Intervista

Intervista/ Ardit Çela: Rilindja do të shkërmoqet, në qarkun e Beratit LSI fiton 3 mandate

09:24 - 25.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejtuesi politik i LSI: Do të zhdukim papunësinë, do të rikthejmë shpresën e besimin – “Në Konventën e 5 dhjetorit do të zgjedhim ekipin fitues”




Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela thotë në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” se kjo parti do të fitojë 3 mandate në këtë qark, në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Çelës, ky nuk është objektiv, por realitet.
“Është një realitet i cili në 25 prill thjesht do të certifikohet nga mijëra të rinj e të reja, nga mijëra qytetarë të Beratit, Kuçovës, Skraparit, Urës Vajgurore, Poliçanit e të gjitha njësive administrative. Rilindja do të shkërmoqet në çdo qendër votimi”, thotë Çela në intervistën për “GSH”.

1. Z. Çela, ju jeni caktuar drejtuesi politik i LSI-së për qarkun e Beratit. Nga kontaktet e para, cilat kanë qenë problematikat kryesore që shqetësojnë banorët e këtij qarku?
Qarku i Beratit është lënë në mëshirë të fatit. Në harresë totale. Qytetarët janë braktisur nga qeveria. Papunësia është shtuar dhe varfëria është rritur. Të rinjtë e të rejat gjithnjë e më shumë po largohen nga qytetet e tyre, për ta kërkuar të ardhmen diku tjetër. Rilindja e vrau shpresën. Rilindja nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Ajo premtoi qindra mijëra vende pune, dhe e vërteta është se krijoi qindra mijëra emigrantë, qindra mijëra qytetarë që braktisin vendin e tyre, familjet e tyre, të dashurit e tyre. Rilindja premtoi ulje të taksave për bizneset, dhe realiteti është se bizneset po falimentojnë përditë, duke i mbyllur vendet e punës. Kostot e jetesës janë rritur. Rilindja rezultoi një eksperiment i dështuar. Qarku po shpopullohet, sepse nuk ka punë e nuk ka besim. Nuk ka mbështetje nga qeveria dhe resurset ekonomike nuk shfrytëzohen si duhet. Kudo sheh vetëm papunësi dhe varfëri.

 

2. Ku do të konsistojnë idetë tuaja, ku do të përqendrohet fushata juaj?
Do të zhdukim papunësinë. Ky është misioni ynë. Do të rikthejmë shpresën e besimin. Ky është vizioni ynë. Ne do të shfrytëzojmë maksimalisht të gjitha potencialet ekonomike të qarkut për të krijuar vende të reja të punës, të cilat të jenë të mirëpaguara, në mënyrë që të rinjtë e të rejat ta shohin të ardhmen e tyre aty ku banojnë e jetojnë. Ne do t’i japim jetë vizionit tonë për turizmin. Sot qeverisja aktuale nuk ka asnjë ide, dhe nuk jep asnjë mbështetje për turizmin. Çdo qindarkë që sot futet në ekonominë e Beratit nga turizmi është meritë vetëm e “brand-it Berat” dhe e operatorëve privatë që përpiqen me mundësitë e tyre modeste të bëjnë gjëra të mira për zonën. Zero mbështetje nga qeverisja. Madje shpeshherë qeverisja kthehet në pengesë për projektet dhe zhvillimet pozitive që ekzistojnë. Berati është “brand” botëror, dhe si i tillë meriton mbështetje maksimale. Duke e integruar me resurset e gjithë qarkut, dhe duke mbështetur maksimalisht turizmin, ekzistojnë të gjitha mundësitë që të hapen mijëra vende pune, e për më tepër shumë mirë të paguara, duke rritur mirëqenien e qytetarëve. Bujqësia është në mëshirë të fatit. Mbështetja për fermerët, blegtorët, projektet bujqësore është thuajse minimale dhe e keqadministruar.

Ne do të shumëfishojmë mbështetjen për bujqësinë dhe agro-përpunimin e agro-turizmin, dhe do të kujdesemi që çdo qindarkë të përdoret me meritë dhe në mënyrë efektive. Mijëra familje do të përfitojnë direkt apo indirekt nga kjo mbështetje, në mënyrë reale dhe shumë mirë të administruar. Ne duhet të aplikojmë modele dhe politika agresive ekonomike për thithjen e investimeve të huaja, sidomos për Kuçovën e për Poliçanin, për vetë specifikat e tyre, duke hapur në këtë mënyrë një perspektivë ekonomike tërësisht të pashfrytëzuar më parë, e duke zhdukur njëherë e mirë varfërinë e zonës nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës. Ne do të fokusohemi shumë fort në zhvillimet e rëndësishme infrastrukturore, të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, bujqësisë, turizmit dhe të hapjes së vendeve të reja të punës. Rilindja e ngriu rrugën Skrapar-Përmet, ne do ta përfundojmë. Nëpërmjet kësaj rruge do të lidhen dy luginat e mrekullueshme të Osumit dhe Vjosës, dhe do të lidhim dy pasuritë e UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën, nëpërmjet Skraparit dhe Përmetit. Ne jemi të vendosur dhe do ta bëjmë Beratin, Kuçovën, Skraparin, Urën Vajgurore, Poliçanin, të gjithë Shqipërinë – SHTËPINË TONË. LSI-ja do ta përqendrojë të gjithë vëmendjen e saj në qeveri në krijimin e vendeve të reja të punës, në uljen e kostos së jetesës dhe në përmirësimin e arsimit. Do të krijojmë punë të mirëpaguara dhe arsimi do të jetë në funksion të punësimit. Kjo do të sigurojë mundësi këtu në Shqipëri, në mënyrë që Shqipërinë ta bëjmë SHTËPI.

3. Pak ditë më parë, LSI u përfshi në procesin e zgjedhjeve të kryetarit dhe të delegatëve të Konventës Kombëtare. Çfarë prisni të sjellë të re në jetën politike të partisë, Konventa e 5 dhjetorit?
LSI në 21 nëntor votoi për delegatët e Konventës Kombëtare dhe njëkohësisht zgjodhi edhe Kryetaren e Partisë, znj. Kryemadhi. Rezultoi një proces me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë, i shoqëruar me entuziazëm dhe me besim në fitoren e 25 prillit. Procesi i 21 nëntorit ishte një mesazh i qartë se LSI është gati për zgjedhje në çdo moment e në çdo kohë. LSI tregoi edhe njëherë se është partia e risive të mëdha. LSI është e para që aplikoi “Një anëtar, një votë”, është e para që kreu votimin dhe numërimin elektronik. LSI është e para që aplikoi barazinë gjinore në përbërjen e strukturave drejtuese dhe në listat e përfaqësuesve. Ndërkohë që, këtë herë u bë edhe partia e parë që kreu votimin online, duke u dhënë mundësinë edhe mbështetësve të LSI-së në diasporë të votojnë. Konventa e 5 dhjetorit do të jetë unike në llojin e vet, plot surpriza, qoftë për sa i përket organizimit, por edhe për sa u përket ideve dhe çështjeve programore e qeverisëse që do të trajtohen. Në të njëjtën kohë, do të zgjidhet edhe ekipi fitues, i cili do të realizojë misionin për ta bërë Shqipërinë SHTËPI.

4. Cili do të ishte një rezultat pozitiv, realist për LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit?
Ne do të marrim tre mandate përfaqësimi në Berat. E them me bindje që ky nuk është një objektiv. Ky është një realitet i prekshëm që sot. Është një realitet i cili në 25 prill thjesht do të certifikohet nga mijëra të rinj e të reja, nga mijëra qytetarë të Beratit, Kuçovës, Skraparit, Urës Vajgurore, Poliçanit e të gjitha njësive administrative. Rilindja do të shkërmoqet në çdo qendër votimi. Qytetarët do të vërshojnë në kutitë e votimit e do të votojnë për LSI-në, për zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës, për uljen e kostove të jetesës, për arsim cilësor në funksion të punësimit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.