OPINION

Bike Boys

17:39 - 05.01.21 Edison Ypi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Biçikletën dhe korsitë e biçikletave, tashmë i dashuroj më tepër se sulltani femrat e haremit.




Lëvizja mbi biçikletë nëpër korsi dhe rrugica të asfaltuara, ndez gjakun, forcon muskujt, hap mendjen, të mbars me emocione dhe ide të reja, të zgjat jetën.

Megjithatë, duke shëtitur çdo ditë mbi korsi dhe rrugica të ndryshme që qyteti të mos të mërzitet, kalërimi mbi biçikletë nuk është aq rozë sa duket.

Një ditë, për shembull, frenova fort dhe u rrëzova e u dërrmova mbi ca tavolina metalike që një kafexhi i çmendur i kishte nxjerrë në trotuar. Faji ishte edhe imi. Nuk ecet me biçikletë në trotuar.

Një ditë tjetër vajta të regjistroja frenat. E filloi ustai atë punë avash-avash duke pi raki dhe duke kënduar hitin e fundit “Ta hongsha mëlçin me pirun”. Kur pas pak minutash biçikletës i hipa dhe u gjinda me majtas një makinë, djathtas një lypsar, përpara dy kalamaj, frenat nuk mbajtën, zilja nuk tingëlloi, rashë si dëng mishi në asfalt. Thash’ se vdiqa. Pijetari i kishte lënë frenat të lira, dhe kur e kishte kthy biçikletën përmbys për me lubrifiku zinxhirin, kishte dëmtuar zilen e mbërthyer te timoni.

Më kërciste aksi i pasëm. Vajta te një biçikletaxhi ta ndreq. Njëkohësisht që ndreqte rrotën time, centronte rrotën e një tjetri. Për mos me më lën mu dhe tjetrin me na hyp nervat, në tentativë me na bo me qesh, tha:

-Çfarë rrotash janë rrotat e shprehjes “rrotmrrot”, rrota biçiklete, rrota motoçiklete, apo rrota makine?

-Rrotat rrotmrrot jemi ne të dy që ndreqjen e rrotave tona ia kemi besu rrotës tate – i thashë, dhe ika.

Sapo hyra te ustai tjetër, ia nisi me ligjëru:

-Po ta vodhën biçikletën, domethënë se je budalla. Nëse budalla nuk je, hajduti ta ka vjedh për ta rishpërndarë pasurinë në mënyrë më të drejtë. Në mos, meqenëse biçikleta dashurohet si femër, dikush tjetër që biçikletën tënde e ka dashuruar më tepër se ti, ta rrëmbeu dhe iku.

Aq më mahniti biçikletaxhiu filozof, sa harrova pse vajta. Difektin e ndreqa vetë më vonë. Si në kohën e kurvit. Me forcat e mia.

Kur vajta te një biçikletaxhi me ma ndreq shalën se më vriste bythën, ia priti:

-A e di cili është ndryshimi mes femrës dhe biçikletës?

-Hë.

-Kur i hyp, biçikleta çfryhet, femra fryhet.

Dhe qeshi me fjalët e veta.

Barcaleta katunareske më bëri për të vjellë. Por u bë sebep pikërisht barcaleta trashanike që atë çast formulova ligjin e pestë të Newtonit, sipas të cilit:

Pedalimi është erogjen. Kthesat e korsive të biçikletave janë më të ëmbla dhe më të rrezikshme si nazet e femrave. Biçikleta ka seks. Biçikletën që s’ka seks, shitja ndonjë eunuku që seksi nuk i intereson, ose hidhe, shite për skrap.

Korsitë me harqe si sisët e femrave, rrugicat me kthesa të buta si vithet e tyre, biçikleta ta zgjat jetën.

Por me biçikletaxhinj pijaneca, llafazana, pisanjosa, barkderra, që punojnë duke bo muhabet me cigare në gojë dhe duke kthy kokën sa andej-këndej si skutha, nuk shijohet haremi i korsive dhe kthesave, rrezikohet jeta, kërcënon vdekja.

Ustallarët mesjetarë i shkatërrojnë marrëdhëniet idilike të kësaj natyre, e shterin entuziazmin e kalërimit me biçikletë dhe të mirave shëndetësore që vijnë prej tij.

Po endesha shpresëhumbur nëpër korsitë mbi biçikletë si mbi dallgët e valsit “Danubi Blu”. Pyet njërin e tjetrin se ku mund t’i ndreqja marshet, levat, kavot, që më ishin bërë lëmsh.

-Nuk është biçikletaxhi, – më tha dikush.

-Po çfarë është?

-Është komplet tjetër gjë. Shife vetë, ja ku e ke.

Hyra bashkë me biçikletën.

Kur s’mu bllokua fryma dhe s’më ndali zemra tek pashë ç’bëhej atje brenda, me siguri mushkëritë i kam prej polisteroli dhe nervat prej çeliku.

Çelësa, kaçavida, ekstratora, pinca, çekiçë, fermo, plunxhera, pistona, premistopa, kushineta, bokola, stativa, morseta, dispozitiva mekanikë, pneumatikë, hidraulikë, vizatime, pankarta, skica, e të tjera e të tjera me të ikë mendja. Njëra më e pastër e më e bukur se tjetra, ca varur në mure, ca mbi tavolina, krejt veglat që i kam ëndërruar, por kurrë nuk i kam pasur, ishin të gjitha atje.

M’u faneps ofiçina ku kam punuar:

Grumbull hekurishtesh, çekiçë me bisht hekuri, çelësa të shtrembër ose të këputur, dalta të çmprehura, gërshërë të shpartalluara, sharra pa dhëmbë, zhul gjithandej. Të gjitha brenda një gërmadhe pisanjose, ku nja dyqind a më tepër proletarë surratnxirë, ulçerozë, barkthatë, duke u rropatur e zhgërryer nën kamionë, e të tjera lemerira që po t’i kujtosh, kap spitalin psikiatrik për pjesën e mbetur të jetës derisa të ngordhësh.

Në ‘parajsën’ e veglave nuk ka raki, nuk ka muhabete, pisllëk, javashllëk, këngë rakie, shakara katundareske. Ka punë, ka disiplinë, pastërti farmacie, precision gjerman, stil italian, fantazi japoneze, përpikëri angleze.

Mahnitje kapitalistike, ku shqiptari i talentuar që e ka ideuar këtë sipërmarrje, ka bërë gjënë më fantastike që sot për sot mund të bëhet mbi truallin e Kastriotit: Punën nuk e ka pritur, as nuk e ka blerë, as nuk e ka shitur, nuk e ka pranuar apo refuzuar, dhe as negociuar ose këmbyer, por punën e ka shpikur ku nuk ekzistonte. Pamje lakrimogjene. Çunat nuk kanë ikur në Gjermani, Itali, Angli, Amerikë, apo gjetkë. Bike Boys-at e Bike Point-it, Gjermaninë, Italinë, Anglinë, Amerikën, Japoninë, i kanë sjellë në Shqipëri.

Ku ndodhet oazi mahnitës i iniciative dhe punës? Mes Tregut Çam dhe rrugës së famshme me emrin e një vrasësi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.