AKTUALITET

Pandemia COVID-19, Erion Muça: Priten mbi 100 mijë të papunë deri në fund të vitit

15:55 - 24.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro  – Pandemia COVID-19 nuk mund të linte pa goditur edhe tregun e punës, duke shkaktuar një rritje të papunësisë dhe ulje të kërkesave për punëmarrës nga ana e punëdhënësve. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Erion Muça, pedagog e njëkohësisht ekspert karriere dhe punësimi tregon se përgjatë pandemisë u shkurtuan rreth 33 mijë vende pune sipas raportit të ndërmjetëm të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, por edhe 47% e ndërmarrjeve ndaluan plotësisht aktivitetin e tyre sipas një anketimi të Këshillit të Investimeve. Ai shton se pritet që deri në fund të vitit 2020 papunësia në Shqipëri të jetë mbi 100.000 të papunë reale dhe faktikë. Eksperti thekson se të rinjtë ndihen të pasigurtë dhe konfuzë përballë kësaj situate të vështirë. Muça analizon se një mbyllje e dytë për ekonominë e vendit dhe për tregun e punës do të ishte fatale.




Si paraqitet situata në tregun e punës rreth 9 muaj me fillimin e pandemisë?

Statistikat zyrtare, hulumtimet dhe kërkimet nga institucionet e specializuara pavarësisht seriozitetit subjektiv nuk pasqyruan dot në kohë reale impaktin e krizës në papunësi duke prezantuar mediatikisht për opinionin publik, shifra dhe deklarata të ndryshme pa uniformitet dhe lineraitet për të qartësuar situatën në lidhje me gjendjen e tregut të punës. Pandemia në Shqipëri si në shumë vende ndikoi negativisht në shumë sektorë të ekonomisë e rrjedhimisht me mbylljen e shumë bizneseve dhe industrive, impakti në papunësi ishte i lartë. Në këtë prizëm papunësia arriti kulmet me mbylljen e doganave dhe kufijve dhe pezullimin e pjesës më të madhe të aktiviteteve prodhuese, shërbimeve dhe rënie e lirë e kërkesës për mallra dhe shërbime luksi.

Sa është numri i personave të mbetur të papunë?

Pavarësisht informacioneve nga burime të ndryshme mbi numrin e të papunëve dhe pavarësisht karantinës, disa studime dhe anketime realiste nga pikëpamja e realitetit, por jo shumë imponuese në ndikimin në vendimmarrje dhe ndihmë për ndërtimin e strategjive, konfirmuan se përgjatë pandemisë u shkurtuan rreth 33 mijë vende pune sipas raportit të ndërmjetëm të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, por edhe 47% e ndërmarrjeve ndaluan plotësisht aktivitetin e tyre sipas një anketimi të Këshillit të Investimeve ndërsa bizneset në masë u ankuan për mungesë klientësh, mungesë likuiditeti, vështirësi në likuidimin e pagave apo dhe respektimi i detyrimeve dhe pagesave tatimore. Përpjekja për të mbajtur nën informacionin dhe terrin zyrtar nga paniku që mund të shkaktojë kriza në lidhje me papunësinë dhe nivelet e saj, qeveria vendosi të vetkrijojë amulli shifrash të të papunëve edhe për të amortizuar efektin social, por me një hulumtim të thjeshtë të tre treguesve kuptojmë se situata është më shumë e rëndë sesa na prezantohet. Treguesi i parë lidhet me historikun e shifrave të papunësisë së regjistruar 4 vitet e fundit referuar INSTAT për të gjitha grupmoshat ka variuar nga 145.000-165.000 në vit. Nisur nga ky numër e nga fakti që e gjithë ekonomia ishte në kolaps dhe shumë sektorë dhe kompani ose u pezulluan ose u mbyllën çka automatikisht sollën të papunë aq sa ishin dhe llojet e sektorëve dhe aktiviteteve të mbyllura duke na bërë të konkludojmë në një papunësi të lartë. Treguesi i dytë lidhet me publikimet e vendeve vakante të Shërbimit Kombëtar të Punësimit që në muajin qershor 2020 ishin vetëm 272 vende vakante të shpallura nga 35.000-45.000 që ka pasur çdo vit. Pra, kjo shifër na informon se sa në të vërtetë është oferta për punë në treg nga sektori privat si punëdhënësi me i madh në vend dhe sa të kufizuara janë hapësirat e punëkërkuesit të papunë në tregun e punës. Ky tregues tregon dhe gjendjen e vështirë të biznesit në sektorin privat, tkurrja e të cilit reflektohet edhe me mungesën e nevojës dhe interesit të tij për të punësuar. Treguesi i tretë lidhet me Raportin e Bankës Botërore në lidhje me pasojat ekonomike në rajonin tonë, ku vendi më i prekur do të ishte Shqipëria ku papunësia mendohet të arrijë shifrat e 25 %. Vështirësia e matjes së papunësisë reale është një fenomen që është shumë prezent në Shqipëri prej vitesh dhe që ka të bëjë me informalitetin dhe vetëpunësimin e padeklaruar. Raporti i BB vetëm se përforcoi faktin që në Shqipëri ka shumë të punësuar informal dhe të vetëpunësuar, të cilët fatkeqësia e karantinës u solli bllokim të mundësive për punë, por dhe privim nga e drejta për të përfituar “pagën e luftës”. Në këtë këndvështrim jo vetëm numrin e të papunëve i deklaruar nga burimet zyrtare është më i lartë, por dhe ndikimi apo mbështetja e shtetit për këtë kategori “të panjohur” rrjedhimisht është inekzistent. Pra, nisur nga këta tre tregues dalim në konkluzionin se papunësia në Shqipëri deri në fund të vitit do të jetë mbi 100.000 të papunë reale dhe faktikë.

Cilat janë kategoritë më të prekura dhe cilat biznese kanë pësuar dëmin më të madh?

Kategoritë më të prekura nga pandemia ishin kryesisht të punësuarit në informalitet apo të vetëpunësuarit në profesionin dhe zanatin e tyre të lirë e të paregjistruar. Kjo kategori përveçse u prek shumë pati pak apo aspak mbështetje nga shteti si rrjedhojë e mosidentifikimit të tyre në treg si të goditur nga kriza. Një kategori tjetër po aq e prekur ishin punonjësit e turizmit dhe hotelerisë, sektor dhe biznese të cilat pësuan dëmin më të madh me rreth 75% të aktiviteteve të mbyllura përgjatë pandemisë. Ky sektor hasi vështirësinë madhore të mungesës së klientëve nga mbyllja e kufijve dhe masat e karantinimit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të origjinës nga vijnë turistët e huaj duke rritur kësisoj numrin e anulimeve dhe zvogëluar numrin e prenotimeve.

A ka pasur në Shqipëri një orientim drejt punës që realizohet online?

Problematikat më të shpeshta në këtë periudhë për kompanitë ishte dhe mospërgatitja për menaxhimin e vakancës nga frika e punonjësve për të shkuar në punë dhe mungesën e një plani emergjence që do të lidhej jo vetëm me menaxhimin në kohë krize të shumë pozicioneve dhe proceseve të punës por dhe me mungesën apo mosmarrjen parasysh  të rëndësisë së të punuarit në distancë si një alternativë e domosdoshme për situatën e krijuar. Pra, mungesa e alternativës dhe infrastrukturës për kalimin e punës online (në distancë) vështirësoi operimin e shumë proceseve të punës të shumë kompanive duke sjellë si pasojë edhe pezullimin e punës por dhe mbylljen e shumë vendeve të punës të cilat ndikuan edhe në rritjen e papunësisë.

Në cilët sektorë ka ndodhur më së shumti kjo gjë?

Sektorët e ofrimit të shërbimeve të shitjes me pakicë, administratat e shumë kompanive me natyrë pune menaxheriale, operacionale dhe koordinuese në të gjithë sektorët, industria e call-center që operon në Shqipëri, mësimi online në arsimin parauniversitar, por dhe një pjesë e konsiderueshme e administratës publike, patën vështirësi të konsiderueshme në kalimin e proceseve të punës dhe realizimin e tyre në distance, çka solli edhe një rritje të interesit për njohuri dhe aftësi të zhvilluara teknologjike, për t’iu përgjigjur sfidave të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive në distancë.

Çfarë do të sillte një mbyllje tjetër për Shqipërinë?

Një mbyllje e dytë për ekonominë e vendit dhe për tregun e punës do të ishte fatale. Ekonomi të vogla dhe të brishta si Shqipëria shoqëruar me tregje të vogla pune, me numër të kufizuar të punësuarish kryesisht e përqendruar në shërbime dhe në mungesë të një fuqie prodhimi, nuk e përballojnë dot një mbyllje tjetër. Rihapja e ekonomisë së vendit pas karantinës solli jo vetëm rivitalizim të ekonomisë dhe shpresë, por edhe impenjim më të lartë të individëve dhe bizneseve për të përshtatur dhe ridimensionuar vendet e punës dhe aftësitë e reja që nevojiten në funksion të tyre. Mbyllja do të bllokonte, gjithashtu, një sërë procesesh të shumë bizneseve në infrastrukturë, investime dhe plane zhvillimi të tyre, të cilat do të rritnin vendet e punës dhe zbusnin papunësinë. Në këtë prizëm një bllokadë e ekonomisë nga një karantinë e dytë e plotë do të sillte mungesë hapësirash dhe vendesh pune e si rrjedhojë do të rriste varfërinë dhe papunësinë duke dëmtuar rëndë edhe tregun e punës në tërësi.

Sa të vështirë e kanë të rinjtë për t’u punësuar në këtë situatë?

Të rinjtë janë të pasigurtë përballë kësaj situate duke pasur një konfuzion të lartë mbi fushat e zhvillimit profesional dhe social të tyre. Ata kanë dhe do të kenë vështirësinë e përshtatjes me trendet e reja të mënyrës së të punuarit, vendeve të punës që lindin dhe aftësive të reja që duhen për t’iu përgjigjur me profesionalizëm. Ata duhet të jenë të përgatitur në lidhje me mbingarkesën dhe menaxhimin e ftohtë të problematikave dhe pakënaqësive që lindin në shumë kompani në riorganizimin e brendshëm të tyre, të cilat për efekt të amortizimit të kostove do bashkojnë 2-3 pozicione pune tek një individ. Të rinjtë duhet të tregohen me më shumë iniciativë për t’u informuar në kohë reale me situatën e tregut të punës dhe ti paraprijnë asaj duke u sinkronizuar dhe zhvilluar aftësitë dhe njohuritë e domosdoshme për ta ndjerë sa më pak krizën.

Si pritet të ndryshojë tregu i punës në vijim?

Tregu i punës në vijim do të ndryshojë në shumë drejtime. Në të do të lindë nevoja për zhvillim aftësish dhe domosdoshmëria e hulumtimit për gjetjen e punës me koncepte dhe vizion të ri bëhet prioritare. Aftësitë e zhvilluara digjitale apo njohja dhe përdorimi inteligjent dhe i avancuar i platformave digjitale të të mësuarit dhe punuarit nga distanca do të jetë kriter vlerësimi i eficiencës dhe performancës në punë duke ndikuar maksimalisht në të ardhmen e afërt edhe në konkurueshmërinë dhe rezultatet në punë. Fokusi tek mundësitë e punëve dhe kompanive prej të cilave mund të gjenerohen të ardhura online, do të duhet të jenë të pazëvendësueshme për të rinjtë dhe pjesë e fokusit të tyre në lidhje me zhvillimin e vazhdueshëm profesional. Orientimi drejt përmirësimit dhe kërkimit online si mjet për perfeksionimin e punës dhe patentimi i zbulimit përbën një aspekt të rëndësishëm në ndryshimin e tregut në vijim. Shumë pozicione pune do të automatizohen çka pritet një reduktim i shumë vendeve tradicionale të punëve te cilat do të zëvendësohen nga pozicione pune të reja që do të lindin e për të cilat kërkohet njohje profesionale dhe rritje e kapaciteteve individuale dhe profesionale e profesionistëve në të ardhmen. Informimi i vazhdueshëm, i kujdesshëm dhe i detajuar për të kuptuar ndryshimet që do të pësojë tregu i punës dhe zhvillimi paralel i aftësive në përputhje me to, është dhe do të jetë deçiziv për një punësim afatgjatë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.