DOSSIER

Ylli Polovina: Në burg, kujtimet nga Ramiz Alia, Aranit Çela e qelia e ish-kryeministrit

12:35 - 18.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ylli Polovina – …Nga ana objektive, vepra e kryer nga i pandehuri Ylli Polovina konsiston në thirrjet e bëra për veprime të dhunshme, siç është rasti i shkrimit të datës 29.11.1995. Për të pasur këtë vepër sipas teorisë të së Drejtës Penale dhe të Kodit Penal, dhe konkretisht të nenit 223 të këtij Kodi, mjafton që të jetë bërë thirrje publikisht për veprime të dhunshme, pavarësisht nëse ka ardhur ose jo pasoja.
Pa kaluar shumë kohë nga botimi i këtij shkrimi, në qendër të Tiranës plasi një autobombë, ku gjetën vdekjen 4 vetë e dhjetëra të tjerë u plagosën, duke ngjallur panik në masën e njerëzve të pafajshëm. Subjekti i krimit në këtë rast është i pandehuri Ylli Polovina, me moshë madhore dhe i përgjegjshëm përpara ligjit, që bën thirrje për veprime të dhunshme kundër rendit kushtetues.
Nga ana subjektive krimi është kryer me dashje, me shkrimin e datës 29.11.1995.
Sa më sipër Gjykata çmon: “I pandehuri duhet të deklarohet fajtor për veprën penale të mësipërme. Për këtë arsye, në bazë të nenit 379, 381, 384 të K.Rr.P.
Vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ylli Polovina për veprën penale të thirrjes publike për veprime të dhunshme dhe në bazë të nenit 223 të Kodit Penal e dënon me 30 mijë lekë gjobë, duke urdhëruar lirimin e
tij në sallë.




Fatos Nano, Martin Leka, Aleksandër Frangaj dhe Përparim Xhixha
Në të vërtetë, emri i parë që më erdhi në mendje në burg, si bashkëvuajtës, ishte ai i Fatos Nanos. Shumë herë kam hamendësuar se si ia ka kaluar pas këtyre dyerve të rënda. Jo rrallë kujtoja gazetarët Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj, përpiqesha të sillja në kujtesë numrat e birucave që kishin kaluar. Emri i kolegut Përparim Xhixha, për absurditet, më erdhi ndër mend vetëm të nesërmen e mbërritjes në Repartin 313. Më ka ardhur turp, shumë turp për këtë vonesë të kujtesës sime, ndoshta edhe pasojë e një mbrojtjeje të zbehtë që iu imponua shtypit nga rrethanat e arrestimit e dënimit të tij. Kur po jetoja ditën e tretë në qeli, më erdhën të falat nga Përparimi. Ai nuk ishte në sektorin tim, as në katin tim. Mbase qe tek i dyti dhe dërgimi i mesazheve kaq larg ishte i pamundur për kushtet e mia.

Qelia e kryeministrit Vilson Ahmeti
Në murin përballë derës së qelisë 12 ishte një trëndafil i madh e i murrmë prej plastike. Rrinte plot elegancë dhe atë askush nuk e hiqte. Qe trëndafili i vajzës së Vilson Ahmetit, kryeministrit të fundit të Ramiz Alisë. Ahmeti pati kaluar në këtë birucë dy vjet dhe më pas kishte fituar pafajësinë. Ish-kryeministri kishte lënë edhe gjurmë të tjera në atë qeli të madhe. Ai kish ndërtuar “grila”. Ishin bërë prej polietileni të zakonshëm. Me këtë “grilë” Vilson Ahmeti hapte apo mbyllte dritaren-vrimë të kryqëzuar në hekura. Ish-kryeministri me anë të një spangoje, duke e tërhequr apo lëshuar, bënte të mos hynin aty as shiu dhe as era. “Grila” ai kishte ndërtuar edhe te vrima e ftohtë, ku rrinte llamba elektrike. Ajo kishte të njëjtin parim funksionimi dhe qëllim rënien e pranueshme të dritës, që të mund të flije pa u bezdisur.
Sigurisht Vilson Ahmeti kish kohë që ishte larguar që andej e grila e dritares hekurkryqëzuar ishte copëtuar e lëkundej nën erë. Por dy gjëra të tij akoma “ekzistonin”. Ishte një dyshek i lartë dhe i butë, mbuluar nga disa batanije të ngrohta e me shirit të kuq anash.
Por më e dobishmja që ai kishte lënë, nuk ndodhej në dhomë. Ishte në banjat e përbashkëta, në brinjë të lavamanit të gjatë e të rreshtit të çezmave. Qe një pllakë metalike e ngulitur në mur dhe ku mund të hipje për të vështruar rrugën e lirë para burgut e një pjesë të Tiranës. Ish-kryeministri e kish sipërmarrë këtë gjë, pasi në kohën kur ishte burgosur aty, ishin bërë riparime dhe konstruksione. Tekniku dhe punëtorët e kishin ndihmuar dhe ia kishin lënë gati të hipte, kur e merrte malli për Tiranën.
Edhe kësaj “shkeljeje” thuhej se i ishte vendosur fundi: të prishej. Në të vërtetë biruca 12 quhej ndryshe edhe e “njerëzve të pushtetit”. Aty mbyllnin policë, oficerë, shefa komisariati, drejtorë ndërmarrjesh. Për tetë muaj e gjysmë, sa kishte qenë Malko Zaçe, në atë qeli, unë isha gazetari i tretë. Aty kishte ndaluar një pjesë të izolimit një korrespondent i një gazete maqedonase në shqip, pastaj Gjergj Zefi. Ky kishte lënë përshtypje entuziaste me kurajën e tij, me vullnetin e papërkulur për idetë, për pasionin e luftës
politike. Shumë kishin ardhur dhe ikur aty, por Vilson Ahmeti dhe Gjergj Zefi mbeteshin më të përmendurit.

Aranit Çela: Të dhjefsha me gjithë shtetin tënd!
Nuk ishte edhe më pak interesante dhe gazmore edhe sjellja e homologut të tij, Aranit Çela, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, njeriu që pati drejtuar me dorë të hekurt gjykatën më sektare në historinë shqiptare të atij shekulli. Biruca e Aranitit ishte në pjesën pa diell të sektorit të parë të katit të tretë, sepse ajo e Rrapi Minos kishte qenë në sektorin e dytë të atij kati. Në fillim unë këtë gjë nuk e dija, por atëherë përfitova nga mungesa e vigjilencës së gardianit dhe u bëra i “padisiplinuar”: nisa të vështroja birucat nga disa vrima, që disa prej tyre e kishin poshtë sportelit. Ishin vrima të vëzhgimit të përhershëm për policët. Kështu pashë edhe një plak të vetmuar, që i veshur me një peliçe gri me kokore, vërtitej nëpër qeli. Bënte ecejake të shpejta, të panatyrshme për moshën e tij.
Bënte ftohtë dhe kokën e kishte mbuluar me kokoren me push.
Dhe ecte e ecte. Dy shokëve të qelisë 12 iu thashë se kisha parë edhe një plak, por nuk e pata kuptuar se cili ishte.
“Ka qenë Aranit Çela, – ma kthyen ata menjëherë, – si nuk e paske njohur?”
“Ishte mbuluar me një kokore dhe gjysma e fytyrës i dukej nëpër mug”, – u përgjigja.
Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, edhe pse duhej të ishte në dekadën e tetë të jetës së tij, e mbante trupin drejt dhe qe shumë kryelartë. Fizikisht tepër rezistent. Të burgosurit thoshin se ai kishte provuar karatenë me një gardian. Se po t’i thoshe fjalët ngushëlluese “mos u mërzit”, ai të kthehej: “Nuk jam mërzitur hiç”. Keq e kishte me të ftohtin, por deklaronte se çdo ditë e mundte me lëvizje dhe gjimnastikë. E dëgjova vetë njëherë këtë dialog të tij me gardianin:
Gardiani: “Zoti Aranit Çela, mos e ngrini zërin!”
Çela: “Do ta ngre, sepse kam të drejtë”.
Gardiani: “I burgosur, ule zërin e mos fol kështu me mua! Unë përfaqësoj shtetin”.
Çela: “Të dhjefsha me gjithë shtetin tënd!”
Aq imponues ishte Aranit Çela, sa Sarajeva që i plaçkiste ushqim ish-prokurorit të përgjithshëm dhe i bënte karshillëk ish-Presidentit, para ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë rrinte i pagojë. Madje një i burgosur i tha se qe servil i Aranitit. “Ka për ta marrë pushtetin ai”, iu përgjigj akuzës Sarajeva. “Njerëz si Aranit Çela nuk kanë për ta marrë kurrë pushtetin”, ishte përgjigjur i burgosuri. “Do ta marrë, do ta marrë, – pati këmbëngulur gabeli, – kështu është kjo botë, njëherë ma hipe, njëherë ta hipa.”
Ramiz Alia
Njerëzit që e kishin parë atë në burg ishin të paktë, numëroheshin me gishtat e dorës. Një nga këta të privilegjuar ishte edhe ai gabeli i quajtur Sarajeva, i cili shërbente ushqimin dhe pastronte në sektorin e parë të katit të tretë. Ai ia kishte çuar dyshekun dhe batanijet ish-presidentit shqiptar. I pati marrë ato pikërisht nga biruca 12. Pas kësaj Sarajeva ndihej si njeri special: ishte takuar me Ramiz Alinë. Madje me shumë dinjitet e kishte parë një kryetar shteti nga lart-poshtë. Ishte shumë i kënaqur për këtë gjë dhe nuk priste t’i luteshe shumë e të tregonte si i kishte ndodhur. Gardiani në fillim kishte hapur sportelin e qelisë dhe Sarajeva një copë herë vështroi njeriun dikur shumë të rëndësishëm të Shqipërisë. Pastaj pati këputur një të sharë, të cilën, po ta kundroje me vëmendje, e kishte si klithmë në vend të shprehjes së gëzimit. Më vonë polici kishte hapur derën e qelisë dhe ja, Sarajeva qe përballë me një President. Ramiz Alia ishte ngritur në këmbë para jevgut dhe ky sikur qe stepur pak. I dukej sërish si President, siç e kishte parë në televizion dikur. Sarajeva ishte lehtësuar nga ky siklet vetëm kur Alia kishte buzëqeshur e pati thënë: “Aha, ti je Sarajeva!”. Gabeli i kishte dhënë trupit mbrapa për të nxjerrë instinktivisht gjoksin. E kish bërtitur: “E, unë jam Sarajeva. Edhe ti ke shëtitur botën, por edhe unë kam bredhur nëpër të”. Ramiz Alia ia kishte dhënë të qeshurit. Gabeli me trup sportiv e që në rrokje mundte çdo ditë gjithë racë ezmerët e Repartit 313, i ishte përgjigjur gjithashtu me të zgërdhirë: “E pse qesh? President ti, president unë”.
Dhe pati këputur një të sharë entuziaste.
Pastaj i kishte rregulluar dyshekun e batanijet të madhit të dikurshëm të Shqipërisë. Kur unë e pyeta se çfarë të veçante kishte në birucë Ramiz Alia, Sarajeva shau gëzueshëm e tha: “Një treçerek dysheku, dy batanije dhe asgjë”.
Asgjë. Një qeli e zhveshur dhe ai dyshek i lagësht, dy batanije dhe katër muret, ajo dritare-vrimë me hekura të kryqëzuar dhe llamba e ndezur ditë e natë. Ky ishte ish-Presidenti shqiptar i tranzicionit.
Për të ishte folur e shkruar nëpër gazeta se kishte një pension të mjerë sa të shqiptarit më të zakonshëm, të barabartë me shpenzimet e ilaçeve që i duheshin një shtatëdhjetëvjeçari.
Ai qe prej gati dy dekadash dhe një i ve.
Një ditë edhe unë pata rastin e Sarajevës.
Më kishte thirrur prokurori dhe po zbrisja në dhomat e takimit të burgut, kur prej andej po vinte, i shoqëruar nga një polic, Ramiz Alia.
Në fillim nuk e pikasa. Ai ishte i veshur me një peliçe të pambuktë, një nga ato që i kish shpërndarë me dorë të lirë komunizmi nëpër kantiere ndërtimi dhe nëpër zbore ushtarake. Isha unë që u gjenda i papërgatitur nga vështrimi i tij i ngulmët.
“Ramiz Alia!”, sa nuk klitha.
Më kishte ndodhur edhe ta mbroja në shtyp si njeri e kritikuar shumë si President. Tani ishim përballë njëri-tjetrit dhe një ndjenjë e thellë respekti më pushtoi të tërin. Respekti dhe keqardhjeje.
I buzëqesha dhe e përkula trupin para tij.
Ai kishte moshën e babait tim. Bashkë me të qe arrestuar me 33 të rinjtë antifashistë beratas dhe bashkë me të kishte kaluar ditëburgimet në po këtë ndërtesë të errët, ku ai sërish dhe për të dytën herë ishte futur prej ligjeve të regjimit të ri. Unë u përkula thellë, siç nuk është fare e natyrshme për mua. Por edhe Ramiz Alia buzëqeshi dhe dy dhëmbët e tij të florinjtë i dhanë hirin e mëparshëm të burrështetit.
Më buzëqeshi dhe plaku theu mesin e u përkul po aq para meje. Madje dy-tre herë. Kështu u ndamë e nuk u pamë.
Kisha qenë fanatik pas Partisë së Punës, njëherë pata mbajtur edhe një diskutim në kongresin e fundit të Frontit Demokratik të Shqipërisë, organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Që nga tribuna, Ramiz Alia e kishte ndjekur me një farë vëmendjeje fjalën që mbajta. Kjo ishte edhe afërsia më e madhe fizike që kisha pasur me të. Por jeta e pati sjellë që të kisha pasur një afërsi më të madhe me të. Një gjysmë metri, por në burg.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.