Shëndet

Mënyrat e trajtimit të hemorroideve dhe klasifikimi i tyre

11:18 - 16.11.20 Gazeta Shqiptare

Hemorroidet janë zgjerime të vazave të gjakut që ndodhen në kanalin anal e përbëjnë një sëmundje të shpeshtë dhe që jo rrallëherë trajtohen në mënyrë jo të drejtë. Pacientët shpesh refuzojnë t’i nënshtrohen një vizite rektale, pasi kanë frikë nga një operacion i mundshëm kirurgjikal ose zbulimi i ndonjë sëmundjeje tumorale. Por ky ekzaminim është shumë i rëndësishëm për mjekun për të vlerësuar situatën e mënyrën e trajtimit të pacientit me hemorroide.



Shkaktarët
Hemorroidet shfaqen për shkak të dobësimit dhe degjenerimit të indit konjuktiv dhe të kushinetave vaskulare. Faktorë riskues që shoqërojnë këtë çrregullim janë mosha e avancuar, një pjesëmarrje e vazhdueshme e muskulaturës së barkut gjatë aktit të jashtëqitjes dhe kapsllëku. Sa më gjatë të zgjasë ky i fundit dhe jashtëqitja e sforcuar, aq më shumë shtohet rreziku se mund të shkaktohet prolapsi dhe hemorroidet. Gjithashtu edhe shtatzënia, kolla kronike, e obeziteti janë faktorë që mund të vështirësojnë rikthimin venoz dhe që shtojnë mundësinë e shfaqjes së hemorroideve. Por kjo sëmundje mund të jetë edhe e trashëgueshme.
Klasifikimi
Klasifikimi i hemorroideve bëhet nga tendenca që mund të kenë për të agravuar:
-Hemorroide të gradës së I janë hemorroide të brendshme që gjakosin, por që nuk dalin jashtë zonës anale.
-Hemorroide të gradës së II janë hemorroide të brendshme, që dalin jashtë zonës anale, por që reduktohen spontanisht.
-Hemorroide të gradës së III janë ato lloje që dalin jashtë zonës anale, por që mund të reduktohen vetëm me anë të manovrave manuale.
-Hemorroide të gradës së IV janë hemorroide të brendshme dhe të jashtme që dalin jashtë kanalit anal dhe që nuk mund të reponohen as me manovra manuale (nuk mund të futen brenda as nga trajtimi i mjekut).
Simptomat
Një nga simptomat kryesore që shfaqin pacientët është hemorragjia me gjak në ngjyrë të kuqe, zakonisht e pashoqëruar me dhimbje, që zakonisht ndodh gjatë jashtëqitjes. Por të sëmurët mund të konstatojnë edhe hemorragji rektale të herë pas hershme, ndjenjë prolapsi në raste sforcimesh gjatë aktit të jashtëqitjes, ndjesi e vazhdueshme apo me ndërprerje të një zone të fryrë përreth anusit.
Ekzaminimi rektal është shpeshherë shumë i dhimbshëm për pacientin, atëherë kur bëhet fjalë për hemorroide të prolabuara nga jashtë kanalit anal. Sekrecionet rektale e bëjnë zonën anale të njomë, të ndjeshme, madje mund të paraqiten edhe çarje të holla. Pacientët mund të ankohen edhe për rrjedhje të vogla materie fekale të pavullnetshme, që mund të rëndojnë gjendjen e pruritit anal. Edhe kur të sëmurët kanë ndjesinë se kanë humbur një sasi të madhe gjaku, hemorragjitë e lidhura me hemorroidet janë zakonisht të lehta dhe rrallë herë çojnë në gjendje anemie. Nëse dyshohet se pacienti është anemik, do të jetë e nevojshme që të bëhet një analizë komplete e gjakut apo duhet të dërgohet pacienti për të bërë një ekzaminim endoskopik gastro-intestinal, për të konfirmuar apo përjashtuar një patologji tumorale.
Trajtimi
Trajtimi i hemorroideve mund të bëhet me rrugë konservative (jo kirurgjikale) sikurse edhe me ndërhyrje kirurgjikale. Efikasiteti i terapisë së sëmundjes hemorroidale vlerësohet se sa i kënaqur do të mbetet pacienti nga trajtimi. Trajtimi konservativ do të ndërmerret nëse pacienti do t’i nënshtrohet një sërë rregullash në stilin e jetesës si shtimi i fibrave në dietën ushqimore, përdorimi i sa më shumë lëngjeve, evitimi i sforcimeve gjatë aktit të defekacionit (jashtëqitjes), evitimin e qëndrimit të gjatë ulur në tualet.
Trajtimi
konservativ
Zakonisht pacientët që zbatojnë masat e mësipërme, mund të përmirësojnë shqetësimet e tyre. Por edhe kremrat dhe pomadat me veprim lokal mund të lehtësojnë simptomat e hemorroideve, si dhe mund të trajtohet zona e prekur me akull. Të merren analgjezikë nga goja, të merren laksativë për të lehtësuar defekacionin.
Trajtimi
kirurgjikal
Në trajtimet kirurgjikale përmblidhen këto metoda si hemorroidektomia e hapur (metodë me bisturi); ligatura e arterieve hemorroidale nën drejtimin e dopler; apo edhe hemorroidopeksia me stapler. Por është e rëndësishme që të informohet pacienti se secili prej këtyre interventeve që realizohen në zonën perianale, mund të kenë edhe pasoja si hemorragji, infeksione, stenozë anale, dëmtime të sfinkterit anal, apo jashtëqitje të pakontrolluara. Pacientët duhet të dinë gjithashtu se periudha e rehabilitimit mund të zgjasë disa javë dhe se pas interventit duhet të përdorin medikamente antiinflamatorë, tableta me metronidasol nga goja për 5 ditë, apo laksative.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.