BLUETOOTH

Rrëfehen Alban Skënderaj dhe Miriam Cani: Nga takimi i parë në Zvicër, te zënkat në çift

11:15 - 12.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mirami dhe Albani kanë qenë gjithmonë një çift i bukur kopertinash, por që kur familja e tyre është zgjeruar, në fillim me Amelinë dhe së fundmi edhe me Duam, ata janë bërë imazhi i përsosur, sidomos për këtë stinë. Të veshur të katërt me të bardha, me dekorin festiv, duken si kartolina më e bukur e Krishtlindjeve. Përpara këtij imazhi ideja e intervistës na erdhi menjëherë: ky do të ishte një rrëfim për fëmijët e tyre, një rrëfim Krishtlindjesh, ku ata u tregojnë të vegjëlve përrallën e jetës së tyre. Janë të gjitha pyetjet që Ameli mund të bënte për të dy (edhe në vend të Duam, që është më i vogël) dhe të dy prindërit janë përgjigjur pa rezerva, për të lënë një rrëfenjë të shkruar që fëmijët të mund ta lexojnë me shumë qejf kur të rriten.
Mami, unë që jam vajzë ngjaj me ty dhe Duam me babin? Si ke qenë ti e vogël? Po babi?
Shumë thonë që në pamje të parë dukesh si babi, por tani që po rritesh po merr gjithmonë edhe më shumë nga mami. Kurse në karakter je një gërshetim perfekt i mamit dhe babit. Kur flasim për fëmijërinë e mamit dhe babit kuptojmë që kemi pasur shumë gjëra të përbashkëta. Kemi qenë të dy fëmijë shumë energjikë dhe kreativë. Na pëlqente arti, na pëlqente të zbulonim dhe të eksploronim gjërat e reja.
Çfarë ju sillte Babagjyshi? Po ju, çfarë i kërkonit?
Babagjyshi na sillte maksimumi ndonjë çokollatë, kur ishim të vegjël. Por edhe kërkesat tona nuk ishin shumë të mëdha: një kukull Barbie, ose ndonjë makinë lodër. Brezi juaj i ka kërkesat më të mëdha. Por është bukur të kënaqemi, jo domosdoshmërisht me gjëra të mëdha, por me të gjitha ato që na bëjnë vërtet të lumtur.
Bënit gabime ju kur ishit të vegjël? Apo ishit fëmijë të mbarë si ne të dy?
Bënim gabime si çdo fëmijë tjetër. Një nga gabimet më të mëdha ishte që donim gjithmonë të luanim jashtë më shumë nga ç’na lejonin prindërit. Por sot po kuptojmë që është një nga gjërat më të shëndetshme që kemi bërë, ndaj dhe ju duhet të luani jashtë në natyrë sa më shumë me miqtë tuaj dhe ne nuk do t’ju qortojmë.
Kur ishit të vegjël, çfarë donit të bëheshit? Pse u bëtë këngëtarë?
Gjithmonë kemi ëndërruar botën e artit: skenën, muzikën, emocionin. Si mami, ashtu dhe babi, që fëmijë pasion kishin muzikën, ndaj në jetë duhet bërë ajo që të thotë zemra dhe pasioni, aty ku ti ndihesh me të vërtetë i lumtur dhe i aftë, çfarëdo profesioni qoftë ai.
Po nga ne të dy, kush mund të bëhet këngëtar kur të rritet? Apo nuk doni të bëhemi si ju?
Ne duam që ju të bëni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe mbi të gjitha çfarë ju bën juve të lumtur. Synimi më i madh në jetë është të ndihesh i lumtur dhe i plotësuar me veten, ndaj ne do t’ju mbështesim në çdo vendim që do merrni në jetë. Nëse do t’ia dilni ta ktheni pasionin në profesion, do të jetë fati më i madh.
Kush nga ju ishte më i famshëm kur u njohët?
Njëri në Gjermani dhe tjetri në Shqipëri. Gjermania është pak më e madhe se Shqipëria, po s’ka gjë (qeshin). Shaka! Të dy të lumtur me atë që bënim dhe vazhdojmë të bëjmë ende sot.
Si u takuat ju të dy? Ratë në dashuri me shikim në parë? Kush foli i pari?
Patëm një koncert të përbashkët në Zvicër–Cyrih, ku edhe kishim lënë një takim për të folur për një duet të përbashkët, që ishte dhe kënga jonë e parë. Nga ai moment nuk u ndamë më, dhe po, patjetër që ishte dashuri me shikim të parë!
Ishe ti mami si princeshat në përralla? A të ftoi babi në vallëzim si princeshë?
Babi ka qenë gjithmonë romantik. Në fillimet tona pas çdo koncerti, ai, edhe pse pa gjumë, merrte gjithmonë avionin për në Gjermani për të qenë pranë njeri-tjetrit. Më bëri të ndihem princeshë kur u fejuam dhe kur u martuam, me surprizat që vetëm ai di t’i bëjë të tilla. Por dhe mamit i pëlqen shumë të jetë romanike e të vlerësojë detajet e bukura që i japin ngjyrë jetës.
A jetuat përgjithmonë të lumtur që nga ajo ditë? Apo ziheni ndonjëherë fshehurazi nesh?
Ne duhemi shumë, por edhe zihemi ndonjëherë, ashtu siç zemëroheni edhe ju ndonjëherë me mamin dhe babin, por në zemër nuk ndryshon asgjë. E rëndësishme është që ne e dimë gjithmonë kush jemi dhe sa vlejmë për njëri-tjetrin.
Po ne kush na kërkoi të vinim, mami apo babi?
Të dy ju kemi pritur me padurim. Tani që keni ardhur në jetën tonë, kuptuam që nuk e kishim jetuar 100 për qind këtë jetë më parë. Me ju ne u kompletuam dhe i dhamë arsyen dhe kuptimin më të fortë jetës.
Po sikur të ishim dy vajza ose dy djem?
Nuk do të ndryshonte asnjë gjë. Do t’ju donim njësoj, sepse gjinia nuk ka lidhje me dashurinë prindërore, që është e pastër dhe pa kushte.
Çfarë mendonit ju kur unë Amelia isha te barku i mamit? A kishit frikë?
Ti na ke frymëzuar pafund, që në bark. Babi ka kompozuar këngën “Dhurata” kur ti ishe në barkun e mamit dhe lëvizje duart e këmbët çdo herë kur babi i binte kitarës dhe këndonte. Frikë nuk kishim kurrë. Vetëm emocione të forta dhe dëshirën e madhe që ti të vije sa më shpejt në krahët tona.




131038905_385194032550550_7575160844901332853_n 131009544_388668779080769_3052922322629540112_n 130977071_1018456625333325_9045914108797554033_n 131051089_438047263862218_8579810534644162150_n 131132211_1021152605032197_421657574129529731_n
<
>

Çfarë i rrit bebet?
Bebet i rrit një kombinim gjërash. Është mami dhe babi që duhet t’i japin shuuumë dashuri dhe ngrohtësi, është qumështi i gjirit që të jep mami për t’u bërë i fortë dhe i shëndetshëm në jetë dhe gjumi sa më i qetë.
Po ne, do rrimë gjithmonë bashkë?
Shpresoj të na e bësh këtë pyetje edhe kur të rritesh. Nëse na pyet ne, atëherë ne themi po, përgjithmonë. Por e rëndësishme është që kudo ku jemi, në zemër e mendje, të jemi gjithmonë bashkë.
A bëhen të gjithë çunat ‘superman’-ë kur rriten?
Po, të gjithë bëhen ‘superman’-ë në jetën e tyre kur rriten dhe fillojnë edhe kujdesen për të tjerët. Ndihmojnë ata që janë në nevojë dhe kur bëhen bashkëshortë dhe baballarë të mirë, janë ‘superman’-ët më të fuqishëm në botë, sepse janë ‘superman’-ët e familjeve të tyre.
Çfarë ju shqetëson ndonjëherë, por që nuk na e thoni kurrë?
E vetmja gjë që ne duam mbi çdo gjë tjetër është shëndeti. Lutemi çdo natë që të kemi shëndetin mbi të gjitha dhe të jemi të qetë e të lumtur. Vetëm kështu mund të arrish të bësh gjëra të bukura në jetë.
Një motër tjetër apo një vëlla tjetër?
Për momentin na mjaftoni dhe jemi shumë mirë me ju të dy.
Kë doni më shumë nga ne? Mos doni Amelinë? Se vetëm ajo ka dalë në fotografitë e “Mimi”-t…
Ju duam të dyve njësoj, pa dallim. Ti je ende i vogël për të pozuar kaq bukur, siç bën Ameli, por edhe ty do të të vijë radha (qesh).
Po mami, a mos do më shumë “Mimi”-n? Nuk pushon së foluri për të…
“Mimi” erdhi e frymëzuar nga ju. Ju jeni parajsa në tokë. Për “Mimi”-n ne flasim shumë, se e kemi krijuar me shumë pasion dhe dashuri dhe kur ju të rriteni, do e doni po aq shumë.
Po ti babi, me çfarë po punon tani? Unë dua shumë një këngë të re…
Babi është frymëzuar shumë këto kohë për të krijuar gjëra shumë të bukura, të cilat do t’i ndajë shumë shpejt me të gjithë ata që e duan. Dhe unë do t’i kthehem shumë shpejt sërish muzikës.
Po një tjetër këngë me mamin? Ato janë më të bukurat…
Jo vetëm një. Kemi plot gjëra të bukura, që do të vijnë. 2021-shi do të jetë pa diskutim një vit shumë i mirë.
Edhe këngët që keni bërë për ne të dy janë shumë të bukura. Por tani, kur do bëjmë një klip të katërt?
Kur të rritet Duami edhe pak, që të ecë dhe të performojë vetë.
Po ju, i keni shkruar letër Babagjyshit? Çfarë doni t’ju sjellë?
Ne duam nga Babagjyshi vetëm shëndetin dhe harmoninë në familjen tonë, ashtu si në të gjithë botën. Ka qenë një vit i vështirë dhe shpresoj që edhe Babagjyshi të na japë një dorë për t’iu rikthyer normalitetit.
A do vijë ai këtë vit?
Natyrisht që do të vijë. Ju jeni sjellë aq mirë këtë vit, sa jemi të bindur që ai ka përgatitur shumë dhurata të veçanta për ju.

Intervistë për revistën “Who”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.