Intervista

Besnik Jakaj: Sistemi shëndetësor në Shqipëri, afër kolapsit

13:42 - 27.11.20 Gazeta Shqiptare

 



Voltiza Duro – Keqmenaxhimi i pandemisë dhe propaganda e qeverisë kanë sjellë pranë një kolapsi sistemin shëndetësor në vend. Kështu deklaron Besnik Jakaj, ish-drejtues i Institutit të Shëndetit Publik gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”. Ai thekson se një nga dëmet që konstatohet në menaxhimin e pandemisë është trajtimi i gabuar që bëjnë shumë njerëz në shtëpi nga mungesa e shërbimit shëndetësor e jo në pak raste trajtohen si pacientë Covid edhe ata që nuk janë të infektuar. Jakaj nënvizon se popullata ka kaluar në një situatë paniku të jashtëzakonshme, ku pacientët nuk shkojnë në spital dhe në rastet kur shkojnë nuk marrin trajtim nga askush.
Si paraqitet situata epidemiologjike lidhur me pandeminë COVID-19 në vendin tonë në këtë prag dimri?
Për hir të së vërtetës, jemi afër një situate kolapsi pothuajse, jemi përsëri me një numër të ulët testimesh, për të mos thënë më të ulëtin në botë. Ndërkohë ka një numër shumë të madh të infektuarish, duke parë ecurinë e ditëve të fundit vihet re një numër i madh i humbjeve të jetës, dhe këtu raportohen vetëm humbjet e jetës që ndodhin në spitalet covid. Ndërkohë nuk dimë se çfarë ndodh me mijëra të tjerë që trajtohen në shtëpi, mënyrat e trajtimit të tyre.
Pse kaq shumë vdekje? Si po diagnostikohen dhe si po trajtohen pacientët?
Unë e kam theksuar dhe shumë herë të tjera që një nga dëmet që konstatohet në menaxhimin e pandemisë është trajtimi i gabuar që bëjnë shumë njerëz në shtëpi nga mungesa e shërbimit shëndetësor, nga mungesa e një plani strategjik nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për të ofruar një shërbim shëndetësor në banesë për personat e infektuar me protokolle të qarta mjekimi. Pacientët që trajtohen në shtëpi po shpenzojnë shuma marramendëse për tu diagnostikuar, testuar e pastaj për t’u mjekuar që ndoshta në shumicën e rasteve medikamentet janë të panevojshme dhe kemi të bëjmë me keqmjekim të plotë që pasojat e tyre në kohë do jenë shumë problematike për shëndetin e popullatës tonë në tërësi.
Si po e përjeton popullata situatën e krijuar dhe si reagojnë qytetarët pasi konstatojnë shenja të ngjashme me sars cov 2?
Vetë popullata ka kaluar në një situatë paniku të jashtëzakonshme, nuk shkojnë në spital dhe në rastet kur shkojnë nuk marrin trajtim nga askush. E gjithë situata është përqendruar në numrin 127, dhe duhet të kuptojmë që temperatura nuk shkaktohet vetëm nga COVID-19, por dhe nga infeksione të tjera bakteriale si për shembull infeksioni otorinolaringogjik, infeksioni urinar e shumë e shumë të tjera.
A po marrin vëmendjen e duhur në këtë periudhë pacientët me sëmundje kronike?
Një element tjetër i rëndësishëm është fakti që sëmundjet kronike kanë dalë jashtë fokusit, pothuajse spitalet janë në kolaps për t’i dhënë shërbimin shëndetësor të sëmurëve kronikë, qindra mjekë dhe infermiere në Shqipëri janë të infektuar vetë, dhe duhet të qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre.
A nuk do ishte më mirë që të bëheshin testime masive në këtë moment?
Mjekësia nuk mund të bëhet online, mjekësia është shkencë që duhet të komunikojë nga afër mjeku me pacientin, që kur ka lindur mjekësia deri sot nuk mund të rrëzohet shkenca botërore e mjekësisë pasi mjeku me pacientin kanë një lidhje të jashtëzakonshme; duhet parë klinikisht, duhen marrë anenmeza, duhet bërë ekzaminimi objektiv, këqyrja nga afër e pacientit, duhen bërë analiza laboratorike/radiologjike, duhet bërë tamponi për të përcaktuar diagnozën, ne apriori kemi për çdo lloj shenje që është e ngjashme me covid po e quajmë covid dhe po shkaktojnë një dëm shumë herë më të madh sëmundjet e tjera kronike dhe të sëmurë jo kronikë që mund të kenë nevojë për trajtim të veshkave, të sitemit kardiovaskular, të sistemit endokrinologjik, të sistemit neurologjik, dhe të gjitha po I trajtojmë si raste me covid.
Ju po thoni se dhe sëmundje të tjera po trajtohen si covid. Në cilën pjesë të zinxhirit të menaxhimit të pandemisë ka qenë problem?
127 është në kolaps tashmë, e ka të pamundur të përballojë fluksin për të bërë shërbimin, është bërë një gabim që në fillim të menaxhimit të pandemisë, u la jashtë për muaj me radhë mjeku i familjes, nuk u bë një plan strategjik me mjeken, sarsi është një virozë që trajtohet lehtësisht dhe pjesa më e madhe e popullsisë e kalojnë pa asnjë lloj shenje, pa asnjë lloj simptome; dhe nuk duhej të bëhej centralizimi vetëm tek spitalet covid, u fillua vetëm me spitalin infektiv shumë mirë spitalet rajonale, poliklinikat e specialiteteve, me një gërshetim të mirë duke ndarë disa reparte në spitalet rajonale mund të trajtoheshin qytetarët, nuk kanë përse të vijnë nga qytetet e tjera drejt kryeqytetit. Kanë nevojë për një hospitalizim dhe një monitorim të thjeshtë të cilat mund t’i bëjnë spitalet rajonale shumë mirë dhe nën gjykimin e mjekëve pasi në disa qytetarë mund të avancojë sëmundja, mbivendosen infeksione të tjera bakteriale apo tentime të tjera organike edhe për shkak të sarsit dhe mjekët do gjykonin, dhe më pas nëpërmjet 127 do t’i hospitalizonin tek mjekësia terciale që quhet spitali infektiv apo spitalet covid që do vazhdonin me terapinë intensive dhe do bëhej fiks ajo që ka mission QSUT-ja, të bëhej terapia intensive, intubimi dhe shkallët e terapisë intensive por nuk mund të përqëndrohet e gjithë Shqipëria në dy spitale në Tiranë.
Spitali covid-3 po jep shembull, por covid-4 nuk është çështje shtretërish, sepse ka hotele që kanë shtretër sa të duash. Ato duan kushte spitalore, duhen personel mjekësor, duhet të ruhesh nga infeksionet spitalore; pra theksojmë se nuk është vetëm një çështje e numrit të shtretërve por a kemi personele shkencore, a kemi reparte të reanimimit nëse është nevoja për t’i reanimuar pacientët, për të marrë oksigjen në terapi, për të kaluar pastaj në reanimim dhe intubim që janë shkalla më e lartë dhe me pak fjalë jemi në një çorganizim të organizuar. Kjo ka sjellë që qytetarët kanë humbur besimin tek sistemi shëndetësor dhe po trajtohen në shtëpi, madje i ka kap frika dhe po shkojnë në spitale private për të bërë tamponin, nuk e deklarojnë, kanë frikë mos I shtrojën në spital pasi kanë parë rastet fatale ku pacientët janë vetëvrarë në spitalet covid për shkak të presionit të madh psikologjik. Unë e kam thënë dhe shumë herë të tjera, paniku dhe presioni psikologjik e ndihmojnë sëmundjen.
Sa po dëgjohet zëri i ekspertëve?
Keqmenaxhimi ka çuar në një çorientim total, jemi në një fazë që është përqendruar e gjithë vëmendja tek spitalet covid dhe për pasojë është lënë jashtë mbrojtjes në masa mbrojtëse por dhe jashtë shpërblimit financiar për të gjithë zinxhirin tjetër që po përballet me pandeminë pra mjeku i familjes, mjekët e spitaleve rajonale duhet të kishin hapin njësoj si spitalet covid, sepse i gjithë sistemi shëndetësor po përballet me covidin dhe e gjithë armata e mjekëve dhe personelit shëndetësor është pa një drejtues. Janë dhënë me qindra këshilla nga ekspertë e profesionistë që e kanë njohur prej vitesh sistemin e menaxhimit të shëndetit publik por dhe kanë menaxhuar pandemi të ndryshme ku këtu mund të përmendim gripin e derrit, gripin e shpendëve, sarsi dhe janë menaxhuar nga drejtuesit e shëndetësisë, nga mjekë profesionistë dhe që sot nuk janë thirrur vetëm sepse është marrë mënyra për t’u menaxhuar vetëm për propagandë. Nuk janë dëgjuar thirrjet e shumë specialistëve për mënyrën e organizimit dhe të menaxhimit të sistemit shëndetësor. Ne jemi një vend me dendësi të ulët popullsie dhe nuk ka arsye përse të jemi në këtë lloj kolapsi, mjafton një organizim dhe triazhim i mirë i të sëmurëve, kush është për t’u trajtuar në shtëpi dhe kush është për t’u shtruar në spital, kush ka nevojë për një trajtim të ngadaltë dhe kush ka nevojë për terapi intensive.
Pse pacientët që kanë mundësi ekonomike zgjedhin të trajtohen jashtë vendit dhe jo në spitalet tona?
Pacientë në terapi intensive po themi, apo për të sëmurë në gjendje të rëndë ikin ne Itali, Turqi, Greqi pra po largohen njerëz përditë jashtë shtetit për t’u trajtuar për një sëmundje që nuk është shkencë. Të bësh trajtim simptomatik në bazë të simptomave dhe të organeve që preken me konsultat përkatëse, me ekzaminimet përkatëse shëndetësore profesionale i bëhet trajtimi, sepse ti nuk po bën një transplant mëlçie apo një transplant të palcës kurrizore që nuk bëhen në Shqipëri apo në Ballkan dhe do ikësh ta bësh në Itali apo në Francë. Është thjesht çështje e organizimit, e mbikëqyrjes dhe e vendosjes, gjithashtu dhe humbja e besimit.
Cili është çelësi për trajtimin në kohë të sëmundjes për të minimizuar kështu fatalitetet?
Janë 3 elementë që bëhen për trajtimin e covid-it: trajtimi simptomatik, monitorim dinamik I pacientit, korrigjimi I efekteve që jep në organizëm covid-I, pastaj reanimim dhe më pas intubim. Pra terapi intensive dhe intubim, këto janë protokollet që zbatohen dhe në Shqipëri. E gjithë kjo përmbledhje që po përpiqem të them është një situatë totalisht dhe realisht në rënie të lirë dhe është një fatalitet që do ta paguajmë gjatë në vitet në vijim. Virusi ka fiziologjinë e vet të të përcjellit dhe nuk është hera e parë që bota po përballet me pandemi, virusi do bëjë punën e vet dhe qytetarët duhen të jenë të kujdesshëm dhe duhet të marrin masa mbrojtëse. Virusi nuk është bërë më agresiv, pritej që stina e vjeshtës dhe dimrit të jenë më të vështira sepse ne kemi sipas atyre që theksova më lart kemi mbivendosje të virozave të tjera të cilat kanë filluar tashmë si për shembull gripi I stinës, dhe nuk u morën masa për vaksinën e gripit të stinës në kohë dhe nuk ka më vaksina. Të paktën shtresat vulnerabël siç janë moshat e treta, personeli shëndetësor, personeli i arsimit si dhe ai i policisë së shtetit që përballen direkt dhe janë më të rrezikuar nga infektimi me virus duhet të ishin vaksinuar gjatë kësaj kohe që po flasim. Ndërkohë këtu kanë ardhur rreth 300.000 doza vaksine të gripit të stinës dhe nuk mund të gjesh as në tregun privat dhe as në shtet asnjë dozë vaksine. Pra e gjithë kjo, Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria u përqendruan për ta përdorur si propagandë politike dhe po kalon vendi dhe qytetarët në një fatalitet nga paaftësia menaxhuese.
Jo në pak raste, qytetarët marrin receta të fryra plot me medikamente nga më të shtrenjtat. A janë të dëmshme këto receta në shëndetin e qytetarëve?
Janë duke u shitur disa antiviral me çmime deri në 100 herë më të shtrenjta në tregun e zi, të paregjistruara, të pakontrolluara, nuk e dimë çfarë kushte ruajtjeje dhe shpërndarjeje kanë këto barna, sa të sigurta dhe cilësore janë, duke përfituar nga situata disa tregtarë po abuzojnë në mënyrë të frikshme për interesa financiare, dhe qytetarët nga paniku dhe mungesa e organizimit shëndetësor detyrohen të shkojnë dhe përfundojnë në duart e këtyre abuzuesve. Nga ana tjetër, duke mos pasur mundësinë e kontaktit siç duhet me mjekun, dhe nga humbja e besimit tek sistemi shëndetësor qytetarët në qoftë se kalojnë një temperaturë alarmohen, pyesin të afërmit e tyre çfarë mjekimi kanë pas marrë kur kanë qenë të infektuar me covid, dhe me po të njëjtën recetë shkojnë në farmaci për të blerë barnat përkatëse. Këtu fare mirë mund të përmendim barna që përdoren vetëm me diagnoza të sakta, kombinime antibiotikësh, antikuagolantësh, përdorim kortizonikësh dhe dëmi që po shkaktohet tek shëndeti i qytetarëve është i jashtëzakonshëm. Nuk mund të përdoret holluesi i gjakut pa oksigjen, pa analizat e gjakut, pa protokoll dhe një diagnozë të saktë. Nuk mund të përdoret oksigjeno-terapia në shtëpi pa qenë e nevojshme pasi ti mund ta dëmtosh dhe të kthehet në efekt të kundërt; nxjerr mushkërinë jashtë funksionit duke përdorur oksigjen pa pasur nevojë sistemi bronkial. Oksigjeno-terapia duhet të bëhet në kushte spitalore dhe vetëm spitalore; terapia me antibiotikë, me kortizonikë, me antikuagolantë duhet të bëhen në kushte spitalore gjithashtu sepse duhet bërë monitorimi në mënyrë dinamike i pacientit, me analizat përkatëse dhe duhet ndjekur nga mjeku specialist. Duhet bërë monitorimi I dozave pasi qytetarët nuk dinë si të përdorin dozat, ankohen kur i përdorin, nuk kanë mundësi për t’i bërë analizat laboratorike bio-kimike, dhe në momentin që këta ndjehen keq, të infektuarit u drejtohen klinikave dhe laboratorëve privatë, por ndërkohë po shpërndajnë infeksionin pra nuk ka asnjë lloj monitorimi. E gjithë qeveria shqiptare bën propagandë duke ushtruar presion me arrogancë, me gjoba, me mungesë informacioni e transparence, dhe e gjithë kjo ka çuar në këtë kolaps të plotë që po dëmton shëndetin e qytetarëve ndofta dhe për vitet në vijim, dhe po u shkaktojnë një dëm qytetarëve shqiptarë shëndetësor, financiar, psikologjik të pallogaritshëm. Vetë virusi sikur të mos kishte fare sistem shëndetësor apo qeveri, do shkaktonte shumë më pak dëm se po shkakton ky panik dhe kjo lloj mënyre e të sjellit me virusin.
Pse ka vdekje të konsiderueshme te moshat relativisht të reja në Shqipëri?
Në bazë të statistikave kemi një element shumë të rrezikshëm për sa i përket moshës mesatare të vdekshmërisë e kemi më të ultën në Europë, në shumë vende të tjera është shumë e lartë mosha mesatare e vdekshmërisë, kemi shkëputur zinxhirin mjek-pacient dhe kjo është shumë e rrezikshme. Duhet të kuptojmë që thelbi i filozofisë së mjekësisë është që në kohë të Hipokratit pacienti, doktori dhe sëmundja; doktori I drejtohet pacientit: “nëse ti bashkëpunon me mua, së bashku do e mundim sëmundjen. Por në qoftë se ti bashkëpunon me sëmundjen, ju do më mposhtni mua”. Sot pacienti dhe sëmundja janë bashkë, mjeku është shumë larg, është në distancë. Është dhe një element tjetër këtu po shkaktohet shumë herë më shumë dëm me mjekimet e gabuara sesa të mos bëhej mjekim fare.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.