KULTURË

Gazetarja e “News 24”, Brikena Metaj shpallet fituese e konkursit të parë kombëtar “Fatos Baxhaku”

16:26 - 11.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Gjirokastër është zhvilluar ceremonia e shpalljes së çmimit kombëtar “Fatos Baxhaku” për gazetarët dhe korrespondentët lokalë me temën “Media lokale për çështje vendore”. Ky konkurs që organizohet për herë të parë u shpall në 9 janar 2020, ndërsa çmimet u ndanë një vit më pas, pikërisht në ditën e lindjes së Fatos Baxhakut. Në vend të ritualit të zakonshëm për të mbajtur një minutë heshtje, të pranishmit dhanë një duartrokitje të fortë dhe të gjatë në nderim të Fatos Baxhakut, me emrin e të cilit është pagëzuar ky konkurs.
Kryetari i Qendrës Kulturore Mediatike Antigonea, Engjëll Serjani pohoi se “qëllimi i konkursit është t’i shërbejmë gazetarisë, medias shqiptare, komunitetit, për të dhënë modelin e gazetarisë Baxhaku, një media të thjeshtë, që u shërben njerëzve. Siç shprehej Baxhaku, nuk mund të bëhet gazetaria brenda Unazës së Tiranës”, tha në fjalën e vet Serjani. I pranishëm në takim ishte edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, që e cilësoi Gjirokastrën si një qytet që e pasuron historinë e gazetarisë shqiptare nëpërmjet shkëlqimit të gazetarit lokal. “Ky çmim të merret me një dimension më kombëtar, pasi ai promovohet për një gazetar që mund të cilësohet si Pulitzeri shqiptar. Shumë më tepër gazetarë të rinj të jenë kontribuues në gazetarinë e terrenit”, – u shpreh ai. Fituese e çmimit të parë të këtij konkursi u shpall gazetarja e “News24” dhe “Focus Media Group” Brikena Metaj. Gjatë konkursit u dha edhe çmimi i karrierës për disa gazetarë lokalë nga qytete të ndryshme, me eksperiencë dhe kontribut në gazetarinë lokale. Juria e këtij konkursi përbëhej nga emra të njohur të gazetarisë lokale, me kryetare Kaliopi Bicin, anëtar Ylli Mustën dhe Habib Jasharin. Qendra Kulturore Mediatike Antigonea dha gjashtë çmime karriere për gazetarë të vjetër të medias lokale nga Dibra, Fieri, Elbasani, Përmeti dhe Gjirokastra. Konkursi shpërndau disa çmime inkurajuese për gazetarët e rinj lokalë. Fatos Baxhaku u nda nga jeta në gusht 2019. Takimi i tij i fundit ishte pikërisht me gazetarët lokalë në promovimin e librit me reportazhe “Përtej gardheve”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.