SHËNDET

Lorela Garuli: Si të ulim nivelin e stresit gjatë pandemisë COVID-19

12:54 - 30.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ky dimër nuk pritet të jetë i lehtë, pasi COVID-19 po gjen gjithmonë e më shumë terren për t’u përhapur e për të infektuar popullatën. Por përveç dëmit të madh fizik që shkakton në organizmin e atyre që prek, koronavirusi e situata po injektojnë frikë, ankth e panik te njerëzit. Por si mund ta përballojmë këtë gjendje të vështirë, si mund t’i gjejmë forcat te vetja sërish për të ecur para? Në një intervistë për suplementin Life Pages në “Gazeta Shqiptare”, psikologia Lorela Garuli tregon disa mënyra për të minimizuar sadopak stresin që po përjetojmë çdo ditë. Sipas saj gjëja më e mirë që mund të bëjmë është evitimi i mbingopjes me lajme, sidomos ato që kanë të bëjmë me vdekjet nga koronavirusi pasi krijojnë panik të panevojshëm. Garuli bën me dije se duhet të kujdesemi për të evituar kontrollin mbi gjithçka. Psikologia shton se duhet të mbajmë nën kontroll ato gjëra që mundemi. E rëndësishme është të fokusohemi tek e tashmja, ajo që ne mund të bëjmë tani, për të qenë të sigurt dhe të qetë.




Si paraqitet gjendja emocionale dhe psikologjike e popullatës gjatë kësaj periudhe pandemie?

Kohët në të cilat po jetojmë kërkojnë një ridimensionim si të hapësirave fizike ashtu edhe të atyre psikologjike. Problemet dhe shqetësimet shëndetësore fizike janë shumë më konkrete, shihen më lehtë, ndaj atyre u përkushtohemi më me vëmendje, duke harruar përkujdesjen ndaj shqetësimeve mendore, që, në fakt, janë të padukshme, por rëndësia e tyre është më e madhe. Pra krahas higjienës fizike, ne duhet të kujdesemi të kemi edhe një “higjienë” të mirë mendore.

Çfarë na sugjeroni që të bëjmë për të ulur sadopak nivelin e stresit dhe të ankthit të shkaktuar nga COVID-19?

Ka disa sugjerime mbi atë që duhet të evitojmë dhe atë që duhet të bëjmë për ta mbajtur mendjen sa më të “pastër” dhe të freskët këto kohë. Së pari, duhet të evitojmë mbingopjen me lajme. Numërimi i përditshëm i rasteve fatkeqe, shifrat shpesh herë kontradiktore, lajmet që mbërrijnë nga çdo cep i botës dhe jo gjithmonë të konfirmuara, na krijojnë një panik të panevojshëm. Për t’u evituar!

Gjithashtu duhet të evitojmë kontrollin mbi gjithçka, edhe mbi gjërat që nuk i kontrollojmë dot. Të mbajmë nën kontroll ato gjëra që mundemi. E rëndësishme është të fokusohemi tek e tashmja, ajo që ne mund të bëjmë tani, për të qenë të sigurt dhe të qetë. Mendimet për të ardhmen, vetëm shtojnë ankthin, pasigurinë dhe stresin. Mendimi për të ardhmen në një situatë të tillë është ndër burimet kryesore të stresit.

A është normale të ndihemi të padobishëm gjatë kësaj periudhe të vështirë?

Në këtë periudhë është e lehtë të ndjehesh i pavlefshëm dhe i padobishëm për shkak të ndryshimit të rutinës apo ndërprerjes së disa aktiviteteve të mëparshme. Por ne mund të gjejmë qëllime të reja. Mund të kujdesemi më shumë për veten apo të bëjmë një aktivitet që na pëlqejnë. Të kultivojmë disiplinën dhe të krijojmë një rutinë të re.

Sa na izoluar pandemia nga miqtë dhe jeta e mëparshme?

Pavarësisht kësaj, ne duhet të ruajmë lidhjet. Edhe në distancë fizike, është e këshillueshme të vazhdojmë të ruajmë marrëdhëniet shoqërore dhe të kujdesemi për komunikimin me të afërmit, miqtë dhe kolegët. Po e përjetojmë pandeminë në epokën e internetit dhe teknologjisë ndaj mund ta shfrytëzojmë për të mos u izoluar nga ana shoqërore.

Si mund të arrijmë një balancë me vetveten në një kohë që frika e pasiguria na ka pushtuar?

Ne duhet të jemi mirënjohës! Në radhë të parë me vetveten. T’i pranojmë vetes frikërat, pasiguritë, dyshimet, por në të njëjtë kohë t’i njohim asaj edhe meritën e rimëkëmbjes dhe guximit për të vazhduar përpara, aftësinë për t’u përshtatur me një realitet të ri dhe të festojmë për këtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.