OPINION

Refuzimi historik i shqiptarit ndaj ligjit dhe shtetit

12:23 - 19.11.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në qoftë se Edith Durham dhe udhëtarët e huaj do të kishin pasur rastin të bisedonin me shqiptarët e sotëm, ata do të konstatonin se ata kanë një mendësi të ngjashme me atë të paraardhësve të tyre të më tepër se një shekulli më parë




Edith Durham tregon një ngjarje në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në kohën e shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane, në 1908. Shpallja e Kushtetutës ngjalli shumë shpresa në Shqipëri dhe ngjarja që tregon Durhami ishte një shenjë se çfarë problemesh do të kishin shqiptarët pak kohë më vonë, kur t’u duhej të fitonin pavarësinë dhe të punonin për të zhvilluar vendin e tyre. Durham thotë:
Udhërrëfyesi ynë energjik më shpjegoi, se deri tani Kushtetuta kishte qenë tërësisht e dështuar. “Qeveria na premtoi se do të na jepte rrugë, hekurudha e shkolla, si dhe që do të mbajë rregull e drejtësi. Kaluan dy muaj e s’ka bërë asgjë nga këto. Ne kemi dhënë besën tonë deri në Shën Mitër, dhe nëse deri atëherë, s’do t’i ketë bërë, atëherë mirëupafshim Kushtetutë!”
U thashë se s’kish qeveri, sado e mirë të qe, që të mund të bëjë gjithë këto gjëra brenda vetëm gjashtë javëve që kishin mbetur. Ma mbyllën gojën me ngritje zëri.
“Po të dojë, i bën. Një qeveri bën ç’të dojë, përndryshe s’është qeveri.”
Iu kujtova koston, për shembull të një hekurudhe.
“Hekurudhat, e dashur zonjë, s’kushtojnë asgjë. Ato i bëjnë gjithnjë kompanitë e huaja.”
“Po ja shkollat, kushtojnë me mijëra piastra, godina, mësuesi, librat.”
“Në çdo vend të qytetëruar shkolla s’kushton asgjë. Janë të gjitha falas. Për to paguan qeveria.”
“Në Angli”, iu thashë, “Ne duhet të paguajmë jo pak për shkollimin.”
Atëherë, ma ktheu, qeveria në Angli duhet të qe një qeveri e keqe dhe ata s’donin të kishin një qeveri të tillë. Iu thashë në mënyrë të vendosur se çdo vendi tjetër i qe dashur të paguante që të mund të kishte gjëra të tilla ndaj dhe Shqipëria do të duhej të paguante, përndryshe do të mbetej pa to.
Këta shqiptarë nuk mund ta kuptonin dot se, që shteti të mund të bënte punë publike, shtetasit duhej të paguanin taksa. U dukej sikur taksat ishin një shpikje e turqve, të cilën ata e kishin luftuar me sukses. Dhe kur shqiptarët e sotëm shfaqin mendime të ngjashme me ato të mësipërmet, mendohet se kjo është pasojë e periudhës komuniste. Por shqiptarët i kanë pasur këto mendime shumë kohë më parë se të vinin komunistët në pushtet në Shqipëri. Kjo mendësi u ishte krijuar shqiptarëve për shkak se ata nuk kishin shtet të vetin. Prandaj mendonin se të gjitha punët e mësipërme i bënte shteti falas, por kur shteti i përkiste popullit përkatës, jo kur ishte shteti i huaj, si në rastin e Perandorisë Osmane. Meqenëse tani që në kryeqytetin turk ishte miratuar Kushtetuta dhe shteti turk po i thoshte të gjithë popullsive të perandorisë se kishin të drejta të barabarta, domethënë shteti ishte njëlloj i të gjithëve, atëherë këta njerëz mendonin se tani shteti do të bënte për ta ato gjëra që sipas mendimit të tyre shtetet europiane bënin falas për banorët e tyre. Disa të huaj entuziastë, si Gabriel Louis-Jaray, i cili vizitoi Shqipërinë në 1914, pak vite pasi Durhami bënte këtë bisedë, u ndesh me të njëjtën mendësi shqiptare. Por Louis-Jaray, i cili shkroi edhe një libër për të, me titull “Në mbretërinë e re të shqiptarëve”, shprehej me optimizëm se shqiptarët do të ndryshonin mendje kur të shikonin rezultatet e dobishme që kishte mbledhja e taksave nga shteti:
Kur shqiptari të shikojë përfitimet që i sjell organizimi ekonomik i vendit, ai nuk do të besojë më se taksa që po i kërkojnë është e padrejtë, është vendosur me forcë dhe për të pasuruar të huajt. Ai do t’i përballojë detyrimet e qytetërimit atëherë kur të ndjejë përfitimet materiale. Por tani ai nuk i njeh këto përfitime, të paktën në brendësi të vendit. Vetëm po të fillojnë t’i ofrohen, ndoshta do t’i zgjohet interesi. Sidoqoftë, kjo është metoda e vetme e zhvillimit të qëndrueshëm. Mund të zbatohet edhe ndonjë rrugë tjetër, por sa shumë keqkuptime mund të ngjallë ajo! Për të futur vërtet begatitë materiale të qytetërimit tonë në Shqipëri dhe për të siguruar të ardhmen, nuk ka aspak rëndësi një fitore me armë, por ndryshimi i gjendjes shpirtërore të popullit.
Por, a nuk kishte përdorur Durham pikërisht këtë logjikë dhe pa sukses, në bisedën e saj me malësorin, të cituar më lart? Edith Durham nga kjo bisedë kuptoi se këta njerëz do të shikonin me armiqësi çdo lloj shteti që do t’u kërkonte taksa, jo vetëm shtetin turk, por edhe atë shqiptar kur të krijohej në të ardhmen. Në qoftë se Edith Durham do të kishte pasur rastin të bisedonte me shqiptarët e sotëm, ajo do të konstatonte se ata kanë një mendësi të ngjashme me atë të paraardhësve të tyre të më tepër se një shekulli më parë. Edhe nga shqiptarët e sotëm, që nga rrugët e kryeqytetit e deri në krahinat më të thella të vendit, nuk dëgjon veçse fjalë të tilla se këtë ose atë problem që ata kanë duhet ta zgjidhë shteti duke investuar para, pa menduar se shteti buxhetin e tij e siguron nga taksat që paguajnë qytetarët. Asnjëherë nuk i dëgjon të thonë se komuniteti i banorëve të zonës që e kërkon këtë punë nga shteti, i paguan shtetit në vit kaq taksa, prandaj ka të drejtë të kërkojë që të bëhet kjo punë. E shumta që dëgjon është se ata që ankohen kanë dhënë votën për ata që janë në pushtet. Kjo sipas mendjes së tyre iu jep të drejtën që t’i bëjnë shtetit kërkesa të ngjashme me ato të shqiptarëve me të cilët bisedoi Durhami, më tepër se njëqind vjet më parë. Durham, që i donte sinqerisht shqiptarët, u dëshpërua shumë nga kjo mënyrë të menduari e tyre, dhe vazhdoi t’i pyeste për të vënë re nëse arrinin të kuptonin diçka nga mënyra se si funksiononte shteti në raport me shtetasin. Ajo thotë:
E dëshpëruar e duke menduar se qe diçka që ata mund ta kuptonin, iu vura në dukje se do të duheshin më shumë se gjashtë javë derisa të organizohej xhandarmëria që të mbante rregullin në gjithë Shqipërinë. Të indinjuar ma kthyen se s’donin që zaptijet (policë- N.K.) turke të shkelnin në tokën e tyre, por s’ua kishin frikën e po të qe nevoja, do të dinin të mbronin kullat e tyre edhe kundër artilerisë.
“Po ju më thatë që donit një qeveri të mirë e ligje e rregull. Si mund të ketë rregull po s’pati zaptije e pa burg?”
“Me Konstitucionin.”
E lashë me kaq e raskapitur nga kjo ndeshje e pabarabartë; ata kishin fituar.
“Kur të jetë vendosur rregulli”, më thanë “Ne do të kemi (dhe pasoi një listë e asaj që ata kërkonin, gjëra që do t’i shkonin mirë për shtat një fuqie të klasit të parë apo një utopie të vogël)”, pastaj, nëse do të jemi të kënaqur, do të qe e drejtë dhe sikur të paguanim ndopak taksa.
Edith Durham mori vesh se këta njerëz ishin gati që t’ia kthenin pushkën jo vetëm shtetit turk, por edhe shtetit shqiptar kur ai të krijohej dhe të kërkonte të vendoste sundimin e ligjit në zonën e tyre. Këta njerëz nuk donin të kuptonin se çdo lloj shteti nuk mund të funksiononte pa ligje, pa polici, pa gjykata, përveçse pa taksa. Ata ishin të bindur me naivitetin e tyre se shteti funksiononte me anë të një “shkopi magjik” që ishte Konstitucioni (Kushtetuta), i cili mund të bënte çdo mrekulli. Si në përralla! Kjo bisedë e mbushi me pesimizëm Durhamin, e cila e kuptoi se këta njerëz naivë do të kishin probleme të mëdha kur të kishin shtetin e tyre, dhe do të bëheshin dashur pa dashur armiqtë e tij. Durhami e shpreh kështu përshtypjen që i la kjo bisedë:
Më pikëllonte zemra për këta njerëz që qenë si fëmijë, të pashpresë kur përballeshin me problemet e jetës së të rriturve. Njerëz besnikë e të aftë për të adhuruar diçka heroike, që do të ndiqnin deri në vdekje një princ tek i cili do të kishin besim; por kur vinte puna te kjo kushtetutë që qe e paprekshme dhe e padukshme ata s’arrinin të kuptonin e s’mund të kuptonin asgjë.
Ngjarja e mësipërme që tregon Durham ka ndodhur në Shqipërinë e Veriut. Njerëzit me të cilët bisedoi Durham ishin njerëz të cilët brezi paz brezi nuk kishin njohur veçse autoritetin e të parit të fisit të tyre dhe të bajraktarit. Praninë e shtetit ata nuk e kishin ndjerë kurrë. Shteti nuk u kishte kërkuar as taksa, as nizamë (ushtarë). Të gjitha problemet që në vende të tjera i zgjidhte shteti, ato që kishin të bënin me gjyqet, krimet, grindjet, konfliktet pronësore, ata i zgjidhnin brenda fisit, me institucionet e së drejtës zakonore, gjyqin e pleqve, i cili jepte dënimet që zbatoheshin nga fisi. Ata e bënin vetë rolin e gjykatësit, policit dhe të atij që dënohej. Ata kishin një mospërfillje të madhe për ligjet e shtetit dhe për vetë shtetin, duke i parë këto ligje dhe shtetin si të huaj, të pakuptueshëm. Në qoftë se ngjarja e mësipërme e treguar nga Durham është shumë domethënëse për të treguar kuptimin që kishin për shtetin dhe ligjin malësorët shqiptarë të Shqipërisë së Veriut, ngjarja tjetër, e cila ka ndodhur në Shqipërinë e Jugut, në një fshat të Vlorës, është kuptimplotë për të treguar kuptimin që kishin për ligjin dhe shtetin shqiptarët e Jugut. Ngjarjen e tregon në kujtimet e tij Eqrem Vlora, i cili ka qenë i pranishëm në të:
Unë kam qenë shpesh i pranishëm në bisedat zbavitëse të Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme me prijësit e fiseve që vinin te ai. Në Bolenë (fshat në luginën e Shushicës), dy fise ranë në grindje dhe i vunë pushkën njëri-tjetrit. Puna ndodhi kështu: një bari i ri u gjend i rrethuar nga 10 burra të fisit kundërshtar, të cilët kishin ardhur për t’i grabitur dhentë e vathës. Por ai u mbrojt kaq mirë e trimërisht, sa vrau dy nga sulmuesit, plagosi disa të tjerë dhe shpëtoi kështu, pa asnjë dëm tufën. Pleqësia e fshatit, duke dashur të ruante qetësinë dhe paqen në këto kohë të vështira, erdhi te Ismail Beu dhe iu lut që të caktonte disa gjyqtarë për të pajtuar palët. Ndërkohë që Ismail beu përmendte disa emra, pleqtë e ndërprisnin herë pas here me pyetjen: “Bej, a ka dëgjuar Evropa për trimërinë e bariut tonë? Çfarë thotë ajo për këtë?” Ismail beu, njeri i mençur dhe me shumë humor, përpiqej t’i qetësonte, duke iu përgjigjur buzagaz: “Doemos që Evropa ka dëgjuar për këtë histori dhe atje lëvdojnë trimërinë e këtij djali dhe të gjithë lebërve në përgjithësi!” Mirëpo këtu, befas, përfaqësuesit e palës kundërshtare e ndjenë veten të zhvlerësuar. “Jo, – thanë ata – nuk do të ketë asnjë pajtim, derisa edhe ndonjëri nga ne të bëjë diçka të madhe për të cilën të flasë Evropa!”
Këta njerëz nuk e kuptonin shtetin më tepër se bashkëkombësit e tyre me të cilët bisedoi Durhami. Ata nuk duan t’ia dinë se shteti funksionon me ligje, se ajo që janë duke bërë ata është e dënueshme sipas ligjeve të çdo shteti dhe se i pari i shtetit të ri shqiptar, duke qenë i detyruar t’i tregonte botës se shqiptarët janë në gjendje të jetojnë sipas mënyrës europiane, mund të urdhëronte që t’i arrestonin e t’i nxirrnin në gjyq. Ata e merrnin parasysh edhe këtë, dhe duke qenë se fjala e dhënë ishte e shenjtë për ta, ata nuk e gënjejnë të parin e shtetit, por i thonë me sinqeritet se nuk ia japin dot premtimin që kërkon prej tyre. Ata ishin njerëz të cilët nëse e jepnin fjalën do ta mbanin atë edhe nëse do të shuheshin të gjithë. Antropologu gjerman Walther Peinsipp, i cili qëndroi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore për të studiuar të drejtën zakonore shqiptare, në librin e tij “Populli i shqipeve të malit: një kontribut në ‘arkeologjinë’ e drejtësisë dhe antropologjinë sociologjike të Ballkanit”, thotë:
Fjala e dhënë ishte e shenjtë dhe shkelja e saj ishte çnderim i madh dhe kishte pasoja të rënda. Këto dy faktorë mjaftonin për të bërë çdo avokat, noter apo kontratë të firmosur të panevojshme .
Nëse këtë bisedë mes të parit të shtetit të porsakrijuar shqiptar dhe disa shtetasve të tij do ta kishte dëgjuar Jakob Fallmerayer, ai do ta kishte marrë atë si provë se ka pasur të drejtë kur kishte shkruar për shqiptarët se:
Shqipëria është atdheu i mendimeve të shkurtra, depo e rezervave të forcës fizike, vendi që me vullnetin e vet nuk pranon t’i bindet as të dëgjojë as vetveten, as të tjerët. Shqipëria është elementi që mohon vazhdimisht dhe tek e cila anarkia dhe mungesa e ligjit në njëfarë mase janë shpirti dhe fryma jetësore.
Është me domethënie të madhe që Jakob Fallmerayer, në të njëjtin libër ku shkruan gjëra që duhet të na bëjnë krenarë për vjetërsinë e shqiptarëve dhe vitalitetin e tyre si racë, në librin “Elementi shqiptar në Greqi” (1857), jep edhe këto gjykime për shqiptarët që duhet të na bëjmë të turpërohemi dhe të reflektojmë thellë. Sepse cilësi të tilla janë të pranishme edhe te shqiptarët e sotëm. Sjellje të tilla nga shqiptarët, si ato të përshkruara më lart bënë që të huajt të thonë se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese. Një përmbledhje të tezave të ndryshme të të huajve për shqiptarin si qenie politike dhe aftësitë e tij shtetformuese e ka bërë një njohës i mirë i shqiptarëve, Antonio Baldaci i cili udhëtoi në viset shqiptare gjatë disa viteve në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Baldaci është përpjekur që të përmbledhë si mendimet e armiqve të shqiptarëve, si serbi Cvijiç, ashtu dhe të miqve të tyre të deklaruar, si anglezi Murray, dhe të japë ai vetë një gjykim të balancuar. Ja sesi shkruan Baldaci:
Mendimet janë shumë të ndryshme. Disa thonë se shqiptari nuk përfaqëson një popull, se nuk është besnik dhe punëtor. Në të kundërtën, të tjerët e ngrenë lart njësinë kombëtare, besnikërinë dhe veprimtarinë, dhe këto dy ekstreme të paraqitura nga studiuesit Cvijiç dhe Murray mbështeten edhe nga vetë shqiptarët, kështu që njëra palë sheh me simpati të pastër të ardhmen e kombit të vet, ndërsa pala tjetër, që nuk është e pakët në numur, në vend të pavarësisë kombëtare, do të parapëlqente një ndërhyrje të huaj të këtij apo atij shteti, i afërt apo i largët, i madh apo i vogël, sipas simpatisë që ka arritur të krijojë propaganda në shpirtin e tyre të ulët. Për ata që janë shqiptarë të pastër, por të nxitur nga qëllime thjesht egoiste dhe të papastra, Shqipëria nuk ka ç’të shpresojë nga pavarësia e saj.
Në kohën që shkruante, Baldaci tanimë kishte nisur prej disa dekadave një debat europian për shqiptarët, në kuadrin e përplasjes mes fuqive të mëdha për Ballkanin. Siç shihet, për të huajt, si për miqtë, ashtu dhe për armiqtë e shqiptarëve, si me rol vendimtar për çështjen nëse shqiptarët duhet të kishin apo jo shtetin e tyre, në këto debate theksohej karakteri i njeriut shqiptar. Sipas tyre, karakteri i njeriut shqiptar do të përcaktonte dhe fatin e këtij shteti. Armiqtë e shqiptarëve thoshin se këta të fundit nuk e kishin atë pjekuri karakteri që duhej për të ndërtuar shtetin, ndërsa miqtë e shqiptarëve pohonin këtë, shikonin se si mund të gjendeshin mënyra që shqiptarët të piqeshin si komb, që do të thoshte të piqeshin edhe si karaktere individuale, duke kaluar nën një periudhë tutele nga ndonjë fuqi e madhe. Në përshkrimin e mësipërm të Baldacit duken edhe gjurmët e ndikimit të këtij debati te vetë shqiptarët, ku gjithashtu kishte një debat për të ardhmen e kombit që gjendej akoma nën pushtimin osman, por që tanimë dukej qartë se nuk do të zgjaste edhe për shumë kohë. Edhe te shqiptarët mendimet qenë të ndara. Ata që e shikonin me frikë ndarjen nga Perandoria Osmane më tepër kishin frikë për atë që mund t’i ndodhte shtetit të ri në periudhën e ndërmjetme deri kur të maturohej karakteri kombëtar shqiptar, i individëve dhe i bashkësisë. Në përshkrimin e mësipërm të Baldacit mund të gjesh pasojat e një politike të qëllimshme të Turqisë ndaj shqiptarëve, fillimet e së cilës gjenden në mendimet e kronikanëve turq të cilët i kam cituar më lart.
Atë shqetësim që kishte Durhami pas bisedës me malësorët, të cilën e kam përshkruar më lart, e reflekton Fan Noli, në një fjalim që mbajti në Korçë, në 18 gusht 1923, kur ishte kryetar i opozitës.
Opozita e Nolit humbi në zgjedhjet e vitit 1923 sepse nuk iu premtoi shqiptarëve veçse punë të vështirë për të ndërtuar “shtëpinë e përbashkët”, shtetin e prosperuar. Fituan ata që premtuan mrekulli me “shkopin magjik”. Noli nuk blinte vota, kështu që nuk ishte fare tërheqës si politikan. Noli u ofronte shqiptarëve idealizmin e tij, u thoshte se donte të punonte për të ndërtuar një shtet ligjor sipas modelit perëndimor. Problemi i Nolit ishte se shqiptarët të cilëve iu drejtohej ai kishin një refuzim të lindur për ligjin dhe për shtetin, sipas modelit europian, gjë që e kishte vënë re me shqetësim. Noli i njihte mirë shqiptarët. Fjalimi i tij i famshëm për pesë anarkitë e tregon qartë këtë. Ai e dinte se kujt ishte duke iu drejtuar, por si një idealist i pandreqshëm mendonte se mund t’i bindte shqiptarët me fjalë të cilat ata nuk i kuptonin. Sot, kur citohet Noli për pesë anarkitë, nuk citohet për pjesën ku ai flet për rrugëdaljen prej tyre. Në fakt Noli, pasi përshkroi me hollësi pesë anarkitë, përshkroi dhe sfidën me të cilën do të përballej ai që do të provonte të vinte rregull në vendin ku sundonin këto pesë anarki. Dhe Noli e quajti marrjen përsipër të kësaj, idealin më të lartë:
Perëndia, e zemëruar që të na mundojë për mëkatet e stërgjyshërve, na ngarkoi me barrën të vemi urdhër e rregull në mes të këtyre pesë anarkive. Hodhëm një sy mbi problemin e tmerruar që kishim përpara e na u ngjethën mishrat, po s’u trembëm e iu përveshëm punës. Qysh mund të hezitonin e të ndruheshin? A ka ideal më të lartë se sa të nxjerrësh vendin tënd nga shpella e errësirës, ta shërosh nga plagët shekullore, ta lirosh nga thonjtë e nga gërshërët e hydrës së anarkive? A ka ideal më bujar se sa të krijosh e të vesh një racë të re, të fortë e të disiplinuar, me fenë e detyrës në zemër, me diellin e lirisë në ballë e me flamurin e sakrificat për të mirën e përgjithshme në dorë? Ja një punë për një komb ndërtonjës, për nation-builder, ja një punë për një trim legjendar, ja një punë për një gjysmë perëndi.
Pak më shumë se një vit pas këtij fjalimit, Noli do të pranonte dështimin e tij, i gjendur në arrati, jashtë Shqipërisë. Para se të dëbohej me armë nga pushteti, ai ishte ndëshkuar me votë nga elektorati refuzues ndaj ligjit dhe shtetit, sipas modelit europian. Shqiptarët e shikonin shtetin si një forcë të huaj të cilin e shpërfillnin sa të mundnin, e refuzonin sa të mundnin, dhe vetëm kur iu imponohej i nënshtroheshin, pasi nuk kishin çfarë të bënin tjetër. Ideal për ta do të kishte qenë një shtet shqiptar që të ishte i pranishëm sa për dukje në fshatrat e qytetet e tyre, me ligjet e tij, policët, gjykatësit, nëpunësit, por që në thelb t’ i lejonte të vazhdonin të jetonin siç kishin jetuar para tij, duke bërë me këtë shtet kompromision që kishin bërë me shtetin turk. Zogu iu shkelte syrin bashkëkombësve dhe iu premtonte një shtet europian me fjalë, por një shtet të tillë siç e donin ata me vepra. Zogu nuk dinte të fliste kaq bukur sa Noli, por shqiptarët e kuptonin shumë më mirë Zogun se Nolin të cilin nuk e kuptonin fare. Shteti që premtonte se do të ndërtonte Noli i trembte ata. Nuk e gjenin veten në të, iu dukej i huaj. Në një fjalim të mbajtur në parlament, në 1923, Noli, thoshte:
Cili është programi ynë
Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndërshmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t´i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arësimit.
Gabimi i Nolit ishte se ai mendonte që bashkëkombësit e tij donin sundimin e ligjit, donin shtetin e fortë. Në fakt ata donin vetëm aparencën e këtyre gjërave. Shteti që përshkruante Noli i trembte ata më shumë se kërbaçi i Zogut. Prandaj ata nuk entuziazmoheshin kur Noli thoshte se nuk do ta përdorte drurin. Ai mendonte se me këtë ua kishte fituar zemrën, por nuk e kuptonte se këta njerëz ishin mësuar me drurin, dhe dinin si të merreshin veç me atë që kishte kërbaçin e shtetit në dorë. Kjo ishte gjuha që ata e kuptonin mirë brez pas brezi. Ai që kishte kërbaçin në dorë iu thoshte se ‘unë e di që ju tregoni mospërfillje sa të mundni për ligjin dhe shtetin e unë jua njoh këtë të drejtë. Por unë kërkoj nga ju që t’i nënshtroheni sa për dukje ligjit dhe autoritetit të shtetit, që Europa të shohë se ne kemi një shtet modern. Nëse ju nuk cenoni pushtetin tim, unë nuk do t’ju cenoj juve më tepër se kaq dhe do t’ju lejoj të jetoni siç keni jetuar brez pas brezi. Nëse disa nga ju dëshirojnë ta ndryshojnë mënyrën e jetesës, aq më mirë’. Dhe kështu u arrit kompromisi i heshtur mes Zogut dhe shqiptarëve, që i mundësoi Zogut të bëhej mbret dhe ta mbante pushtetin deri kur u largua nga Shqipëria.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.