KULTURË

In memoriam/ Ilegalja e orëve të para, e ikura e fundit

17:27 - 27.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Dr. Ana Lalaj – Këto ditë mësova se një pjesëmarrëse e hershme e Luftës Antifashiste, komuniste e vitit 1939, me Grupin Komunist të Shkodrës, anëtare e PKSH e vitit 1941, Gjystina Sata ose Flora Dishnica, siç u njoh me emrin e Luftës, ka ndërruar jetë. Nuk e di pse u preva kur Tatjana, e bija, ma dha lajmin me telefon. E pra, ajo jetoi gjatë dhe shokët e shoqet e dikurshme, nuk janë më. Këto kohë kisha menduar shpesh për këtë dhe nuk e pranoja se edhe ajo, si të gjithë, do të ikte një ditë. Kishte mbetur e fundit midis atyre që e filluan të parët. Nuk isha kur e përcollën. E bija kërkoi ndjesë, se pandemia i kishte detyruar t’i bënin nderimet vetëm me rrethin familjar. Vendime të vështira, por të arsyeshme.




E kisha takuar disa herë zonjën Dishnica. Fillimisht për interesa pune. Pastaj ajo m’u bë aq e afërt, sa më kujtonte mamanë time. Me këtë ndjesi, një rast, teksa bisedonim në shtëpinë e saj, nxora aparatin dhe bëra disa shkrepje. Pastaj zgjodhëm bashkë njërën nga fotot. E pëlqeu dhe tha se do porosiste fëmijët ta kishin “për atë ditë”. I thashë se kishte kohë “ajo ditë” dhe se kur të bëhej mbarë, të zgjidhte një tjetër, në moshë pak më të re. “Jo, jo, – ma ktheu. – Kjo jam unë!”

Gjystina, e mira Gjystinë! E shkathët e me humor si askush. Flora e Luftës, ilegalja e orëve të para, mbushur me ëndrra dhe me idealet e brezit të saj. Gjystina e kohëve të vona, tek e cila u bënë bashkë zhgënjimet e nostalgjitë, që shëndeti erdhi duke e lënë, po aspak humori, ndërsa bukuria e hershme la sharmin e vet, që nuk iu nda deri sa iku.

E pra, Gjystina ose Flora, le ta thërrasim si të na vijë për mbarë, nuk ishte një kukull ëndrrash. Ajo në kohë të vështira krijoi personalitetin e saj, si veprimtare lufte, si grua, si nënë. Ajo erdhi në Tiranë më 1941, siç erdhën edhe të tjerë nga të Grupit të Shkodrës. Shtëpia ku u vendos, te Çezma e Shebegut, si i thoshin atëherë, diku në Rrugën e Dibrës, u kthye në bazë ku shkonin e vinin të gjithë, që nga Enver Hoxha e Qemal Stafa, Nexhmije Xhuglini, Vasil Shanto, Miladin Popoviçi e plot të tjerë. Pas krijimit të Partisë Komuniste, ajo u kthye edhe në strehë për arkivin e Partisë, ku ruhej edhe procesverbali i mbledhjes së grupeve komuniste, si dhe një nga pikat ku përgatiteshin e shpërndaheshin materialet propagandistike të luftës. Më 4 maj 1942 baza u bastis dhe aty, përveç dokumentacionit të Partisë, u gjetën makina shkrimi, shaptilografë dhe një arsenal armësh. E nesërmja Gjystinën e gjeti në një tjetër bazë. Aty ndodhi edhe ngjarja e hidhur, ku Qemali mbeti i vrarë dhe të tjerë u burgosën. Një muaj më pas, më 3 qershor 1942, Kuestura njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se kishte mbaruar fazën e parë të hetimeve “në lidhje me organizatën komuniste terroristike vepruese në Mbretni”, ku shënoheshin 82 persona, prej të cilëve 52 ishin të ndaluar, ndërsa 30 të tjerë në kërkim. Midis të ndaluarve, Gjystina Sata. Ndërsa në listën e të kërkuarve shënohej Hoxha dhe të shumtët e atyre që u bënë drejtues të luftës dhe që atë kohë vepronin në Tiranë. Kur Gjystina me shoqet u morën në kuesturë dhe më pas në burg, ajo nuk i kishte mbushur 18 vjeç. Në nëntor Musolini njoftoi një amnisti për minorenët, sipas së cilës Gjystinës i mbetej të linte burgun. Por kuestori Papalilo, në pritje të bëhej 18 vjeç, e mbajti disa muaj në kuesturë me motivacionin si “komuniste e rrezikshme”. Sa arriti moshën, e çuan përsëri në burg, derisa grupet ilegale organizuan arratisjen e saj, në maj 1943.

“Nga ajo ditë unë nuk mund të qëndroja në Tiranë, – thotë Gjystina. – Atëherë Pepi Pilika, një djalë shumë i mirë, liceist dhe që më vonë u bë profesor i matematikës, akademik, bashkë me të ëmën e Naxhije Dumes na mori të dyjave dhe na shoqëroi për në Korçë. Qëndrova dy javë nga një bazë në tjetrën, por duket se më spiunuan, derisa një ditë më plasën brenda. Më bënë gjyq dhe kur panë letrat, më dënuan me vdekje. Për fat, Faslli Frashëri, komandanti i Ballit në Korçë, kishte thënë se sa të ishte ai në Korçë, nuk do të ekzekutohej asnjë femër shqiptare. Edhe atje shokët organizuan arratisjen time dhe prej andej ishte përsëri Pilika ai që më mori e më çoi në Vithkuq, ku ishte Shtabi. Takova mjaft nga shokët, me të cilët kisha humbur lidhjet prej 13 muajsh, me Enverin, Nakon, Miladinin, Teodorin (Hebën). Më mbajtën aty në shtab të merresha me shifrën. Nga Vithkuqi, në Panarit, në Helmës, Odriçan, në Berat e derisa erdhëm në Tiranë. Atë kohë mora edhe emrin e luftës, Flora Panariti.”

Një kohë intensive, me mbresat e veta, po dhe me ngjarje të hidhura. Ndër to, ngjarja me Qemalin. “Sa herë e kujtoj atë ditë, ndjehem e trishtë. Na dhembi të gjithëve. Nuk kishte të dytë si Qemali! Peng i madh! Tani që të tjerët nuk janë, pengu më ka mbetur mua.” Kështu po më thoshte ajo në njërën nga bisedat. Ajo është e kujdesshme, nuk vë gisht tek askush, po pyetjet i shtron varg për të gjithë. “Çdo kohë merr vlera kur nuk lë dilema nga pas, – thotë ajo. – Ti më pyet për rastin e Qemalit e unë nuk di të them. E pra, unë isha aty. Bashkë me Qemalin, Dritën (Kosturi), Marien (Lezhja) dhe Kriston (Themelko). Mirë Beqiri që na i solli karabinierët përmes arave që ne t’i shihnim dhe të largoheshim, siç e shpjegoi ai atëherë. Po Kristo, si e rrëzoi murin nga prapa e iku pa na thënë gjë?! I vetmi që shpëtoi pa kapur. Ne sa kishim shkuar në atë bazë dhe as e dinim se muri i pasmë ishte me kallama a ku di me çfarë ishte. Dolëm edhe ne, po ndryshe nga Kristo, Qemali vrapoi me ne, qëlloi mbi ta dhe mori zjarrin mbi vete. Që prej atij çasti nuk u pamë më. Dilemë e madhe! Po bëhen 80 vjet e prapë pyesim si u vra e kush e vrau. Pa le kur thonë se e vrau Enveri! Tash nuk ka mbetur njeri të mos e dijë se Enveri të vriste dhe ka vrarë. Mundet që edhe Qemali një ditë do të kishte fatin e të tjerëve, po jo atëherë.”

E pyeta Florën si ishte lidhur me Ymerin, kur dihet se Ymeri ishte në shtabin e luftës. “Oh, s’e di më të bukurën!, – më tha. – Në Berat unë punoja në administratën e qeverisë, shifrante, si dhe më parë. Në një rast, kur hyra në zyrën e Enverit, ai ishte më këmbë te dritarja. Hajde, më tha, se kam diçka. U afrova dhe hodha shikimin jashtë. Rruga dhe sheshi ishte i mbushur. Kështu ishte gjithë ato ditë. Lufta pothuaj kishte mbaruar dhe grupe partizanësh shkonin e vinin te zyrat e qeverisë të merrnin vesh për më tej. I sheh ata atje? Po, i thashë, pa kuptuar ku e kishte fjalën. Shih ndonjërin nga ata komandantët aty poshtë, vërja syrin dhe më thuaj. Unë qesha dhe biseda nuk u zgjat më tej. Në fund të luftës u lidha me Ymerin, me të cilin kisha njohje, u martuam, u bëmë me fëmijë. Një ditë, ndërsa bisedonim për peripecitë tona, Ymeri më tha: ‘E di ti, moj grua, që dole e fituar?! Bëri ç’bëri Enveri me Mukjen, copë e bëri, po tek e fundit unë ja tek jam. Po ata komandantët e tu ku janë?!’”. “Vërtet, si shpëtoi Ymeri me gjithë atë Mukje mbi shpinë?” – e ngacmova Florën. “Them se ia kishte borxh, – u shpjegua ajo. – Në mars 1943, kur Enveri u zgjodh në parti Sekretar i Përgjithshëm, ai pati propozuar Ymerin në këtë post. U ngrit Ymeri e kundërshtoi dhe kërkoi të votohej Enveri, si më i përshtatshmi. Kjo ishte edhe skemë, siç ndodh në këto raste. Por në Berat e kishte pisk vërtet. Këtë e di mirë, siç e di që Ymeri e shpëtoi. Ymeri ishte përjashtuar nga plenumi, për shkak të Mukjes. Por pas mbledhjes takoheshin të tre, me Nakon dhe Sejfullanë. Ata e informonin për gjithçka. Nako thoshte se nuk kishte rast më të mirë se ky të largonin Enverin. Sejfullai ishte në mëdyshje. Ymeri këmbëngulte: E keni gabim, në Tiranë nuk duhet të shkojmë pa kokë!”

Megjithatë, Florën e luftës e zhgënjeu paslufta. Në dokumentet që gjenden në arkivin e Partisë së Punës vlerësohet e mirë veprimtaria e saj gjatë luftës, por thuhet se “nuk i kishte dënuar me forcë veprimet e Ymer Dishnicës”, se ajo ishte e pakënaqur dhe se “puna e Partisë i dukej e mërzitshme”. E kishin larguar nga partia. “Megjithatë, në një rast më thirri Miftar Tare, – tregon Flora. – Nuk mbaj mend ç’pozitë kishte në parti, por mbaj mend që më tha se kishte porosi nga Tuk Jakova të kthehesha në parti. Iu përgjigja se në parti kisha ardhur për të kundërshtuar pushtuesin, pa pyetur për sakrifica. Por ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë dhe që i kisha menduar ndryshe. Kur të ndryshoj mendimet, atëherë do të vij në parti. E lëmë kështu më mirë, më tha Miftari. Unë s’të kam thënë gjë e as kam dëgjuar gjë.”

Në këtë përvjetor të Çlirimit të vendit, iku një ndër protagonistët e fundit, Flora Panariti (Dishnica). Sa jetoi, ajo foli tepër rrallë. Privilegj që m’u rrëfye. Një ditar lufte. Në bisedën e fundit më tha: “Më kanë kërkuar të flas mjaft gazetarë. I kam shmangur. Kisha frikë se do të shkruanin me fraza si ‘luftëtarja trime…’ e më the të thashë. Unë vetëm një herë kam qëlluar me pushkë, edhe atëherë në një poligon ku bëhej qitje. E megjithatë, e kam dashur luftën me shpirt, ashtu si e mendoja unë, e prandaj iu bashkova. U jam larguar posteve, se pushteti është si djalli. E kam dashur partinë, ashtu si ma kishin thënë dhe, falë Zotit, shpëtova kur pashë se nuk ishte partia që desha.”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.