OPINION

Pritja madhështore e Ramës në Turqi dhe marrëveshja e partneritetit strategjik

16:20 - 11.01.21 Pajtim Bello
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Protokolli me reminishencat e perandorisë otomane ishte preludi i asaj që do të pasonte në kuadrin e firmosjes së disa marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Turqisë. Mesazhi ishte i qartë se do të kishte diçka me rëndësi të veçantë. Dhe kjo ndodhi, u firmos Marrëveshja e Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë (MPS), krahas një sërë marrëveshjesh në fushën e arsimit, të shëndetësisë etj. Duke qenë se nuk është thjesht një marrëveshje si të tjerat, MPS ndezi diskursin në ambientet politike brenda vendit dhe nuk pritej të ndodhte ndryshe. Analistë të stampuar në frontin anti Rama i janë vërsulur Ramës, Erdoganit dhe vetë MPS.
Është e habitshme që harxhojnë kaq shumë energji për të gjetur “pika mbështetje” prej nga të zhbëjnë atë që u bë në Ankara. Disa thonë që vizita, pritja madhështore, MPS me gjithë marrëveshjet e tjera janë presion ndaj BE dhe se Rama luan me dy porta. Nuk di ku e gjejnë këtë “kthjellim” e të flasin përçart vetëm se duhet të flasin! Të vizitosh apo të bësh marrëveshje me një vend ballkanik, për më tepër anëtar të NATO, kjo na qenka karshillëk ndaj BE?! Vizita në Turqi nuk ka zbehur dëshirën dhe përpjekjet e kryeministrit Rama për t’iu bashkuar BE dhe nuk e di ku e lexojnë të kundërtën këta kritikë të stampuar! Të shprehësh pakënaqësi ndaj dikujt dhe t’i shprehësh ato nuk do të thotë bën karshillëk.
Për më tepër Rama pakënaqësitë ndaj BE i ka shprehur më parë nga Brukseli, nga Berlini, nga Parisi dhe nga Tirana. Pra, nuk dëgjuam ndonjë të re nëse u kritikua BE, gjë kjo ndodh shpesh edhe mes vendeve anëtarë të BE. Atëherë, përse duhet që neve të na ndalohet të shprehemi për ato që ndiejmë? Ca të tjerë, pa u lodhur fare, gjejnë se Rama i bën presion Greqisë, sidomos për çështjen e detit; kur ky konflikt duket se ka marrë një rrugë ku asnjë presion i palëve nuk do ta ndikojë dot. Turqia dhe Greqia kanë problemet e tyre rreth deteve që i ndajnë dhe Shqipëria të vetat. Në këtë çështje sikush do të ndjekin rrugët e veta, për të gjetur zgjidhjet.
Ne nuk mund të ndikojmë për keq, mbase për mirë po. Ka nga ata që shprehin “shqetësimin” mbi afrimin e Ramës me Erdoganin, të cilin e deklarojnë si autokrat të shënjuar e deri diktator. Por harrojnë se me Erdoganin apo ministrat e rëndësishëm të tij janë takuar e kanë firmosur marrëveshje të ndryshme të rëndësishme edhe udhëheqës të vendeve ku ne duam të vemi. Në fund të fundit këta harrojnë se Erdoganin e ka zgjedhur populli turk dhe vetëm po ky popull do ta largojë nga posti i lartë i Presidentit të Turqisë. Sipas tyre ne u dashkemi të presim deri sa të vijë kjo ditë.
Të themi se ne do të presim, por vallë koha do të na presë neve? Kjo, se të mendosh që në Rajonin e Ballkanit nuk ka zhvillime intensive e të rëndësishme të karakterit strategjik që do të maturohen shpejt, do të ishte foshnjëri politike e diplomatike. Kur të shikohet se në Ballkan po ngjizen realitete të reja dhe ne i kemi pritur duar kryq këto ndryshime atëherë do të jetë shumë vonë. Në historinë e Shqipërisë kjo ka ndodhur më shumë se një herë dhe ne duhet të mësojmë nga historia jonë; që të mos vajtojmë humbjen e radhës! Është koha që në politikën e jashtme të lëvizim shpejt, me kurajë dhe pa dyshim me profesionalizëm. Kjo lëvizje e Ramës është e kësaj kategorie. Për të mos lenë vend për dyshime se po i vihen stërkëmbsha dialogut me Greqinë, kryeministri shkon për vizitë në Athinë, fill pas vizitës në Ankara. E pra, nuk ka vend për të dyshuar për karshillëk apo kurthe të tipit aziatik.
Lëvizjet janë të hapura e ballore, çështjet janë hedhur në tavolinën e shtetarëve dhe zgjidhjet priten të jenë rezultat i dialogut, i diplomacisë dhe organizmave ndërkombëtare deri në gjykatat e këtij niveli. Për t’i ulur vlerat dhe rëndësinë kësaj vizite artikulojnë shprehje foshnjarake si fjala vjen që Erdogan e joshi Ramën apo më keq lëshojnë profka folkloriko-historike si pashai vajti tek sulltani! Akoma më keq disa duan t’i japin MPS dhe vizitës theksin e fortë fetar. Ndoshta vërtet nuk kanë kuptuar gjë çfarë po ndodh ose iu janë errësuar sytë nga suksesi i vizitës me rëndësi për sot dhe të ardhmen.
Më shumë duket se nuk e kanë përtypur dot suksesin e vizitës; nejse punë e tyre. Personalisht mendoj se për kohën që jetojmë, për zhvillimet politiko-strategjike që priten të zhvillohen në Ballkan, politika e jashtme e Shqipërisë duhet të jetë e guximshme dhe jo e ndrojtur, offensive dhe jo në pritshmëri, e hapur dhe jo e mbyllur. Duhet të jemi kurdo herë dhe kudo ku merren vendime me rëndësi historike, sy hapur e në lëvizje. Mos të dremisim në bunkerin e letargjisë dhe kur të zgjohemi të themi: “kështu u nda dhe të kënaqemi me çfarë na ra!”. Vizita e kryeministrit Rama në Ankara dhe në vijim në Athinë flasin qartë se, përtej çdo dyshimi dhe përgojimi, politika e jashtme e Shqipërisë ka dalë në pjacë për interesat e Shqipërisë.




 


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Z. Braho Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Gjithe shkrimi ishte nje kopjim I asaj xhiroje qe beri Rama per te justifikuar budallalleqet e tij, ky palo kryeminister nuk e ka idene e maredhenieve nderkombetare, ben sikur do ndryshoje ndonje ideal miqesor, por asgje nuk ndryshon, sepse politikat e tyre jane per te grabitur sa me shume nga Shqiperia, Rama eshte ai qe ben pazar me Vucicin, do te ndaje KOSOVEN per perfitim te tij dhe Serbise, ben pazar per te ndare Shqiperine per t’ia dhuruar jugun Greqise dhe ajo qe mbetet, behet prone e tij, prandaj ai e ka shpallur veten sulltan, sa lart shikon ky idioti, prandaj i bejne duva dhe fresk keta spiunet e rilindjes, kujtojne se do behen princa, obortare, sulltane dhe hoxhallare per te kenduar maje minareve qe ka ndertuar ne mes te Tiranes, hajde endera me sy hapur, hajde. Mjer ai vend dhe ai popull, se ne duart e kujt ka rene. Pacit veten ne qafe.

    Përgjigju ↓