Intervista

Qeveria e re, Pollo: PD të anulojë ligjet antifjalë të dhjetorit 2019

12:00 - 30.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Genc Pollo, një prej figurave kryesore të PD-së, e quan të pashmangshëm rotacionin politik më 25 prill të vitit të ardhshëm. Po ashtu ai nuk e fsheh shqetësimin e mosreagimit shoqëror ndaj problemeve të shumta që ka shkaktuar pushteti aktual i socialistëve. Z.Pollo thotë për “Gazeta Shqiptare” se ndihet mirë kur ka mobilizim shoqëror, teksa përmend se ‘marshimet e opozitës janë të pazëvendësueshme, por jo të mjaftueshme’. Ish-deputeti demokrat flet për strategjinë e fitores së opozitës, ndërsa ka bindjen e plotë se partitë e reja të Topallit dhe Patozit nuk do ta dëmtojnë PD-në në asnjë rast. Pasi sipas tij, “po anatemojnë më shumë partinë që e molën për shumë vjet sesa qeverinë”. Si ish-ministër i Arsimit, Genc Pollo shprehet se pas rotacionit politik, PD përveç ligjit për Arsimin e Lartë duhet të anulojë edhe ligjet anti-fjalë të 2029-ës. Pollo përmend se ky ligj ‘shkeli në nerv, aq sa u kthye në kushtin e 15-të për çeljen e negociatave, pra pati një ndërgjegjësim për natyrën e vërtetë të regjimit’.
Gazeta Shqiptare: Z.Pollo, pse PD-ja po vonon caktimin e drejtuesve të qarqeve të cilët do të drejtojnë fushatën elektorale të 25 prillit?
Genc Pollo: Besoj do të veprohet shpejt në vijim.
Gazeta Shqiptare: Disa ish-drejtues të PD-së si Topalli e Patozi kanë formuar parti dhe po shkojnë drejt zgjedhjeve pa bashkëpunim, madje në konflikt me PD-në. A mos po veprojnë si dikur PDR që ju e drejtonit vite më parë?
Genc Pollo: Nuk shoh fare ngjashmëri! Në zgjedhjet e vitit 2001, në apelin përmbyllës të fushatës unë bëra thirrje për rotacion të pushtetit e për largimin e Fatos Nanos e të socialistëve nga qeveria. Megjithëse PD në ato zgjedhje nuk dukej se besonte në fitore përderisa nxori Ridvan Boden kandidat për kryeministër. Në zgjedhjet e vitit 2005, në vitin e tetë të qeverisë ‘Nano’, ne ishim në koalicion zyrtar me PD-në. Të tjerat janë thjesht histori. Nuk është ky rasti i atyre që ju përmendni.
Gazeta Shqiptare: Besoni se Patozi e Topalli pas zgjedhjeve të 25 prillit mund të bashkojnë votat me PD-në në parlament?
Genc Pollo: Nuk di kush tjetër mendon se mund të nxjerrin deputetë partitë që marrin më pak vota se ato të pavlefshme. Gjithsesi ata janë në të drejtën e tyre të formojnë parti politike.
Gazeta Shqiptare: Sipas jush, kujt i shërbejnë këto parti të reja të krijuara para zgjedhjeve parlamentare?
Genc Pollo: Ata anatemojnë më shumë opozitën dhe partinë që e molën për shumë vjet sesa qeverinë. Dhe sillen sikur do e arrijnë vetë mazhorancën, pa nevojën e koalicioneve; si dhe nuk para shqetësohen se mos kjo tingëllon qesharake. A doni më për belulët?
Gazeta Shqiptare: Po vetë PD-ja, mbi çfarë alternative do të bazohet në fushatën elektorale?
Genc Pollo: Në fushatë besoj do të kemi balancën e duhur mes propozimeve alternative dhe kritikës ndaj kundërshtarit. Të tjerat më vonë.
Gazeta Shqiptare: Ju jeni një kritik i fortë i ligjeve antishpifje të mazhorancës. Po aq kritik jeni edhe për amendamentet që penalizojnë memet? Çfarë përshtypjesh ju kanë lënë ato?
Genc Pollo: Penalizimi i memeve na jep një moment humori, kur kundrojmë bilancin e zymtë qeveritar për sa i përket lirisë së shprehjes. Humor i zi mbase. Por mua më ka bërë më shumë përshtypje diçka tjetër në amendamentet e Kodit Penal të publikuara nga qeveria; diçka që mendoj se nuk është komentuar aq sa lipset. Amendimi parashikon që kur viktimë e shpifjes është një ofiqar i shtetit, atëherë dënimi është gati dyfish, sesa kur viktimë është një qytetar i thjeshtë. Më duket si disa norma penale të ngjashme që kanë ekzistuar në Europën parademokratike deri në gjysmën e parë të shekullit të 19-të. Në fillim të shekullit të 20-të, kudo në kontinent, legjislacioni i përmbahej parimit të barazisë para ligjit. Edhe në Shqipërinë e varfër e krahasimisht të prapambetur të viteve ‘20. Në shekullin tonë konsiderohet se ofiqari shtetëror, për vetë funksionin që ka, do të jetë më i ekspozuar se të tjerët ndaj kritikës së ekzagjeruar e të padrejtë; dhe këtë duhet ta përballojë.
Gazeta Shqiptare: Do të kemi pabarazi në ligj?
Genc Pollo: Jo se do të kemi pabarazi në ligj; sa më lart është vetëm një normë politiko-kulturore që dikton një sjellje më të përmbajtur. Pra një qytetar i thjeshtë mund të padisë për shpifje sa herë të dojë, ndërsa një politikan, si rregull, kufizohet me përgënjeshtrimin. Prandaj, nëse e merr seriozisht, ky amendament duhet të të ngjethë mishin, sepse pasqyron mënyrën e të menduarit të qeveritarëve që mbetet akoma në kohën e Baba Qemos.
Gazeta Shqiptare: Qeveria thotë se janë mendime ekspertësh…
Genc Pollo: Nuk është thjesht një lajthitje eksperti. Grupet e ekspertëve punojnë mbi letër-politika të miratuara nga ministri, në mos po ndjekin udhëzime direkte nga ai. Në këtë rast normalisht do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen ministri. Sepse mban përgjegjësi direkte; shumë më tepër sesa Sandër Lleshaj për vrasjen në Laprakë. Por është gjynah të kërkosh gjëra të tilla nga Etilda Gjonaj, sepse mbase ajo vërtet nuk di gjë fare. Me ligjet e dënimit të gazetarëve e të kritikëve gjithmonë është marrë personalisht Edi Rama.
Gazeta Shqiptare: Çfarë do të bëjë opozita për rastin në fjalë nëse do të kemi rotacion politik me 25 prill?
Genc Pollo: Ne si PD kemi thënë se gjëja e parë që do të bëjmë pas rotacionit është anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Unë do të shtoja këtu edhe ligjet antifjalë të dhjetorit 2019.
Por le të shohim edhe anën pozitive të gjësë. Ligjet antifjalë shërbyen së pari për gjallërimin e organizimin e zejes së gazetarëve për të kundërshtuar këtë thagmë, por edhe për t’iu përgjigjur me konstruktivizëm sfidës së etikës në websitet online, duke ngritur mekanizma vetërregullues. Së dyti, edhe tek ata ndërkombëtarë që ndiqnin me gjysmëpërgjumje problemet e Shqipërisë, ligji antifjalë shkeli në nerv, aq sa u kthye në kushtin e 15-të për çeljen e negociatave. Pra pati një ndërgjegjësim për natyrën e vërtetë të regjimit.
Gazeta Shqiptare: Para disa ditësh pamë një opozitë që nuk bëri politikë duke mos iu bashkëngjitur protestave pas vrasjes së Klodian Rashës, madje pati kritika për mosvënien në krye të tyre. Mendoni se ishte qëndrimi i duhur?
Genc Pollo: I kam dëgjuar edhe unë e mendoj se një pjesë e kritikëve ishin të sinqertë. Pjesa tjetër ishte kori permanent i atyre që në çdo paudhësi qeveritare shohin vetëm përgjegjësitë e opozitës. Por qëndrojmë te pjesa e parë: më duket se shpjegohet me frustrimin, me gjendjen dhe me padurimin për rotacion. Opozita organizon tubimet e protestat e veta. Opozita përkrah publikisht dhe me forma të ndryshme edhe lëvizje qytetare, si p.sh., ato të Teatrit Kombëtarët e të Astirit; Opozita përkrahu protestat e të rinjve si absolutisht legjitime e të drejta; si dhe dënoi dhunën policore e gjuhën e urrejtjes të Edi Ramës ndaj plotësuesve. Besoj se ishte qëndrimi i duhur si dhe i mjaftueshëm.
Gazeta Shqiptare: Por ama opozita nuk dënoi dhunën mbi protestuesit. Për cilat arsye?
Genc Pollo: Opozita përkrahu protestën legjitime dhe jo aktet e dhunës apo dëmtimit të pronës. Rama, duke dashur të fokusohej te dhuna, përdori të njëjtin fjalor si Ramiz Alia fiks 30 vjet më parë, në dhjetor 1990, kur pati edhe raste teprimesh gjatë protestave antikomuniste. Ironike, apo jo? Tashti seriozisht: e kam thënë sa herë kam mundur këto vite, se më shqetëson mungesa e reagimit shoqëror ndaj problemeve që shkakton sidomos pushteti. Ka shumë shkaqe e duhet një intervistë më vete. Prandaj gëzohem sa herë që ka mobilizim shoqëror e tubime publike si në rastet që përmenda. Marshimet e opozitës janë të pazëvendësueshme, por jo të mjaftueshme.
Gazeta Shqiptare: Opozita u akuzua për politizim të vrasjes së 25-vjeçarit Rasha…
Genc Pollo: Hulumtimet mediatike dëftuan se Nevaldo Hajdaraj ishte një i ri problematik e me prirje delinkuenti, të cilin asnjë polici normale nuk e pranon në radhët e saj. Por ai priste ardhjen e PS-së në pushtet që të vishej polic. Saimir Tahiri ka punësuar me kritere partiake afro tre mijë policë; shumë syresh me profilin e Hajdarajt. Vrasja e Klodianit nuk është “vdekje aksidentale”, por erdhi si pasojë e kulturës së dhunës arbitrare të injektuar e të inkurajuar nga lart. Po ashtu përfshirja në kanabis nuk është një rastësi policore, por pjesë e një projekti ku Tahiri duket si një zv.komandant operativ. Këto e të tjera shpjegohen në sfondin e politizimit të policisë e që mundëson keqpërdorimin e saj.
Gazeta Shqiptare: Me Bledi Çuçin ‘jokonfliktual’ si ministër të Brendshëm mund të rindërtohet besimi i publikut apo edhe i opozitës te policia? A mund të bëhet fjalë për ‘rindërtim besimi’?
Genc Pollo: Sa kohë isha kryetar i Komisionit për Integrimin Europian me Bledi Çuçin nënkryetar, kemi bashkëpunuar mirë për një frymë pozitive në punimet e komisionit. Nga një ministër me sens shteti e ligjshmërie, do të kisha pritur që të prononcohej për tejkalimet e dhunës policore. Sidomos do të kisha pritur që të dënonte dhunën ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes për Teatrin, që u arrestuan pa shkak e pa provokuar dhe duarlidhur u keqtrajtuan brenda në komisariat. Për herë të parë në publik Çuçi prezantoi butaforikisht një sondazh opinioni dhe fatkeqësisht nuk tha asnjë fjalë për ta. U desh një mesazh në “Twitter” nga një diplomate e huaj pas takimit me Çuçin që të marrë vesh se ministria paska hapur hetim për dhunimin e aktivistëve. Hetim jo premtues në këto rrethana. Dhe konkluzioni del se ministri mund të jetë konfliktual ose jo, por kjo gjë nuk ka shumë rëndësi, sepse gjërat përcaktohen nga Rama. Në këto rrethana duket pa vend të ëndërrosh për “rindërtim besimi”.
Gazeta Shqiptare: Pse e quani butaforik sondazhin e z.Çuçi?
Genc Pollo: Sepse e paraqiti sikur policia nga 2013 gëzonte besim publik më të lartë se në disa shtete të Europës Qendrore e Veriore. Rama e trashi më tej duke e shpallur sondazh të qeverisë suedeze, kur në fakt Suedia vetëm kishte financuar sondazhin, të cilin e realizoi një firmë kliente permanente e Ramës kryebashkiak. Ndoshta kjo është arsyeja që ambasada suedeze reagoi, duke saktësuar rolin e saj lidhur me sondazhin dhe duke theksuar se duhet shumë punë që policia të arrijë mesataren e BE-së. Por ju të medias këtë detaj nuk e keni vënë re, me sa duket.
Gazeta Shqiptare: Nuk ndjekim dot çdo postim në rrjetet sociale. Mbase na duhet ndihmë nga politikanët?
Genc Pollo: Po, po! Këtë shërbim e merrni falas e me bollëk (qesh).
Gazeta Shqiptare: Të kthehemi te katër aktivistët e arrestuar. Ju keni sugjeruar një komision hetimor për këtë rast. Por komisionet hetimore nuk para kanë qenë histori suksesi, apo jo?
Genc Pollo: Ju flisni për komisionet parlamentare. Unë sugjeroj një komision hetimi qeveritar pas 25 prillit. Në rastin që hetimi Çuçi, siç pritet, të arkivohet pa pasoja. Një hetim që identifikon shkelësit e merr masa administrative kundër tyre si dhe i dorëzohet prokurorisë për ndjekje penale. Shikoni, besueshmëria ndërtohet me mirë me masa të vogla, efektive e të verifikueshme, sesa me deklarata gjenerale.
Gazeta Shqiptare: Të ndalemi te vizita në Tiranë e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Një analist shkruante se ajo në Shqipëri u duartrokit nga partitë e djathta, ndërsa në Kosovë nga të majtat. A bini ju dakord me këtë?
Genc Pollo: Pa u ndalur tek orientimet partiake që janë komplekse, unë do të thosha se tezat për çështjet kryesore që dëgjova nga znj. Osmani në Tiranë gjejnë konsensus si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, përjashto këtu partinë në qeveri. E kam fjalën për dënimin e orvatjes për copëtimin e Kosovës, për konsiderimin e padobishëm, madje edhe të dëmshëm të Minishengenit ballkanik si dhe për insistimin e heqjes së traut e të tarifës (taksës “Rama”) në Rrugën e Kombit.
Gazeta Shqiptare: Por Minishengeni përkrahet nga Marrëveshja e Normalizimit Ekonomik, e nënshkruar nga Hoti e Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë…
Genc Pollo: Ishte një sheqerkë për Vuçiçin ndërsa ky pranonte kërkesën e diplomatëve amerikanë për pavarësi energjetike nga Rusia. Dhe kryeministrit Hoti, iu kërkua ky lëshim siç e ka sqaruar vetë ai. Por kjo nuk e bën Minishengenin të favorshëm për Shqipërinë, e aq më pak për Kosovën. Nga ana tjetër, përkrahja europiane për këtë nismë thjesht nuk ekziston. Sepse me të dublohen më kot nisma të BE-së për bashkëpunim ekonomik rajonal si CEFTA. E kanë thënë disa herë zyrtarët e Komisionit Europian. Shihni së fundmi edhe projekt-rezolutën për Shqipërinë në Parlamentin Europian, të prezantuar nga raporterja socialiste Santos: asnjë llaf për Minishengenin e plot përkrahje për CEFTA-n.
Gazeta Shqiptare: Megjithatë qeveria, pas deklaratave të znj.Osmani, tha sërish se trau e pagesa në Kalimash janë të domosdoshëm për mirëmbajtjen e rrugës…
Genc Pollo: Shqetësimi i parë është se pagesa vajtje-ardhje 11 euro për veturë e 16 euro për kamion pengon integrimin e ekonomive të dy vendeve tona. Gjithashtu e bëjnë Rrugën e Kombit jokonkurruese kundrejt rrugëve të tjera në rajon. Ky duhet të jetë shqetësim i madh për Tiranën e Prishtinën. Ndërsa shqetësimi i dytë (çështje vetëm e Tiranës) është paligjshmëria e korrupsioni madhor i PPP-së në fjalë: duke filluar nga prokurimi, te ndryshimi i pronësisë të koncesionarit, deri te fitimi marramendës pa bërë ende ndonjë investim. Shpresoj shumë që ky problem të marrë zgjidhje mbas 25 prillit. Tok me problemet e tjera si ai.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.