KULTURË

KOHË TË PAPËRKRYEME/ “Detyrimi me qenë i lumtur”, kujtimet e Ardian Ndrecës si dëshmi e një Shqipërie të dhembshme

09:01 - 16.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një kujtim i rremë fëmijërie te “Kandili i Argjandtë” i Martin Camaj ka krijuar çerdhen e një mllefi të bartur ndër vite. Kur ‘hija’ i rritur kupton që plaku i shtëpisë së madhe, nuk e ka injoruar pyetjen e tij si vocërrak, por ka qenë shurdh, është tepër vonë dhe shurdhëria është riformuluar në ‘hijen’ që përndjek shkëlqimin e atyre që i kanë munguar. Në kohë të papërkryeme, është gjithnjë e mundshme që ngjarje krejt të vogla, të amplifikohen me ndjesi të tjera për t’u rikthyer si orteqe. Psikanaliza e ka gjetur po në fëmijëri shpjegimin e një pjese të madhe të qenies sonë edhe kur jemi krejt larg prej saj, si një e shkuar që e merr me vete kudo pa mundur të çlirohesh prej saj, një fare Itake, që pas çdo udhëtimi, na pret aty, në forma të ndryshme. Ajo mundet me qenë edhe një strehë e sigurtë, një e kremte e pambarueme, një e shtunë e mezipritur.
Personazhi i këtij shkrimi, është një fëmijë që vitet e para të jetës i kalon, mes shtëpisë me zanin e artë të nënës, fytyrën e qeshur të babës, një mbamendje të krahëve të gjyshit, shtëpinë e nanadajës, dajën që e merr kudo me biçikletë, në anën tjetër të qytetit. Shpesh, nanadaja do ta tërheqë për dore, kur djali që donte të shtunat, kthente sytë nga kisha e fretënve të Arra e Madhe e kthyer rishtazi asikohe, në magazinë të ndërmarrjes mëndafshpunuese. Fëmijëria e tij është e mbushur me dashuri në nji anë e gjurmë të një Shqipërie të perëndueme në anën tjetër. Krah duhanit të Sheldisë, janë muret e mbulueme me urth, cungjet që digjen në votër, kshteja që piqen në prush, t’u shëtit me mifën gjermane, t’u marrë bidonin me venë safi, e mes rrëfimesh për gjermanë e partizanë, ardhjen e padres, vizitat në muze ateist, gjithnjë e më shumë të kuptuemin e atyne që ishin të ndalume, e sish, kishte shumë .
Sot pedagog në Romë, publicist e studiues, Ardian Ndreca, djali që donte të shtunat, vjen para lexuesit, krejt i rritur e i pjekur. Ka ndalur kohën, për ta dëshmuar atë, në formën e tij e sipas këndvështrimit të tij, pa bartur asnjë mllef fëmijërie, por me një shikim të qartë të asaj që la pas. Shumëçka që si i vogël nuk e ka kuptuar, tashmë e shpjegon, siç Idromeno shpjegonte “Dy rrugët” duke të lënë të gjykosh vetë dy pamjet e së njëjtës lëndë, jo pa ndonjë krahasim krejt origjinal. “Nji prej provave që Zoti nuk ekziston simbas tyne, rridhte prej faktit që njeriu kishte shkue në hapësinë dhe nuk e kishte takue kurrkund”. Ndreca nuk mundet veçse të shtojë se “ideologjinë marksiste e kishte pasunue edhe kreativiteti i marrisë sonë autoktone”. Mbetet prapë krejt e habitshme se si djali që i donte të shtunat dhe urrente shkollën me gjithë shpirt, si një institucion që e shpërben shpirtin, sot është një autoritet prej shkollës dhe pedagog, por siç do të thoshte vetë Ndreca, dënimi i tij është edhe fati i tij.
Kujtimet e tij e sjellin qytetin në fazën e fundme pa e humbur veten. Ai flet për Bexhistenin, Urën Dervish Beg, Perashin, Tophanën, Bahçen e Çakejve, Shtëpitë e Bujqve e Kryepazarin, për gratë me degërmija, e ato me rruzare, pa e lënë mënjanë, zhbërjen e qytetit të tij nga djep kulture në djep kontradiktash.
(SH)FORMIM
Duke e parë brezin e vet si një hibrid të vërtetë mjeran, Ardiani që rrëfen nga këndshikimi i fëmijës dhe gjykon nga ai i të rriturit, kujton efektin e koncerteve të majit, filmat më luftë e kulakë, e atë pak dashuri të kursyer socialiste pa puthje e pa shtrëngime, por me një regjistër komunikimi që u ruajt deri vonë, por duke theksuar se filmi shqiptar qe një tjetërsim topitës i realitetit, një përmasë psikotike që hynte ne gjuhën e përditshme, edhe përmes batutave. I rritur me filma ku skematizmi ideologjik synonte të rrënjoste së gjeri se gegnishtfolësi ishte armik potencial, prifti dinak antipopullor, pasaniku i poshtër, intelektuali njeri i dyshimtë, tregtari hajdut, kleriku mysliman injorant dhe nën anën tjetër veç proletari ishte vizionar e mendjehapur, katundari i prerë për të udhëhequr, kovaçi kandidat shkencash e shërbëtori i akshihanes një Robespierre i vërtetë. (Vendet e Lindjes patën meritën unike të një reversi në ndarjen e detyrave-intelektualët i bënë bujq e bujqit shtendërtues, çka duket qartë në atë që kemi trashëguar e jemi, ende një parashtet me mangesi të theksuara tiparesh vetekontrolli) .
Ndreca nuk e thotë, por mund ta imagjinoj të jetë ndjerë i zënë në grackë mes dy botësh që nuk putheshin me njëra tjetrën. Ai shihte fratin plak të shihej si i shenjtë në lagje, por si dinak në film, fliste gegnisht e sipas filmave ai duhej të ishte një armik potencial. Bota e tij nuk ishte më bota e tij, dhe ishte si nje I huaj, në të vetmin vend që duhej të ishte i tij. Por jeta e tij ndahej në jashtë e brenda.
Ai është djaloshi që i donte të shtunat, pse të shtunat ishin liri por përreth tij kishte kaq shumë ndrydhje, frikë, ankth, spiunë, aq sa personazh i dashur për të, bëhet një i çmendur, Agimi, që ironikisht, është i vetmi që mundet t’i thotë hapur ato që mendon, se në një vend ku shtypja është aq e madhe e vetmja mënyrë për të qenë i lirë, është çmenduria, të hequrit dorë nga mendja, është të hequrit dorë prej përgjegjësisë dhe autoriteteve. Skllevërit nuk e dinë ç’është liria e në forma të ndryshme, Ardianit, këtë do ia thonë edhe turistët e paktë me të cilën mundet të shkëmbejë ndonjë bisedë nëpër qytet.
Libri i tij me kujtime, “Pa pikë pa presje” ONUFRI është një libër i shkruar me një frymë e nuk është vetëm kaq. Është fëmijëria e tij dhe e brezit të tij, brezi i parë pa kisha e pa xhami, pa Zot e fe, brezi si ateistë, pa rusë e pa kinezë, brezi me forcat tona, ku shkëlqimi i së shkuarës mezi duket, e ai i së ardhmes nuk është gjëkundi. Ky brez i ndërmjetëm, që përjetoi varfërinë e tejskajshme, boshin e pamatë, që ai e mbushte me libra të çfarëdoshëm nga “Kështu foli Zarathustra”, te Bibla që u ble më rrogën e një muaji, me kërshërinë e leximit të asaj që qe e ndaluar. Fëmijëria e adoleshenca tashmë shihen me vetëdijësimin e peshës së kohës. Por sa më shumë rritet, aq më shumë kupton se pesha është e rëndë dhe matanë kufirit janë veçse shqiptarë të tjerë, e në fshatin ku duhet të shkojmë në rast sulmi (imagjinar) ju duhen më së 30 minuta për të mbërritur. Ajo, që sistemi kërkonte, ishte një botë pa dëshira, në mos tërësore, synohej së epërmi, kontrolli e reduktimi i tyre. Nëse kish arritur t’i vetëkontrollonte fëmijë, rritja e vetëdijes e bën gjithnjë e më të vështirë. Në moshën 18-vjeçare ai e kupton qartë se partia shtet ‘të siguron gjithçka’ deri te detyra për të qenë i lumtur. Për të, kjo lumturi e gatshme dhe e pamundur të refuzohet, është pasiguria më e madhe. Ai ka frikë të vdesë aty.
Ardiani e di se mendja e masës, mbahej e zënë gjithnjë me një tematikë madhore. Normalizimi i kohës ishte luks, ishte kohë për reflektim dhe një mënyrë për ta mbajtur mendjen të zënë është ajo oruelliane, e një lufte të pambarimtë, me tensione, spastrime nga brenda e armiq të jashtëm, që i linte njerëzit pengje të fushatave qeveritare.
As “intermexot” e një dashurie të mbetur në mendje si vramendja e një pengu, pamundësia me njoh një ‘vete’ tjetër, më e mirë e më e plotë, se gjithë ç’mund të jemi pa të, nuk munden të na çlirojnë. Në nji kthinë të vogël, ruejmë gjithmonë, një kujtim që nuk shlyhet, e që megjithatë, herë-herë fshin gjithçka që kemi mundur të jetojmë para e pas tij, si një ngazëllim që na kontrollon për të dhënë plotësinë më të epërme të njeriut.
Takimi i fundit me nanadajen, ditët e mbrame të regjimit mes frikës se nuk po ikën, dhuna e fundit në trupat e miqve, udhëtimet e fundit në burgjet ku ata janë, letrat e fundme të dërguara jashtë, paracaktojnë ikjen e tij. Gjer atë çast, rrëfimi i tij del jashtë bardhezisë me leksikun e pasur e sendet e vogla e të rralla, me ritet e harrueme, vigjiljen e festave e shpresat e mëdha të një fëmijërie në burg ku rrethenaku i tij i dhuron forcë, mbështetje e qetësi, si fjalët e nanës që i thonë ‘edhe po të morën, mos prano asgjë’ e në disa raste, kaq është gjithë bota.
28 nëntorin e 1990-ës, kur ishte tashmë në avion, në pritje për të ikur nga Shqipëria, do të kuptonte qartë se ajo që po linte pas, me gjithë dhembjen e frikën, kishte diçka që ishte vetëm e tija, qoftë me thepa dhe e vrazhdë qoftë e lëmueme dhe e rrumbullakët.
Ende sot, tri dekada prej ditës kur ka zgjedhur t’ju ikë atyre të shtunave, ai e di se bota është botë kudo, por ka vende ku gjejmë më shumë gjëra se në vende të tjera. E këtu, thotë Ardiani, ka diçka që është veç e tij. “Asht diçka që pse ka me më vra deri në fund me paplotninë e vet, e kërkoj”. Në qytetin e përjetshëm ai ruan ende Shqipërinë e kenotafeve. Ai e di se historia e së bukurës, qëndron tek syni që kundron.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.