KULTURË

Lumturia dhe Louise (dhe fjalët që vrasin)

17:55 - 01.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Eleni Laperi* – M’u kujtua Lumturi Blloshmi vite më parë në Paris, kur dola nga ekspozita e artistes Louise Bourgeois dhe u ula në një kafene aty pranë qendrës “Pompidou” të lexoja disa shkrime mbi ekspozitën. Them ‘m’u kujtua Lumja’, se pa dashje pashë ngjashmëri midis saj dhe Bourgeois. Jo në veprat e tyre. Në karakterin e tyre.




Të dyja kishin pasur një jetë të vështirë, po të vështirë ndryshe. Fjala ‘e vështirë’ është si një shtëpi e madhe, që mbledh shumë ‘të vështira’ brenda saj. ‘E vështira’ mund të jetë e dhimbshme, e shëmtuar, e padurueshme, e papranueshme për disa, po mund të jetë edhe e bukur, sepse gjithë gjërat e mëdha lindin nga ‘e vështira’. ‘Të vështirat’ janë të ngjashme, sepse të përbashkët kanë të gjitha mundimin me të cilin përballohen, guximin që të duhet t’i përballosh, problemet që nxjerrin, vështirësinë që shfaqin për t’i kuptuar, suksesin që i ndjek kur i kapërcen. Po janë edhe ndryshe nga njëra-tjetra për shkak të arsyeve, rrethanave në të cilat lindin e zhvillohen.

Të dyja, Louise dhe Lumturia, ishin gra të forta, të ndjeshme, të talentuara, inteligjente, me karakter të vështirë, luftarake, që u përballën me vështirësi të mëdha dhe i kapërcyen. Të dyja kishin nënën si figurën thelbësore të formimit të tyre. Po nëse Bourgeois u lind në Paris e jetoi në New York, dy qendra të mëdha të artit, udhëtoi e u edukua në shkolla arti të mëdha, Lumja u lind e jetoi në Tiranë, në një qytet i cili edhe sot përballet me mospërfillje për artin, sepse ngrihet nën trysninë e hijeve të diktaturave e mangësive intelektuale. Kjo përcaktoi edhe vështirësinë ‘ndryshe’ të jetës së saj. Megjithatë, sa herë takoheshim, më tregonte për familjen e saj, për personazhet e shquar të fisit të nënës e babait, duke dashur të më tregonte përse ajo ishte ‘Lumja’. Më fliste për babanë, që e njohu vetëm nga fotografitë e Marubit, po më shumë për nënën, e cila ishte në themel të jetës së saj. Sepse Lumja humbi dëgjimin që në moshën 5-vjeçare. Dhe: ‘Sikur të kisha një nënë tjetër, e cila padyshim do më mbante mbyllur apo gjithnjë pranë saj për të më mbrojtur, unë do të isha tani një njeri krejt tjetër, një qenie e pazonja për jetën. Nëna ime më dërgoi në shkollë, më mësoi të mos qahem për vështirësitë, po t’i përballoj, duke më shtyrë të dilja, më dërgonte të blija bukë, më linte të lirë të shoqërohesha e të luaja jashtë me fëmijët e tjerë, më mbante kasetën kur shkoja në rrethinat e Tiranës për peizazh. Dhe unë u bëra kjo që jam.”

Nëna ishte edhe arsyeja që Lumja e respektonte familjen e saj, të cilën e kishte të shenjtë. Askujt nuk i lejonte të prekte, për çfarëdo arsye, ndonjë pjesëtar të familjes, duke filluar që nga më i madhi, vëllai i saj, e deri te më e vogla, vajza e mbesës së saj. Gjithnjë donte që familja e saj të shihej nën një dritë të bukur, duke vënë në pah cilësitë më të mira të pjesëtarëve: babai, majori i edukuar në Vjenë, i cili jo vetëm u pushkatua pa gjyq në vitin 1945, po ia rrëmbyen e ia zhdukën gjithë librat, dokumentet, fotografitë; nëna, pinjolle e një familjeje të madhe, të kulturuar, një grua e urtë, e mençur, që e shihte me buzëqeshje ndonjë grua që i vardisej burrit të saj simpatik; vëllai, i cili ishte ‘më i talentuar se unë’, thoshte Lumja, por që në moshë të njomë provoi burgun dhe internimin, që ia ndryshuan jetën; mbesa, artistja e talentuar e Cirkut, dhe vajza e saj e vogël, për të cilën Lumja thoshte se i ngjante si karakter e prirje; nipi i madh, piktori që ishte larg, dhe djali i tij i vogël, që i dërgonte pikturat e tij, duke e gëzuar pa masë; nipi i vogël, balerini solist i teatrove të mëdha në Kanada e Francë. Pastaj vinte daja dhe familja e tij, e cila kishte qenë mbështetja e familjes së saj pas vrasjes së të atit. Rendiste pjesëtarët e familjes së të atit, Blloshmët, që duke nisur nga Mesjeta kishin nxjerrë luftëtarë, diplomatë, të shkolluar në shkollat e Evropës apo të Turqisë. E kishte peng që në themelimin e Normales së Elbasanit nuk përmendej se ishte edhe një Blloshmi.

Në fotot: Lumturi Blloshmi, Occasione-liquidazione totale. Performancë, 2010. Louise Bourgeois as the mother of spiders. Photo Peter Bellamy
Në fotot: Lumturi Blloshmi, Occasione-liquidazione totale. Performancë, 2010. Louise Bourgeois as the mother of spiders. Photo Peter Bellamy

Kur fliste për ta, Lumja i zgjidhte fjalët me shumë kujdes. Ajo lexonte shumë, edhe në frëngjisht. Lexonte letërsi artistike, po i pëlqente shumë edhe filozofia. Soren Kierkegaard ishte filozofi i saj i preferuar. Tekstet që autorë të ndryshëm shkruanin për veprat e saj i lexonte me kujdes, me sy mjaft kritik. Nuk i pëlqenin fjalët e tepërta e nuk ta përtonte të ta thoshte. Nuk ishte e lehtë shoqëria me të, si nuk është e lehtë shoqëria me njerëz të mëdhenj. Shpesh kur ndaheshim, më thoshte: Pse nuk shkruani për mua, ti ose Zana? I thosha se nuk e kam të lehtë, pasi po merrem me një periudhë tjetër të artit shqiptar, dhe mangësitë e edukimit që kisha marrë në shkollë më detyronin të kthehesha e të studioja vetë për t’i plotësuar. Që të shkruaja për të, duhej të studioja tjetër periudhë, të tjerë autorë. Më duhej kohë. Megjithatë i thashë se nisa të mblidhja të dhëna e të mbaja shënim fjalët e saj. E kuptoja që ajo donte ta linte të kryer edhe këtë pjesë të jetës së saj: një libër për të, të shkruar nën kontrollin e saj.

Sepse pati raste kur fjalët e shkruara e ‘vranë’. Një ditë, kur u takuam si zakonisht të pinim kafe te kafeneja pranë shtëpisë së saj, (që e quante ‘te bukuroshja’, pasi në muret e kafenesë ishin varur foto me portrete të aktores Audrey Hepburn), më tregoi me një trishtim të madh një tekst të shkruar për të nga dikush, që ajo deri atë ditë e kishte respektuar shumë. ‘Shiko çfarë ka shkruar’, më tha e pezmatuar e më zgjati librin. E lexova tekstin dhe u tmerrova. Për të shkruar për jetën e veprën e saj, autori kishte përdorur fjalë, që në shqip tingëllojnë si fyerje. Desha të mendoj se shkak ishte injoranca gjuhësore e autorit, jo shpirtligësia. Po në të dyja rastet ai tekst ishte turp për autorin. Teksti e kishte preku thellë Lumen, që aq shumë kujdesej ta linte të shkruar jetën e veprën e saj me fjalë të zgjedhura të gjuhës shqipe.

Gjuha shqipe është e pasur, ka fjalë që jo të gjithë i njohin, se në fjalorët e gjuhës sonë ende nuk i gjen të gjitha fjalët e të gjitha dialekteve. Po edhe ato që janë, janë të mjaftueshme për t’u dhënë gjithë atyre që shkruajnë mundësinë të shprehen pasurisht. Është në dorë të atyre që marrin përsipër të shkruajnë cilat fjalë zgjedhin. Ose më mirë, përzgjedhja e fjalëve është në varësi të botëkuptimit apo të formimit të tyre intelektual.

Unë nuk kam pushtet, pra nuk kam në dorë asgjë, që do të më jepte mundësinë t’i detyroj të tjerët të kenë kujdes kur zgjedhin fjalët, sidomos kur nisin të shkruajnë për Lumturi Blloshmin. Po mund të them se, duke zgjedhur fjalë fisnike, ne respektojmë jetën dhe veprën e saj. Të mençurit gjithnjë na këshillojnë të shkruajmë vetëm për atë që shohim me sytë tanë, për atë që dëgjojmë me veshët tanë, pra vetëm për atë që dimë me siguri. Nëse nisim të shkruajmë në gjaknxehtësi e sipër dhe nxitojmë ta kthejmë mllefin në fjalë të shkruara, më mirë ta lëmë tastierën e të qetësohemi një ditë, dy ditë, derisa zemërimi të shuhet, derisa mendimet të na qartësohen e të shkruajmë gjëra me vlerë. Sidomos për një personazh të veçantë si Lumturi Blloshmi.

*Marrë nga blogu i kritikes së artit

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.