KULTURË

Logu i birit, një libër i shenjtë nga Flutura Açka

17:02 - 24.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nadire BUZO – E lexova me një frymë, ashtu si vetë Flutura e ka shkruar. Libri ngjan me librat e shenjtë, të tillë dashuri dhe vetësakrifikim ka derdhur ajo në librin “Biri”! Ka dashuri të epërme! E mora në dorë “Birin”, dhe si nënë u tranda së brendshmi. Si mund ta përfundoja këtë libër voluminoz, që mbart një dhimbje të thellë?! Po duhej patjetër. E pata njohur birin që në vogëli, kur unë dhe mami i tij e re, të përfshira nga malli, flisnim e flisnim pa pushim. Atij i kishte ardhur ora e qumështit dhe tundej lehtë në rrethore e nuk bënte zë. -Boboo, më raftë pika mua, ka kaluar paksa ora dhe Biri po reagon me një zë lutës. Nuk di të ankohet e të ulërasë si të gjithë fëmijët e tjerë! – tha ajo dhe e shtrëngoi fort në gji. E mbaj mend Birin në të pesta vitet, kur prindërit organizuan një festë në përvjetorin e lindjes së tij. Ishte një mbrëmje e paharruar. Me të tilla kënaqësi të surprizonte shpesh Flutura. Po më së shumti Biri, topolaku i ëmbël, që kërcente me gjithë qenien e tij pa pushim, duke iu sjellë rrotull të gjithë miqve e në veçanti prindërve. – Sa të ngjan, Richard, – i tha dikush atit të tij. – Po, shumë, e ka të shkruar në ballë, veçse nënën e ka të dyshimtë, se nuk i ngjan fare asaj! – tha duke qeshur ai. – Me siguri, nënës i ngjan nga shpirti! – shpotis unë. – Jemi njësoj, pa merak! – ma kthen Richardi, me një shqipe të çalë. Ndërsa sjell ndërmend këto grimca jete, përlotem dhe mendoj ta shtyj leximin për më vonë. Në një kohë më të qetë. Po, nuk ngurroj ta shfletoj, e t’i hedh një sy malli. Mbeta aty! M’u deshën pak fare ditë ta lexoj dhe të mrekullohem!




Syri i shpirtit të nënës-shkrimtare, shquan përtej së ndjeshmes. Jetoni sipas asaj që mësoni”. Aty gjen fjalë dhe fraza frymëzimi se si t’i duam njerëzit dhe jetën. Mirësia e saj i kalon kufijtë. Në marrëdhëniet njerëzore, në çfarëdo çasti përvuajtës, duke dëshmuar gjithçka të vërtetë që ndodh rreth Birit në të gjitha momentet e lumtura të jetës. Në dëshpërimin e thellë dhe ikjes në amshim. Pranë fatit fatlum dhe fatkeqësisë së madhe. Dhe të gjitha këto i tregon me një art sublim dhe sinqeritet të kulluar. Ashtu si dashuria për Birin.

Dëshmon për botën dhe njerëzit që e rrethojnë, për marrëdhëniet e çuditshme me miqtë, dhe familjen e bashkëshortit që tashmë janë bërë të saj. Miqësi e marrëdhënie që nuk i keni hasur në asnjë libër tjetër. Dikush që e mëson, mendon: “Ç’fat paska pasur kjo Flutur!” Jo, fati është edhe me ata që kanë njohur Fluturën! Një Flutnesh, ashtu si e thërriste Biri, për të treguar karakterin e veçantë të nënës së tij. Ka bashkuar Fluturën e brishtë, me burrneshat e veriut, andej nga origjina e nënës së tij, dhe ky është vlerësim i lartë. E tillë kthehet brishtësia e saj, përballë jetës, përpara Birit.

Libri i Fluturës, ka botë të madhe shpirtërore dhe përshkrime të rralla tokësore. Prej xhunglave të Afrikës së Jugut, ku humbasin rrugën me të dashurën e Birit. Te “Kepi i Shpresës së Mirë”, deri në Rusinë e largët, për të takuar të dashurën e Birit pas ikjes së tij. Drejt Azisë, përshkon Europën mbarë, Francën, Gjermaninë dhe Firencen, vendi ku ai e adhuronte jo vetëm prej historisë, por edhe për shkak të kujdesit dhe dashurisë që kishin prindërit e Fluturës dhe vëllezërit e motra e saj. Eksplorimi mahnitës që i bën ajo atdheut, si askund ndonjë udhëtar. Nga Himara e jugut e deri te lartësitë e Thethit, drejt Alpeve të veriut. Shtrirë atje në luginën e Thethit, Biri fliste pa pushim për natyrën dhe shkëlqimin e yjeve që dukeshin sikur do t’i prekte me dorë. Duke ëndërruar të bëhej shkencëtari, shkrimtari apo politikani i ardhshëm. Atëherë asaj iu duk se shkëlqimi i syve të tij ua kalonte yjeve të qiellit.

Të gjitha këto, janë të pashlyera në kujtesë. Është e jashtëzakonshme sjellja e saj me vendin dhe botën, edhe kur udhëton e i tregon Birit të saj, dy atdhetë e tij, Holandën, e panjohur, herë e adhuruar e herë e mëritur për shqiptarët. Eksploron me Birin botën nëpërmjet muzeumeve, plot ngjarje, histori e memorie njerëzore. Këto i ndan në dy kohë, në kohën e Birit dhe pas Birit, për të ringjallur jetën e tij nëpërmjet kujtimeve të pashlyera përjetësisht. Ajo nuk mund të ecë kuturu nëpër errësirë. Fuqia e së keqes nuk e mposht dot.

Bisedat dhe marrëdhëniet shpirtërore me udhëtarët dhe vendin, janë mahnitëse, të pahasura askund. Me mirësinë dhe guximin e saj, përshkruan çdo skaj të shkelur, si njohëse e mirë e historisë së atdheut, e cila pikon në shpirt me historinë e saj të dhimbshme. Bisedat me Birin për Kosovën e dashur, janë supreme për mendjen dhe dijet e asaj moshe të njomë, të burrëruar para kohe. Mburrej gjithmonë kur e pyesnin – “Po ti, je nga Europa? – Po, unë jam europian. – Nga je? – Jam holandez, por jam edhe shqiptar. Shqipëria, është vendi më fantastik”.

Ishin ditët e fundit të Birit. S’kish si të mos përlotej. Ishin lot shpirti që rridhnin vetë.

Do shihni se ajo luan regbi me Birin, lojë e vështirë kjo, e panjohur nga të gjithë ne. Flutura e bën me kënaqësi për të argëtuar atë, kampionin e kësaj loje, i cili e la përgjysmë suksesin. Ajo nëna Flutnesh, që kërcen dhe këndon me Birin, rrep dhe rrok, vendas, kosovar dhe të huaj, ua di emrat të gjithëve, dhe këndojnë së bashku në shtëpi, në udhë, në makinë, ku dëshiron ai. Kështu të dy harrojnë të ardhmen e tronditur.

Qan dhe qëndron, di të presë e të përcjellë miqtë e panumërt. Pa i mërzitur me plagët e shpirtit të saj të bukur, që fshehin një dhimbje të thellë sa një oqean, duke u përpjekur t’u japë forcë e t’i mbrojë nga fatkeqësia e saj.

Do të jetë e përmbajtur kah dhimbjes së të shoqit. E mbështet atë duke kuptuar drejt plagën që hap humbja e birit, përpiqet t’u japë kurajë të afërmve, miqve, shpesh duke shembur veten.

Përshkrim i spitaleve, i klinikave, pavijoneve, aparaturave dhe sendeve përreth, skanerit e, ilaçeve që Biri përdor, si një specialiste e apasionuar nga dhimbja. Mban sytë çelur edhe natën. Ka muaj të tërë nën shoqërinë e tyre. Asaj i duket e pafundme koha nga dhimbjet e shpirtit. Birit i dhimbset nëna e tij, e përqafon me fjalë të bukura. Teksa ai kujdesej për nënën, zemra e saj copëtohej nga dëshpërimi. I përkëdhelte kokën e shogët dhe ai buzëqeshte! Shkruan për Birin e saj të mirë dhe mbështetjen që i dhanë miqtë dhe prindërit në çdo hap të jetës, edhe në dhembje. Ai, me dijet dhe kulturën, di gjithçka tashmë për sëmundjen, ilaçet dhe fundin e pashmangshëm. Megjithatë një xixëllonjë shkëlqen në hapësirë, bisedojnë me Flutneshën për party-n e fundvitit të shkollës, kostumin e zi me këmishën e kuqe që e pëlqente aq shumë. Po nuk e arriti dot, ndaj ia veshën ditën e mbrame.

Për të lehtësuar shpirtin e bukur të birit që vjen duke u shuar, në çastet e fundit, ajo flet, diskuton, e përqafon, sheh bashkë me të filma, flasin për situatat politike në Kosovë, ku ai ruan mbresa të veçanta për të. Flasin për dy atdhetë e tij, Shqipërinë e Holandën, sportin, botën, për shokët dhe të dashurën e tij. Dashuria e tyre mbeti e palëkundur përpara sëmundjes. Ajo ka ardhur prej së largu, dhe i qëndron te koka, i thur dhe i reciton poezi dashurie. Në çastet e fundit, ikën me vrap pa e ditur se ku!

Flutura tashmë, një shkrimtare e adhuruar, ndër më të mirat në vendin e saj, e afirmuar dukshëm edhe në botë, derdh shpirtin mbi libër duke shmangur sentimentalizmin. Është një forcë dhe shembull i mirë për të gjithë ata që kalojnë këto sfida.

Kujën e vë në vetmi, me fjalë hyjnore, dhe premton se do të jetë e përkorë ashtu si Biri ishte, të jetë e denjë të shkojë pranë tij. Ai, i premtoi se do ta priste, pasi ajo Flutnesha e tij, t’i ketë mbaruar së shkruari të gjithë librat që do të nxjerrë mendja e saj e bukur. Një moment, e mposhtur nga dhimbjet e çasteve të fundit, i kërkoi birit të shkonte me të. Ai me pëshpërimë i foli nënës së tij: “shkruaj mam’, shkruaj, çfarëdo të mendosh, dhe mos kurse më për mua, jeto, dhe trego se sa shumë më ke dashur. Do të jem gjithmonë krah teje”.

Flutura e di këtë, shpirti i tij e pret, pasi ta ketë përmbushur misionin e saj që ka mbi këtë dhe. E më pas, do të bashkohet me birin, atje ku s’ka spitale, dhimbje, luftëra dhe intrigë. Ka vetëm paqe! Ajo, di t’i mbajë të gjitha porositë e Birit, për të ruajtur të gjallë memorien dhe dashurinë e tij, për të treguar se sa fort e donte ai jetën.

Tregon, udhëton, shkruan duke përmbajtur lotët. Përpiqet të mos transmetojë dhimbje, por vetëm dashuri. Derdh si margaritarë germat mbi libra. Thotë se tashmë e kupton mirë gjuhën e shenjave, dhe buzëqesh kur i dalin përpara. Po fundja, “majmunët nuk qeshin, të qeshurën e ka vetëm njeriu, është shenjë e arsyes së tij”, – thotë filozofi shkrimtar Umberto Eko.

Biri erdhi në jetë nga dy prindër të përgatitur për ardhjen e tij të shenjtë. Biri iku, dhe la gjurmët e tij, me shpirtin e bukur që ia kishin falur prindërit dhe Universi. Biri është, sepse vazhdon të jetojë në çdo qelizë dhe frymë të nënës dhe atit, duke lënë shenjat e jetës!

Flutnesha e tij, nuk urren askënd për fatin e saj, nuk zemërohet, nuk shan e shfren. Sepse urrejtja dhe zemërimi i shtojnë vetëm vuajtjen dhe të çojnë shpejt drejt vdekjes. Të shembin në tokë! Ata të dy kishin në shpirt vetëm dashuri për gjithçka të bukur.

Nënë e Bir, nuk i ikën vdekjes, shëtitën botën sa mundën, edhe për të fundmen herë kur shpresat ishin të fikura, ëndërruan për jetën dhe dashurinë dhe u kthyen ta prisnin atë, duke jetuar çastet! Nënë e bir, i kishin ikur vetëm urrejtjes përgjithmonë, dinin vetëm të donin edhe kur diçka nuk shkonte mirë, spitaleve dhe udhëve. – Pse mua?… Po, pse jo mua?…

Falënderon krijuesin, që pati fatin të njohë mëmësinë me një Bir si ai, që i fali shumë dashuri, megjithëse i dha shumë dhimbje ikja e tij…

Është me vend thënia e të mëdhenjve të filozofisë se: “Vlera e një vepre nuk është diçka që vërtetohet me arsyetime të mëdha; ajo shijohet, nuk provohet”.

Në çastet e fundit të largimit nga jeta, ai dhe prindërit e tij nuk i dëgjuan zërat e errësirës. Shpirti i Birit shkoi në paqe. Me duar shtrënguar në duart e Atit. Nëna i premtoi se do ta ruante gjithë jetën në sy, paqen dhe hirin e tij të bukur prej një tetëmbëdhjetëvjeçari, të burrëruar para kohe. Ndër udhëtime, duke shpërndarë hirin, bie, por nuk rrëzohet, qëndron në këmbë, sepse jeton me shpirtin e Birit, brenda saj.

Hirin e trupit të tij, do ta shpërndante në rrjedhat e lumit “Arno”, në Firence dhe te “Logu i Birit”, në Thethin mahnitës shqiptar. Ku bluja admiruese e qiellit ka një shkëlqim magjepsës të yjeve, kur hëna del e i hedh luginës një dritë parajse!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.