OPINION

Pse e nisëm kaq herët vaksinimin?

09:20 - 12.01.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E nisëm dje, më 10 janar 2021. Është nisja më e mirë e mundshme dhe na jep shpresë. Vetëm dy javë pasi e filloi njëherësh i gjithë Bashkimi Evropian procesin e vaksinimit! Askush nga ne nuk do ta kishte menduar kaq shpejt. Është një gjë e jashtëzakonshme kjo. Vetëm për t’u përshëndetur nga të gjithë. Dje startuam procesin që do të na kthejë në jetën normale. Se kur do të na kthejë, varet nga sa të aftë do të tregohemi të gjejmë sa më shumë vaksina dhe të vaksinojmë popullsinë sa më shpejt. Për ne, në varësi të këtyre dy faktorëve, mund të jetë një periudhë e suksesshme disamujore, ose të zvarritet edhe një apo dy vjet. Varet vetëm nga aftësia gjetëse e vaksinave në treg dhe nga organizimi ynë. Infrastruktura jonë e vaksinimit (qendrat e specializuara ku njerëzit do të vaksinohen, personeli vaksinues, ruajtja në kushte optimale temperature e vaksinave etj.) duhet të na funksionojë si një sahat zviceran. Ministria jonë e Shëndetësisë duhet të bëjë publik planin e vaksinimit sa më shpejt. Duhet ta ketë në faqen e saj në internet. Ta shohin dhe ta lexojnë të gjithë. Si dhe strukturat dhe njerëzit përgjegjës. Çdo vonesë në vaksinim, në furnizimin e qendrave vaksinuese në kohë dhe me sasinë e planifikuar të vaksinave, duhet parë si dezertim nga një luftë! Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të ketë audituesit e tij në strukturat përkatëse të shëndetësisë, për të mos lejuar asnjë abuzim me këtë pasuri kombëtare, që përbëhet nga stoku i vaksinave dhe nga shpërndarja e tyre në kohë reale dhe vaksinimi sa më i shpejtë i popullsisë. Asgjë nuk i duhet lënë vetëm dëshirës së mirë të një personeli të paktë shëndetësor. Infrastruktura e vaksinimit kërkon shumë më tepër sforco dhe njerëz e struktura, për t’u realizuar. Pardje erdhën 9 mijë dozat e para të vaksinës nga një vend mik anëtar i BE-së, emri i të cilit mbahet sekret. Falas! Mbahet sekret, pse ky vend vaksinat i ka marrë nga BE për të vaksinuar qytetarët e vet. Ndihma që po na jep është e një bujarie të pazakontë, në këto kohë pandemie, kur të gjithë, edhe shtetet më të zhvilluara e të pasura të Evropës, po struken në hallin e vet. Madje edhe Bashkimi Evropian i stërmadh u tkurr, kur u bë fjalë për të dhënë dozat e para të vaksinave edhe për vendet kandidate dhe aspirante për kandidate të tij. Vaksinat falin jetë dhe biseda për vlerën monetare të tyre(sa do të blihen) duhet realisht lënë për një kohë të dytë. Tani duhen siguruar sa më shumë vaksina për këto ditë dhe duhen vaksinuar sa më shumë prej nesh. Sigurisht, duke ndjekur radhën e atyre që duhet të vaksinohen të parët. Gjysmë milionë dozat e vaksinës të kompanisë “Pfizer”, të kontraktuara nga kryeministri më 30 dhjetor 2020 në Nju-Jork duhen dhënë vetëm si doza të para. Pra, duhet të vaksinojmë sa më shumë prej nesh. E kemi të domosdoshme të arrijmë të vaksinojmë deri në qershor të paktën mbi 1 milion qytetarë, ose 36 për qind të popullsisë prej 2.8 milionë vetësh, që të kemi gjasa të arrijmë gradualisht imunitetin që kërkojmë në fund të këtij viti. Për këtë, na duhen 2 milionë vaksina. Pra, na mungojnë edhe 1.5 milionë të tjera, të cilat duhet t’i sigurojmë, t’i blejmë sa më shpejt. Ky proces duhet të shndërrohet në një përparësi kombëtare. Që të arrijmë të vaksinojmë 1 milion qytetarë për 6 muaj (janar-qershor), duhet që në muaj të arrijmë të vaksinojmë të paktën 150-200 mijë vetë. Ose 5-7 mijë qytetarë të vaksinuar në ditë. Me kapacitetet dhe ndjeshmëritë që kemi për dobinë dhe domosdoshmërinë e vaksinës, jemi ende shumë mbrapa. Nuk mendoj se në ditën e parë të vaksinimit, dje, arritëm të vaksinojmë më shumë se një mijë vetë. Pra, pesë herë më pak nga minimumi që na duhet. Në ditët e ardhshme, qasja duhet të ndryshojë rrënjësisht, nëse duam që të përdorim të gjitha vaksinat që arrijmë të sigurojmë brenda një kohe të shkurtër. Ky problem është sot i të gjitha shteteve kudo në botë. Por ne duhet të tregojmë përgatitje, përgjegjshmëri dhe seriozitet. Opozita jonë do të ndihmonte jo duke e demonizuar procesin, por duke u munduar të ndikonte me kontaktet që ka në partitë popullore të Evropës, që përfaqësues të tyre të ndikojnë në qeveritë përkatëse evropiane të na japin sa më shpejt sasi vaksinash. Sikur nga 10 shtete të fuqishme të Evropës së Bashkuar të arrijmë të marrim nga 50 mijë doza vaksinash, ja ku bëmë stokun e parë 1 milion vaksina që na duhet. Ky duhet të jetë objektivi ynë. Jemi në garë me kohën dhe me dashamirësinë dhe bujarinë e aleatëve tanë në BE, bujari e cila në këto kohë është më e rrallë se platini.




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.