OPINION

Arsimi Shqipëri – Kosovë pas “kilometrit” të parë, rruga përpara

17:53 - 01.12.20 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pse ky titull? Për dy arsye. E para lidhet me natyrën skeptike ndaj ndryshimit që dallon arsimin dhe sistemin që e siguron atë. Kudo në botë, reformat arsimore dizajnohen dhe jetësohen përmes përpjekjeve, kundërshtive dhe këmbënguljes së reformuesve.




E dyta, sistemet tona arsimore e kanë përshkruar tashmë “kilometrin e parë”. Sipas studimit të ekipit të studiuesve shqiptarë e kosovarë, publikuar pak muaj më parë, tashmë, sistemet janë konsoliduar mirëfilli dhe po bashkëpunojnë, edhe pse disa zona të tyre u ngjajnë arkipelagëve arsimorë. Do donim më shumë, sigurisht, por kjo kushtëzohet nga kontekstet historike, shoqërore dhe politike të kohës së shkuar. Por dhe nga humoret, hatërmbetjet apo devijimet që kanë pështjelluar jo pak. Tani, kur shoqëritë e dy vendeve tona po evoluojnë, kur synimet për arsim cilësor janë qartësuar mjaftueshëm, është koha të ecim më shpejt. Edhe pse dimë që nuk ka “përgjigje të lehta” apo “zgjidhje të gatshme” për problemet që përballim. Pasi, mund të kemi ide, aftësi depërtuese, mendime të ndryshme dhe të orientohemi drejt, por asnjëherë nuk do dimë saktësisht si duhet të veprojmë. Ne mund ta kuptojmë udhën që po ndërtojmë, vetëm pasi të kemi shkelur mbi të. Sepse vlen më shumë ajo që mëson, pas asaj kur i di të gjitha.

Në kontekstin historik, sistemet tona arsimore kanë funksionuar ndaras, bashkëpunimi ka qenë i kohëpaskohshëm dhe i ndikuar nga faktorët politikë. Lidhjet e para u vendosën në 1941, kur qindra mësues nga Shqipëria shkuan në Kosovë për të organizuar mësimin në shkollat e sapohapura. Pas L2B, komunikimi u ndërpre, çka vazhdoi deri në 1968. Në këtë vit, filloi bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës, që rezultoi me shkëmbime të stafit akademik, deri në vitin 1981. Më pas, dekada e ndërprerjes së komunikimit. Autoritetet e kohës e vlerësuan bashkëpunimin në arsim si një faktor që krijonte ndjenja nacionaliste dhe irredentiste te shqiptarët në ish-Jugosllavi. Në vitin 1992, filloi faza e re e bashkëpunimit. Shqipëria zgjodhi rrugën euroatlantike, ndërsa Kosova krijoi sistemin paralel të arsimit, për t’i mbijetuar dhunës serbe. Përkundër shtypjes së egër që ushtrohej në Kosovë, në periudhën 1992-1999, u publikuan disa tekste shkollore, u punua për harmonizimin e programeve mësimore dhe u rivendos bashkëpunimi akademik në sektorin e Arsimit të Lartë (AL). Prej vitit 1999, kur përfundoi lufta me Serbinë, bashkëpunimi mes institucioneve arsimore nis të përmirësohet, pa formalizëm të tepruar, por dhe pa pritshmëri të larta. Nga viti 2010, janë nënshkruar 6 marrëveshje ndërshtetërore (prej të cilave 5 nga qeveritë socialiste) dhe disa marrëveshje mes institucioneve të AL.

Në 8 mars 2010 nënshkruhet “Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës”, e pasuar nga disa marrëveshje të nënshkruara prej institucioneve të AL.

Në 3 qershor 2014 nënshkruhet “Marrëveshja për unifikimin e kurrikulës së dy sistemeve arsimore”. Kurrikulat për arsimin parauniversitar (APU) do të kenë rezultate të nxëni afërsisht të njëjtat; standarde unike të teksteve shkollore me kritere të përbashkëta për vlerësimin dhe certifikimin e tyre.

Në 23 mars 2015 arrihet “Marrëveshja për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve në APU”. Agjencitë përkatëse do të sigurojnë produkte me vlerë për zbatimin e kurrikulave të reja, vlerësimin e nxënësit, procesin e hartimit dhe përzgjedhjen e teksteve të reja sipas koncepteve metodologjike të reja etj.

Në 23 mars 2015 arrihet “Marrëveshja për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”. Shteti shqiptar ka furnizuar diasporën me tekste falas, sipas kërkesave të paraqitura, në masën 3-5 milionë lekë të reja në vit, për shkollat e mësimit plotësues në diasporë. Shteti kosovar ka përgatitur 3 tekste shkollore dhe 19 fletore pune për mësimin e gjuhës shqipe. Me qindra mësues nga diaspora janë trajnuar në seminaret në Shqipëri dhe Kosovë. Me mbështetjen e Fakultetit të Edukimit të Cyrihut, në intervalin 2010-2013, janë trajnuar mbi 200 mësues për punën me tekstet shkollore etj.

Në 23 mars 2015 nënshkruhet “Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e AL dhe kërkimit shkencor”. Në këtë kuadër, bashkëpunimet më të shpeshta vërehen në fushën e bujqësisë. Shumica e aktiviteteve dhe shkëmbimeve kanë në fokus procesin mësimor, jo kërkimin shkencor. Në fushën e kërkimit, të dy vendet kanë shpallur për herë të parë thirrjen për projekte të dyanshme Shqipëri-Kosovë, me të cilën planifikohet të mbështeten 10 projekte, për një periudhë 2-vjeçare etj.

Nga 7 maj 2019 e në vijim, po punohet për të konkretizuar “Protokollin e bashkëpunimit shkencor-teknologjik me dy shteteve tona”.

Edhe pse të dhënat për përmasat e bashkëpunimit në sektorin e arsimit mund të ishin më domethënëse, në të dy anët e kufirit shprehet vullneti dhe bindja se kapacitetet, hapësirat dhe mundësitë mund të shfrytëzohen më mirë. E që ky proces të ndihmohet, do duhen riorganizuar mjaft elemente. Fillimisht, duke ripërcaktuar qartë qëllimet e përbashkëta arsimore, përparësitë dhe strategjitë gjegjëse. Çka kërkon përpjekje për ndërtimin e besimit të ndërsjellë, vizion imponues për arsimin kombëtar të komunikuar me pasion dhe financime për veprimtari në të gjitha nivelet arsimore. Objektivat dhe veprimtaritë pritet të prodhojnë rezultate ndërveprimi, disa syresh të unifikuar, të tjerët komplementarë. Te të parat, përfshihen tekste shkollore të njësuara për fushat e identitetit kombëtar (lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe, historia e popullit shqiptar etj.). Këtyre mund t’u shtohen librat për lexime, përmbledhje detyrash, fjalorë, platforma online në shqip, burime dhe mjete elektronike etj. Me vlerë çmohet bashkëpunimi profesional i Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Shqipëri dhe Njësisë për Vlerësim dhe Standarde të Kosovës, për testimet kombëtare në APU.

Disa rezultate mund të jenë komplementare. Zhvillimi dhe përfarimi i standardeve për drejtuesit e shkollave, për çka Shqipëria po zhvillon një përvojë interesante me shkollën e saj të drejtorëve, mund t’i shërbejë Kosovës si përvojë e gatshme. Ndërkaq, mësuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga përvojat e mjaft shkollave në Kosovë të cilat kanë arritje në fushën e përdorimit të mjeteve digjitale në procesin mësim-edukativ. Gjithashtu, mund të përfarohen sistemet për certifikimin fillestar të mësuesve (provimi shtetëror për marrjen e licencës), ku Shqipëria ka krijuar përvojë, ndërsa Kosova ndodhet në prag të krijimit të strukturës institucionale për zbatimin e ligjit për profesionet e rregulluara etj.

Për rezultatet e pritshme kërkohen investime dhe kapacitete institucionale të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova, tani, kanë sistem parauniversitar dhe kurrikula zyrtare të unifikuara. Zbatimi i kësaj kurrikule është sfidë, pasi kërkon mbështetje profesionale për mësuesit dhe shkollat, tekste dhe mjete mësimore që u përgjigjen kërkesave, si dhe monitorimin e përparimit të nxënësve për identifikimin dhe mënjanimin e të metave. Sa u takon formimit universitar dhe zhvillimit profesional të mësuesve, mund të përfarohen standardet përkatëse, si bazë për hartimin e programeve universitare dhe të trajnimit të vazhduar.

Vullnetin politik, bazuar në interesat arsimore të shoqërive tona, e shprehin jo vetëm marrëveshjet dhe arritjet e deritanishme, por edhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të AL dhe komuniteteve shkencore të dy vendeve, përmes projekteve të përbashkëta kërkimore. Bashkëpunimi mund të ndihmohet nga krijimi i skemave të mbështetura financiarisht prej qeverive të cilat mundësojnë mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe programe studimi të përbashkëta në arsimin e lartë. Për këtë, mund të shërbenin marrëveshje ndërshtetërore për krijimin e fondit të përbashkët për mbështetjen e lëvizjes (mobilitetit) në AL.

Me vlerë të posaçme vlerësohet edhe njohja e ndërsjellë e diplomave dhe kualifikimeve, me qëllim rritjen e mobilitetit. Investimet dhe arritjet në këtë aspekt i shërbejnë edhe krijimit të tregut të përbashkët arsimor, homolog i atij evropian, ku pluralizmi arsimor/ kulturor është normë. Sidomos, nga këndvështrimi i gjithëpërfshirjes politike, shoqërore dhe arsimore, ndërhyrjet dhe politikat strategjike për unifikimin e tregut të punësimit janë të nevojshme për të mbështetur, madje, për të garantuar barazinë e mundësive në arsim dhe trajnim, si anëtarë me të drejta të plota të shoqërive tona.

Dëshirojmë të ripohojmë sërish se, tani, në të dy anët e kufirit, është koha të reflektohet mbi kohën e humbur në këto vite lirie dhe të investohet edhe për një treg arsimor të përafruar, të integruar, me qasje të njëjta sektoriale ndaj asaj që duhet të nxënë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në shkolla/ universitete. Që të formohen si qytetarë të denjë në realitetin e nesërm evropian, jo qytetarë të dorës së dytë, apo më keq akoma, çirakë me njohuri e kompetenca gjysmake.

*Tiranë, më 30.11.2020

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.