Intervista

“Kush prek zgjedhjet, prek të ardhmen”, Agron Duka: U investua shumë në goditjen e opozitës dhe Bashës në veçanti

11:00 - 05.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste beson se, nëse me 25 prill do të ketë zgjedhje të lira e të barabarta, Shqipëria do të ketë një qeveri legjitime dhe të pa kontestuar.
Z.Duka thotë për “Gazeta shqiptare” se është e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit të mos kontestohen teksa përmend se kushtet për zgjedhje të lira janë të vështira pasi krimi zgjedhor mbetet i pandëshkuar. Aleati i Lulzim Bashës denoncon keqqeverisjen e PS-së teksa përmend se aktet arbitrare të mazhorancës shkaktuar shumë debate dhe përplasje që çuan deri në dhunim të kushtetutës. Në kushte të tilla Agron Duka apelon për zëvendësin e konfliktit me dialogun. Agron Duka denoncon faktin se kundër opozitës në përgjithësi dhe Lulzim Bashës në veçanti, është investuar shumë në goditjen e imazhit. “Në cenimin e kredibilitetit e kështu me radhë. Por në gjykimin tim kemi të bëjmë më një të ri, që ka një përvojë krejt tjetër nga ajo e paraardhësve të tij, shumë larg populizmit dhe pranë modelit të një politikani normal”,- shprehet aleati i PD-se.
Z.Duka, shqiptarët sapo lanë pas një vit të vështirë, por a do të mundet dot politika që t’ua bëjë jetën me lehtë përgjatë 2021?
Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e mëparshme, 2020-ta është shënuar nga një ulje e tensionit politik, sidomos nga opozita. Në këtë kohë të vështirë, ne si opozitë kemi qenë mjaft konstruktiv, duke mos u mjaftuar vetëm me kritikat, por kemi dhënë edhe sugjerimet tona për daljen nga kriza. Kanë qenë aktet arbitrare të mazhorancës ato që kanë shkaktuar përplasje, mjafton të kujtoni përpjekjet për kapjen e Kushtetueses, shembjen e Teatrit dhe ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës. Megjithatë, që klima politike të paqtohet, është e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë të kontestuara. Nëse do të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, pra legjitime, produkti do të jetë një qeveri legjitime, të pa kontestuar. Kjo është sfida që do ta bëjë më të lehtë 2021-shin, por edhe katër vitet në vijim.
A janë zgjedhjet e 25 prillit, një mundësi e mirë që shqiptarët të ndryshojnë realitetin aktual?
Sigurisht që po. Pavarësisht rezultatit, do të kemi një riekuilibrim të parlamentit dhe të jetës politike. Kjo është shumë e rëndësishme për të kthyer dialektikën politike dhe për ta zëvendësuar konfliktin me dialogun.
Përse shqiptarët duhet të besojnë opozitën?
Ne kemi bërë beteja të mëdha, duke hequr dorë nga privilegjet që të jep të qëndruarit në Parlament. Ne si PAA kemi lënë 5 mandate, me të cilat mund të ishim profilizuar si forcë parlamentare e qëndrueshme, me një grupim tonin, çka do të na lehtësonte punën në fushatën e ardhshme. Megjithatë, ceduam nga interesat tona për të çuar përpara një betejë në të cilën besojmë fort, atë për zgjedhje të lira. Pa të cilat, nuk mund të ketë zhvillim, stabilitet politik dhe shoqëror. Nuk e kemi bërë për interes personal, por për interesin publik. Kapacitetet nuk mungojnë, sepse disa mendje janë më mirë se një. Sidomos kur kjo mendje e ka pasur mundësinë të bëj çdo gjë, pushtet pa kufij dhe sot është pa bilanc. Ne jemi patjetër një alternativa dhe kemi gjithë vullnetin që betejat që kemi bërë për të mbrojtur interesin publik, t’i konkretizojmë në veprim politik nëpërmjet mbështetjes me votë të qytetarëve.
A ka kushte sot Shqipëria për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të barabarta?
Kushtet janë të vështira, krimi zgjedhor i dosjeve 184 dhe 339 mbetet i pandëshkuar. Megjithatë, disa hapa përpara janë bërë, si identifikimi biometrik dhe ashpërsimi i masave ndëshkuese për shit-blerjen e votës. Nga ana tjetër do të kemi monitorim të shtuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët zgjedhjet e lira dhe të ndershme i shohin si kusht themelor për vijimin e axhendës integruese. Kush prek zgjedhjet, prek të ardhmen e shqiptarëve dhe kjo është një llogari që pushteti duhet ta bëjë mirë.
Ku e sheh veten PAA ne gjithë përllogaritjen elektorale?
Tashmë ne jemi një parti e konsoliduar në skakierën politike shqiptare. Kemi kapacitetet intelektuale dhe organizative që na bëjnë faktor zgjedhor të paneglizhueshëm. Kemi kontribues që vijnë nga të dyja kampet e politikës dhe që gjejnë te PAA një shtëpi për të çuar deri në fund angazhimin e tyre politik. Organizimin, platforma për zhvillimin rural, qëndrueshmëria dhe besueshmëria që përçojmë të qytetarët, sondazhet që disponojmë, na krijojnë bindjen se do të jemi një faktor i rëndësishëm në 25 prill dhe pas.
Në cilat kushte do të bashkëpunonit me PS, e cila synon një mandat të tretë qeverisës? A eshtë e vërtetë se z.Rama ju ka kontaktuar për bashkëpunim?
Nuk është e vërtetë që z. Rama më ka kontaktuar. Qëndrimi im në opozitë nuk diktohet vetëm nga beteja për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, po edhe me qasjen ndaj bujqësisë përgjatë këtyre dy mandateve të qeverisë aktuale. Por, në parim, sikurse ndodh në çdo demokraci funksionale, nëse PAA del me siglën e saj në zgjedhje, pra jashtë grupimit opozitar, ajo që do të na diktojë vendimmarrjen pas 25 Prillit do të jenë angazhimet programore mbi çështjet që PAA përfaqëson, me parakusht cilësinë e procesit zgjedhor.
Cila është ambicia e PAA në zgjedhje dhe post 25 prillit?
Të kemi grupimin tonë parlamentar, me të cilin të kemi forcën për të imponuar një qasje krejt ndryshe ndaj bujqësisë. Jo si një temë fushate, por si një angazhim konkret dhe afatgjatë i parlamentit të ardhshëm, me strategji dhe fonde për ta bërë fermerin shqiptar të barabartë me atë të Rajonit.
Nga se janë të rrezikuara zgjedhjet e 25 prillit?
Në çdo vend të botës zgjedhjet rrezikohen nga ata që kanë pushtetin. Edhe në Shqipëri, zgjedhjet rrezikohen nga mazhoranca, e cila ka një rekorde negative të njohura botërisht. Arsenali i saj shkon nga përdorimi i elementëve me precedent penal për të kërcënuar mbështetësit e opozitës dhe për t’i përdorur për blerjen e zgjedhjeve, te administrata, deri te oligarkët, të cilët rrezikojnë humbjen e fitimeve të shumta që po sigurojnë me largimin e Ramës.
Kur kanë mbetur pak më shumë se 100 ditë nga zgjedhjet parlamentare, opozita ende nuk e di se si do të hyjë ne zgjedhje. Pse kjo vonesë?
Është një nga avantazhet që i dhanë ndryshimet e njëanshme Edi Ramës. Ndryshimi i rregullave të lojës, pak muaj përpara zgjedhjeve, prodhoi këtë efekt. Nëse ai ka mbetur krejt i vetëm, pa asnjë aleat, ne jemi fronti më i gjerë i grupuar ndonjëherë në historinë moderne të Shqipërisë. Kjo ka pasojat e veta organizative. Të cilat presim të zgjidhen sa më shpejt, sidomos me një angazhim më të madh të Bashës. I cili duhet të përballojë këtë moment si gurin e fundit të provës që e ndanë nga zyra e kryeministrisë. Është sfidë e vështirë, por po aq e vështirë është edhe të qeverisësh Shqipërinë.
Për shkak të rrethanave të reja politike, cila formulë e çon opozitën drejt fitores së 25 prillit?
Ajo që po kristalizohet përherë e më qartë në këtë fazë të fundit, është ideja e dy grupimeve opozitare, të lidhura nga një kontratë qeverisëse, pra programore. Kjo është mënyra më e mirë për të maksimalizuar votat dhe për të mbrojtur identitetin e partive, jo si logo, por si grupime politike përfaqësuese të ndjeshmërive dhe ideve të ndryshme politike.
Pas denoncimeve të shumta të bëra nga opozita, kryesisht nga krimit elektoral dhe korrupsionit qeveritar, cila është alternativa, ajo çfarë ofron opozita për qytetarët?
Një nga rreziqet më të mëdha të qeverisjes së mirë, është populizmi. Shqiptarët e provuan populizimin në dy mandate, premtime të mëdha, pa faturë, dhe sot kanë një borxh publik më të lartë, azilkërkues po aq sa Siria, më pak vende punë, më pak fuqi blerëse, më pak investime të huaja, më pak subvencione për bujqësinë. Ky model ka dështuar. Ne nuk do të jemi një opozitë populiste, e cila vjen me premtime të mëdha, të cilat mbushin gojën, por zbrazin xhepat e shqiptarëve. Shqipëria ka nevojë për normalitet, për hapa të sigurta, për më pak propagandë dhe më shumë punë. Në këtë ofrojmë. Ndoshta nuk jemi të sofistikuar në rrjetet sociale, nuk dalim 15 herë në TV në ditë, por jemi njerëz të punës. Që duam të japim kontributin tonë për ta kthyer vendin në normalitet. Diçka që është mjaft e jashtëzakonshme, sidomos kur jeton në kohë aspak normale.
Si do ta ç’krimonalizojë politikën, opozita nesër në pushtet?
Ka një zgjidhje mjaft të thjeshtë, të mos i kandidosh kriminelët. Ne e kemi bërë këtë zgjedhje, kemi luftuar dhe fituar dekriminalizimin. Ndërsa kundërshtari ynë zgjodhi kandidat me precedent edhe në votimet e 30 qershorit. Ligjet tashmë janë, duhet vetëm vullnet politik. Për t’i larguar nga politika dhe për ta luftuar krimin në përgjithësi.
A duhet të shqetësojnë opozitën partitë e reja që janë regjistruar në gjykatë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, si ajo e Topallit, Hajdarit apo më herët e Patozit? A besoni se ato do të rreshtohen përkrah opozitës para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit?
Është e vështirë të parashikosh impaktin e këtyre partive, sidomos kur lindin kaq pranë proceseve zgjedhore dhe nuk kanë kohën për t’u maturuar politikisht. Deri tani përvoja historike na mëson se janë eksperimente pa fryte pozitive. Megjithatë, në politikë kurrë nuk thuhet kurrë, ndoshta këto parti do të gjejnë një konvergjencë me ne si opozitë më pranë zgjedhjeve.
A besoni se Lulzim Basha po i mbush me shpresë shqiptarët për një të nesërme ndryshe pas 25 prillit 2021?
Kundër opozitës në përgjithësi dhe Bashës në veçanti, është investuar shumë në goditjen e imazhit. Në cenimin e kredibilitetit e kështu me radhë. Por në gjykimin tim kemi të bëjmë më një të ri, që ka një përvojë krejt tjetër nga ajo e paraardhësve të tij, shumë larg populizmit dhe pranë modelti të një politikani normal. Dhe, sikurse kam thënë me sipër, Shqipëria kë nevojë për normalitet. Ndoshta Basha nuk do të na bëjë të ëndërrojmë, por jam i bindur që nuk do të zhgënjej.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.