie kombëtare dhe po lë pas një ekonomi që plotëson nevojat e veta, pa borxhe, pa papunësi, pa taksa dhe pa vargoj të huaj. Por zhvillimi ekonomik është i ngadaltë, efikasiteti gjithashtu.”. Gazeta “Tiempo Arhentino: “Enver Hoxha – një nga figurat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore.”. Gazeta suedeze “Goteborg Posten”  shkruante: “Enver Hoxha – baba i kombit dhe një figurë e shquar e Shqipërisë.”. Gazeta turke “Terxhuman” më 13 Prill 1985 zbulonte konkluzionin se: “Pavarësia e vendit është e vetmja gjë për të cilën Enver Hoxha nuk ka bërë asnjë lëshim gjatë pushtetit të tij 40 vjeçar.”.

 

Por “Times” (tajms) i Londrës e akuzonte Enver Hoxhën  se “..ka ndalur besimin fetar..; ka shkelur lirinë e fjalës dhe “fuqinë politike” e ka përdorur për një “sundim drastik”..”.  Spikeri i televizioni Franca 5 dhe kanalit të dytë të televizionit francez, midis të tjerave thanë: “.. ka qenë një diktator gjakësor”. Mjeku francez, Pol Miliezi, që kuronte Enver Hoxhën, në dy intervista televizive deklaroi se: “ E. Hoxha ishte njeri misterioz, por jashtëzakonisht inteligjent.., ka imponuar me dhunë mendimin e tij, kjo është e sigurt. Ai i dha lirinë vendit, por jo njerësve të tij.”. Televizioni austriak në 15 Prill 1985 transmetoi: “Shqipëria është e pavarur dhe ndjek rrugën e vetizolimit. Standarti i jetesës është i ulët, por furnizimi i popullsisë është relativisht më i mirë në krahasim me shumë vende të tjera të lindjes.”.

 

Sipas mediave ndërkombëtare Enver Hoxha: “.. do të kujtohet për ndryshimet e mëdha dhe rrënjësore në rendin shoqëror të Shqipërisë”..; “ka qenë mospërfillës ndaj aspiratave njerëzore dhe për demokraci të popullit shqiptar.”..; “ Ka vazhduar në rrugën vetizoluese, ndaluar fenë dhe  zhvilluar një luftë të ashpër klasore permanente, duke burgosur, vrarë, zhdukur dhe internuar me mijra kundërshtarë politikë.”..; “Regjimi i Enver Hoxhës ka qenë shumë i egër, ka bërë spastrime të shumta në rrethin shumë pranë tij.”..; “Por mund të themi pa ngurim se Enver Hoxha ishte një udhëheqës i aftë dhe mbase njeriu më i përshtatshëm në një çast të historisë shqiptare.”.

 

  1. Ja Shqipëria “zogiste”..

 

Gjatë kohës së qeverisjes zogiste në Shqipëri “mungonin bankat, portet, udhët e hekurta”.. Çmimi i tokës ishte 20 franga ari për 1 ha tokë bujqësore, pra vetëm 4 USD për 10 mijë metra katrorë..; madje, sipas Mehdi Frashërit, në këtë vend totalisht agrar kishte “zi buke”. Fuqia blerëse ishte e ulët dhe prodhimi i paktë, se nuk kishte blerës. Në maj të vitit 1930 parlamenti “kukull” zogist miratoi ligjin për reformën agrare..; e cila u “zbatua..” në vitin 1935, duke shpërndarë nga pronat e shtetit 6,375 ha tokë për 1,905 familje bujqësh, me gjithsej 8,763 frymë.

 

Shqipëria kishte 34 “njësi industriale..” me 750 të punësuar në vitin 1912..; në vitin 1922 ishin 71 të tilla dhe vetëm 500 punëtorë ; në vitin 1928 numri i “ndërrmarrjeve industriale..” arriti në 127; të cilat kishin gjithsej 2,000 vetë të punësuar, kurse kapitali i tyre financiar ishte 9 milionë franga ari, ose 1.8 milionë USD, që konvertoheshin me 45 milionë lekë. Në vitin 1938 ishin gjithsej 244 njësi industrial, ku ishin të punësuar 7,435 punëtorë industrialë vendas. Konkretisht, industria ushqimore zogiste kishte 124 ndërrmarrje me 1,374 puntorë, sektori veshmbathjes 32 ndërrmarrje me 764 punëtorë, në material ndërtim punonin 810 punonjës; sektori elektrik kishte 154 puntorë dhe prodhimi për vitin kalendarik 1938 ishte vetëm 9,350,000 kilovatorë energji elektrike. Ndricoheshin vetëm qytetet, kurse në fshatra mungonte totalisht energjia elektrike. Sektori i tipografisë punësonte 303 puntorë..; kurse industria e naftës e minerare 4,030 puntorë.

 

Shqipëria e vitit 1938 kishte të punësuar 15 mijë punëtorë, nga të cilët 4,822 ishin të huaj dhe prej tyre 2,059 ishin italianë. Paga e punëtorëve shqiptarë barabitej me 1 deri 1.5 kilogram bukë misri në ditë, 8 deri 10 lekë, ose 45 deri 50 cent USD në ditë, kur dita e punës varionte nga 10 deri në 13, ose 15 orë pune.

 

Të gjitha qeveritë zogiste premtuan se do të thanin kënetat, por nuk thanë asnjë; se do të zhduknin malarjen dhe turbekolozin, por s’bënë asgjë..; se do të zhduknin analfabetizmin, por ky mbeti  në masën mbi 85%.., pra 850 mijë shqiptarë nuk dinin shkrim e këndim..; kurse jetëgjatësia e tyre gjatë 16.5 vjetëve të kohës së “mbretërimit..” zogist ishte mesatarisht vetëm 38.3 vjec .

 

Fondi i tokës së Shqipërisë, sipas zërave kadastralë të regjistruar në vitin 1938, kishte këtë përmbajtje: 1. Sipërfaqja e përgjithshme 2,874,800 ha. 2. Sipërfaqja e tokës bujqësore 12,048 kilometra katrore; toka nën kulturë 2,921 km2; toka e punuar 2,760 km2;  pemishte 20 km2; ullishte 100 km2; vreshta 41km2; livadhe 3,94 km2; kullota 8,733 kilometra katrorë. 3. Pyjet 13,850 km2, ose 48.2% e sipërfaqes kombëtare. 4. Tokë e pafrutshme 2,850km2..; a) liqene, moçale, lumenj , rrypina dhe rrugë 2,764 km2; b) troje 8,600 ha tokë, pra 86 kilometra katrore, ose vetëm 0.3% e sipërfaqes integrale prej 28,748 kilometra katrorë.

 

Shqipëria zogiste në vitin 1938 kishte 54 mijë kuaj, 10 mijë mushka, 391 mijë gjedhë, 21 mijë buaj, 1 milion e 574 mijë dhenë, 932 mijë dhi dhe 15 mijë derra.

 

Në zonën rurale të Vendit në vitin 1938 jetonin 155,225 familje fshatare. Pronësia mbi tokën ishte e ndarë si vijon: 7 familje latifondiste, “shumë të pasura”, kishin në pronësi 145.5km2, ose 3% të tokës së punuar, secila mesatarisht nga 20.8 km2 tokë; pronarët “e mesëm..” ishin 4,713 familje, që zotëronin sejcila mesatarisht nga 19 ha tokë (0.2km2) dhe të marra së bashku 913.3km2; pronarët e “vegjël” ishin 128,961 familje, sejcila mesatarisht kishte 1.9 ha tokë dhe të marra së bashku zotëronin 2,377 km2 tokë të punuar; kurse fshatarët pa tokë ishin 21,544 familje. Gjithashtu kishte pronë shtetërore 500 km2 tokë bujqësore, shumica e lenë djerrë..; sepse ekzistonin vetëm 3 femra bujqësore shtetërore, njera në Lushnje, e dyta në Xhafzotaj të Durrësit dhe e treta në Bushat të Shkodrës..

 

Shkalla e korrupsionit të “mafias së tokës” gjatë kohës së regjimit zogist ishte galopante. Për këtë flet fakti se në vitin 1928 çifligjet private ishin 100 mijë ha tokë bujqësore, ose 1,000km2 dhe po kaq ishin “çifligjet shtetërore..”; por, gjatë 10 viteve të “mbretërimit..” zogist, gjysma e pronave “shtetërore..” u grabit nga 7 familjet e latifondistëve zogistë.

 

Nga viti 1926, kur Ahmet Zogu ishte President i Republikës së Shqipërisë, deri në vitin fundvitin 1935, me huanë italiane SVEA, u ndërtuan 253.5 kilometra rrugë automobilistike rokadë, që do të ishin të vlefshme vetëm për pushtimin ushtarak të Vendit tone më 7 prillit 1939..; si dhe për manovrimin e forcave ushtarake për agresionin kundër Greqisë në vitin 1940..; sepse në vitin 1938 Shqipnia e “mbretit” Zog kishte vetëm 330 kamionë me aftësi bartëse 2 deri 3 ton, 20 autobuza dhe 200 vetura.

 

Të ardhurat e buxhetit të shtetit Zogollian, për 14 vite të marra së bashku, nga viti 1926 deri në fundmarsin e vitit 1939, kanë qenë gjithsej 363,248,000 franga ari, ose 72 miljon e 649 mijë USD. Shpenzimet gjatë këtyre viteve kanë qenë 367,248,000 franga ari, ose 73 miljon e 449 mijë USD. Prej tyre, për Ministrinë e Mbrojtjes, këto 14 vite, u harxhuan 151,900,000 franga ari, ose 30 miljon e 380 mijë USD, pra mbi 40% e buxhetit financiar, për një “ushtri të armatosur”, që mbreti Zog premtonte se do t’a drejtonte si komandant i përgjithshëm “..duke vesh  opingat”.., nëse Italia fashiste do sulmonte ushtarakisht Shqipërinë. Por, kur ndodhi ky fakt, “ushtria zogiste..” nuk zbrazi asnjë pushkë kundër invazionit fashist musolinian..; sepse “mbreti..” u arratis nga mbretëria e tij pa bërë luftë kundër agresorëve fashistë..; madje grabiti dhe mori me vete tërë florinjtë e arkës së shtetit inekzistues.

 

Sipas statistikave të kohës, popullata e Shqipërisë në vitin 1923 kishte 803,959 frymë, nga të cilët 127,595, ose 15.9 për qind jetonin në qytete; kurse 676,364, ose 84.1 përqind jetonin në fshat. Ishte koha kur qyteti i Kavajës, me 6,300 banorë, ishte më i madh se Durrësi antik me 4,800 banorë dhe qyteti më i madh i Vendit ishte Korca me 25,600 banorë. 15 vite më vonë, nën drejtimin e mbretit Zog, në Shtator 1938 Shqipëria kishte 1,040,353 banorë; nga të cilët 160 mijë, ose 15.4%, jetonin në qytete të vogla; (vetë kryeqyteti, Tirana, kishte 25,100 banorë dhe Shkodra ishte qyteti kryesor me 25,300 banorë;) kurse 880,353, ose 84.6%, jetonin në fshatra pa energji elektrike.

 

Shqipëria në kohën e qeverisjes së “mbretit..” të vetëshpallur Ahmet Zogu, (i cili nënshkroi 15 marrëveshje skllavëruese me Italinë fashiste,) ishte një vend tipik agrar. Në vitin 1938 prodhimi bujqësor i vendit ishte në masën 90.2%, kurse ai industrial 9.8% e prodhimit të brendshëm bruto. Ndaj në vitin 1938 kryekëshilltari Italian në Shqipëri, Karlo Boseti, e përgëzonte “mbretin Zog..”.., këtë “skllav..” të Italisë fashiste..; sepse kishte zbatuar direktivën e Benito Musolinit: “Shqipëria është një vend krejtësisht agrar dhe i tillë duhet të mbetet.”.

 

Siç shihet, nuk kemi thënë asgjë për konceptet e doktrinave socialekonomike dhe kemi folur “shumë gjatë” për ekonominë e Shqipërisë në kohën kur sundonte Ahmet Zogu, ky frikacak dhe ikacak i madh, që për interesa personale vazhdimisht ka tradhëtuar mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë.

 

III. Ja Shqipëria “enveriste”..

 

Qëllimi i këtij shkrimi është ballafaqimi i ekonomisë zogiste të vitit etalon 1938 me realitetin e ekonomisë së viteve 1945 deri 1985..; kur Shqipërinë e drejtonte Ai.., “marksist-leninisti konservator, që kurrë nuk i zbriti kalit nacionalist të Skënderbeut..”.., Heroi i Popullit Shqiptar Enver Hoxha..; për të cilin stalinistët e Moskës mendonin se ishte udhëheqësi më i mencur i të gjitha vendeve socialiste lindore..; që: “Hiqet si marksist, por është pro perëndimor dhe është nacionalist që e do shumë vendin e tij.”.

 

Për 12 vite nën regjimin enverist, nga viti 1945 deri 1957, në Shqipëri ishte prezent “sistemi i triskërimit..”; por jo “zia e bukës..” si në kohën e Ahmet Zogut. Gjatë këtyre viteve “guberna shqiptare e komandant Enver Hoxhës..”.., siç shprehej peshkopi polyglot Fan S. Noli, të cilin e kanë akuzuar si “komunist..”..; zbatoi programin e nisur nga Qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë. Vetëm travaje nuk ndërtoi qeveria enveriste, por zhduku analfabetizmin, që ishte 85%; zhduku  malarjen dhe turbekolozin, thau të gjitha kënetat, ngriti diga për mbrojtjen e tokave bujqësore nga vërshimi i lumenjve, bëri reformën agrare sipas konceptit të Luigj Gurakuqit “toka i takon atij që e punon..”.., duke zhdukur bujk-robërinë e 21,544 familjeve që nuk kishin tokë, të cilat i bëri pronarë tokash..; shtetëzoi tokat e 7 latifondistëve dhe 4,713 familjeve të pasura, që përbënin vetëm 3.0346% të numrit të popullsisë fshatare, por zotëronin 105,687 ha, pra 1056.8 km2 tokë bujqësore, ose 31.16% të fondit kombëtar të tokës së punueshme.

 

Në zonat fushore dhe kodrinore deri në vitin 1960 regjimi i diktaturës enveriste  krijoi me fondin e pronave të mbi 150 mijë familjeve fshatare 1,484 kooperativa bujqësore, sejcila zotëruese e mesatarisht 244 ha tokë, ose 2.44km2; kurse në vitin 1978 ky fond toke u riorganizua në 423 kooperativa bujqësore, sejcila zotëruese e  mesatarisht 1.281 ha tokë, ose 12.8 km2 sipërfaqe, për të mundësuar kultivimin me mekanikë të tokës bujqësore.

 

Deri në vitin 1979 sistemi i kooperativave ishte i sukses’shëm, ose të paktën rentable..; kurse, duke filluar nga viti 1980, për shkak të rritjes së numrit të popullatës në fshat, tedencës për të ruajtur “fshatarësinë..” dhe moszhvillimit të domosdoshëm industrial, si mjet për të thithur fuqinë e tepërt puntore nga zonat e prapambetura rurale drejt zonave industriale të pazhvilluara si duhet..; sistemi kooperativist u mbërthye nga kriza e pamundësisë për të hapur fronte të reja pune. Kësisoj, pas 40 viteve mbijetesë, sistemi ekonomik enverist u mbërthye nga kriza dhe dështoi të përparonte. Por faktet historike janë inponuese, si më poshtë vijojnë:

 

  1. Në 25 Tetor 1967 në Shqipëri u bë elektrifikimi i plotë i vendit, drita elektrike ndriçoi gjithë fshatrat fushore, kodrinore dhe ato malore të vendit.

 

  1. Në vitin 1980 prodhimi i përgjithshëm industrial në Shqipëri, krahasuar me vitin etalon 1938, u rrit 138.5 herë; mjetet e prodhimit u shtuan 176.8 herë, volumi i sendeve të konsumit u shumfishua në masën 99.97 herë; kurse në vitin 1979, u prodhua qymyrgur 384 herë më shumë, mineral kromi 143 herë më shumë, energji elektrike 399 herë më shumë, industria kimike prodhoi 504 fish më tepër (krahasu me vitin 1950);materiale ndërtimi 268.5 herë më shumë, industria e lehtë prodhoi 87.3 herë më tepër nga viti 1938. Vetëm prodhimi vjetor i ndërrmarrjes ushqimore Fier ishte 1.6 herë më shumë se gjithë prodhimi industrial zogist i vitit 1938.

 

  1. Sipërfaqja e tokës së punuar në vitin 1979 në Shqipëri arriti në 696,000 ha, ose 6,960 km2; pra 2.4 herë më tepër se fondi i tokës së kultivuar në vitin 1938, që ishte 292,000 ha, ose 2,920km2.

 

  1. Sasia e traktorëve në vitin 1978 ishte 610 herë më shumë, kurse numri i makinave shirëseve 30 herë më shumë se viti etalon 1938.

 

  1. Aftësia ujitëse e tokës në vitin 1938 ishte sa 10% e tokës së punueshme të vendit, kurse në vitin 1978 aftësia për të ujitur tokën u bë 51.8%..; pra ishte 13 herë më e madhe se ajo e vitit 1938. Plehrat kimike në vitin 1938 nuk ekzistonin, kurse në vitin 1978 u përdorën 99,000 tonë..; ndaj, si rezultat i vaditjes dhe plehërimit të tokës, rendimenti i prodhimit të drithrave të bukës nga 10 kuintal që ishte në vitin 1938 u bë 28.6 kuintal në vitin 1978.

 

  1. Në vitin 1938 popullata e Shqipërisë ishte 1,040,000 banorë dhe mosha mesatare e jetëgjatësisë ishte vetëm 38.3 vjec..; kurse në vitin 1978 numri i përgjithshëm i popullsisë arriti 2,563,400 banorë, një rritje prej 146 për qind dhe jetëgjatësia u bë mesatarisht 69.2 vite, kurse në vitin 1989 ishte 72.4 vjec.. Në vitin 1938 për çdo 1,000 banorë vdisnin 17.8 njerëz; kurse në vitin 1978 vdisnin vetëm 6.3 njerëz në çdo 1,000 frymë.

 

  1. Zhvillimi blegtoral “socialist..” konstatohet më produktiv krahasuar me atë “zogiste..”; sepse sasia e lopëve në vitin 1980 ishte 2.2 herë më shumë krahasuar me vitin 1938; derrat u shtuan 11.7 herë; shpendët 3.4 herë dhe rendimenti i qumështit për çdo lopë u rrit 4.7 herë.

 

  1. Në vitin 1938 në të gjitha degët e ekonomisë “zogiste..” punonin gjithsej 25 mijë punonjës dhe të ardhurat nga industria ishin 4.5 për qind, kurse nga bujqësia, ku ishin të vetëpunësuar 155 mijë familje fshatare, ose 310 mijë krahë pune, të ardhurat ishin 95.5 për qind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

 

  1. Të zenë me punë në vitin 1989 në Shqipëri kanë qenë 1,431,000 persona..; nga të cilët sektori shtetëror kishte 908 mijë të punësuar, kurse sektori kooperativist 525 mijë syresh. Në arsim kulturë punonin 66 mijë vetë, nga të cilët 35 mijë femra; shëndetsia punësonte 41 mijë punëmarrës dhe prej tyre 33 mijë ishin femra; në frontin industrial punonin 339 mijë vetë, prej tyre 150 mijë femra; sektori ndërtimit kishte 95 mijë punonjës, prej tyre 9 mijë femra; transport- ndërlidhja punësonte 44 mijë punëmarrës, prej tyre 7 mijë femra; tregëti grumbullim me rabat (fitim) 18% angazhonte 66 mijë punonjës, prej tyre 36 mijë femra.

 

  1. Impakti në arsimin e politizuar “enverist..” ka qenë i jashtzakonshëm..; sepse ishte ligjërisht i detyrueshëm deri në tetëvjeçare dhe në vitin 1989 edukonte, sipas prirjeve të veta ateiste, 763 mijë nxënës, 27 mijë student’ në 8 universitete, të drejtuar nga 39,955 mësues dhe pedagogë; të cilët jepnin mësim në 1,726 shkolla, prej tyre 245 në qytete dhe 1,481 shkolla në fshat..

 

  1. Shqipëria në kohën e “zogizmit..” kish 3 kinema, në Tiranë, Korcë dhe Shkodër..; por nuk kish asnjë teatër, asnjë pallat kulture, asnjë pallat sporti..; kurse në kohën e “enverizmit..” u ngritën 108 kinema permanente me gjithsej 28,485 karrike, që vetëm gjatë vitit 1990 u frekuentuan nga 33 miljon e 129 mijë spektatorë, kurse me autokinema u dhanë 40,421 shfaqje për 3,076,700 spektatorë. Gjithashtu u zhvillua arti skenik, kinematografia prodhonte 12 filma artistik me metrazh të gjatë çdo vit..; u masivizua shumëllojshmëria e sporteve për të gjithë..; u ngritën 27 institucione artistike profesioniste me 8,375 karrike, ku janë dhënë 4,563 performanca të ndjekura nga 1,660,000 spektatorë. Shqipëria e “kohës së enverit..” aktivizonte 6,653 grupe artistike amatore, 2,294 shtëpi dhe vatra kulture, 45 librari, 1,774 biblioteka dhe 67 shtëpi muze.

 

  1. Kur vdiq Enver Hoxha më 11 Prill 1985, disa media shkruan se shërbimi shëndetsor për popullatën në Shqipëri ishte shumë cilësor dhe falas për të gjithë. Në vitin 1990 vendi ynë kishte 160 spitale, prej tyre 86 në fshat, gjithsej 13,228 shtretër, ose mesatarisht 4 shtretër për 1,000 banorë; gjithashtu kishte 698 shtëpi dhe reparte lindje me 5,074 shtretër; funksiononin 2,780 cerdhe ditore me 54,115 vende, nga këto 504 çerdhe ne qytete me 26,025 vende, kurse në fshatra 2,276 çerdhe me 28,090 vende. Shqipëria “antizogiste..” kishte 5,566 mjekë dhe stomatologë, ose 1.7 të tillë për çdo 1,000 banorë. Shtëpitë e pushimit kishin 3,206 vende për masat punonjëse dhe 4,350 për pionierë, ku kalonin pushimet 40,500 adultë dhe 19,500 të mitur.

 

***

 

Mos harroni se: “politika është arti i drejtimit të shtetit juridik, shprehja e koncentruar e ekonomisë..” dhe mbani parasysh postulatin: “..për të konkluduar lidhur me thelbin e veprimit politik, ka rëndësi njohja e përmbajtjes së faktorit ekonomik”..; ndaj mendoj se lexuesi i nderuar, (pas leximit të fakteve zyrtare historike të lartpërmendura, sesi ishte Shqipëria në pikëpamje të gjallesës ekonomike, në kohën kur sundonte regjimi zogist dhe shteti partiak enverist..;) do jetë në gjendje të kuptojë se periudhat e sundimit zogist dhe enverist janë realitete të krahasueshme me njera – tjetrën, por nuk mund të ndryshohen me demagogjira politike dhe tautologji boshe.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Autori i këtij shkrimi, mund të meritojë përgëzime, për faktin se ka zbrazur një thes me evidenca e të dhëna.
    Të cilat nuk mund t`i kundërshtojmë këtu, pasi duhen marrur të mirëqena, nga momenti që nuk kemi të tjera në dispozicion. Pra, asnjë dyshim sa i takon shifrave.
    Ajo që bën gabim autori, është “analiza” që mëton të bëjë, përmes “krahasimeve”, që e tenton pa sukses.
    Dhe kjo farë “analize”, e çon deri aty, saqë të thotë se…. “janë të krahasueshme” periudhat 1922-1938, me 1950-1985?!?
    E drejtë e tij, të jetë zogist. Por deri aty.
    Ndoshta shkrimi do i kishte dalë më i plotë, nëse do kishte pasur kohë(apo dëshirën?), të lexonte librin e Camillo Libardit me titull “Si u bë amet zogu mbret”.
    I botuar ky libër nga një italian, e jo italian komunist apo fashist, por nga personi i sipërcituar, ishte për 15 vite rresht, Kryetari i Kryqit të Kuq italian në Shqipëri.
    E jo i botuar në Tiranë, por në Romë. E jo i botuar në periudhën e “diktaturës”, por fiks në vitin 1940.
    Atje ndoshta autori do të shijonte të servirur nga një italian, “qevrimin perëndimor të zogjit”.
    E ndoshta do t`i vijë edhe pak turp, për faktin se ai vetëm autori, i takon të njëjtës racë me amet zogjin….

    Përgjigju ↓