OPINION

Lufta makabre me të vdekurit

09:33 - 25.11.20 Dritan Hila
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lufta e sotme në Shqipëri lidhur me numrin e të vdekurve nga kovid nuk është diçka e panjohur. E përjetoi Evropa në fillim të vitit, por në ndryshim nga ne, e gjitha kishte lidhje me mënyrën sesi duheshin raportuar dhe si po përgjigjeshin sistemet e vendeve të ndryshme dhe jo luftë politike. Kështu për shembull, nëse Italia raportonte si të tillë çdo të vdekur që pavarësisht sëmundjeve shoqëruese, kovidi i kishte vënë kapakun, Gjermania raportonte si të vdekur vetëm ata që vdisnin nga kovidi.
Përjashto ndonjë individ, shumë pak personalitete apo mjekë të thjeshtë u përfshinë në lojën politike me pandeminë në Evropë apo SHBA. Madje edhe sulmet e presidentit Trump ndaj Fauçit, nuk gjetën jehonë. Ndërkohë në Shqipëri një Zot e di ku duan të arrijnë duke relativizuar emrat e Pëllumb Piperos, Tritan Kalos, Najada Çomos, e të tjerëve. Nisur nga disa foto të bëra në morgun e Tiranës, ka plasur një betejë e cila asgjë mjekësore nuk ka në vetvete. Nga një krah janë mjekët, anëtarë të komisionit shtetëror, ndërsa në krahun tjetër disa mjekë që duan të kapin trenin e opozitës për t’u inkuadruar politikisht.
Sa ndikon diskutimi mbi shifrën e të vdekurve jashtë ambienteve mjekësore në anën praktike të menaxhimit të pandemisë?
Numri i lartë i të vdekurve ndikon në aspektin psikologjik të popullatës. Sa më i madh ai, aq më e frikësuar popullata. Kështu që, nëse qeveria do ishte e interesuar të vendoste “rendin e ri botëror” siç mendojnë të fandaksurit, atëherë duhej ta rriste. A do ta prekë ky imazh qeverinë si të paaftë në menaxhimin e pandemisë? Ajo që dihet me siguri është pasiguria sa do të ndikojë në vota.
Ana tjetër e medaljes është se rritja e numrit të vdekjeve do ndikonte në qasjen e Perëndimit ndaj nesh. Aktualisht po përjetojmë një mbyllje kufijsh nga Greqia dhe shtrëngim nga Italia. Nëse numri i të vdekurve do rritej, atëherë do pësonim një bllokim edhe më të madh. Për më tepër fryma e sipërmarrjes, konsumi i popullsisë do pësonte goditje. Ndaj edhe nëse do kishim një ulje të numrit të vdekjeve nga qeveria, do të ishte e kuptueshme nga pikëpamja ekonomike, por nuk sjell asgjë në menaxhimin në terren të pandemisë kur përdoret politikisht, përveçse komplekson ekipet mjekësore.
I gjithë ky debat do të kishte kuptim nëse do ishte në nivel profesionistësh të shëndetit publik, ku numri i vdekjeve do të shërbente për të peshuar politikat e deritanishme dhe korrigjimin e tyre. Ndërsa kur mjekët e rreshtuar politikisht në vend që të merren me protokollet, pse shoqëritë farmaceutike i kanë rritur në kulm çmimet e disa medikamenteve që megjithëse nuk kanë rezultat vazhdojnë dhe jepen, mënyrën sesi të bëhet sa më ekonomik tamponi, çmimet marramendëse të spitaleve private, apo të vrasin mendjen pse kemi një vdekje 100% të personave të intubuar, hedhin shifra dhe thonë që është fshehur numri i vdekjeve. Por kur nuk jep emra e as shkaqe; kur përdoren pamje morgjesh të mbingarkuara dhe normale në kohë epidemish, atëherë nuk kemi të bëjmë më me politika mjekësore por me mjekësi politike.
Administrimi i kësaj pandemie ka probleme të mëdha. Numri i vdekjeve duhej të ishte ekskluzivisht një domen mjekësor për të kalibruar protokollet dhe mjekimet. Vetë vende të zhvilluara i ndryshojnë qasjet përditë dhe shkenca ende nuk është e sigurt në hapat që ka ndërmarrë. Vetë opozita në harkun kohor të pandemisë ka hedhur disa opsione sesi duhej të qaseshim, ku opsioni i ditës nuk i ngjante asaj që kishte thënë më parë. Por rrallë, për të mos thënë fare, nuk shikon këtë kërleshje të opozitave në botë për të përdorur politikisht sëmundjen dhe numrin e të vdekurve. Aq më pak duhet ta bëjë opozita shqiptare, e cila në inventarin e saj ka tashmë ca dollapë të mbushur me skeletet e kufomave të Gërdecit dhe 21 janarit 2011./ “dritare.net”




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.