Opinion-Komente

Pse u krijua Legaliteti

13:03 - 21.11.20 Ekrem Spahiu

 Me rastin e 77-vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2020



Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillën që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjitimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu.

Në kontekstin e Luftës II Botërore, zogistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pati deklaruar përpara delegatëve se: “Jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”.

Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.

Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetëm shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.

Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizjeje politike.

Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politikë, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prill 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, Hysen Meça, Xhemal Herri etj.

Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i të drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit etj.

Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çobën, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi.

Forcat luftarake zogiste në atë kohë ishin rreth 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Suçit, Krujës, Vorze – Shkalla e Tujanit, Prezës etj.

OKLL u shtri në Tiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numra të gazetës “Atdheu”, me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte etj.

Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm me Mbretin Zog, duke e informuar deri në detaje mbi situatën në Shqipëri. Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA-ve, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill, me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.

Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit ishte atashuar misioni anglez, i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA-të bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike.

Ndërkohë që organizatat me frymëzim kombëtar kërkonin gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi një luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.

Ky vendim ishte absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e së drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht. Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në një shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pati deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte.

Mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejt në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm.

Në këto kushte, bazuar në argumentet sa më lart, Legaliteti vijoi të mbështetej në dy kolona bazë, qëndresës kundër okupatorit dhe kërkesës për marrëveshje kombëtare. Nëse kjo marrëveshje, do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, sigurisht që Shqipëria do kishte pasur tjetër rrjedhë, duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy kolona nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.

*Ish-deputet dhe kryetar i PLL

 

 

Major Abaz Kupi dhe kolonel Bill Maclean

 

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. JA TË MARRIM LAPSIN, O QEREM!

    Ti thua:-“Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillën që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjitimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu”…
    Patjetër që dëshiron të thuash se zogji yt, u emërua në krye të vendit tonë, me urdhër suprem të Beogradit, pasi kishte nënshkruar si “qun i mirë” marrëveshjen me Pashiçin. E për këtë, ata e sollën me forca disamijështe vrangeliste dhe sërbe, me armatimet më moderne, drejt e në kolltukun e kryeministrit të Shqipërisë. Apo jo?
    Madje, ata e emëruan edhe “president”, madje ata e shpallën edhe “mbret”.
    Madje, për shërbesat e shquara që i bëri Jugosllavisë, ata më 17 Mars të vitit 1936, e dekoruan edhe me Dekoratën e “lartë” të Karagjeorgjeviçit. Në ambasadën jugosllave u bë ceremonia, në mes të Tiranës, e në mes të ditës… Apo jo?!?
    Ti thua:
    “Jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”.
    Po pse, legaliteti, “mprojtësi” i të cilit ishte ai, a nuk ishte parti?
    Ti thua:
    “Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prill 1939”.
    Po ti e di mirë o qerem, se e dinë të gjithë shqiptarët, që e vetmja “trimëri” që tregoi bazi i canës, ishte…Hedhja në erë e urës së Shijakut. Me qëllim që “naltmadhnaja e taj”, të thyente qafën, më përpara sesa të mbërrinin trupat fashiste në Tiranë. E di mirë gjithashtu se cilët e bënë rezistencën ne Durrës; Mujo Ulqinaku me shokë, apo jo? Apo jo, qerem?
    Ti thua:
    “Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA-të bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike”.
    Po nuk pate mundësi të lexosh ndonjë faqe letër, se çfarë shkruajnë anglezët për legalitetin tënd?
    Ti thua:
    “T’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.
    Po a e di ti qerem, se nëse Kongresi Historik i Përmetit, nuk do kishte marrë vendimet historike që mori, Shqipëria do kishte mbetur me ata litarë në fyt, që i la zogji, në të gjithë planet?!?
    Ti thua:
    “Më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte”.
    Lind pyetja: -Po opengat, opengat që kishte deklaruar se do t`i mbathte ditën e pushtimit për të luftuar në male(siç ia kërkonte Kushtetuta, se ishte edhe mender komandant i përgjithshëm), ç`i bëri opengat pra?
    Apo mos vallë ia gjete opengat ti, në Kapshticë, ku kaloi natën, apo në burgun e Greqisë, ku grekërit e mbajtën mender mbretin tënd, nja dy muaj të mirë brenda?!?
    Ti thua:
    “Drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit”.
    Dëgjo Qerem:
    E vetmja Luftë Civile në Shqipëri, është zhvilluar në vitet 1926-1927. Dhe e ka bërë zogji atë luftë civile, kundër Veriut të Shqipërisë.
    Duke dërguar atje, plot 4.000(katër mijë) trupa-mercenarë të armatosur-dmth “ushtrinë” e zogjit: matjanë, dibranë dhe kukësianë. Të cilët dogjën me zjarr dhe hekur zonën Pukë-Nikaj-Mërtur-Dukagjin e deri afër Shkodrës.
    E që ta dish ti, qerem i vockël, i zogjit të vockël(që bën sikur s`e di), ushtria e bashibozukëve zogistë prej katër mijë gjallesash, ka kryer në veriun e Shqipërisë, ato krime monstruoze, të cilat kurrë serbët nuk i kanë kryer.
    Të të freskoj pakëz kujtesën? Ja përshembull:
    -A ke dëgjuar ti, qeremi i vockël, i zogjit të vockël, që ushtritë serbe(ose malazeze) ndër shekuj, të kenë thyer kryqet e varreve të katolikëve? E pra, zogji e bëri.
    -A ke dëgjuar ti, qeremi i vockël, i zogjit të vockël, që hordhitë serbe, të kenë kryer nevojat e tyre personale(dmth të kenë ndyrë)-mbi varre? E pra, zogji e bëri.
    -A ke dëgjuar ti, qeremi i vockël, i zogjit të vockël, që hordhitë serbe, të kenë djegur me zjarr, parqet e bletëve? E pra, zogji e bëri edhe këtë.
    -A ke dëgjuar ti, qeremi i vockël, i zogjit të vockël, që ushtritë serbe, të kenë ngritur ndonjëherë, dy trekëmbësha në qytetin e Shkodrës?
    E pra, zogji e bëri ene këtë. Njëri trekëmbësh ishte ngritur në Parrucë, e tjetri në Fushën e Druve në Shkodër, o qerem!
    E këto, i mëson shumë mirë po të lexosh librin e Camilo Libardit-Kryetarit të Kryqit të Kuq italian, për 18 vite rresht në Shqipëri.
    Ai, botoi një libër në Itali, në Romë, në italisht e jo në shqip, në vitin 1940.
    Me titullin ”Si u bë zogji mbret”. Besoj se e gjen tezgave, nëpër Tiranë.
    Lexoje atë libër, e pastaj në përrallis se… “përse u krijua legaliteti”…(në fakt, mirë u bë që u krijua, se aty kullosni ju ca vetë)
    Me gjithë respektin, Ismail.

    Përgjigju ↓