OPINION

Ku ka të drejtë dhe ku dredhon Rama në sulmin ndaj BE-së

08:31 - 18.01.21 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edi Rama ka të drejtë në vizatimin që i bën BE-së si bashkim egoist, cinik, madje aspak solidar. Kritikat që ai i artikulon me tagrin e shefit të qeverisë së një vendi të Ballkanit Perëndimor, që u la mbrapa liste në betejën urgjente të vaksinimit, janë të ngjashme me ato që një pjesë e madhe e italianëve nxorën nga goja për aleatët e tyre të Unionit.




Edhe po të shohësh përgjigjet që i kanë ardhur kryeministrit, qoftë nga selia diplomatike e Brukselit në Tiranë, qoftë nga ajo e Francës, sërish atij nuk mund t’i vësh faj. Argumentet e tërthorta të diplomatëve europianë, se BE-ja na ka ndihmuar me 115 milionë për tërmetin, se ajo ka akorduar 70 milionë euro për vaksinën, nuk e fshehin dot faktin se shtetet anëtare, në këtë rast, menduan vetëm për vete.

Sot ka ende vende të rajonit tonë që nuk kanë vaksinuar asnjë mjek apo të moshuar, si rezultat i pamundësisë të tyre për të shkuar në burimin e gjetjes së vaksinës.

Me qëndrimin që mbajti, kryeministri ynë mund të renditej denjësisht përkrah aktivistëve të aleancës për një vaksinë universale (ku bëjnë pjesë organizata prestigjioze si “Amnisty Internacional” apo “Oxfam”), të cilët denoncojnë pabarazinë mes shteteve dhe pamundësinë e vendeve të vogla dhe të varfra për të pasur një akses të barabartë në këtë arritje rekord të shkencës.

Por, për fat të keq, Edi Rama është larg të qenit një militant i kësaj bote ideale që flet në emër të vlerave. Këtë e provoi edhe njëherë me mënyrën si i artikuloi kritikat ndaj vendeve të BE-sw për vaksinën dhe nga dredhia me të cilën u përpoq ta përdorte këtë fabul.

Qëllimi i tij ishte shumë më utilitar dhe propagandistik. Ai u rrek të na dëftente, se pavarësisht bllokadës, ne kemi një lider të talentuar që di ta çajë atë. Ai u përpoq të tregonte se falë atij personalisht dhe talentit vetjak për të lypur, Shqipëria e filloi procesin e vaksinimit, pavarësisht se nga Europa u harruam.

Në gjithë këtë manovër politike, Rama u tradhtua nga disa detaje jo të vogla. Fillimisht ai akuzoi BE-në për mungesë solidariteti në shpërndarjen e vaksinave. Ai e përsëriti këtë refren, gjysmë si të vërtetë dhe gjysmë si shantazh, edhe përkrah ‘vëllait’ të tij Erdogan, në Ankara.

Por, ndoshta ai nuk e pati llogaritur që, si rrallëherë, nga ambasadori i BE-sw në Tiranë do t’i vinte një reagim i fortë. Soreca tha se ndihej i habitur dhe iu kundërpërgjigj qeverisë shqiptare se ajo nuk ishte gati me planin e vaksinimit.

Pikërisht këtë nuk e duroi kryeministri, që pa me sytë e tij se si një lojë që e kishte nisur për propagandë, mund t’i kthehej në të kundërtën e saj.

Duke qenë se edhe donte ta nxinte BE-në për t’u heroizuar vetë, për qëllime të brendshme, por as nuk kishte ndërmend të konfrontohej me zyrtarët e saj, Rama ndryshoi 180 gradë. Ai tha gjatë një interviste në “OPEN” se Soreca e kishte keqkuptuar, se ai nuk pati kritikuar Komisionin Europian që gjendet në Bruksel dhe nuk disponon vaksina, por disa vende anëtare që kanë më tepër sesa duhet.

Dhe këtu qe pika ku ra nga shiu në breshër, për t’u bërë qull nga Franca, e cila e etiketoi edhe si gënjeshtar, edhe si akuzues të një vendi mik.

Pra mjafton të shohësh se si Rama luan me gjysmë të vërtetat, se si ai e dredh kur bindja që ka i prish punë elektoralisht, për të mos e marrë seriozisht në ato që thotë.

E vetmja gjë që duhet t’i dimë për nder është se, ndonëse për arsye aspak parimore, ai hapi një temë të vërtetë: atë të mungesës së solidaritetit të BE-së.

Ky subjekt, zakonisht tabu për elitat tona, që ende përkundin në krye ëndrrën e një Europe ideale, ia vlen të diskutohet në momente të tilla, që ruhen gjatë në memorie. Sepse, po, BE-ja këtë herë na la prapa liste. Kjo është një e vërtetë që duhet parë në sy, pavarësisht se u artikulua fillimisht nga dikush që deshi ta përdorë për qëllime të mbrapshta./ “Lapsi.al”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.