Kryesore

Kryemadhi: Shtyhet Konventa Kombëtare e LSI

17:13 - 03.12.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka vendosur që të shtyjë prej pandemisë Konventën Kombëtare të LSI që duhej të mbahej më 5 dhjetor.




Kryemadhi shkruan se shkak për ketë është bërë përkeqësimi i situatës prej pandemisë dhe jo vetëm kaq, por edhe mosveprimi i qeverisë ndaj kësaj situate.

FJALA NGA MONIKA KRYEMADHI

Të dashur anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim;

Simpatizantë dhe votues të saj të shumtë anë e mbanë vendit dhe gjithkund tjetër ku jetoni dhe punoni në mbarë botën;

Në kushtet e përkeqësimit t vazhdueshëm të situatës prej pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi covid -19 dhe efektet e mëdha negative të ndikimit të tij jo vetëm në jetën e gjithësecilit prej nesh, por edhe në të gjithë jetën e vendit;

Në kohën kur do të duhej që e gjithë vëmendja dhe angazhimi shtetëror, kur qeveria dhe institucionet në varësi të saj, të kishin në fokusin e angazhimit dhe veprimtarisë së tyre mbrojtjen e jetës së çdo qytetari shqiptar dhe marrjen e masave lehtësuese në rrethanat e pamundësisë së ushtrimit të aktivitetit në kushte normale;

Përballë fakteve e dëshmive të shumta rrënqethëse, kur mosveprimi dhe përpjekja për të bërë fajtor qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur është bërë vijësjellje e qeverisë;

Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020;

Duke qenë e bindur në mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj për vendimin që po shpall sot publikisht, dua të theksoj se solidariteti dhe bashkëveprimi, vendosmëria dhe guximi qytetar, humanizmi, dashuria për njeriun dhe respekti për jetën e gjithësecilit, mirënjohja për njerëzit e sakrificës dhe për të gjithë ata që shërbejnë në kushte skandaloze, edhe pse janë në vijën e parë të luftës me të keqen, janë e do të mbeten busulla e orientimit të çdo qëndrimi dhe vendimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

 

Vendimi për shtyrjen e mbajtjes së Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk e afekton veprimtarinë e përditshme të strukturave tona në të gjitha nivelet e në të gjithë vendin.

Trupa e delegatëve përfaqësues nga çdo bashki, si strukturë legjitime e zgjedhur me parimin “një anëtar – një votë” në zgjedhjet e 21 nëntorit, shndërrohet në shtabin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkinë respektive, dhe do të vazhdojnë pa asnjë ndërprerje nën drejtimin e të deleguarve në çdo qark, përmbushjen e detyrave të parashikuara në kalendarin tonë politik dhe elektoral.

Të dashura motra,

Të dashur vëllezër shqiptarë!

Të gjithë ne, por dhe e mbarë bota, po përballemi me një situatë të paprecedentë.

Prandaj, Lëvizja Socialiste për integrim, që prej kur u shfaq pandemia e në vijimësi, ka refuzuar të bëjë politikë me pandeminë.

Por ndërkaq, nuk do të lejojmë askënd që pandeminë ta përdorë për politike.

Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën.

Në emër të dashurisë për jetën, unë ju ftoj sot që ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t’i gjendemi në krah në këtë kohë të vështirë çdo njeriu në nevojë.

Eshtë koha ta mundim të keqen, është koha të fitojmë mbi të keqen dhe ne të gjithë bashkë do t’ia dalim!

Zoti ju ruajttë ju të gjithëve!

Zoti e ruajttë Shqipërinë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.