OPINION

Kur “Prostituta” e Teodor Kekos flet në anglisht

10:27 - 15.01.21 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndonëse kanë kaluar mbi 18 vite nga largimi i tij nga kjo jetë, emri dhe vepra     letrare e Teodor Kekos vazhdon të njihet e vlerësohet brenda dhe jashtë vendit. Krahas veprimtarisë si ish-deputet dhe zyrtar qeveritar në vitet ‘90 dhe më shumë si shkrimtar e publicist, krijimet e tij – 6 vëllime poetike dhe shumë libra të tjerë – janë laureuar edhe “post mortum” me disa çmime.




Dëshmia më e freskët e jehonës jashtë vendit është botimi në anglisht në Nju-Jork, më 15 dhjetor 2020, i vëllimit me tregime “Prostituta”. Ndodhitë intriguese të 17 tregimeve të shtrira në 245 faqe u takojnë dy periudhave/sisteme të kundërta politike: mesi i viteve ‘80 deri nga fundi i ’90-ës. Temat e përzgjedhura shquhen për “brumin” dhe aktualitetin e tyre, sot e në të ardhmen; edhe pse dukuritë që përshkruhen atje janë bërë më të rafinuara, thelbi i tyre mbetet i njëjtë. Ato shfaqin botën e madhe të Kekos, thellësinë e mendimit dhe aftësinë e tij të spikatur në kërkim të së vërtetës, që shoqëria të trajtojë dhe të paktën të lehtësojë barrën e padrejtësive sociale, varfërisë dhe dinjitetit njerëzor, duke mësuar edhe nga pësimet/ gabimet e së kaluarës.

Nëse filozofët, sociologët dhe politikanë të tjerë jepen pas lloj-lloj analizash shpesh të ngatërruara, Keko gërmon thellë në galeri të pasura portretesh dhe personazhesh; me një katalog të pasur tematik nga jeta reale, me bartës të psikozës, mentalitetit, klisheve dhe tabuve të dy sistemeve që, edhe pse të kundërt, nuk janë të ndarë si me thikë, sepse inercia bën të vetën. Libri gëlon nga plot personazhe jetësore – fëmijë të vegjël e në hall, prindër dhe gjyshër me prejardhje të ndryshme, kundërshtarë e të përndjekur të regjimit, të privilegjuar të pafajshëm, vajza e gra të veja, studentë, profesorë të shquar që japin leksione jashtë vendit e që nuk gjejnë dot veten brenda vendit, mjekë të kualifikuar jashtë shtetit që shërbejnë në spitalin e burgut, idhtarë të regjimit tanimë të dënuar, djem dhe burra të dhënë pas pijes, qejfit e seksit, shumë prej të cilëve kanë humbur ekuilibrin shpirtëror, shefa policie, hetues në procese ndaj grave fukaresha që detyrohen të merren me prostitucion nga halli, ekspertë, e deri te deputetë.

Madje në një tregim, ai qorton veten se, sa ishte në anën e qeverisë, nuk arriti të bënte dot diferencën lidhur me krizën e vlerave dhe halleve të njerëzve. Një autokritikë e sinqertë, edhe pse i ndjeri nuk ndenji as 10 vite në ato poste me plot ngjarje dhe tramundana politike e sociale. Në përgjithësi, aty gjen njerëz që, pavarësisht nga prejardhja e tyre, lëngojnë nën peshën e diktaturës, të frikës dhe pasigurisë edhe në ditët më të bukura, që tremben nga hija e vetes, me liri të cenuara e të munguara në diktaturë dhe me bollëk të tyre pas viteve ‘90; por që fatkeqësisht, të dalldisur nga era e epokës së re, ca nga etja dhe uria për shkak të deficiteve të së kaluarës e ca nga mungesa e përgjegjësisë si bashkudhëtare e lirisë, u shkojnë dëm apo dhe u kthehen në bumerang.

“Prostituta” është një katalog me hapësira dhe situata nga më të larmishmet; hera-herës tragjikomike, dëshpëruese, euforike, duke përfshirë edhe ato intime e erotike. Gjeografia e librit na çon krejt natyrshëm në jug e në veri, në malësi dhe në fushat e Myzeqesë, në auditorë universitetesh, spitale, kampe internimi dhe burgje, klinika mjekësore brenda e jashtë Shqipërisë, në skela ndërtimi, lumenj e dete, klube e kafene, në salla parlamenti dhe gjetkë.

Me të drejtë, botuesi nënvizon se “Prostituta ofron një copëz jete në mendjen e bukur të një mjeshtri të letrave, aftësia e të cilit në interpretimin e luftërave njerëzore dhe momenteve të dritës tërheq vëmendjen e çdo lexuesi”. Ashtu si dhe botimet e tjera, “Prostituta” dallohet për shqetësimet e shumëfishta të autorit për njeriun e thjeshtë të përshkruara në mënyrë tërheqëse letrare, si viktima të rrethanave social-ekonomike dhe indiferencës së shoqërisë dhe shtetit.
“Prostituta” është libri ku shfaqen si në dritë të diellit këto tipare dhe veçanti të shqetësimit qytetar e intelektual të Kekos. E jo vetëm prostituta klasike, por gjithë prostitucioni politik, ekonomik dhe social e zhvesh regjimin e kaluar nga velloja e hipokrizisë së moralit të asaj kohe, mediokritetit dhe arrogancës së shtetit pa lustra e makijazh; por ai nuk lë pa fshikulluar edhe deficitet demokratike bashkë me krizën e vlerave, pa ideologjizim, politizim dhe “parti pri”.

I përmendëm këto fakte, jo vetëm për të rikujtuar vlerat e njohura thelbësore të librit në shqip që janë evidentuar nga kritika letrare mbi 20 vite më parë, kur ato u botuan në shqip, por edhe për të treguar se përkthimi i tij në anglisht ishte një sfidë e vështirë. Këtë e them mbi bazën e kualifikimit 7-vjeçar për gjuhë dhe letërsi angleze dhe përvojën 40-vjeçare në fushën e përkthimit në disa zhanre. Vërtet që z. Doriana Molla nuk është emër i njohur dhe pa ndonjë përvojë të drejtpërdrejtë përkthimore. Por, kur mbaron së lexuari librin, del qartë se ajo ia ka arritur më së miri të na japë Kekon në anglisht, pa i hequr asnjë grimë, madje duke ia shtuar vlerat origjinalit. Duke i qëndruar besnike versionit në shqip, sfondit historik, mjediseve dhe momenteve të zhvillimit të ngjarjeve, ajo ka shfaqur talentin e vet, me një anglishte cilësore, të freskët, me zhargone të pasura sipas situatave, me dialogë dinamikë në çdo faqe dhe rresht.

Me një fjalor tejet të pasur, me struktura moderne fjalie dhe me një “ekonomi të përsosur gjuhe” falë këtij botimi elitar, “Prostituta” flet bukur edhe në anglisht, pa e humbur aromën shqiptare. Përkthimi e ka përballuar mirë ritmin e lartë, dinamikat dhe të papriturat e shumta, tronditjet, humbjet, gëzimet, gjithçka njerëzore. Ndaj, qysh në muajin e parë pas botimit, mbresat dhe jehona e tij janë tejet pozitive. Siç shprehet një qytetar i huaj, “këtë autor dhe libër të rrallë në zhanrin e vet, ia vlen ta lexosh çdo orë dhe minutë”.

Në fakt, bindesh në aftësitë e përkthyeses sapo njihesh me jetëshkrimin e saj në SHBA, ku shkoi në adoleshencën e vet. Krahas familjes, si bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar, Doriana S. Molla i ka të gjithë treguesit e duhur për një përkthim cilësor. Dihet se ky i fundit nuk ka të bëjë thjesht me përkthimin “fjalë për fjalë”, sidomos në shkrim dhe letërsi, por me interesa, kulturë, përvojë jetike dhe dije nga shumë fusha. Dorina ka mbi një dekadë që punon si Përgjegjëse e Librarisë “Hire” për botuesin e shquar muzikor, Schott NY & EAMDC. Ajo bashkëpunon me shoqata artistike dhe kulturore në SHBA dhe në botë; ka master për art nga “Hunter College” dhe për marrëdhënie ndërkombëtare nga “The New School” in Nju-Jork. Është e apasionuar pas letërsisë, arteve pamore, muzikës, filmit, teatrit etj. Ca më tepër, pasionin për letërsinë ajo e ka trashëguar nga nëna e ndjerë, ish-mësuese e dashur e Gjuhës dhe Letërsisë.

I urojmë rrugëtim të mbarë “Prostitutës” në botën anglishtfolëse, si ogur i mirë edhe për botimin në vende e gjuhë të tjera!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.