SHËNDET

Migena Kika: çrregullimi që lidhet me ngrënien e materialeve joushqyese

11:07 - 16.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ngrënia e materialeve joushqimore, e ndonjëherë edhe të rrezikshëm për shëndetin është një çrregullim i njohur si Pica. Substancat që gëlltiten ndryshojnë me moshën e fëmijës, por ato që përdoren më shpesh janë letra, sapun, veshje, flokë, fije, lesh dhe shkumës, pudër, bojë, copa muri, metale, gurë, qymyr apo hi. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja pediatre, njëkohësisht drejtoreshë në Qendrën për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve, Migena Kika tregon se zakonisht kjo sëmundje shoqëron çrregullimet e tjera të neuro-zhvillimit si paaftësia intelektuale, çrregullimet e spektrit të autizmit, epilepsia apo skizofrenia. Më tej, mjekja thekson se Pica mund të shkaktojë edhe komplikacione në organizmin e të sëmurit e shpjegon të gjitha mënyrat e trajtimit të këtij çrregullimi.
Çfarë është çrregullimi i njohur në gjuhën shkencore si Pica?
Pica është një çrregullim në të ngrënë, që ka të bëjë me ngrënien e objekteve që nuk janë ushqim dhe nuk kanë vlera ushqyese dome-thënëse si flokë, copa muri dhe (baltë apo rërë), bojë etj. Etimiologjia e fjalës Pica vjen nga latinishtja, që do të thotë laraskë, një zog që njihet për oreksin e madh dhe pa kufi.
Cilat janë kategoritë më të prekura nga ku çrregullim?
Mendohet që Pica ka prevalencë më të madhe në vendet e pazhvilluara. Ajo prek fëmijë, adoleshentë apo edhe të rritur si dhe njësoj të dyja sekset.
Mund të përmendni disa nga shkaktarët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e Picas?
Anemia nga deficenca e hekurit dhe kequshqyerja janë dy nga shkaqet më të zakonshme të Picas te fëmijët normalë. Në këto raste Pica është mekanizëm kompensator që tregon se trupi po mundohet të rregullojë mungesën e nutrientëve apo elementëve. Mjekimi me hekur apo me vitamina në këto raste mund të zgjidhë këtë çrregullim dhe Pica të eliminohet.
Cilat janë disa nga shenjat e para të sëmundjes?
Të ngrënit në mënyrë persistente për një periudhë të paktën një muaj të substancave që nuk janë ushqim dhe nuk kanë vlera ushqimore. Por ngrënia e substancave të ndryshme joushqimore mund të jetë dhe pjesë e kulturave të ndryshme, që e stimulojnë këtë zakon si ngrënia e argjiles si pjesë e praktikës mjekësore dhe këto raste nuk përbëjnë Pica. Një neuropediatër apo psikiatër vlerëson rastet për të përcaktuar gravitetin e simptomave si dhe përcakton nëse duhet ndërhyrë apo jo.
Kur duhet të shqetësohen prindërit e fëmijëve që shfaqin këto çrregullime dhe në cilën moshë mund të bëhet diagnostikimi?
Së pari, dua të theksoj se substancat që gëlltiten ndryshojnë me moshën e fëmijës. Substancat që përdoren më shpesh janë letra, sapun, veshje, flokë, fije, lesh, dhe, shkumës, pudër, bojë, copa muri, metale, gurë, qymyr, hi etj. Ngrënia e këtyre substancave duhet të jetë e papërshtatshme për moshën e zhvillimit të fëmijës. Tek fëmijët e vegjël me moshë nën 2 vjeç, futja e objekteve në gojë, prekja e tyre me buzë është pjesë normale e zhvillimit. Kjo quhet faza orale kur objektet dhe bota që e rrethon fëmijën njihen nëpërmjet ndijimit të tyre me gojë. Në këtë moshë në disa raste mundet që gjatë kësaj faze të kemi gëlltitje në mënyrë aksidentale të këtyre materialeve e këto nuk përbëjnë Pica, ndaj diagnoza e këtij çrregullimi kryhet te fëmijët pas moshës 2 vjeç.
A lidhet Pica me çrregullime të tjera neurologjike?
Pica mund të jetë i vetmi çrregullim që mund të ketë fëmija, por zakonisht shoqëron çrregullimet e tjera të neurozhvillimit si paaftësia intelektuale (prapambetja mendore), çrregullimet e spektrit të autizmit, epilepsi, skizofrenia etj. Mendohet që nga 4-26% e individëve që institucionalizohen për arsye të problemeve të shëndetit mendor të kenë Pica. Nuk njihet prevalenca te fëmijët normalë.
Cilat janë komplikacionet që mund të vijnë nga sëmundja?
Mund të kemi probleme mekanike të zorrëve si bllokim fizik të zorrës si pasojë e materialeve të ngrëna. Në këto raste bllokimi i zorrëve bën që ushqimet dhe lëngjet të mos kalojnë dot normalisht në zorrë dhe të kemi pasoja të rënda. Në këto raste mund të kemi një masë që quhet bezoar, e përbërë nga materiale jo të tretshme dhe kjo mund të shihet në ezofag, stomak apo zorrë. Ndërsa në disa raste mund të kemi perforacion (shpim) të mureve të stomakut apo zorrëve nga këto materiale. Nëse gëlltitet baltë, mund të kemi infeksione të tilla si toksoplasmoza dhe toksokariaza. Gjithashtu, mund të kemi dhe raste helmimi nga metale të rënda si pasojë e gëlltitjes së bojës që përmban plumb.
A ka ndonjë test laboratorik që zbulon çrregullimin e Picas?
Nuk ka teste laboratorike për Pica. Diagnoza bazohet në historinë klinike të pacientit e duhet të shoqërohet me teste laboratorike për të parë nëse kemi anemi shoqëruese apo deficenca nutricionale të tjera si dhe ekzaminime nëse kemi bllokime të zorrëve apo efekte toksike të substancave të gëlltitura.
Si bëhet trajtimi i sëmundjes?
Nëse kemi deficenca nutricionale mjafton që këto të korrigjohen dhe Pica eliminohet, ndërsa në rastet kur fëmijët paraqesin probleme të zhvillimit, kjo nuk mjafton dhe në këto raste duhet përdorur terapi specifike sjelljeje nëpërmjet përforcimeve pozitive apo negative sipas rastit. Në rastet e rënda, shpeshherë kjo terapi zgjat me muaj derisa Pica të eliminohet. Ndërkohë në rastet që nuk i përgjigjen mirë terapisë së sjelljes ka studime që pohojnë se medikamentet që rrisin funksionet dopaminergjike si olanzapina të funksionojë si mënyrë trajtimi.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.