OPINION

Një jetë e paçuar dëm

17:30 - 23.11.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Parmbrëmë u nda nga ne Bashkim Kopliku, një inxhinier dhe ekonomist i shkëlqyer, ideator i reformës më të thellë në vitet e para të pas-komunizmit për ekonominë tonë: privatizimin e shpejtë dhe tejet të thjeshtë të dyqaneve, magazinave dhe njësive të vogla prodhuese e tregtare. Kalimi i tyre në duart e privatit kontribuoi në një zhvillim të fortë ekonomik dhe modernizim të aftësive prodhuese e tregtare të vendit në vitet 1993-1996.




Pavarësisht kritikave, bordet e privatizimit që ideoi dhe ngriti Kopliku, duke zbatuar me një tejdukshmëri të panjohur për kohën vendimmarrjen kolektive, i dhanë ekonomisë shqiptare atë kolonë vertebrale të domosdoshme për të rritur në tri vite (1993-1995) pesë herë nivelin e importeve, nga 300 milionë dollarë amerikanë në 1.5 miliardë dollarë amerikanë (euro hyri në treg më 1 janar 2001).

Në vitin 1996, pasioni dhe projekti i tij madhor në ekonomi, bonot e privatizimit, premtonin një ngritje të jashtëzakonshme të investimeve të huaja dhe të vendit dhe një shndërrim të shpejtë të ekonomisë sonë për t’u bërë, pse jo, Zvicra e Ballkanit.

Në atë kohë pata fatin ta njihja personalisht dhe, duke lexuar natën vonë libra për ekonominë në ndërtesën e Kryeministrisë, mendova se do të kishte shkuar në shtëpi. Aq vonë ishte, ora dy pa çerek e natës. Mirëpo pashë dritë poshtë derës dhe u bëra kurioz. Trokita dhe një zë nga brenda tha “Hyr”. E pashë duke lexuar një studim të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi bonot e privatizimit në Argjentinë. Kopliku mendonte se shembulli i Argjentinës do të na ndihmonte edhe ne. Argjentina ishte një vend në zhvillim, ku qytetarët e së cilës, të porsadalë nga një diktaturë ushtarake, u besuan skemave të privatizimit me letra me vlerë dhe ekonomia e saj në vitet 1992-1994 u rrit në mënyrë spektakolare me 28 për qind, ose 7.5 për qind çdo vit. Me sa pasion ky novator shpjegonte idetë dhe planin e tij të privatizimeve të mëdha me bonot e privatizimit! M’u kujtuan përshkrimet e atyre që e njohën në vitet 1974-1975, kur idetë e tij progresive e çuan atë intelektual të shkëlqyer të punonte punëtor i thjeshtë, apo urimet e durrsakëve të tij, kur si kryeinxhinier novator i Uzinës Mekanike në Durrës në vitin 1988, arriti të montonte aparatin televiziv bardhezi të parë shqiptar “Ambasador”.

Ky ishte Kopliku i vitit 1996. Një projektues i jashtëzakonshëm i së ardhmes së qëndrueshme të ekonomisë sonë. Mirëpo ndodhi marrëzia e firmave piramidave te ne dhe ëndrra e Koplikut u këput në mes. Një vit më vonë, ky pasionant i pandreqshëm për të vërtetën dhe dijen, kërkoi politikisht reformimin e Partisë Demokratike në momente kritike për vendin. Po të kishte ndodhur ky reformim, partia që solli pluralizmin në Shqipëri nuk do të kishte marrë tatëpjetën 23-vjeçare, duke iu larguar zemrave të njerëzve.

Bashkim Kopliku mund të kishte gëlltitur fyerjet dhe persekutimin politik të ish-partisë së tij në vitet 1997-2004 dhe në 2005 t’i bashkohej, duke marrë me siguri një post ministri. Sikurse bënë pothuajse të gjithë të larguarit e tjerë, nën perspektivën dhe tërheqjen e pushtetit. Por Koplikun e bashkonte vetëm e drejta, e vërteta dhe parimorja me lëvizjet politike. Ai nuk shitej kurrë. Kurrë nuk iu vodh apo shit idealeve të tij. Ishte përfaqësuesi më klasik dhe kontribuues i së djathtës së mirëfilltë liberale shqiptare të viteve 1990-2020.

Trashëgimtar i denjë i rrymave të djathta në politikën shqiptare të viteve 1919-1939, që i dhanë vendit zhvillim dhe hapje nga Perëndimi, brenda një sistemi të mbyllur gjysmë feudal dhe gjysmë kapitalist. Debatues brilant, na la trashëgim mbi 700 artikuj, ese, profile, intervista, shënime në rrjetet sociale. Erudit i pashoq, kishte dije të thella për gjuhën shqipe pa qenë gjuhëtar, dije dhe ide fantastike për ekonominë pa pasur diplomë të parë ekonominë. I tillë ishte ai. Një studiues race. Një shok modest sa dhe një mik i rrallë. Do na ngelet i bronzuar në mendje ky intelektual dhe dijetar, sa hokatar edhe shakaxhi me humorin brilant shkodran, edhe pse jetoi pjesën më të madhe të jetës në Durrës, aq edhe kontribuues për ekonominë tonë të viteve të para pas rrëzimit të diktaturës komuniste.

Një kontribut i jashtëzakonshëm, që nuk e përmendi vetë kurrë sa ishte gjallë. Për ne që e njohëm dhe patëm fatin të ndanim me të momente pune dhe jete, do ngelet gjithnjë lundërtari i një jete të panjollë, të ndershme e të përkushtuar, të paçuar dëm në asnjë sekondë të kontributit të saj në shoqëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.