SHËNDET

Mjeku Ilir Allkja: Vetëvrasja e pacientëve në spitale, skandaloze. Të nisë hetimi

12:31 - 01.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Vetëvrasjet e pacientëve në spitalet COVID janë skandaloze dhe drejtësia duhet të ndërhyjë urgjentisht. Kështu ka deklaruar mjeku Ilir Allkja gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare” ku zbardh situatën reale që po kalon sistemi shëndetësor në vend në këtë gjendje të vështirë pandemie. Ai thekson se nga njëra anë popullata shikon atë që servir qeveria dhe nga tjetra qëndron realiteti: një amulli me njerëz të sëmurë në shtëpi, mungesa pajisjesh e humbje jetësh në radhët e bluzave të bardha. Allkja më tej shton se nuk mund të ketë mjekësi moderne kur qeveria investon vetëm 2.8% të GDP për shëndetësinë.




Si po menaxhohet situata e pandemisë nga sistemi shëndetësor në Shqipëri?

Situata e pandemisë ashtu si gjithë jeta social ekonomike në këtë vend ka 2 aspekte: realin, të cilin e përjetojnë çdo ditë shqiptarët si dhe atë virtualin që propagandon qeveria. Realisht ka amulli, njerëz që po vuajnë nëpër shtëpi, spitale si dhe të tjerë që kanë frikë nga dita e nesërme, përkundër propagandës qeveritare që jep filma për mjekësi me 5 yje , e madje pa turp propagandohet për standarde të barabarta me Gjermaninë e Francën, ndërkohë që ne jemi shumë poshtë vendeve ballkanike.

Ka pasur raste ku bluzat e bardha kanë humbur jetën nga virusi. A është i pajisur personeli shëndetësor me mjetet e duhura për tu mbrojtur nga sars cov 2?

Fatkeqësisht ka pasur më shumë se 20 humbje jetësh në radhët e bluzave të bardha. Që në fillim të pandemisë unë dola me një videomesazh ku kërkoja të kurseheshin jetët e bluzave të bardha e jo mjetet mbrojtëse. Qeveria e paaftë të pajiste siç duhej mjekët, e politizoi mesazhin tim, unë u kërcënova publikisht në mënyrë që të heshtnin karshi mungesave.

A jeni detyruar t’i blini vetë maskat, dorezat apo dezinfektantët?

Realisht kam blerë më shumë se 4 herë nga më shumë se 50 copë maska ffp2 tek platforma Aliexpress, pasi këto lloj maskash që ofrojnë një mbrojtje mesatare, pasi ideale janë ffp3 , ndërkohë që ne furnizohemi kryesisht me maska kirurgjikale të cilat nuk kanë asnjë siguri në mbrojtjen ndaj coronavirusit.

Sa i rrezikuar është personeli shëndetësor?

Të gjithë janë të rrezikuar, por mjekët, infermierët e personeli i ndihmës janë më shumë se sa të tjerët, sepse ju shërbejnë pikërisht të sëmurëve.

Si e gjykoni faktin që çfarëdolloj problematike që kanë pacientët, ia adresojnë mjekëve; pavarësisht se mund të jenë përgjegjëse instanca të tjera?

Kjo është skandaloze. Akuzohen mjekët për mungesat, ndërkohë që është qeveria që duhet t’i plotësojë, akuzohen mjeket për shërbimin pa cilësi ndërkohë që janë strukturat shtetërore që duhet ta rregullojnë e ta standardizojnë. Mos harroni ne jemi vend pa protokolle mjekësore, e lër këtë përsëri fajësohen mjekët e jo strukturat burokratike që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Populli jonë historikisht i ka rënë samarit, prandaj jemi në këtë derexhe, pa arsim dinjitoz, pa gjykata, pa shërbim mjekësor cilësor, të varfër e pa shpresë.

A ka mjaftueshëm mjekë e infermierë për menaxhimin e pandemisë në vend?

Shqipëria ka rreth 1.1 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që Somalia ka 1 mjek për 1000 banorë . Fqinji jonë, Greqia ka mbi 5.6 mjekë për 1000 banore, ndërsa Bosnje Hercegovina ka 3.2 mjekë për 1000 banore. llogaritini vetë sipas qejfit, janë shifra që i gjeni në të gjitha raportet vendase apo ndërkombëtare, për arsye se unë sa herë flas me akuzojnë për politikë, pikërisht ata që nxehin duart pas qeverisë.

Një tjetër vetëvrasje ndodhi sot (dje) në spitalin “Shefqet Ndroqi” i njohur si Covid 2. Pse pacientët e prekur ndërmarrin akte të tilla? Çfarë duhet të bëjë Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar ngjarje të tilla në vazhdim?

Është skandaloze që në institucionet e ruajtjes, shpëtimit të jetës të ketë vetëvrasje. Nuk ndodhin askund, në asnjë spital të botës, pale çfarë shpif pa turp kryeministri i vendit. Duhet doemos që drejtësia që do të vijë, pasi kjo e tashmja është kokë e këmbë vegël e regjimit. Çfarë do të ishte zgjidhje adekuate për t’i dhënë kohë personelit shëndetësor pa e kaluar sistemin në kolaps? Cilat janë masat që mund të minimizojnë infektimin?

Së pari, nuk mund të ketë mjekësi moderne me këtë nivel financimi, qeveria investon vetëm 2.8% të GDP për shëndetësinë, ndërkohë që Bosnjë Hercegovina e ka mbi 6%, duhen rritur paratë që investohen në sistem, dhe më e rëndësishmja, të mos vidhen. Tjetër është mungesa e besimit në popullatë, këtë e sjell përçarja që ndodh mes mjekeve, quhen mjekë të mirë ata që bëhen vegël e regjimit, dhe militantë ata që e kritikojnë keqmenaxhimin. Duhet të ketë transparencë e profesionalizëm në menaxhim, këtu fillon ngritja e besimit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.