OPINION

Biografi të përgjakshme

09:47 - 06.01.21 Enver Robelli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shkenca shpjegon shumëçka, letërsia edhe më shumë. Në romanin e tij monumental “Njeriu pa cilësi”, shkrimtari austriak Robert Musil ankohet se me fillimin e shekullit të 20-të njerëzit nisën të vuanin nga “shtrëngimi për të numëruar” dhe nga “sëmundja e urgjencës”. Njerëzit ndiheshin nën presion për të numëruar sukseset, fitimin, të arriturat. Sëmundja e urgjencës nënkuptonte ngutësinë për të kryer një punë i pari, për të përhapur një lajm i pari, për të plasuar në treg një prodhim të ri, një armë të re, një ide të re. “Tronditja”, “trauma” dhe “nervozizmi” u bënë shenja dalluese dhe simptoma të kohës.




I lodhur me këtë situatë, matematikani Ulrich, personazh i romanit “Njeriu pa cilësi”, më 1913 vendos që për një vit “të marrë pushim nga jeta”. Por në vitin tjetër, më 1914, botën e përfshiu flaka e Luftës së Parë Botërore. Kishte aq shumë ngjarje, saqë Ulrichu në një moment pyet: “A u zhvillua Lufta Ballkanike apo ajo? Njëfarë intervenimi ndodhi, por a ishte luftë a jo, këtë nuk e dinte tamam. Aq shumë gjëra e mundonin njerëzimin. Sërish ishte thyer rekordi i fluturimit në lartësi. Një punë për t’u krenuar. Nëse nuk gabonte, rekordi tani ishte 3700 metra, dhe burri që e kishte thyer rekordin quhej Jouhoux. Një boksier zezak e kishte mposhtur kampionin e bardhë dhe ishte bërë kampion bote. Quhej Johnson. Presidenti i Francës vajti në Rusi. U fol për paqen e kërcënuar botërore. Një tenor i sapozbuluar fitonte shuma aq të mëdha në Amerikën Jugore, për të cilat nuk ishte dëgjuar as në Amerikën Veriore. Një tërmet i llahtarshëm pllakosi Japoninë. Japonezët e gjorë. Me një fjalë: ndodhnin shumë gjëra, ishte një kohë e vrullshme, ajo kohë mes fundit të vitit 1913 dhe fillimit të vitit 1914”. Pas kohës së vrullshme, erdhi koha e luftës.

Së fundi kryeministri i Irakut ka vizituar presidentin turk. Delegacionet e dy vendeve fqinje biseduan për problemet dhe prioritetet e përbashkëta. Pastaj u organizua një banket. Në një tavolinë, mikpritësi nga Ankaraja dhe mysafiri nga Bagdadi, rreth e rrotull tyre këshilltarë, sekretarë, pëshpëritës, ideologë, propagandistë, zyrtarë të lartë dhe jo aq të lartë – të gjithë duke ngrënë dhe pirë sherbet e ajran. Krejt kjo shoqëruar me muzikë me tone orientale. Një pritje e tillë, siç shkruan “Süddeutsche Zeitung”, do të ishte diçka normale në kohëra normale. Në kohën e koronës, krizës ekonomike, sanksioneve nga BE-ja dhe SHBA-të, një banket i tillë ngjall zemërim sidomos tek opozita turke.

Në duart e deputetëve opozitarë ka rënë një video nga banketi opulent. Sofrat plot, të gjithë të ulur shumë afër njëri-tjetrit dhe askush me maskë. Në “Twitter”, mediumin për shprehjen e shpejtë të zemërimit, politikani Devrim Bariş Çelik nga partia socialdemokrate CHP shkroi: “Për kombin festat janë të ndaluara, pronarët e dyqaneve i kanë punët keq, qytetarëve u mungon buka, por sofra e sulltanit është plot”. Politikania e re e CHP-së Hatice Tuğçe Kaya tha: “Qeveria e ndëshkon popullin me uri dhe varfëri, ndërsa në pallat jeton si në epokën e tulipanëve”.

Në fillim të shekullit të 18-të Perandoria Osmane kishte pësuar disa disfata ushtarake, por në pallatin e Sulltanit në Stamboll mbretëronte atmosferë dekadente. Simbol i asaj kohe u bë tulipani. Kjo kohë u quajt “lale devri”. Sulltan Ahmeti i Tretë mbillte tulipanë dhe i eksportonte deri në Holandë. Në mbrëmje, kur Sulltani festonte me shoqëri, mbi guaskën e breshkave vendoseshin qirinj dhe breshkat pastaj lëviznin nëpër lehet e mbjella me tulipanë. Por kjo dalldi e dekadencë nuk zgjati shumë; më 1730 pasoi një kryengritje e jeniçerëve. Sulltani u detyrua të largohej, kryeveziri i tij Ibrahim Pasha u ekzekutua. Prijës i kryengritjes së jeniçerëve ishte shqiptari Halil Patrona (i njohur edhe si Patrona Halil) nga Hrupishta e rrethit të Manastirit. Halil Patrona ishte i njohur në kohën e tij. Piktori francezo-flaman Jean Baptiste Vanmour i ka bërë madje një portret.

Punisha Raçiqi ishte çetnik. Dhe vrasës. Më 1928 ai vrau në parlamentin e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene në Beograd tre deputetë kroatë, mes tyre liderin e Partisë Fshatare Kroate, Stjepan Radiqin. Punisha Raçiqi ishte pasardhës i fisit malazias të Vasojeviqëve, nga i cili rridhte edhe familja e kriminelit të mëvonshëm serbomadh Slobodan Milosheviqit. Gjatë luftërave ballkanike Punisha Raçiqi veproi si udhëheqës çetnik në Maqedoni. Pastaj organizoi një kryengritje të fiseve shqiptare katolike në Shqipërinë e veriut, ndërsa në Kosovë mori pjesë në shtypjen e lëvizjes së kaçakëve shqiptarë.

Më 1927 Punisha Raçiqi u zgjodh deputet në parlamentin e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene në Beograd (nga zona e Tetovës). Në këtë funksion ai u zgjodh si kandidat i partisë Xhemijet, e cila mes dy luftërave botërore përfaqësonte interesat e shqiptarëve, në radhë të parë atyre të besimit mysliman. Domethënë: një parti e shqiptarëve kandidonte një radikal serb për t’u zgjedhur në parlamentin e Beogradit. Historia e shqiptarëve është e mbushur me plot kthesa dhe befasi! Punisha Raçiqi nuk ishte i vetmi. Nastas Petroviqi, ministër radikal, ishte kandidat i Xhemijetit për deputet të zonës Zveçan-Rashkë. Në Kosovë, sipas historianit kroat Ivo Banac, një myfti lokal ishte në listën e kandidatëve të Partisë Popullore Radikale serbe (NRS).

Pas atentatit, Punisha Raçiqi u dënua me 20 vjet burg dhe u vendos në një vilë jo larg Pozharevcit, vendlindjes së Slobodan Milosheviqit. Në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Raçiqi u vra nga partizanët jugosllavë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.