KULTURË

Rikthimi i Ernest Koliqit në një botim, kur replikonte me Kordinanjon

17:40 - 03.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Një botë që ruhet tashmë vetëm në letërsi, por me një stil që gjen vend lehtë ende sot. Nëse së gjeri njihet për “Tregtar flamujsh” që e përdorim saora në ligjërimin e përditshëm e për mungesën e integritetit a dinjitetit njerëzor që përkulet si thupër në duar të forta, Ernest Koliqi, portretizon së gjeri një shoqëri qytetëse përmes një stili elegant. Një përmbledhje e sapobotuar novelash së fundmi nga “Berk”, shkrimtari i anatemuar, që, po, pati qenë edhe ish-ministër, për çka u damkos e çka është ende sot e diskutueshme, rivjen i plotë e origjinal. Çka del në pah që në parathënien e Ardian Ndrecës, është mënyra si u prit 90 vjet më parë, mes kritikave e vlerësimeve të Fishtës a Kordinanjos që duke çmuar rioshin e letrave kundërshtojnë çka për ta, është mungesë e “frymës së rracës” e tepri dashunie. Ndreca vetë, ka një qasje mbi çka përbën vepra e Koliqit, “nji shpirt të ri, perëndimor, jetës shqiptare”. Me endjen e “andrrën me krijue nji ambjent qytetar, mundsisht pa shkatrrue gjithçka që kemi trashëgue”. Përtej një nihilizmi të mundshëm e shumë dasive me Migjenin, a ata që sipas kritikës Koliqi duhet të ndjekë si Kristoforidhi, vepra e tij është një letërsi ndryshe që për 40 nga këta 90 vjet të jetës së saj na qe mohuar, e diçka që mohohet e ndalohet, përtej dëshirës për ta zbuluar, është doemos, një dokumentim që duhet njohur për të kuptuar peshën e një mendimi, që nuk duhej ta dinim.

Te novelat e botuara në këtë edicion anastatik, lexuesi gjen gjenealogjinë e peizazheve të jetës urbane shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX: teknika, shkolla, marrëdhëniet e reja në prodhim, universitarët që vinin nga jashtë shtetit, shtendosja politike e viteve ‘30, emancipimi i përgjithshëm shoqëror. Ky botim nën kujdesin e Ardian Ndrecës, përfshin novelat dhe tregimet:
“Tregtar flàmujsh”, “A t’a laçë…”, “Anmiku në shtëpi”, “Dram i vogël”, “Vêna shtatëvjeçe”, “E gjeti mbas shimshirit”, “Vaji i qitun”, “Bylbylat e Plepishtit”, “Duert e nânës”, “Kumbulla përtej murit”, “Rrokòll”, “Një ngjarje në rrugacën”, “Kazenaj”, “Nji ditë prej ditsh”, “Lumnija”, “Hânë gjaku” dhe “Djepi i ari”.

Nga Ardian Ndreca

Vrumulisjet e shpirtit qytetar, Koliqi mes nesh

Na ndajnë nandë dekada prej botimit të vëllimit të parë me novela të Ernest Koliqit dhe diçka ma pak prej atij të dytit. Për ma se katër dekada veprës së tij i mungoi lexuesi, pse si ajo, si vetë autori vuejtën nji damnatio memoriae prej regjimit komunist. Mbas vitit 1990 Koliqi, së bashku me nji plejadë autorësh të tjerë u rikthye në atdhe. Zbraztia e gjatë druhej të kishte qenë vdekjepruse për artin e tij pa lexues, por s’ishte ashtu. Për hir të së vërtetës ndodhi nji mitizim i menjihershëm i veprës së tij, i kuptueshëm për rrethanat dhe i diktuem prej mungesës së instrumentave konceptual të atyne që mtonin me e interpretue modernitetin e Koliqit tue pasë njohtë vetëm nji lloj letërsie dhe realiteti shoqnor e politik. Kuptohet që edhe largësia kohore prej botës koliqiane dhe romantizimi që rridhte prej asaj largësie luenin rolin e vet. Lumi i banaliteteve që u shkrue për të e damtoi pothuej aq sa heshtja që i kishte parapri për dekada. Megjithatë vepra e tij, ashtu si vepra e çdo shkrimtari të madh, jeton edhe pa kritikën letrare dhe paraqitet e freskët edhe sot. Dekadat që na ndajnë prej botimit të kësaj vepre, ato tjerat që hynë në mes me funksionin shurdhues të heshtjes, janë shoqnue prej ndryshimesh rranjësore që ka njohtë shoqnia jonë dhe shijet artistike të shqiptarëve. Të gjithë këto faktorë ndikojnë në receptimin e artit të Koliqit. Por vepra e tij nuk asht nji hortus conclusus, ajo jep dhe merr me lexuesin. Thjeshtësia e fabulës, gjuha, figuracioni, bajnë që novelat e Koliqit ta ruejn të paprekun edhe sot hirin e tyne. Tek ato novela gjen gjenealogjinë e peizazheve të jetës urbane shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Teknika, shkolla, marrdhanjet e reja në prodhim, universitarët që vinin prej jashtë shtetit, çtendosja politike e viteve ‘30, emancipimi i përgjithshëm shoqnor – të gjitha këto të shtynin me shpresue tek krijimi i nji realiteti të mirëfilltë urban. Andrra do të zgjaste tepër shkurt pse mbas vitit 1944 do të kishte nji kthim të vrazhdë tek ruraliteti i zhveshun prej çdo romanticizmi, i dhunuem si natyrë dhe i ideologjizuem deri në palc. Për ma se katër dekada nji sasi marramendëse e veprave të realizmit socialist s’do të ishin tjetër veçse sekretime antiurbane. Koliqi asht skofiar, novelat e tija janë qytetëse dhe qytetnuese, e nji gja e tillë mundet me zanë fill vetëm në koordinatat e hapsinës urbane. Pajtimi i natyrës me shpirtin në veprën e tij asht interpretue gabim si injorim i realitetit, pse ai pajtim nuk ndodh në kurriz të asnjenës palë. Pajtimi i të kundërtave dhe tejçimi i nji klime urbane të çtendosun tek Koliqi nuk bahet tue fshi dhe thjeshtëzue kontradiktat, por tue i ruejt ato dhe tue ofrue rast për rast zgjidhjen ma të përshtatshme, kur ajo ekziston. Autorë të tjerë të asaj kohe fetishizonin të kaluemen, përqendroheshin tek elementi foklorik, himnizonin natyrën, rendnin mbas manjerizmave, skiconin rrugëdalje naive.

Koliqi asht në pararojë pse natyralizon gjendjen e krijueme dhe përpiqet me i dhanë nji shpirt të ri, perëndimor, jetës shqiptare. A ka diçka prej asaj që përshkruen shkrimtari shkodran që i ka mbijetue vetvetes? Mbijeton ende andrra me krijue nji ambjent qytetar, mundsisht pa shkatrrue gjithçka që kemi trashëgue. Vetëm Migjeni mund të qëndrojë përballë tij në nji tentativë të ngjashme, por me mjete stilistike, me nji mendësi dhe me rezultate krejt tjera. Të dy janë asimetrikë me kohën në të cilën kanë jetue dhe krijue. Koliqi ndjek atë që asht e formësueme e mton me thadrue sinteza të reja, Migjenin e tërhjekë e deformuemja, i pari asht ndërtimtar, romantik dhe beson tek zhvillimi i asaj që ekziston, i dyti asht nihilist, antimetafizik, melankolik dhe andrron nji përmbysje të madhe. Koliqi ka zbritë prej mermerit të klasikëve si Fishta e Mjedja tek guralecat e thjeshtë dhe i thur himne arsyeve të zemrës që flladisin të renë që po lind në rrënojat e nji bote të perëndueme. Migjeni nuk ka frikë me zhytë duert e llanat në baltë, me kundrue epërsinë e kaosit shpirtnor prej të cilit pret me lindë nji botë të re, tek ai asht e gjallë gjithkund nji luftë shpirtnore me të vjetrën të cilën e barazon me të shëmtuemen. Të dy e admirojnë njeni-tjetrin, por arti i vërtetë asht nji republikë ku shpirti flet me shumë zane. Në fund të jetës së tij Ernest Koliqi do të mbrohej prej akuzave të pathemelta që i vinin prej kritikëve të Tiranës tue thanë se dashamirësinë e tij ndaj Migjenit e kishte shprehë në disa rasa, pikësëparit në gradimin e tij si poet i faqes së tretë të Illyrisë dhe mbas vdekjes në përfshimjen e tij tek antologjia Shkrimtarët shqiptarë.

Personazhet dhe historitë që rrëfen Koliqi janë në harmoni me sfondin qytetar prej kah vijnë, personazhet e Migjenit e shqyejnë pëlhurën e zhelosun të historisë, ato janë të krijueme me substancën e revoltës që vlon dikund në ferr dhe ndriçojnë me zbehtësinë e trupave të tyne sfondin prej kah kanë dalë. Koliqi zotnon penelatat e sigurta të atij që s’don përmbysje por ndryshim, përkundër Migjeni ka nji floret me të cilin e shqyen dhe e ban copë peizazhin shpirtnor që e rrethon, por njikohsisht ndien edhe pafuqinë e armës së tij. Migjeni asht utopist që s’ka lanë kênd mbas vetes. Ata që ma vonë janë mundue me e përvetësue e kanë ba veç prej hallit pse s’kanë pasë asnji pikë referimi me peshë filozofike e letrare në ambjentin kulturor të gjysmës së parë të shekullit XX. Edhe lexuesi i thjeshtë e ka përceptue tashma idenë se ndaj Migjenit ambjenti në të cilin ai ka krijue s’ka qenë miqsor, mbasi nuk ka qenë i gatshëm me kuptue as gjuhën dhe stilin dhe as idetë e tija. Për Koliqin asht krijue idea e gabueme se ka qenë i përkëdheluni i kohës, i kërkuem i saloneve letrare dhe pakkush e din se kritika e kohës asht tregue e ashpër me të. Nëse Migjeni asht kalue në heshtje, ndaj Koliqit kanë vringllue shpatat dhe heshtat.

Asht e çuditshme sesi ndaj Koliqit krahu ma i ashpër kritik ka qenë kleri katolik, françeskan dhe jezuit, tue qenë se tek ai shihnin idena të rrezikshme për moralin e krishtenë dhe për indin e shoqnisë së brishtë shqiptare që po përballej me sfida të panjohuna ma parë. Asht vetë Át Gjergj Fishta që me pseudonimin Criticus i kushton në shtyllat të “Hyllit të Dritës” nji recension kritik “Hijes së Maleve”. Françeskani mbasi njeh vlerat e letrarit të ri, shenjestron novelën ma të dobtë të përmbledhjes, atë me titull ‘Gjaku’, tue nxjerrë në pah tek ajo nji farë determinizmi që pandehet se shtyn shqiptarët me mbetë barbarë mbasi “as shkolla as edukata qytetse, as ajo fetare nuk mjaftuekan me e çue në vend ket program per trajtimin e shqyptarit” porse “mjeti mâ i fuqishmi e mjekija mâ e aftë per ket punë âsht me xanë marak… Qe, si zbutet e njomet zemra e shqyptarit” . Fishta nuk kursen ironinë e tij për me nënvizue se ai vizion asht i gabuem dhe shqiptari mund të ndryshojë. Me këtë gja ai don edhe me mbrojtë aktivitetin e Kishës në ndriçimin e ndërgjegjeve dhe në përparimin e kombit. Ajo që s’mund të pranojë Fishta, klerik dhe njeri i formuem me shije klasike, asht nji frymë sentimentale gati epshore që ndihet në ato novela, frymë, vëren ai, që nuk e edukon por e zhburrnon shqiptarin. Dy shtylla të shkurta “Hijes së Maleve” ia kushton edhe Át Fulv Cordignano, i cili mbasi kryen ritin e lavdrimit të autorit të ri, nis tue e kritikue pse simbas tij tek përmbledhja nuk shungullojnë zanet e maleve por ato të Shkodrës, madje “jo të Shkodrës së vjetër, bujare, plot burrni e trimni por të Shkodrës së ré e të prishun”. Novelat, vijon jezuiti italian, paraqesin qytetin e ri që e ka mbulue “llomi i pseudo qytetnimit europjan” – e përfundon tue theksue sesi Koliqi asht shkëputë prej hullisë tradicionale të shkollës françeskane dhe shkrimtarëve si Mjedja e Kristoforidhi (sic). Tek e njejta e përditshme, Koliqi i drejton nji letër të hapun Cordignano-s ku pa e humb gjakftohtësinë mbrohet prej kritikave të padrejta dhe njikohsisht me përvujtni pranon kritikat e ashpra që Fishta i kishte drejtue pak ma parë. Ajo që e ka vra tek fjalët e Cordignano-s asht të vuemit në dyshim të ndjesive të tija kombtare. Përsa i përket novelës ‘Gjaku’, Koliqi, jam mundue me vu dukje nji plagë të randë të shoqnis shqiptare, mund të jem shprehë keq por qëllimi ka qenë i mirë, me e çrranjosë plagën e gjakmarrjes. Kurse skenat dashunore, sqaron autori, i kam vendosë veç mes të fejuemish apo atyne që janë drejtue kah fejesa. Kritikës tjetër simbas së cilës librit i mungon fryma kombtare në hullinë e Mjedjes e Kristoforidhit dhe ka në tepri nji frymë europiane, shkrimtari shkodran i përgjegjet se ai ka lavrue gjini tjera dhe krahasimi me shkrimtarët e naltpërmendun nuk ka vështrim. Edhe kritikës së fundit se gjoja librit i mungon “fryma e rracës” (lexo: fryma kombtare), Koliqi i gjegjet me recensionin e “Hyllit të Dritë”s që ia njeh kudo këtë frymë novelave të tija. Në fund përmbledhtas ai shkruen: “Lexuesi pa paragjykime dashunin për Atdhe e ndin në çdo frazë të librit tem. Kjo dashuni asht ndoshta pasunija e vetme qi novelat e mija kanë, por un vetëm për tê krenohem me ball nalt”. Replika e Cordignano-s nuk vonon , madje përposë ngutit tregon edhe njifarë bezdie – kur me zellin e pedagogut të ashpër i sillet shkrimtarit si të ishte tue folë me nji rishtar. Edhe nji herë ai thekson se libri nuk paraqet frymën e maleve por jetën e prishun të Shkodrës, se përshkrimi në letërsi i asi skenash dashunie – qofshin edhe mes bashkëshortëve – asht diçka e rrezikshme. Të kam porositë, shkruen Cordignano, me ndërthurë “frymën e racës” me elementat europianë, pse e ke teprue me këto të dytat e nuk ke ndjekë traditën klasike të letërsisë shqipe. Pak vite ma vonë Át Anton Harapi do të recensojë tek “Hylli i Dritës” vëllimin “Tregtar flamujsh” . Kësaj here fryma ndaj Koliqit asht ma pozitive dhe françeskani shirokas ia njeh vlerat e stilit, origjinalitetin, melodinë e gjuhës, por punctum dolens mbetë gjithnji raporti mes artit dhe moralit. Për Harapin qëllimi i artit asht naltimi shpirtnuer dhe “harti âsht në përkim me moral” – e gjithë kjo mbasi sqarohet se timoni i jetës sonë asht arsyeja dhe formimi i binomit arsye-liri. Menjiherë diskutimi kalon tek ”reforma e dokeve” të shqiptarit dhe tek mënyra dhe kriteret që duhen ndjekë për me ba nji gja të tillë. Kryefjala e françeskanit asht: “T’i ruejm visaret morale e shpirtnore te shqyptarit, e pá u bâ të huej, të qortojm ata shka na pengon e shenjon dobsì, e të marrim vetem shka na duhet e na nalton”. E prej aty ai ndjekë nji diskutim për mënyrën e fejesës, “dashuninë gjinore” dhe shpërdorimin e saj, imoralitetin. Frati i trembet pamatunisë në reformimin e dokeve të shqiptarit, mbasi simbas tij, kultura e mangët dhe të qenit i pamësuem me lirinë mundet me krijue probleme nëse gjithçka do të ndryshojë në mënyrë marramendëse. Prandaj edhe qortimi atnor ndaj Koliqit: “Po deshtet verte t’a edukoni popullin shqyptar, e jo t’a dejni, merrni para sysh fuqín morale e shkallen e kulturës shpirtnore të lezuesavet, e peshonje mirë shka atyne mund t’u baje “Hylli i Dritës”, kerçiku i shpirtit, e shka nuk u ban”. Rishtas Koliqi “akuzohet” se asht tepër modernist për nji shoqni si ajo shqiptare dhe se mjaft gjana të drejta e të mira që ai i trajton si të dobishme duhet të ketë parasysh se kujt ia ofron, pse ilaçi mund të jetë ma i rrezikshëm se vetë sëmundja. Nji kritikë mjaft pozitive, e nënshkrueme me inicialet S.B., i kushtohet gjashtëmbëdhjetë novelave të vëllimit “Tregtar flamujsh”, tek e përkohshmja Illyria. Autori nxjerr në pah meritat e Koliqit dhe vendin që ai zen në brezin e rinj të shkrimtarëve. Ai vlerëson landën e tij poetike, fantazinë, frymzimin, “shpirtin e fuqisë interpretative”, “pulsin e çelniktë” dhe len me kuptue se Koliqi asht tue punue për nji roman që ndoshta do të çilin nji kapitull të ri në letërsinë shqipe. Lasgush Poradeci ka tregue në vitet ’70 se kur pat lexue vëllimin me novela “Tregtar flamujsh”, ndërsa e komentonin me Mitrush Kutelin nji darke vere në Pogradec, i kishte zanë të zbardhunit e ditës tue përcjellë njeni-tjetrin në shtëpi. Shkrimtarë të kohnave tjera që i lexonin dhe i çmonin me zemër kolegët shkrimtarë! I sollëm këto kritika, të cilat në rasën ma të mirë sot na bajnë me buzëqeshë, për me tregue se rruga e afirmimit të Ernest Koliqit si shkrimtar nuk ka qenë aspak e lehtë. Tue përfaqsue diçka krejt të re në gjinin e letrave shqipe, i matun në përshkrime, i thellë në introspeksionin psikologjik, madje herë-herë tue e shtri protagonistin në shtratin e psikoanalistit, ai përceptohej si nji shkrimtar i talentuem por disi i parakohshëm për vendin e tij. Po të veçojmë nji ose dy shkrimtarë të asaj kohe, Koliqi mbetet nji pararendës si për kah stili ashtu edhe për kah idetë e tija. Droja prej modernitetit që po dukej asokohe në horizontin e shoqnisë sonë, kishte si shkak mosnjohjen e thellë të pasunisë paradigmatike të tij dhe identifikimin e modernitetit me disa tipare negative, të cilat në fakt i përkasin çdo epoke. Kritikat ndaj Koliqit burojnë prej tutës se letërsia e tij po legjitimonte nji botë të re moderne që po përlante atë botën kalimtare që kishte marrë trajtë mbas Pamvarsisë. Letërsia e Koliqit mundëson lexueshmëninë e botës së re që po sendërtohej e njikohsisht ajo thellon dualizmin kulturë-pushtet, tue i njohtë së parës nji fuqi të madhe të shkëputun prej asaj të pushtetit, që prej tij trajtohet i kufizuem në prerogativat e veta administrative. Prej këtej edhe idea e naltë që krijohet për shkrimtarin dhe poetin në veprën e tij. Vendi i nderit që dikur ndahej me klerikun, ushtarakun, bajraktarin, politikanin, pasanikun – tashma i takon vetëm shkrimtarit, pse asht ai që e ban të lexueshme të ardhmen e botës dhe ban të dukshme tharmet e progresit. Ishte e kuptueshme sesi njerëz të lindun e të formuem në kohna krejt tjera ta shihnin me dyshim shndërrimin e shoqnisë shqiptare dhe sidomos këtë përmbysje të butë, aq ma tepër kur e gjithë kjo shoqnohej prej vetëdijes se ata vetë nuk do të ishin ma katalizatori unik i atyne transformimeve rranjësore. Shumë sish, tue mos qenë njerëz mendjembyllun, mtonin vetëm nji gja: me kërkue gradualitet në gjithë këtë proces. Po ndodhte shekullarizimi i ndërgjegjeve, të cilat po nisnin me u konceptue si hapsina private ku s’mund të hynte me pahiri asnji autoritet i jashtëm, përfshi këtu besimin fetar dhe shtetin, por ku mund të kishte dorë të lirë poeti e shkrimtari, ai që përkundte andrrat e ndalueme. Ky proces asht i mundun vetëm mbrenda hapsinës urbane, pse vetëm kjo mundet me radikalizue aspiratat për nji autonomi të subjektit. Në krahun tjetër të litarit ndodhej i vetëm ai titani i brishtë që me padurim kërkonte me rroposë gjithçka, pa e dijtë as ai vetë se çka donte me ndërtue mbi ato gërmadha. Koliqi qëndron në mes. Me vetëdije, ai legjitimon me artin e tij arsyet e kohës moderne dhe sheh si të pashmangshme shkëputjen nga bota e vjetër. Përveç kandvështrimit praktik-kulturor, kjo ka qenë e vetmja arsye për të cilën ai e sheh me shpresë afrimin me Perëndimin e veçan me Italinë. Në prozën e shkurtë, por edhe në poezi, Koliqit nuk i munguen në vitet ’40, kur ishte në kulmin e famës, imituesat e dobtë që ndoshta i ranë në të menjiherë se ishte e kotë me iu vu mbrapa dhe e lanë atë punë. Migjeni sa qe gjallë u shoqnue vetëm prej figurash mediokre e nuk pati asnji dialogues të rangut të tij. Kurse fryma migjeniane me përmbysjen e madhe të ’44 do të bahej letra kopjative e nji turme nëpunësish propagande që asokohe quheshin shkrimtarë. Koliqi jetoi gjatë, aq sa me e humbë krejtsisht shpresën e kthimit në atdhe. Jetoi i prozhmuem prej nji pjese të madhe të mërgatës laramane, i anatemuem prej regjimit në atdhe dhe në viset tjera ku jetojnë shqiptarë, i kaloi ditët si nji pemë e çrranjosun prej kopshtit të vet, nji pemë që vuen në saksi. Shpirti zen ma shumë vend se asgja tjetër, sidomos ai i poetit që vuen prej melankonisë që shkakton pamundësia e kthimit në atdhe. Vepra e Koliqit në periudhën e tij të fundit i drejtohet lexuesit siç i drejtohej Ovidi – i tretun në brigjet e Detit të Zi – atyne që ende s’e kishin harrue në atdhe: “thueju se jam gjallë, por nuk kam shpëtue”. Po ia paraqesim këtë botim anastatik lexuesit të sotëm, jo pse mungojnë rishtypjet e veprave të Koliqit, pse të tilla janë ba mjaft në dekadat e fundit, por ma së parit për “mallin e shtampës” së dikurshme. Shkronjat, hapsinat e zbrazta, faqosja dhe e gjithë puna artizanale tipografike kundrohen me andje ende sot, si tek botimi i tipografisë E. de Schönfeld të Zarës ashtu edhe tek ai i shtypshkronjës “Nikaj” në Tiranë. Arsyeja e dytë qëndron në faktin se për shkak të ligshtisë së punës filologjike, sot mjerisht nuk ka nji ribotim të vetëm të veprave të Koliqit pa gabime të shumta e të pajustifikueshme. Rikthimi tek Koliqi asht i lidhun me sensin e mungesës që na ngjall ende sot kumti i tij nandëdhjetëvjeçar. Në veprën e Koliqit nuk shohim kund heronj por veç njerëz të zakonshëm, pse puna ma e vështirë – edhe për vetë heronjt – asht me jetue të zakonshmen. Qyteti i Koliqit asht nji qenje që e ndrron zhguellin shekullor për me i mbijetue kohnave dhe ai këtë gja e prigjon me entuziazmin e përkorë të poetit. Muret e nalta kanë me mbetë në kambë ende për dekada por tashma dyert e gjana do të jenë të hapuna në kapak, shenj kjo se mes unit subjektiv dhe botës së jashtme distanca asht shkurtue. Këtu s’ka: “ma mirë” apo “ma keq”, e gjithë kjo, thjeshtë, ka ndodhë, e këtë gja Koliqi e ka parandie tash gati nji shekull.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.