AKTUALITET

Pedagogët kërkesë MASR: Të kryhet lënda e Edukimit Fizik online, fëmijët në rrezik

14:41 - 21.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Specialistët e fushës nëpërmjet një shkre- se i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit zhvillimin e lëndës Edukim Fizik për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Fatjon Hajdari, fizioterapist dhe pedagog ka treguar arsyet që e shtynë në hartimin e kësaj kërkese dhe rrezikun që paraqet mungesa e aktivitetit fizik te fëmijët. Ai bën me dije se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga MASR, por kanë shpresë se kjo përgjigje do të jetë pozitive dhe në interes të shëndetit të vogëlushëve. Sipas Hajdarit grupmosha më e prekur nga problematikat e zhvillimit fizik është 12 deri në 16 vjeç kur të ndodhë edhe procesi i rritjes. Fizioterapisti thekson se patologjitë më të shpeshta që shfaqen nga mungesa e aktivitetit fizik janë deformimet e shtyllës kurrizore që po bëhen edhe një problem i madh i shoqërisë së digjitalizimit, kur mungesa e akivitetit fizik shprehet akoma më shumë. Hajdari thekson se skolioza dhe fikoza patologjitë që pas moshës 18-20 vjeç bëhen të pakorrigjueshme në të ardhmen.




 

Pandemia COVID-19 ka bërë që lënda e Edukimit Fizik në shkolla të lihet në harresë. Sa e dëmshme është mungesa e aktivitetit fizik për fëmijët?
Mungesa e aktivitetit fizik po bëhet një problem i madh në kushtet që jemi. Tek fëmijët problemi është akoma më i madh, sepse fëmijët ndodhen në një proces rritjeje të tyre dhe mungesa e këtij aktiviteti nuk mundëson një rritje të shëndetshme. Kjo mungesë e aktivitetit fizik pritet të shfaqë probleme në zhvillimin fizik të vogëlushëve në një periudhë të mëvonshme.
Ju keni bërë një kërkesë drejt MASR mbi këtë problematikë? Çfarë kërkoni konkretisht?
Po, kërkesa jonë mund të jetë pak e vonuar si proces kohe, por kjo kohë e vështirë që po kalojmë na ka bindur se mungesa e aktivitetit fizik është shumë e dëmshme për fëmijët ndaj na duhet një ndërhyrje urgjente për të rregulluar sadopak situatën në të cilën gjendemi. Ne kërkojmë që Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë që të hartojë një program të mirëdetajuar për pjesën e aktivitetit fizik në kushtet e shtëpisë për të gjithë fëmijët. Kërkojmë që ky program të përmbajë edhe ushtrime për posturën se si duhet ta mirëmbajmë atë. Kërkojmë një hapësirë televizive në TVSH Shkolla për demonstrimin e këtyre ushtrimeve. Si dhe kërkojmë që kjo të jetë një fushatë e madhe për të bërë të mundur edhe ndërgjegjësimin e prindërve për të suportuar fëmijët e tyre.
A keni marrë një për-gjigje nga Ministria e Arsimit mbi kërkesën tuaj?
Ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare nga ana e Ministrisë së Arsimit, por kemi besimin e plotë se kjo nismë do të realizohet, sepse ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e brezit të ri. Duke parë që janë gjëra shumë të thjeshta dhe të realizueshme besojmë se ministria do të marrë masat e nevojshme sa më shpejt.
Si mund të kryhet lënda e Edukimit Fizik në kushtet e shtëpisë? Cilat janë rekomandimet tuaja?
Kjo është pyetja më e shpeshtë që më kanë bërë këto ditë: si mund të bëhet edukimi fizik në shtëpi. Është shumë e thjeshtë duke filluar nga gjimnastika elementare me hapjen e krahëve dhe ushtrime të tjera që mund të bëhen në një tapet të vogël në mes të dhomës, ushtrime që mund të bëhen në divan, ushtrime që duhet të kombinohen me ato mundësi që ka gjithsecili nga fëmijët. Pra, ne rekomandojmë që çdo prind të udhëzojë fëmijën e tij në një periudhë kohore prej 20-30 minutash çdo ditë të kryej aktivitet fizike në kushtet e shtëpisë edhe kjo mos të lihet pas dore nga prindërit se gjithçka në fund rëndon mbi ta.
A i ka bërë pandemia fëmijët pasivë? Çfarë do të sjellë kjo në shëndetin e tyre?
Po, sigurisht që i ka bërë pasivë, por duhet të themi që kjo periudhë nuk ka bërë vetëm fëmijët pasivë, por edhe prindërit e tyre, pra i ka bërë të gjithë me celular ipad nëpër duar në të gjithë shtëpinë është një situatë e zymtë për të gjithë. Kjo do te sjellë pasoja që më vonë mund të bëhen të parikuperueshme, sidomos për fëmijët që kjo periudhë mund të jetë periudha e rritjes së tyre në gjatësi, pra trupi i tyre nuk do të marrë formën anatomike që do të dëshironin të gjithë. Grupmosha më e prekur është 12 deri në 16 vjeç kur të ndodhë edhe procesi i rritjes.
Cilat janë patologjitë më të rënda që mund të shfaqen te fëmijët nga mungesa e aktivitetit fizik?
Patologjitë më të shpeshta që shfaqen nga mungesa e aktivitetit fizik janë deformimet e shtyllës kurrizore që po bëhen edhe një problem i madh i shoqërisë së digjitalizimit, kur mungesa e aktivitetit fizik shprehet akoma më shumë. Pra, janë skolioza dhe fikoza patologjitë që pas moshës 18-20 vjeç bëhen të pakorrigjueshme. Kjo mund të sjellë edhe një sërë problemesh të tjera që kanë të bëjnë me shtyllën kurrizore të trupit të njeriut ndaj edhe duhet të vendosim theksin akoma më shumë tek kjo fushatë. Shpresojmë shumë që prindërit të ndërgjegjësohen edhe më shumë duke bërë edhe fëmijët e tyre aktivë me kushtet që kanë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.