Kryesore

Klodian Muço: Përgjatë 2021 do të kemi rritje më të madhe të borxhit se të GDP-së

13:00 - 12.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pandemia COVID-19 ka sjellë rënien më të madhe ekonomike në vend, rënie që Shqipëria e kishte kaluar për herë të fundit në vitin 1997. Kjo është deklarata e bërë nga eksperti dhe pedagogu i ekonomisë, dr Klodian Muço gjatë një interviste në “Gazeta Shqiptare” ku analizon bilancin ekonomik të 2020-ës dhe pritshmëritë për vitin 2021. Sipas tij shqiptarët sot janë  7% më të varfër se në 2019, e përgjatë 2020 varfëria ekstreme u rrit me rreth 5%, ndërsa personat që jetojnë në varfëri, me më pak se 5.5$ dollar në ditë kaluan në 41.5%. Muço shpjegon se borxhi publik, u rrit me 13% në një kohë që numërohen 30 mijë të papunë më tepër, si dhe më pak investime të huaja. Eksperti shton se përgjatë 2021 do të kemi një rritje më të madhe të borxhit se të GDP-së duke nënvizuar se qeveria mund të kishte orientuar më mirë investimet, drejt sektorëve që gjenerojnë punësim dhe jo të fokusohej në ndërtimet në infrastrukturë dhe shpenzimet e luksit.




Çfarë mendoni për efektet e pandemisë COVID-19 në ekonomi, çfarë pritet të ndodhi mbas saj?

Kriza e naftës në 1973 është i vetmi event i largët, por i krahasueshëm me këtë fillim viti në Shqipëri për sa i përket kushtëzimeve apo sjelljeve personale. Si në 1973 ku në shumë vende të botës kishte reduktim të lëvizjes së makinave pa motiv, reduktim të ngrohjes, reduktim të ndriçimit publik, etj., në këtë fillim viti kemi mbyllje restorantesh, mbyllje kinemash, ndalim të aktiviteteve festive, ndalim të lëvizjes së njerëzve mbas orës 22:00. Ndryshe nga kriza e naftës të ’73 e cila zgjati pak muaj por ndryshoi kulturën e vendeve pasi stimuloi kursimin e burimeve natyrore, rriti vëmendjen ndaj ekologjisë, riciklimit si dhe stimuloi qëndrueshmërinë e sistemit prodhues. Ndërsa sot nuk e dimë se ku po na çon Covidi, me shumë probabilitet drejt një shoqërie contactless (duke kufizuar kontaktet). Përtej kësaj fundi i saj pritet të jetë në verën e vitit 2021, kjo na bën të shpresojmë se të paktën sezoni turistik për 2021 mund të shpëtojë.

Si e vlerësoni bilancin ekonomik të 2020?

Nëse do të analizojmë situatën ekonomike të vitit që sapo lamë pas dhe ecurinë e rritjes ekonomike në kompleks mund të thuhet me bindje se ekonomia shqiptare përgjatë 2020 u influencua nga “kapriçot e natyrës”, nga pandemia COVID-19 dhe nga paaftësia e qeverisë për t’ju përgjigjur në kohë dhe në mënyrë adekuate situatës. Të gjitha këto bënë që për momentin të jemi 7% më të varfër se në 2019, përgjatë 2020 u rrit varfëria ekstreme me rreth 5%, personat që jetojnë në varfëri, me më pak se 5.5$ dollar në ditë kaluan në 41.5%. Borxhi publik, u rrit me 13% gjë që e bën edhe më të vështirë përdorimin e instrumenteve fiskale në të ardhmen. Kemi 30 mijë të papunë më tepër, kemi më pak investime të huaja, kemi më pak remitanca. Kemi më pak mundësi për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm. Jemi më pak kompetitiv në tregun e Ballkanit Perëndimor dhe pritet të kemi një rënie ekonomike me -7.5%. Kjo është rënia më e madhe ekonomike mbas asaj të 1997.

Çfarë mund të ishte bërë më tepër, a kishte ndonjë zgjidhje të mundshme?

Zgjidhja ishte e vështirë dhe mund të shërbente vetëm për limitimin e dëmeve. Megjithatë mund të sugjerohet ndihma monetare për të gjithë bizneset që janë prekur nga pandemia. Konkretisht qeveria ofroi 2 borxhe sovrane përkatësisht 11 dhe 15 miliardë lekë. I pari u përdor në masën 40% apo 6.4 mld lekë ndërsa tek i dyti u përdorën vetëm 4.1 mld lekë apo vetëm 27% e tij. Kjo tregon se skemat e zgjedhura për të ndihmuar biznesin ishin jo eficiente.  Nga ana tjetër u ndihmuan rreth 170 mijë persona me një pagë 17000 lekë, sa minimumi jetik për 2 muaj e gjysmë, ndërkohë që pandemia vazhdoi më gjatë.  Por ama 500 mijë punëtorë informalë ngelën pa asistencë, 80% e të punësuarve formalë nuk u ndihmuan dot. Nuk pati asistencë tjetër për të gjithë ata që kanë humbur vendet e punës. Të gjitha këto bënë që konsumi të binte me rreth 5% përgjatë 9 muajve të parë të 2020. Por nuk duhet harruar se konsumi përbën 70% të GDP-së. Gjithashtu, mund të pezulloheshin investimet strategjike në infrastrukture të planifikuara për 2020 dhe këto fonde mund të orientoheshin drejt sektorëve që gjenerojnë punësim. Shqipëria mori përgjatë 2020 rreth 1.1 miliardë euro borxhe dhe grante, por nga këto vetëm 10% i destinoi për të përballuar krizën e COVID-19, ajo shpenzoi më pak se 1% të GDP-së si ndihmë direkte për të përballuar krizën e COVID-19, ndërkohë që mund të kishte bërë siç bëri Serbia apo Maqedonia e veriut që shpenzuar mbi 5% të GDP-së.

Çfarë mendoni për rritjen ekonomike prej 5.5% të parashikuara për 2021 a është reale?

Më tepër sesa niveli i rritjen ekonomike për 2021 që nëse do jetë 5.5% sa e ka parashikuar qeveria apo 4.5% sa e ka parashikuar Banka Botërore, mua më shqetëson mënyra se si do realizohet kjo rritje. Pasi qeveria ka vendosur përsëri të rriti borxhin publik përgjatë 2021 me gati 1 miliard dollar ndërkohë që rritja ekonomike edhe sikur të jetë 5.5% do të jetë rreth 850 milionë dollar. Pra, praktikisht edhe përgjatë 2021 do të kemi një rritje më të madhe të borxhit se të GDP-së. Qeveria mund të kishte orientuar më mirë investimet, drejt sektorëve që gjenerojnë punësim dhe jo të fokusohej në ndërtimet në infrastrukturë që kanë një impakt në kohë më të ngadaltë dhe nuk kanë efekte të ndjeshme të menjëhershme. Qeveria mund të evitonte shpenzimet e luksit për mobilim dhe rinovim zyrash dhe ato 38 mln dollar t’i çonte për rritjen e fondit të ndihmës sociale pasi në këtë mënyrë, do të shkonin totalisht për rritje të konsumit privat. Mund të evitonte një pjesë të atyre 118 mln eurove që do paguaj për PPP-të.

Po heqja e TVSH-së për biznesin e vogël apo zerimi i tatim fitimit për 2021? Çfarë impakti do të ketë?

Duhet që lexuesit të jenë të qartë për diçka: qeveria përtej heqjes së TVSH-së dhe tatim fitimin për biznesin e vogël, rriti edhe pagën minimale me 15.4% duke e çuar në 30 mijë lekë si dhe vendosi edhe taksimin e dyfishtë për të gjithë personat që janë të dypunësuar edhe pse nuk përfitojnë më shumë se 2 mln lekë në vit. Heqja e TVSH-së dhe tatim fitimit do të heqë nga arkat e shtetit rreth 36 mln euro. Ndërsa rritja e rrogës minimale do të rritë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me gati 26 mln euro (janë 204 mijë të punësuar në Shqipëri me rrogë minimale). Gati 27% e asaj 4000 të rritjes së rrogës çdo muaj do të shkojë në arkat e shtetit, si dhe janë rreth 24000 mijë të dy punësuar që pritet të kthejnë në arkat e shtetit rreth 9.3 mln euro. Në të tilla kushte mund të themi se është bërë një rishpërndarje e taksave dhe shteti do të humbas më pak se 1 mln euro në kompleks nga e gjithë kjo politikë. Pa harruar këtu që qeveria po ul taksat mbi kapitalin vazhdimisht e po “rrit” apo mban lartë taksat mbi punën. Megjithatë përtej kësaj mund të themi se kjo do të ndikojë sado pak pozitivisht në aspektin psikologjik.

Për të konkluduar si mendoni se do jetë 2021 nga kënd vështrimi ekonomik?

Pritet të jetë një vit i vështirë, pasi është vit elektoral e si i tillë gjeneron pasiguri e step investitorët. Rritja ekonomike është bazuar në investimet me PPP në infrastrukturë, gjë që konsiderohet e gabuar. Ndihma për bujqësinë (8 mln euro për subvencionin e naftës së fermerëve) është shumë e ulët për peshën që ka ky sektor në ekonomi (18%) dhe në punësim.  Ndërsa për turizmin është planifikuar të bëhet pak ose aspak për ta ndihmuar. Pra një sektor që ka një kontribut me rreth 15% në GDP është lënë në mëshirë të fatit.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.