Kryesore

Vangjeli: Kasem Hysenbelliu na zemëroi shumë, Pse na Ike, Mik i mirë, pse???

14:30 - 05.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lorenc Vangjeli – Për herë të fundit Kasem Hysenbelliun e takova në një funeral. Përcillnim Nona Nerin,  bashkëshorten e një burri, nënën e tre fëmijëve dhe gjyshën e dy fëmijëve si ëngjëj.




Pak ditë më parë kishte buzëqeshur për herë të fundit dhe kishte ikur me buzëqeshje edhe Teuta, zonja grua dhe gruaja zonjë që sfidoi deri në fund moshën dhe sëmundjen! Bashkë me to, lajmërimet bardhe e zi të fatkeqësive nëpër Shqipëri shtoheshin gjithmonë e më shumë nëpër mure sikur të zëvendësonin gjethet që zuri të rrëzojë vjeshta nga pemët.

Nëse makthi do të më thoshte se fiks një muaj më pas do të më duhej të mbaja frymën në pritje të funeralit të Kasem Hysenbelliut, nuk do ta kisha besuar. Do të kisha qeshur i sigurt sepse Kasemi dhe vdekja, me siguri e kishin shumë të largët natën e takimit: edhe Vdekja e dinte që ai kishte ende shumë e shumë punë në Tiranë.

Nëse dikush do të më thoshte se virusi mashtroi edhe vetë Vdekjen kësaj here, nuk do ta besoja. Do ta refuzoja si ide, do ta shmangia si mendim dhe do ta trembja i trembur si mundësi për të qenë makthi real. Si çdokush që sheh zjarrin të afrohet, që ndjen flamën të dihasë përreth, që dëgjon gjëmimin e tmerrit që po korr njerëzinë dhe nuk do të pranojë se ato kanë të bëjnë edhe me të. Se zjarri, flama, tmerri dhe Ikja mund të shkojnë kudo, por jo brenda një rrethi gjithmonë e më të ngushtë njerëzish që Mungesa ju lartëson më shumë Praninë!

Ka ca pak njerëz të cilët kur vendosin të Ikin e bëjnë në heshtje, sikur ta dinë se dhembja për ta, sikur ta ndjejnë se trishtimi që shkaktojnë dhe boshllëku i tmerrshëm që lënë pas, mund t’i mbushë vetëm heshtja e përshpirtjes.

Ka edhe ca më pak njerëz, Ikja e të cilëve është më shumë se keqardhje për qenien njerëzore, për mikun e munguar më tej, për kafen e lënë përgjysëm, për buzëqeshjen dhe mirësinë që nuk e lejon të rikthehet dimri i mërgatës. Një biletë vetëm Ikje dhe pa Ardhje! Atëherë kur mendohej se pritej Ardhja dhe ndodh Ikja. Pa bujë e pa gjëmim, por me modestinë e madhërishme të ekzistencës si njeri i mirë!

Janë shumë të rrallë njerëzit që kur vendosin të Ikin, krijojnë nevojën e lemerishme që të ngushëllohen ata që mbeten pas për mungesën pa prani, dhembjen pa kurim dhe lotin e dhënë borxh!

Ikja e Kasem Hysenbelliut ishte guri që ra ashpër mbi suprinën e ankthit nga flama e pandemisë.

Eshtë e pafund lista e njerëzve që do ta mbajnë zinë në shpirt, lotin në sy dhe dhembjen në qelizë për Kasem Hysenbelliun: Nëna, bashkëshortja, fëmijët, vëllezërit, miqtë dhe gjithë ata që qoftë dhe vetëm i kanë dëgjuar emrin apo kanë provuar produktin e punës së tij, njeriut si adresë mirësie dhe mirësie burimore.

Krenar si ish-ushtarak, ai humbi betejën e tij vetjake duke na shpallur të gjithëve ne humbës të saj.

Xhentëlmen si diplomat, ai fitoi luftën e jetës për të qenë gjithë ne të tjerët më të mirë, në një kohë kur vetë mirësia është ushqim i lig.

Ky njeri i qetë dhe pasionant është tashmë një adresë më pak. Eshtë arsyeja se pse sot u zgjuam të gjithë shumë më të varfër në Tiranën e lodhur dhe Shqipërinë e drobitur që numëron funeralet e saj. Me një Ikje që dhemb. Dhemb si dhembja kur i duhet thënë lamtumirë në funeral një njeriu që dukej se e kishte shumë të largët takimin me Vdekjen sepse kishte shumë ngut për të vijuar punën në Tiranë! Sepse e ndjente se do të kishte shumë e shumë njerëz që do të mërziteshin me të dhe do ta pyesnin me zemëratë në funeralin e tij: Pse, pse na Ike??? Pse na e bërë këtë gjëmë, Mik i Mirë???

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.