KULTURË

Aleanca për Teatrin/ Aktivitet i përkthyer në shifra në një studim

12:30 - 15.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale (CESS), një prej organizatave ‘think tank’ më në zë që merret me hulumtime/studime të tilla, e mbështetur nga (WFD), organizoi një studim mbi lëvizjet sociale, qytetare në Shqipëri mes perceptimit qytetar dhe kapacitetit të tyre për të prodhuar ndryshim. WFD-ja është një organ publik në Mbretërinë e Bashkuar i dedikuar për të mbështetur demokracinë në botë. Në gusht të vitit 2018, WFD-ja nisi një Nismë trevjeçare Rajonale për Ballkanin Perëndimor titulluar “Nisma për Demokraci në Ballkanin Perëndimor”. Nisma u financua nga Fondi i Konfliktit, Stabilitetit dhe Sigurisë i Qeverisë Britanike. Sokol Haxhiu, Përfaqësues i WFD në Shqipëri, ka treguar se nga studimi del se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka përqindjet më të larta në të gjithë komponentët e pyetur. Kështu: është lëvizja më e njohur nga të tjerat, me 27.3%; rreth 80% e të anketuarve kanë ndjekur aktivitetin e saj; më e pavarura nga partitë kryesore, me rreth 22%; më e rëndësishmja për komunitetin në lidhje me kauzën që ajo mbron, me rreth 82%; dhe me ndikimin më të madh në jetën publike dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, me rreth 23%. E fundit, rreth 82% e të anketuarve do të dëshironin që ajo të kishte një aktivitet më të fortë. Këto janë të dhëna që flasin për një punë kolosale të të gjithë atyre që kanë kontribuuar për këtë kauzë.

REZULTATET E ANKETËS

Vlerësimi i rolit dhe peshës së lëvizjeve sociale apo qytetare në Shqipëri u realizua përmes anketës së zhvilluar në 7 qarqet e Shqipërisë: Tirana, Fieri, Vlora, Korça, Dibra, Kukësi e Shkodra. Janë pyetur 1018 individë të moshave, profesioneve e nivele të ndryshme të arsimit lidhur me perceptimin e tyre mbi lëvizjet qytetare apo sociale si Nisma Thurje, Alternativa, Organizata Politike, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Vetëvendosja dhe EcoAlbania. Lidhur me shkallën e njohjes që ata kanë për këto lëvizje që zhvillojnë aktivitet në vend, në bazë të të dhënave rezulton një nivel i ulët informacioni dhe njohurish për to. Ndërkohë janë vetëm 22.8% e të intervistuarve që shprehen se nuk kanë njohuri për lëvizjen Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe 36.7% e tyre shprehen në të njëjtën mënyrë për lëvizjen Vetëvendosja (Tabela 3). Për shkak të aktivitetit të tyre më të lartë në publik, vëmendjes së medias dhe kohës kur është zhvilluar anketa, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka nivelin më të lartë të njohjes nga publiku në raport me lëvizjet e tjera, për të cilat janë pyetur të intervistuarit. Ndërsa në rastin e lëvizjes Vetëvendosje, niveli më i lartë i njohjes mund të lidhet më shumë me jehonën e medias për aktivitetet e kësaj lëvizjeje, tashmë parti politike në Republikën e Kosovës, sesa me veprimtarinë e degës së saj në Shqipëri. Megjithatë, janë 33% e individëve të intervistuar që pohojnë se njohja që ata kanë për Aleancën Mbrojtja për Teatrin është minimale dhe 24.6% janë shprehur në të njëjtën mënyrë për lëvizjen Vetëvendosja, çka tregon se në përgjithësi lëvizjet që janë krijuar vitet e fundit nuk kanë mundur të njihen siç duhet nga qytetarët nëpërmjet aktiviteteve që kanë realizuar apo çështjeve që kanë mbrojtur.

Në bazë të historisë së zhvillimit të lëvizjeve sociale apo qytetare, është vërejtur se një nga elementët kryesorë për të zgjeruar shkallën e njohjes së tyre mes komuniteteve ku ata veprojnë, është përdorimi i mjeteve të komunikimit, qoftë atyre tradicionale si mediat e shkruara dhe elektronike apo rrjetet sociale. Sipas rezultateve të anketës, 45.9% e personave të intervistuar janë shprehur se informacionin për këto lëvizje e marrin nëpërmjet TV (Figura 1). Shifra dëshmon se media tradicionale dhe veçanërisht TV që përcjellin informacione brenda 24 orëve si “TV neës”, përbëjnë një element të rëndësishëm që bën të mundur shpërndarjen e informacionit për këto lëvizje tek individët e ndryshëm. Nga ana tjetër, janë 30% e të intervistuarve që shprehen se këtë informacion për lëvizjet qytetare apo lëvizjet sociale ata e marrin nëpërmjet rrjeteve sociale (“Facebook”, “Instagram”). Tashmë, pesha dhe roli i rrjeteve sociale për të shpërndarë informacione mbi aktivitetet dhe çështjet që ata mbrojnë, është rritur në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht te moshat e reja. Ata janë shndërruar në ‘media në hije’ – duke luajtur shpesh një rol të dorës së parë për të përcjellë informacion të drejtpërdrejtë, opinione, komente dhe për të matur peshën e ndikimin e tyre në shoqëri. Ndërkohë është vetëm 10.4% e individëve që janë shprehur se informacionin për këto lëvizje e kanë marrë nga aktivitetet që ato kanë zhvilluar në qytetet e tyre. Në këtë mënyrë, kjo përqindje dëshmon për një pjesëmarrje të ulët në këto lëvizje dhe një shtrirje e prani të pakët të tyre në rajonet kryesore të Shqipërisë.

INDIFERENTIZMI

Lidhur me nivelin e interesit që shfaqin individët e intervistuar për këto lëvizje në shtatë rajonet e përzgjedhura, vërejmë se mesatarisht afro 24.9% e tyre pohojnë se këto lëvizje nuk i tërheqin aspak. Një shifër e tillë pëlqimi mund të shpjegohet qoftë me indiferentizmin dhe apatinë sociale, por edhe me faktin se çështjet që mbrojnë këto lëvizje, si p.sh. ruajtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e mjedisit, ndryshimi i sistemit zgjedhor, siç janë ato që mbrohen nga lëvizje të tilla si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Nisma Thurje, apo EcoAlbania, mund t’u duken si “çështje elitare” përballë varfërisë, papunësisë, mungesës së shërbimeve që ato ndjejnë në jetën e përditshme. Megjithatë për shkak të mediatizimit, protagonizmit dhe interesit të debatit apo veprimeve që kanë ngjallur një pjesë prej tyre në opinionin publik, janë thuajse 27% e të intervistuarve që shprehen se i tërheq shumë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, duke u pasuar me 19% nga lëvizja Vetëvendosja. Niveli i pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet e këtyre lëvizjeve është shumë i ulët. Thuajse 99% e të gjithë të intervistuarve që u pyetën nëse kanë marrë pjesë në aktivitetet e ndonjërës prej këtyre lëvizjeve, u përgjigjën në mënyrë mohuese (Figura 2). Kjo përqindje shumë e ulët mund të lidhet me një sërë faktorësh, në të cilën përfshihet kryesisht apatia sociale në shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, mungesa e kapaciteteve të këtyre lëvizjeve për t’u shtrirë më gjerësisht në qytetet e vendit, apo siç përmendëm një lidhje jo shumë e fortë mes çështjeve që mbrojnë këto lëvizje dhe interesit më të drejtpërdrejtë të qytetarëve, siç është varfëria, papunësia, cilësia e dobët e shërbimeve publike. Njëherësh duhet të theksojmë se për shkak të pandemisë COVID-19, që prej 9 marsit të vitit 2020, aktiviteti i këtyre lëvizjeve sociale u ngadalësua ose u ndërpre plotësisht si rezultat i shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe gjendjes së karantinës në të gjithë vendin nga ana e autoriteteve shtetërore. Por kjo periudhë përkoi me një nga ngjarjet kryesore ku u përfshi lëvizja Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, siç ishte prishja e godinës së Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020 nga ana e Inspektoratit të Ndërtimit, Urbanistikës dhe Kontrollit-INUK me mbështetjen e forcave të rendit. Kjo solli një përplasje fizike mes aktivistëve të lëvizjes Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku në mbështetje të aktivistëve u përfshinë edhe përfaqësues të opozitës joparlamentare siç ishin liderët dhe deputetët e Partisë Demokratike e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me një pasqyrim e reagim të gjerë në median tradicionale dhe veçanërisht në rrjetet sociale.

BURIME NJERËZORE E FINANCIARE

Por nga ana tjetër, edhe mungesa e burimeve njerëzore e financiare të këtyre lëvizjeve për të zgjeruar aktivitetin dhe fushatat e tyre ndërgjegjësuese kanë luajtur rolin e tyre në këtë pjesëmarrje apo mobilizim të ulët të masave qytetare. Lidhur me financimin e këtyre lëvizjeve, ato janë të paqëndrueshme dhe mungesa e burimeve financiare e bën të vështirë shtrirjen e tyre në qytete të tjera. Siç pohon Arditi, anëtar i lëvizjes Alternativa, “Financimet kanë qenë të rastësishme, ose nëpërmjet kontakteve individuale duke takuar miq e shokë, biznesmenë që u kërkojmë të na ndihmojnë në forma të ndryshme, por mungesa e financimeve për të mbajtur një organizatë apo lëvizje për ne është e pamundur dhe është shumë e vështirë…”. Një faktor që mund të shpjegojë deri diku këtë nivel të ulët pjesëmarrjeje të publikut në aktivitetet e këtyre lëvizjeve është perceptimi i tyre se ato nuk janë të pavarura nga partitë politike. Thuajse 76% e atyre që janë intervistuar gjatë zhvillimit të kësaj ankete kanë pohuar se nuk besojnë se këto lëvizje janë të pavarura nga partitë kryesore (Figura 3). Në këtë mënyrë perceptimi i tyre për këtë mungesë pavarësie nxit një pasivitet të angazhimit qytetar dhe dëshmon shkallën e lartë të dyshimit dhe mosbesimin e ngulitur ndaj çdo përpjekjeje të tillë.

Megjithatë, shumica e tyre besojnë se çështjet që ata mbrojnë kanë rëndësi për komunitetin, dhe ky është një tregues i rëndësishëm se, pavarësisht nivelit të ulët të pjesëmarrjes në aktivitetet e tyre, vërehet një fenomen i shumicës së heshtur që mbështet këto lëvizje mes individëve që janë intervistuar për këtë qëllim. Kështu, mesatarisht 58.2% e të intervistuarve mendojnë se ato mbrojnë çështje me rëndësi për komunitetin. Siç vërehet edhe në Figurën 4, mbështetjen më të madhe e ka lëvizja Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku 71.5% pohojnë se çështja e tyre është e rëndësishme, duke u pasuar me 64.8% të atyre që mendojnë në të njëjtën mënyrë për çështjet që mbron lëvizja Vetëvendosje, 56.7% dhe 56.1% pohojnë të njëjtën gjë për lëvizjet EcoAlbania dhe Nisma Thurje, ndërsa thuajse 50% shprehen kështu për lëvizjet Alternativa dhe Organizata Politike.

Nëse nga njëra anë shumica e personave të intervistuar kërkojnë që këto lëvizje të jenë më të forta, mungesa e dëshirës së tyre për të marrë pjesë në to nuk arrin të shpjegojë paradoksin sesi një lëvizje më e fortë qytetare mund të ketë sukses. Megjithatë, fusha ku shqiptarët shprehin në mënyrë të dukshme angazhimin e tyre social ka mbetur procesi elektoral, që siç duket konsiderohet si kulmi i përfshirjes së tyre në përpjekjet për ndryshim apo për të mbrojtur interesat e tyre. Kjo shprehet përmes faktit se rreth 80.9% e të intervistuarve në këto rajone kanë pohuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, çka dëshmon rëndësinë e proceseve elektorale si faza kryesore e shpeshherë e vetme përmes të cilave shprehet angazhimi social për shumicën e individëve që kanë marrë pjesë në këtë anketë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.