OPINION

Mesazhe nga zgjedhjet amerikane…

18:02 - 29.11.20 PANO HALLKO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas afro tri javësh mohimi të vazhdueshëm të rezultatit të votimeve, si kurrë ndonjëherë më parë në historinë politike amerikane, presidenti republikan në largim, autorizoi komisionin që monitoron ndërrimin e pushtetit të veprojë.




“Me gjithë sa ka ndodhur, për interesin e vendit tonë, rekomandoj kryetarin e shërbimit që realizon kalimin e pushtetit nga njëra qeveri te tjetra, të bëjë atë që duhet, sipas protokollit. Për këtë i dhashë udhëzime ekipit tim”, tha Trampi.

Edhe pse “i hodhi ujë verës”, ai u kujdes t’i shmangej njohjes së fitores që u shpall në favor të demokratëve.

Madje në “Twitter”, Trumpi premtoi se do ta vazhdojë “luftën e drejtë” të tij, pasi avokatët e tij i kanë shumëfishuar paditë nëpër gjykata, edhe pse pa sukses deri tani. “Nuk kanë paraqitur të dhëna të besueshme për vjedhjen e votave më 3 nëntor”. Por nuk harroi të deklarojë i bindur se “Ne do të fitojmë!”…

Duhet nënvizuar fakti se në 100 vitet e fundit, është presidenti i pestë që nuk certifikohet për katërvjeçarin e dytë.

Prej vitit 1988 e deri më sot, me përjashtim të vitit 2004, asnjë kandidat për president nga republikanët, nuk ka fituar kurrë votën popullore.

Kështu u qetësuan edhe analistët tanë, që për dy javë rresht, i bombarduan shqiptarët me skenarë të ndryshëm, se si do të ndryshonte fati ynë, nga zgjedhjet në… Amerikë!

“Analistët tanë”, nuk e dëgjuan Ambasadorin tonë të shquar Shaban Murati, kur shkruante: “Pavarësisht se kush do të zgjidhet President në Amerikë, shqiptarët duhet të tregohen shumë të vëmendshëm, që në situata të tilla të mos bien pre e diversioneve, që krijohen në Ballkan nga qendra antishqiptare. Nuk është çështje me të cilën duhen marrë shqiptarët se kush po fiton në Amerikë. Sepse kush fiton atje është çështje e amerikanëve, që votojnë. Shqiptarët duhet të merren me Amerikën”.(Shaban Murati, 30 Tetor 2020).

Por përtej këtyre, pyetja që mbeti në buzët e njerëzve, është vetëm një:

EDHE NË AMERIKË?!

Ish-presidenti dhe presidenti i zgjedhur shkuan në votime me kuletat plot, me 70 miliardë dollarë i pari e me 170 miliardë i dyti. Amerikanët, e kanë këtë të mirë. I deklarojnë(aq sa i deklarojnë) paratë e sponsorëve të tyre. Deri këtu, në rregull.

Ata që janë lindur nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar e këtej, por edhe shumica e më të mëdhenjve te ne, Amerikën e kanë të përcaktuar si tempulli i demokracisë.

Por se do vinte një ditë, kur do të bëhej fjalë për vjedhje votash në Amerikë, për numërim të parregullt të votave, për presion e shantazh mbi votues dhe komisionerë, as në ëndrrën më të keqe nuk e kishte parë Europa.

E të gjitha këto akuza, nuk erdhën nga goja e qytetarëve të thjeshtë, por nga goja e presidentit Tramp! I cili ishte(ende është) në pushtet, president i Amerikës. Me të gjithë stafin e tij, e me të gjitha bizneset e tij.

Mund të ndodhë dhe “logjike” është që Trampi të largohet nga Shtëpia e Bardhë, pa e pritur Xho Bajdenin. Tani, se çfarë është logjike dhe çfarë është e mundur, këto janë kthyer në fenomene relative, në shkallë botërore.

Sidoqoftë, dy gjëra të bëjnë përshtypje. Së pari, frika e republikanëve seriozë, që u pamundësoi atyre, të ishin në lartësinë e duhur. Shumë pak prej tyre mundën të pozicionoheshin hapur, e pak ishin ata që guxuan të pëshpëritin diçka nën zë. Tradita u zhduk, e kongresmenë dhe udhëheqës të lartë ngjanin si kukulla. Arsyeja dihet. Frika se mos Trampi, përmes “Twitter”-it, i dërgon andej nga nuk kthehen kurrë më, në politikë.

E dyta arsye që të bën përshtypje, është se 70% e votuesve të Trampit besojnë që votimet u vodhën. Për këta, nuk ka asnjë rëndësi fakti që komisionerë dhe nëpunës të lartë të administratës deklaruan se nuk kishte asnjë gjurmë dyshimi për vjedhje, e cila do të mund të ndikonte rezultatin. E megjithatë, shumica e militantëve besojnë(ende), të “vërtetën” e Trampit.

Sepse Trampi arriti të zerojë para syve të tyre edhe besueshmërinë e “kanalit të tij” – deri para pak kohësh, të kanalit “FOX”. E ky kanal, e pagoi shtrenjtë me uljen e shikueshmërisë, duke mbajtur gjallë legjendën se… “ai që i del kundër Trampit, e paguan shtrenjtë”.

Sepse militantët nuk lexojnë “New York Times”, nuk shikojnë “CNN”, madje as “FOX”. Atyre u mjafton “e vërteta” e Trampit në “Facebook” dhe në “You Tube”. Kaq e vërtetë është kjo, saqë një javë pas votimeve, 138 milionë amerikanë ndiqnin në “You Tube” videon që fliste për vjedhje votash.

Kështu që mijëra militantë të lëvizjes “Balck Lives Matter”, u përleshën mirë e mirë me militantët e Xho Bajdenit në qytetin Uiskons, në sheshin “Mandison”. Ata u rrahën e u përgjakën paq, derisa shkuan atje forcat e policisë. Të cilat me të “drejtë”, iu dhanë edhe një dorë dru(me ditë pune), nga shteti kësaj here. Kështu, arrijmë në përfundimin e njohur se… egërsia pjell(e di fjalën prodhon), pra pjell, vetëm më shumë egërsi.

SHTETI NUK ËSHTË BIZNES…

15 vite më parë, më datë 10.12.2005, në gazetën “Koha Jonë”, me firmën e shkruesit të këtyre radhëve, u botua editoriali me titull “Kriza e Europës dhe partitë lifestyl”.

Poshtë nëntitullit “Parti pronarësh”, theksohet:

…“Partitë e reja të tipit “Lifestyl” që po krijohen në Europë, por kryesisht përshtatja edhe me kosto e atyre të vjetrave në këtë tip, parashpallin një tip të ri partie, që do të jetë parti-biznes. Ato pajisen dhe do të pajisen së shpejti me kryetarë-“menaxherë të zotët” dhe shumë të pasur. Ky lloj “udhëheqësi”-pronar, duket se do të përfaqësojë modelin kryesor të kohës: Shumë i pasur e shumë i suksesshëm në biznes. Ai do të vishet me “Armani” e “Guci”, do të ecë me “Adidas”, e do mbahet gjithnjë “i freskët” e pa rrudha, me ndihmën e kirurgjisë plastike”. (“Shqipëri, të paça ligjet”, faqe 39, Shtypshkronja “Gent Grafik”, Tiranë 2020)

Ata “udhëheqës”, për fat të keq të njerëzimit erdhën në krye të gjërave thuajse në gjithë Europën. Përjashto Gjermaninë, e cila ende ka “atë pallton e vjetër” – zonjën dinjitoze me emrin Merkel.

Por edhe pse pak “vonë”, në Amerikë ky soj “udhëheqësi” mbërriti në mënyrën më të keqe!

…Ishte e para herë në historinë e Amerikës, që mbas shpalljes së Trampit fitues i zgjedhjeve katër vite më parë, miliona qytetarë amerikanë u ngritën në demonstrata. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

…Trampi “e kish gjetur lugën në pilaf”, pasi trashëgoi bizneset e të atit. Emri i të atit figuron në librat e tatimeve të shtetit amerikan, si një biznesmen i ndershëm dhe qytetar dinjitoz, i cili paguante edhe centin e fundit të taksave që i takonte të paguante.

Sapo mori në dorë bizneset e të atit, ky u kujdes që të korruptonte kryebashkiakun e New Yorkut. E arriti këtë, madje edhe sot, ata janë “miq të mirë”.

E solli dallga, e më shumë paratë e pafund që ai ka, të vinte në krye të republikanëve të atij vendi, e të emërohej me vendim gjykate edhe President i Amerikës.

Thuajse e gjithë Europa, pati rezerva serioze për të, madje shumica e kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave, folën edhe jashtë dhëmbëve, me ironi e deri me përçmim për të. Sa u folën(që nuk u folën pak), u vërtetuan në katër vite, ditë për ditë.

U vërtetuan, sepse shteti nuk është biznes. E nuk mund të drejtohet nga biznesmenë, por nga politikanë. Nga politikanë që vijnë nga administrata e shtetit, e që njohin shtetin.

Por Trampi “bashkëqeveriste” me emisionet që i pëlqenin atij, e prej tyre informohej. Duke u këshilluar nga gazetarët e tij, e duke marrë vendime jo rrallë në bazë të asaj lidhjeje. “Fox News” kishte “dashuri” të madhe për të, në shërbim të interesave të pronarit të kanalit, Robert Merdoh.

Kjo aleancë e pashenjtë, u prish mbrëmjen e të dielës së votimeve. Kur “Foxi” dhe agjencia e lajmeve “Asosietent Pres”, shpallën se Trampi kishte humbur Arizonën. Kuptohet që ndryshimi i politikës editoriale, bëhej vetëm me lejen e pronarit Merdoh.

Dhelpra e vjetër e mediave, e kishte nuhatur herët humbjen e Trampit, por edhe që këmbëngulja e tij në “vjedhjen e votave” do kishte kosto të lartë politike për të.

Ishin parathënë me “mrekulli” që vetëm ky soj politikani mund t’i bëjë.

Ai emëroi një gjykatëse të rëndësishme në Amerikë pak ditë para votimeve dhe pyetjes që iu drejtua: “Si guxuat dhe e emëruat tani në fushatë zonjën në Gjykatën Federale?”, ai iu përgjigj: “Më duhet atje, prandaj e emërova”. Me gjakftohtësinë e një biznesmeni të rëndomtë, e “pa i bërë syri dritë”.

Ashtu siç shkarkoi nga “Twitter”-i, ministrin e Mbrojtjes! A kishte gjë më të turpshme, sesa ajo që shkroi në rrjet: “Mark Esperi, mbaroi” (v:o: terminated). Pra, nuk ekzistonte, kishte mbaruar për të. Edhe për ndonjë pastruese të fundit në listën e bizneseve të tij, nuk mund ta thoshte atë fjalë. Por Marku, nuk ishte nga ai soj ministrash që tundin bishtin para biznesmenit. Ai nuk ia zbatoi urdhrin për të nxjerrë në rrugë ushtrinë, për të shtypur protestat e majit të këtij viti, me shkak vrasjen e afro-amerikanit Xhorxh Flojd.

E mesa duket, nuk ia plotësoi dëshirën biznesmenit, të nxirrte ushtrinë amerikane në qendrat e votimit, për të…“ruajtur votat” nga…amerikanët!

Dhe u katandisën zgjedhjet, që teksa numëroheshin votat e fundit në Detroit, turma militantësh kërcënonin: Ndërprisni numërimin! E në Arizonë, turma të egërsuara, bërtisnin dhe kërcënonin: Numëroni votat!

Teksa po ideohej ky shkrim, nga agjencitë e huaja të lajmeve ndaj mesnate, ia behu mesazhi në rrjet: “Donald Tramp u bëri thirrje mbështetësve të tij, të “përmbysin” rezultatin e votimeve të 3 nëntorit!

Në orën 11:30, të datës 25 nëntor. Tri ditë pasi autorizoi komisionin për ndërrimin e pushtetit…

LINKOLNI NUK ISHTE BIZNESMEN

Më 12 shkurt 1809 ka lindur Abraham Linkolni, njeriu i thjeshtë amerikan, që u identifikua në histori me idealet më të larta të qytetërimit botëror.

Ky emër, ka karakter emblematik të përjetshëm. Janë të paktë njerëzit e planetit tonë, që mund të pretendojnë se i kanë të dyja: thjeshtësinë, e njëherazi madhështinë e Linkolnit.

Linkolni deklaroi me fjalë lapidare: “Bashkë me lirinë që po u japim zezakëve, ne do të çimentojmë edhe lirinë e njerëzve të lirë. Kështu le të bëjmë një vepër dyfish të nderuar, pasi duke dhënë një pjesë të lirisë së munguar, ne garantojmë tërësinë e lirisë. Sepse rebelimi nuk është veçse pasojë e skllavërisë. E me zhdukjen e skllavërisë, do të zhduket dhe rebelimi”.

Linkolni krijoi modelin e Presidentit Çlirimtar dhe Reformator, ndaj mbetet si Presidenti më i madh i të gjitha kohërave. Sepse të tjerët, duhet të kenë parasysh shembullin diell-ndritës të tij. Ky është një heroizëm konceptual dhe moral i pazakontë.

Fjala, i përket përgjysmë atij që e thotë, e përgjysmë atij që e lexon. Dhe këmisha kurrë nuk e fsheh karakterin.

Politikanizimi i popullit është një nga manipulimet më të tmerrshme që ka ndodhur. Ky politikanizim i shndërron aktorët e politikës në kalorës prej kartoni, por që me shpatat e tyre të pikturuara mund të hapin plagë të vërteta në trupin e popullit, jo vetëm shpirtërore, por shpesh edhe fizike.

Kështu, politikanizimi i tepruar çon në kriminalizimin shoqëror të çdo gjëje. Kemi kështu një nga llojet më të llahtarshme të korrupsionit, atë mendor të demokracisë, shfaqet ankthi i frikshëm i monopolizimit të demokracisë.

Mungesa e vizionit humanist të politikës, mungesa e kufizimit, por edhe njëanshmëria konceptuale e rrafshit politik të demokracisë, e shndërron Demokracinë në Demokraturë.

E vërteta shëtit pa vizë. Karl Poper me projektin e Shoqërisë së Hapur, i paraqet përvojat totalitare duke i quajtur këto, si Vrima e Zezë e Historisë. Një marrëzi e instrumentalizuar, që të rikthen në të kaluarën. Dhe i katandis, si të tashmen, ashtu edhe të ardhmen, thjesht një tautologji.

Një pakicë e vogël e Njëshit të Ekzekutivit, e stafit të tij të klonuar, pyetet për gjithçka dhe përcakton me hollësi gjithçka në shoqëri, në institucione etj.

Kjo situatë e rëndë përvijohet botërisht në ditët tona, kur një pakicë e “shumicës”, nuk e pyet as vetë shumicën e saj.

Kjo shpjegon pse pakica e stafit ka një autoritet të papërballueshëm, kurse deputetët-përfaqësuesit e shumicës parlamentare nuk kanë gati asnjë autoritet, as kriticizëm dhe as kundërvënie ndaj pakicës së stafit.

Andaj Trampi/at, nuk mund të bëhen dot Franklin. Të tjerët, ata që njohin shtetin, edhe mund ta imitojnë atë. Xho Bajdeni, e njeh shtetin dhe parlamentarizmin…

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.