OPINION

Shtyrja e negociatave, ky dështim i madh!

13:02 - 21.11.20 JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin e tyre virtual më 17 nëntor e shtynë për shkak të mosplotësimit të kushteve të njohura çeljen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut. Ka një shpresë fare të vakët për në dhjetor, por që sidomos për ne duket “hallvë e ftohtë”. Duket se Tirana nuk po i ndjen efektet sizmike të shtyrjes së re. Kjo mbasi “Jo”-ja këtë radhë ishte graduale, e butë dhe “me pambuk”; në fakt, ajo u tha “pa zë”, në pritjen e Ramës “me këmbët e para” në Berlin në shtator; po ashtu, në të paktën pesë telefonata telegrafike nga “të mëdhenjtë” e BE-së, nga Merkel dhe Kurz; mesazhin e shtyrjes e dhanë më “shqip” Holanda më 3 nëntor, Ambasadorja e Francës më 12 nëntor e të tjerë. Veç kësaj, kjo shtyrje që nuk e dëshirojmë aspak është dështim i paralajmëruar, pikërisht këtë vit kur kryesojmë OSBE-në dhe ca më tepër në një vit jubilar; kur përgatitemi të kremtojmë 30-vjetorin e pluralizmit demokratik, kur sheshet tona ushtuan nga thirrjet entuziaste të qindra mijërave, sidomos të të rinjve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Dhe plot 20 vjet pas fillimit të procesit historik të anëtarësimit në BE, kur “jemi ala te ura”. Kjo është ngjarje e trishtueshme politike dhe publike; ajo shënon dështimin më të madh të klasës sonë politike, në radhë të parë të kësaj mazhorance dhe qeverisë në tri dekadat e fundit.




Ajo çka e bën edhe më dramatike këtë dështim është se, mundësitë praktike të parandalimit të tij ishin të shumta. Mirëpo, në vend të mobilizimit për të plotësuar të paktën pesë kushtet e para konkrete, duke krijuar qoftë dhe përkohësisht një front të përbashkët unik mbarëpartiak, politika bëri të kundërtën: shpalli luftë dhe polemika boshe gjithandej. Në vend të strategjisë “ entry” ose për të hyrë në negociata, shumica qeverisëse u bëri “dalje” atyre dhe përgjegjësisë së saj direkte. Alibia politike qeveritare me jashtë filloi qysh herët, me narrativën se “i kemi kryer detyrat”, edhe pse punët e shtëpisë i kishim “çorap”. Pastaj pretendohej se “Mjaft që Komisioni Europian na vlerësoi”. Ndonëse “e di edhe bufi” se në BE, veç Komisionit propozues dhe Europarlamentit, vendimmarrëse janë të 27 vendet anëtare, deri te Luksemburgu i vogël; le më pastaj Gjermania, Franca dhe Holanda, që të “bëjnë gjëmën” bashkë me të tjerë. Megjithatë, edhe Komisioni u mjaftua me frazën “Jemi pranë plotësimit të kushteve”.

Pastaj u kalua te refreni i bezdisshëm i “dinamikave të brendshme dhe zgjedhjeve të ardhshme” në vende të caktuara të BE-së, siç pohoi kryeministri Rama më 18 shtator në Berlin, më 7 tetor në Konferencën e Shtypit me Komisionerin e Zgjerimit të BE-së në Tiranë, Varhelyi dhe më 18 tetor në “Europapark” në Munih. Siç e kemi nënvizuar edhe në shkrimin paraardhës “15 kushtet, jo dinamikat e brendshme”, këto të fundit mund të ndikonin deri diku vitin e kaluar për shkak të zgjedhjeve europiane dhe në shumicën e vendeve anëtare. Mirëpo kjo situatë ndryshoi rrënjësisht pas tetorit 2018; kështu, më 25 mars, në kulmin e pandemisë COVID-19, BE-ja jo vetëm që nuk e shtyu vendimin, por e shprehu qartë mesazhin e saj me një ‘Po’ të shpejtë, brenda këtij viti për të dyja vendet tona; edhe pse për ne, me të drejtë, të shoqëruar me 15 kushte, për fajin e dinamikave tona dhe të askujt tjetër! Vendimi i 25 marsit ishte zbatim logjik i Metodologjisë së re të Zgjerimit që Komisioni Europian miratoi në shkurt të po këtij viti. Më tej, në maj, Komisioni akordoi 3,3 miliardë euro për krizën e koronës për Ballkanin Perëndimor, veç 1,15 miliardëve që kishte mbledhur në shkurt në Bruksel për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Këtë mbështetje të fuqishme, BE-ja e rikonfirmoi dhe e përforcoi më 6 tetor, me miratimin e Paketës gjigande Ekonomike për rajonin me 9 miliardë euro. Atëherë, nëse do të ishte për “dinamikat e brendshme” dhe zgjedhjet që janë proces i vazhdueshëm, përse duhej që BE-ja të ndërmerrte gjithë këta hapa viganë në mbështetje të rajonit dhe Shqipërisë?

Mbasi këto e të tjera pseudo-argumente nuk ngjitën, pushtetarët tanë kaluan në diversion mes vendeve të ndryshme të BE-së. Këtë kryeministri Rama e përsëriti më se një herë, duke iu referuar Suedisë dhe Finlandës, se nuk i kanë më të ulëta standardet demokratike se vendet e tjera me hezitime ndaj nesh! Një pohim i tillë tregon mosnjohje të realiteteve historike brenda BE-së, ku secili vend ka rolin, peshën, specifikat dhe qëndrimet e veta. Ja që kështu është bërë dhe funksionon BE-ja, për mirë apo për keq. Pastaj, në respekt të dy vendeve të lartpërmendura që kanë aderuar në BE në vitin 1992 dhe 1995, po aq, madje dhe më shumë respekt do treguar për të tjerët, sidomos për Gjermaninë, Francën dhe Holandën, si bashkëthemeluese të BE-së më 1957 dhe mbi të gjitha për mbështetjen e tyre vendimtare në 30 vitet e fundit. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto broçkulla politike, më 7 tetor, përballë Varhelyi në Tiranë, por edhe më 18 tetor në Munih, Rama foli për negociatat sikur po shkonim në dasmë. Madje, qortoi “krushqit” europianë që nuk kanë “ardhur”, duke pohuar se po i prisnim me kostum, thënë ndryshe me “lugë në brez”! Mirëpo, BE-ja dhe negociatat nuk janë dasmë dhe krushqi, por partneritet me rregulla dhe kushte të caktuara.

Krahasimi i mësipërm banal rikonfirmon qëndrimin pritës, pasiv dhe fajësues ndaj të tjerëve të qeverisë sonë, në përpjekje për të mbuluar me “gjethe fiku” kapitullimin e saj “pa kushte”. Ca më keq akoma, këto politika dhe qëndrime të jashtme të papërgjegjshme u pasqyruan edhe brenda vendit. Edhe pse i goditur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe korona, ndonëse periudha nga marsi në nëntor kur do të jepej vendimi i BE-së ishte tejet e shkurtër, atëherë kur klima, terreni dhe atmosfera politike në vend duhej të ishin pozitive, pajtuese dhe bashkëpunuese me opozitën dhe aktorët/faktorët e tjerë përkatës institucionalë, ndodhi krejt e kundërta. Edhe pse të tjerët nuk “janë pa gjë në këtë mes”, përgjegjësia kryesore bie mbi shumicën parlamentare, që “kishte në dorë gurin dhe arrën”. Muajt e fundit ajo pothuajse nuk “e vuri ujin në zjarr” për plotësimin e kushteve të njohura, fillimisht me debatet nëse ato “janë pesë apo pesëmbëdhjetë” dhe “e lagu s’e lagu”!

Në vend që t’u binte kambanave të alarmit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila ishte premtuar prej saj për vitin e kaluar, ajo u fut në polemika të panevojshme dhe në “stërkëmbësha” me Presidentin e Republikës për procedurat e emërimit në to. Ndonëse tri institucionet tona më të larta janë vetëm 100 metra larg njëra-tjetrës, në vend që të sheshonin mosmarrëveshjet në Tiranë brenda javës, ankesat e tyre u dërguan në “Venecia”. Lidhur me kushtin tjetër urgjent, atë të miratimit me konsensus mbarëpartiak të reformës së re zgjedhore, dha shumë shpresa Marrëveshja e 5 Qershorit, e cila u përshëndet “nga i madh dhe i vogël” brenda e jashtë vendit. Por “produkti” i tij cilësor, që plotësonte një kusht tjetër urgjent, u shkallmua më 30 korrik me ndryshimet e njëanshme kushtetuese; ato nuk u mirëpritën as nga komuniteti ndërkombëtar; tjetër gjë se qeveria bën sikur nuk e kupton “Jo”-në e tij diplomatike. Në fakt, asnjë partner ndërkombëtar nuk na e kërkoi “30 korrikun”; ndërsa për miratimin e Kodit të ri zgjedhor BE-ja dhe vetë Komisioneri Varhelyi kërkuan të pritej Opinioni i Venecias që qeveria e refuzoi brutalisht; kështu, ajo i dha “shqelmin” e fundit çeljes së negociatave në dhjetor! Sa për dëshirën e shumicës për perfeksion zgjedhor, është vendi t’i rikujtojmë thënien amerikane “Mos e lër perfekten të bëhet armike e së mirës”, ndryshe në “Në vend t’i vëmë vetullat, do t’i nxjerrim sytë”. Veç kësaj, qeveria e kishte fare të lehtë ta linte për më vonë projektligjin e diskutueshëm mbi median. Por, ndonëse nuk mbeti institucion ndërkombëtar dhe vetë OSBE-ja që kryesojmë pa e kundërshtuar, qeveria “nguli këmbë si mushka”, duke e vështirësuar më tej përparimin në plotësimin e kushteve. E ç’të themi pastaj për krimin e organizuar, azilin dhe emigracionin, pa alternativë bindëse për lehtësimin e gjendjes? Nuk po hyjmë te kushtet dhe përparësitë e tjera, se tabloja bëhet edhe më e zymtë.

Në këto situata, kur “topi i negociatave” vërtitej te lëmshi në portën tonë, pa mohuar disa hapa, sidomos përkushtimin e ekspertëve në disa dikastere dhe institucione, qeveria mendoi “ ta hidhte me aq lumin”, me disa reagime dhe arnime kozmetike, si mbledhje “pa bereqet” të Komisionit gjysmak të Integrimit, miratimi i Kryenegociatorit me ekipin e vet, të përbërë gjithsesi nga zyrtarë të lartë politikë që na kujtojnë thënien “Peshku në det, tigani në zjarr”. Për pasojë, krejt ndryshe nga Maqedonia e Veriut, në dy vitet e fundit ne nuk patëm asnjë “breakthrough” pozitiv.

Përjashtim këtu bën angazhimi i vazhdueshëm serioz i Kryesisë së Kuvendit në forma të ndryshme; mesazhe partnerëve, takime e vizita, dhe kryesorja përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së. Edhe pse kjo punë ndoshta ende nuk shihet e preket nga kushdo, asaj do t’ia ndiejmë lezetin më vonë, kur të kenë filluar negociatat me përparimin e tyre. Po kështu diplomacia jonë në Tiranë, në metropolet europiane e sidomos Përfaqësia jonë në Bruksel që mbulon BE-në, Belgjikën dhe Luksemburgun, kanë bërë maksimumin e tyre. Për fat të keq, përballë një politike të tillë, si diplomatët edhe ekspertët më të mirë në botë nuk do të kishin shans!

Këto fjalë po i shkruaj me shumë keqardhje, si qytetar, por dhe ish-diplomat profesionist që jam marrë direkt me këtë dosje nga viti 1997 në Bruksel, në Berlin, në Tiranë dhe sërish në Bruksel deri këto vitet e fundit. E di mirë se kështu ndihen edhe shumë kolegë të tjerë, ambasadorë e zyrtarë në MPJ dhe në përfaqësitë tona jashtë shtetit. Me gjithë mobilizimin, përpjekjet dhe profesionalizmin e tyre, kemi dështuar të gjithë përballë politikës sonë dritëshkurtër dhe refraktare, që me gjithë premtimet dhe betimet, me veprime dhe mosveprime, ia ka dalë “me sukses” që integrimin e shumëpritur të lërë “pas liste”.

E keqja u bë, tani jemi të detyruar të presim ende “në radhë”, ndërsa negociatorët “në stolin e rezervave”. Madje, nuk e dimë edhe për sa kohë. Sepse kemi përpara një kusht madhor që do kthyer në produkt bindës, zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, me të papriturat dhe problemet e tyre. Vetëm pas zhvillimit dhe certifikimit të tyre ndërkombëtar, krijimit të qeverisë dhe angazhimit të saj real për plotësimin e kushteve të njohura, që do Zoti nuk shtohen më, mund të flitet për çeljen e tyre të shpejtë, në verë ose ndoshta në vjeshtë 2021. Veçse jo më si deri tani, por me punë, përpjekje dhe, mbi të gjitha, frymë dhe atmosferë bashkëpunuese, ku negociatat të jenë vërtet në krye të axhendës sonë politike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.