BLUETOOTH

Iljada Baci/ Nga “Miss Shqipëria” te “Miss Globe”, vajza shqiptare e preferuara e kompeticioneve të bukurisë

16:00 - 24.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Bukuria u pëlqen syve, ndërsa ëmbëlsia magjeps shpirtin, kështu është shprehur Volter. Ajo është rasti i një qenie të ëndërrt, ku e bukura nuk shihet veçmas nga zemra plot dritë. “Miss Shqipëria 2020”, Iljada Baci sapo ka përmbyllur një tjetër eksperiencë të suksesshme në “Miss Globe”. Mes konkurrenteve nga e gjithë bota, bukuroshja ia diti të bëjë për vete jurinë, e cila e përzgjodhi si “Miss Photogenic”. Iljada vjen në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta Shqiptare”, për të na treguar më shumë rreth garës me vajzat përtej kufijve, çmimin e merituar dhe sfidat e radhës. Modeste dhe fare e thjeshtë, dy nga cilësitë që  vihen re te vajza që mban kurorën e më të bukurës në Shqipëri e bëjnë atë të afërt me njerëzit që e rrethojnë. E qeshura e stampuar mrekullisht në fytyrë, zemërdashur me konkurrentet, mike për kokë e atyre që i përngjajnë sadopak, Baci ndan me ne  miqësitë e krijuara përgjatë garës, zotërimin e skenës përgjatë performancës në këngë dhe dashurinë që i dhuroi publiku gjatë kompeticionit “Miss Globe”. Ende pa u relaksuar nga gara, Iljadës i erdhi ftesa për t’u bërë pjesë në kompeticioni “Miss Eco Teen”, që zhvillohet Hurghada të Egjiptit. Bukuroshja nuk i fsheh emocionet dhe pranon se i kanë ardhur oferta për t’u bërë pjesë e modelingut. Me gjasë shumë shpejtë Iljada Baci do të shkëlqejë në pasarelat botërore, deri atëherë duhet të jemi krahë saj për ta mbështetur dhe duartrokitur.




Sapo ke përmbyllur me sukses, rrugëtimin në “Miss Globe”. Si ishte për ty kjo eksperiencë?

Në fakt, mezi e kam pritur këtë kompeticion. Nuk ishte e sigurt nëse do të realizohej për shkak të situatës. Kur u shpallën kandidatet e 5 kontinenteve nga 55 shtete filluam paraprakisht të komunikonim për t’u njohur me njëra,- tjetrën. Nga 55 shtete arritën të vinin 42 prej tyre. Gjatë kohës që komunikonim kandidatët habiteshin për moshën timen dhe zotërimin e gjuhës angleze. Për mua ishte një eksperiencë e dytë e pakrahasueshme me të parën. Ndihesha pak e frikësuar për diferencën e moshës dhe eksperiencën, që kishin pjesa më e madhe pjesëmarrëseve. Një pjesë e tyre kishin edhe 5-7 eksperienca të tilla. Padyshim ishte një eksperiencë shumë e lodhshme, shumë sfiduese, por njëkohësisht dhe një eksperiencë shumë e bukur, që do të ngelet gjurmë për një kohë të gjatë në kujtesën time.

Ti ishte pritësja e 42 bukurosheve, që erdhën nga bota. Na trego diçka më tepër rreth rolit tënd.

Duke qenë se ky kompeticioni përgjithësisht mbahet në Shqipëri, edhe këtë vit u zhvillua në Tiranë. Le të themi që vajzat erdhën në shtëpinë time. Roli ka qenë i shumëfishtë, përveç se konkurrente kisha edhe detyrimin si pritëse t’i ndihmoja të gjitha dhe për gjithçka. Nga njëra anë ishte shumë e lodhshme, por nga ana tjetër kjo më bëri të njihesha me shumë se kushdo me çdo konkurrente. Nga fillimi deri në fund bëra maksimumin, që gocat të ndiheshin mirë dhe unë të isha pranë tyre. U flisja për vendin tim, bëja rolin e përkthyeses nëpër vizita, i ndihmoja për çdo kërkesë apo nevojë që ato kishin, mundohesha që vajzat të merrnin me vete përshtypjet më të mira dhe ta shijonin sa më shumë vizitën në Shqipërinë time. Pra, puna ime në këtë kompeticion ka qenë e lodhshme në krahasim me vajzat e tjera. Por, unë e kisha mundësinë të isha personi më i afërt i tyre, isha personi ku ato gjenin informacion, përgjigje apo një zgjidhje pavarësisht se ngushtoja shumë veten time, e bëja pa kursyer as dy apo tre orët e gjumit, që kishim atë periudhë.

Përgjatë kompeticionit të bukurisë, ke përjetuar dhe emocione të të performuarit live. Si të pritën në skenë?

Po gjatë kompeticionit u bënë disa shfaqje dhe ndanë disa çmime, u nis me miss bikinin, vazhduam me sfida “kokë më kokë” ( matja e Inteligjencës) live , më tej me “talent show”. Fati desh të jem në Top 5 e të gjitha këtyre shfaqjeve. Performanca ime e të kënduarit live ishte një sfidë e madhe, konkurroja me vajza të rritura, nga gjithë bota, me shumë talente të ndryshme, madje disa ishin aktore, këngëtare në profesion, absolutisht që ishte një nga sfidat më të vështira, por ja dola. U përzgjodha nga juria për në finale performova tri net në skenë, për fatin tim të mirë ndodhesha në një skenë, ku pjesa më e madhe e audiencës ishin shqiptar. Suporti dhe brohoritjet e tyre ishin diçka që e kam përjetuar në shpirt. Ndihesha e privilegjuar, e mbytur në emocione të papërshkrueshme. Vlerësimi më i bukur ishte kur u përzgjodha nga producenti në 5 konkurrentet më të mira të performoja, për natën finale një performancë në grup, që për mua do të ngelet një nga kujtimet më të bukura të jetës time.

126899196_1115484488902906_3525608378551664376_n 126446514_195336832085726_1540501136856073030_n 126961662_207003987472711_4021520320487388688_n 127053320_1249103608789169_8238459769679247756_n
<
>

 

Çfarë raportesh krijove me bukuroshet nga mbarë bota? Krijuat miqësi?

Ndryshe nga “Miss Shqipëria”, këtu të gjitha vajzat, pa përjashtim kishin shumë eksperienca të kësaj natyre, madje pjesa më e madhe e tyre edhe për këtë kompeticion ishin shumë të trajnuara me një suport të jashtëzakonshëm edhe nga vetë shtetet përkatëse. Duke e analizuar në këtë mënyre, frika se vajzat do të ishin shumë kompetitive dhe sfiduese ishte e madhe. Por, eksperienca me to më provoi të kundërtën. Gjatë kompeticionit kam njohur vajza të mrekullueshme dhe shpirtra të pastër. Krijova lidhje me të gjitha pa përjashtim dhe lidhje shumë të ngushta me një pjesë të madhe të tyre. Por, në të njëjtën kohë kjo e bëri ndarjen midis nesh shumë të vështirë dhe shumë emocionale. Flasim në grup çdo natë akoma me vajzat, jam ftuar nga një pjesë e tyre dhe për vizitë dhe kërkojnë të vijnë përsëri shumë shpejt edhe në shtëpinë time.

Si është proceduar përgjatë netëve të fundit? Sa të kënaqura ngelën miset nga vlerësimi?

Netët e fundit ishin puna më e lodhshme dhe pjesa më e vështirë e kompeticionit. Kishim shumë pak kohë për të mësuar koreografitë e sfilatave të natës finale, prandaj dhe provat ishin intensive dhe kapërcenin mesnatën. Energjitë po na shteronin të gjithave, por gjatë kësaj kohe vajzat mbështesnin dhe shtynin njëra-tjetrën, për të bërë më të mirën më shumë se kurrë dhe aty ishim të gjitha bashkë. Për sa i përket vlerësimeve, sigurisht që pati shumë pakënaqësi nga shumë konkurrente, por në një garë nuk mund të kënaqen të gjithë, gjithsesi kjo ishte e kalueshme, pasi në fund të fundit kishim njohur njëra-tjetrën, kishim mbledhur shumë kujtime, dhe ajo që ishte e çuditshme në një kohë kaq të shkurtër kishim krijuar shumë besim dhe shumë dashuri për njëra-tjetrën.

Momenti që do të kujtosh më shpesh nga nata finale?

Momenti që gjithmonë i bëj “replay” dhe që më ka ngel në mendje,  ka të bëj me natën finale. Prezantimi i kostumeve kombëtare të vendeve të ndryshme i dha magji skenës, sfilata me fustanet e realizuar nga stilistët më të njohur në botë e shoqëruar me një këngë shumë të goditur nga producenti i spektaklit e bëri skenën me vezulluese dhe vajzat dukeshin si princesha përrallash, njëra më e bukur se tjetra, e padyshim aty emocionet e garës janë edhe më të forta. Nuk mund të harroj rrahjet e zemrës dhe emocionin kur thirrën emrin e Shqipërisë për përzgjedhjen e Top 15. E kujtoj, si të ketë ndodhur sot. Ishte momenti kur ndodhesha në krah të bukuroshes së Suedisë (një nga miket më të mira të mijat) dhe kur shkëmbyem shikimet, sytë i kishim mbushur me lot gëzimi. Moment dhe kujtim i bukur ishte kur unë u vlerësova me çmimin “Miss Photogenic”, momentet e kurorëzimit gjithmonë kanë emocione të forta. Por, unë do të veçoja në atë natë finale një moment, të cilin nuk kam për ta harruar kurrë dhe për mua ka qenë momenti i bukur. Performanca me 4 konkurrentët e tjera në mes emocionesh dhe etheve të garës ishte momenti im më magjik.

Edhe në këtë kompeticion, mes vajzave më të bukura nga mbarë bota, je vlerësuar me një çmim. Çfarë rëndësie ka ky çmim për ty? E prisje?

Po sapo e përmenda edhe më sipër. Në këtë kompeticion u vlerësova me një çmim shumë të rëndësishëm, Miss Globe Photogenic 2020, them shumë i rëndësishëm sepse është ajo që unë ëndërroj të vazhdojë paralelisht. Tregu i sotëm kombëtarë dhe ndërkombëtar këtë kërkon dhe më ka hapur shumë dyer në botën e modelingut. Tani jam edhe më e  sigurt në atë që doja të vazhdoja. Ndryshe nga kompeticioni i parë, që nuk kisha asnjë pritshmëri nga fillimi në fund, kësaj radhe prisja diçka me shumë, prisja që juria të më përzgjidhte në 5, gjithsesi u ndjeva e plotë dhe e lumtur për atë që kisha arritur me një çmim kaq prestigjioz për Shqipërinë, në një kompeticion kaq madhështor dhe me një konkurrencë aq të madhe nga mbarë bota.

Pas “Miss Globe”, cilat janë sfidat e radhës për Iljadën?

Nuk arrita të marr kohë nga energjitë e harxhuara pas Miss Globe. Brenda javës oferta dhe sfida e radhës është marrja pjesë si përfaqësuese e Shqipërisë në kompeticioni “Miss Eco Teen”, që zhvillohet Hurghada të Egyptit. Është kompeticioni i parë, që marr pjesë, i cili zhvillohet jashtë Shqipërisë. Jam shumë e entuziazmuar dhe mezi pres që të njoh, vajza të tjera, mikpritjen e një kombi tjetër. Dua të pasurohem akoma edhe më shumë rreth kulturave të ndryshme dhe nuk do të refuzoj asnjë mundësi, që do të më jepet në vazhdim në kompeticione, që zhvillohen jashtë Shqipërisë.

Përtej kompeticioneve të bukurisë, si ka qenë kjo periudhë për ty?

Pas kurorëzimit si “Miss Shqipëria” jeta ime ka ndryshuar katërcipërisht. Një ndryshim i mirë, por një lodhje dhe sakrificë e jashtëzakonshme me shumë angazhime, pasi paralelisht ndjek edhe në shkollën, që është prioriteti im. Në të gjithë këtë ndryshim dhe gjithë këtë ngarkesë, kam filluar të vlerësoj më shumë se kurrë kohën dhe ma besoni organizimi i çdo minute, ore, dite është shumë i vështirë, por përpiqem të bëj organizimin e duhur të saj, në të kundërt është e pamundur t’ia dalë.

Sa duhet të presim për ta parë bukuroshen shqiptare nëpër pasarelat ndërkombëtare?

Ofertat pas “Miss Globe” janë shumëfishuar, ndër të tjera ishin edhe disa nga Drejtorët Internacional të ‘Miss Globe’, që më kanë ofruar mundësi shumë të mira në tregun ndërkombëtar, nuk është se i kam refuzuar, por i kam lënë mundësi të hapura për shkak se nuk është momenti i duhur për lëvizjen time akoma nga Shqipëria. Së pari, është shkolla dhe së dyti më duhet të pres këtë vit për të përcjellë kurorën për bukuroshen së radhës për 2021. Në momentin e duhur do të zbulojmë dhe ofertat dhe planet e rezervuara nga ana ime.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.