KULTURË

77-vjetori, Fatos Kongoli: Mosmirënjohja është mëkat, sidomos kur ke trokitur te Shën Pjetri

10:20 - 13.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Datëlindja e 77-të e shkrimtarit Fatos Kongoli u shënua me një ceremoni të vogël në kohë pandemie pranë Qendrës Kombëtare të Librit. Një prej emrave më në zë të letërsisë shqipe dhe një prej karaktereve me të rrallë njerëzorë, për të qenit i sinqertë me veten e lexuesit, për standardin e përballjes me të shkuarën dhe për sensin e mirënjohjes për këdo e në çdo kohë, Kongolit shkrimtar i vishet edhe natyra modeste.




Përkthyesi Edmond Tupja tha se “Kongoli është modest, më tepër se ç’duhet. Magjia e letërsisë është se ai përmes personazheve të ndryshme, jep veti të ndryshme të karakterit të vet”.

Në fjalën e saj, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, tha se “vepra e Kongolit jep metamorfozën tonë si shoqëri pas 1990-ës”.

Duke çmuar vitalitetin dhe imagjinatën e Kongolit, shkrimtari Besnik Mustafaj i dorëzoi në emër të Qendrës së Librit një certifikatë mirënjohjeje. “Në fakt Pikaso nuk i pëlqente ditëlindjet, por merrte pjesë në festa me kushtin që mos t’i përmendej mosha. Ndërsa, ne jemi sot me Kongolin, i cili vetëm gjatë këtij viti ka shkruar dy libra. Prandaj ne jemi me Fatosin e ri, plot energji edhe ambicie”, – tha ai.

Për Mustafajn, “Kongoli me letërsinë e tij para e pas 1990-ës, por sidomos pas 1990-ës, ka treguar vlerat e tij si shkrimtar, sepse prova e vërtetë për letërsinë është përdorimi i lirisë”. Certifikata e mirënjohjes iu dha Kongolit me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe të pas viteve ‘90 ku, nëpërmjet një gjuhe të elaboruar dhe një mozaiku të plotë karakteresh romanore, ka arritur të shpërfaqë dhe të shpjegojë krizën e njeriut modern”.

Autori i romaneve ‘I Humburi’, ‘Lëkura e Qenit’, ‘Jetë në kuti shkrepësesh’, ‘Dragoi i fildishtë’, ‘Bolero në vilën e pleqve’, ‘Iluzione në sirtar e tjerë’, si edhe dy veprat e këtij viti, ‘Kapitulli i Amerikës’ dhe ‘Stinë Pandemie’, në fjalën e tij, u përul me respekt ndaj atyre që ishin të pranishëm.

“Unë kam mësuar se mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Sidomos për një njeri si unë, që është ngjitur lart, ka trokitur te Shën Pjetri dhe je kthyer, atëherë e ke më të qartë mirënjohjen”, – tha Kongoli. “Jam shumë i emocionuar, nuk e prisja këtë vlerësim dhe ceremoni që po bëhet në këtë kohë pandemie. Falënderoj Zotin, që më jep edhe një ditë të re… Ju falënderoj të gjithëve! Faleminderit të gjithëve!” – shtoi Kongoli.

Ndërkaq, kineasti Spartak Pecani tha se “Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarët. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Kam në dorë romanin ‘Lëkura e qenit’, që ka fituar të drejtën për prodhim kinematografik dhe së shpejti nisin xhirimet. Kam jetuar prej 15 vitesh ditë për ditë me të. Jam lumturuar me punën, personazhet dhe filozofinë tënde. Çdo ditë fle dhe ngrihem, jetoj me të”.

Kongoli nisi të lëvronte letërsi pas studimeve për Matematikë në Pekin e Tiranë dhe punës si gazetar. Veprat e tij janë vlerësuar me çmime, ndërsa është botuar në disa gjuhë, duke marrë një tjetër përmasë edhe në kinematografi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.