Jeta ime

‘Nga kryeministria në presidencë’, Oketa: Rama kërkon të njëjtën lavdi si Erdogan

11:00 - 18.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Gazmend Oketa paralajmëron se Edi Rama po tenton një mandat të tretë për të pushtuar çdo institucion të vendit, pasi një vit pas zgjedhjeve ai do të synojë edhe Presidencën. Z. Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se Kryeministri po kërkon të njëjtën lavdi si miku i tij Erdogan, që pas tri mandatesh si kryeministër, të bëhet president i shqiptarëve. Nëse kjo ndodh, shprehet ish-ministri i Mbrojtjes, “dallimi midis diktatorit Enver Hoxha dhe autokratit Edi Rama, në raport me institucionet e shtetit, nuk do të ekzistonte. Ata do të ishin një”. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së shpreh shqetësimin se një mandat tjetër për Edi Ramën, do të ishte dëmi më i madh që shqiptarët do t’i bënin vetes e familjeve të tyre. Por Gazmend Oketa është besimplotë se 25 prilli do të hapë një rrugë të re, por të sigurt për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare. Ai flet për një opozitë të fortë dhe nevojën që ka shoqëria shqiptare për një rotacion politik, jo thjesht për të hequr një individ e për të sjellë një tjetër, por që të rivendosë një lloj balance pushteti midis së majtës e së djathtës, njëra me pushtetin vendor e tjetra me atë qendror. Opozitës së re që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Oketa i kërkon që të punojë për të rivendosur në shina demokratike të gjithë jetën politiko-ekonomike të shoqërisë shqiptare.




Oketa, pavarësisht situatës së krijuar prej pandemisë COVID-19, partitë politike kanë zbritur në terren për 25 prillin, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama pretendon për një mandat të tretë. Pas 8 viteve qeverisje, çfarë mund t’u ofrojë Rama më tepër qytetarëve shqiptarë?

Në një shtet të konsoliduar, si nga pikëpamja e funksionimit të demokracisë ashtu edhe të ekonomisë, mund të jetë normale që një kryeministër, të kërkojë rimandatim nga qytetarët e vendit të tij për një mandat tjetër. Por në demokraci të tilla, kjo gjë paraprihet nga kushti që, ai kryeministër t’i ketë shërbyer me përkushtim vendit dhe interesit qytetar.

A e përmbush Edi Rama një parakusht të tillë?

Absolutisht jo! A e kërkon z. Rama një mandat të tretë për t’u shërbyer vërtet qytetarëve? Akoma më shumë do thosha jo. Z.Rama jo vetëm nuk u ka ofruar ndonjë gjë qytetarëve gjatë këtyre tetë viteve qeverisje, por përkundrazi, u ka marrë edhe atë pak mirëqenie që kishin, dhe më e keqja u ka vrarë shpresën, u ka marrë peng të ardhmen. Ai e kërkon një mandat të tretë për të konsoliduar pushtetin e tij autokratik dhe për të vazhduar kontrollin e tij mbi të gjitha institucionet. Sot ai kontrollon 100% ekzekutivin, 100% legjislativin, 100% pushtetin vendor, dhe ka ndikim të padiskutueshëm në sistemin e ri të drejtësisë.

Po në rast se e fiton mandatin e tretë, çfarë ndodh?

Nëse z. Rama do të merrte një mandat të tretë, atëherë në pak më shumë se një vit pas zgjedhjeve të 25 prillit, z. Rama do të zgjidhte edhe Presidentin e Republikës, duke pushtuar kështu çdo institucion. Nëse kjo ndodh, dallimi midis diktatorit Enver Hoxha dhe autokratit Edi Rama, në raport me institucionet e shtetit, nuk do të ekzistonte. Ata do të ishin një. Z. Rama e kërkon një mandat të tretë për të vazhduar aferat ekonomike, koncesionet, PPP-të, dhe për t’i varfëruar akoma më shumë shqiptarët e jo për t’u shërbyer atyre. Së fundmi, në gjykimin tim, z. Rama ka kohë që ka shfaqur një lloj deliri për të hyrë në histori si një lider i përmasave globale, dhe në këtë prizëm nuk është çudi që ai kërkon të “rivalizojë” edhe kryeministra të vendeve të tjera. Për shembull, miku i tij, presidenti turk z. Erdogan ka mbajtur postin e kryeministrit për tri mandate, pastaj ka marrë Presidencën, dhe së fundmi, duke ndryshuar Kushtetutën, vështirë të parashikohet se kur do largohet nga ai pozicion. Edhe z. Rama e ndryshoi verën e shkuar në mënyrë krejt të njëanshme Kushtetutën; siç duket, kërkon edhe ai të njëjtën lavdi. Edhe midis miqve, sidomos kur janë autoritarë, ka rivalitet. Z. Rama, sigurisht që do të hyjë në historinë e Shqipërisë, por besoj se do të hyjë në atë anë ku asnjë atdhedashës nuk do të dëshironte të hynte. Një mandat tjetër për të do të ishte dëmi më i madh që shqiptarët së pari do t’i bënin vetes e familjeve të tyre. Jam besimplotë se 25 prilli do të shënojë fundin e mandatit të një prej kryeministrave i cili do të kujtohet vetëm për arritje negative si dhe për faktin që për tetë vite e vonoi Shqipërinë në rrugën e saj drejt Europës.

Përse kaq i vështirë rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti?

Nuk di ndonjë rast kur largimi i autokratëve, diktatorëve, apo frikacakëve të veshur me pushtet politik, të jetë i lehtë. Një gjë është e sigurt, që në fund të gjithë ata largohen. Në demokraci, rotacioni politik vjen nëpërmjet mekanizmit të votës së lirë dhe vullnetit të qytetarëve. Pikërisht këtë mekanizëm z. Rama e ka bllokuar, duke e çuar Shqipërinë dhe demokracinë e re shqiptare në drejtimin e gabuar. Nëse qytetarët do ta donin dhe do ta votonin, atëherë dosjet ‘184’ dhe ‘339’, të cilat faktojnë bashkëpunimin e Rilindjes me botën e krimit për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve, nuk do të ekzistonin. Nëse z. Rama do kishte besim te vota e lirë, nuk do të organizonte kurrë votime moniste, si ato të pushtetit vendor, në një vend i cili aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në planin moral, z. Rama dhe mazhoranca e tij ilegjitime ka rënë që me publikimin e përgjimeve për manipulimin e zgjedhjeve. Në planin politik, ai do të bjerë më 25 prill.

Megjithatë, duhet pranuar që e majta shqiptare ka mbështetësit dhe votuesit e saj tradicionalë. Me votat e tyre dhe të votuesve të rinj të së majtës, z. Rama ka mundur të fitojë disa mandate si Kryebashkiak i Tiranës e më pas si kryeministër…

Absolutisht i saktë konstatimi juaj. Por në kushte aktuale gjykoj se, siç ndihen të zhgënjyer shumica e qytetarëve shqiptarë, ndihen akoma më të zhgënjyer dhe me një ndjenjë “faji” mbështetësit e Partisë Socialiste. PS-ja, me pluset dhe minuset e saj, sigurisht ishte përfaqësuese e së majtës shqiptare, dhe ka edhe ajo kontributin e saj në të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri pas vitit 1990. Them Partia Socialiste ‘ishte’ dhe jo ‘është’, pasi si forcë politike ajo tashmë është shndërruar thjesht në një instrument politik të një grupi të vogël individësh, përfaqësues të së ashtuquajturës Rilindje. Një forcë politike e cila krenohej për një frymë liberale e zëra ndryshe, sot u drejtohet shqiptarëve vetëm me një zë e figurë, atë të z. Rama. Ata që janë rritur para viteve ‘90, i dinë fare mirë pasojat e një modeli të tillë. Do të ishte e pafalshme për shoqërinë shqiptare që të rikthehej te modeli i para 1990-ës, duke përqendruar çdo pushtet te një individ i vetëm, qoftë ky i majtë apo i djathtë. Nëse një pjesë e të majtëve, do duan më shumë Shqipërinë sesa partinë, nëse ata do ta shihnin me realizëm situatën, gjykoj se do të kërkonin ndryshim dhe rikthim të PS-së në përfaqësimin siç duhet të vlerave më të mira të së majtës progresiste. Unë ndryshe nga z. Rama, i cili e do vendin pa opozitë, e dua vendin tim me një opozitë të fortë. Ndryshe nga z.Rama, i cili si një fëmijë i llastuar e mendjemadh, fyen vend e pa vend opozitën dhe kërkon ta asgjësojë fare atë, e quaj një socialist, apo një forcë të së majtës, jo armikun tim, dhe nuk dua assesi ta asgjësoj. Përkundrazi, unë e shoh si alternativën ndryshe. Si alternativë e cila përfaqëson zërin e atyre qytetarëve që nuk më kanë votuar, jo se më urrejnë mua si përfaqësues të së djathtës, por se besojnë në një alternativë të majtë. Në gjykimin tim, cilido që fut një frymë përçarëse dhe asgjësuese të kundërshtarit politik, politikën nuk e ka pasion apo mjet për t’u shërbyer qytetarëve.

Oketa, ju flisni për një opozitë të fortë, ndërkohë që z. Basha shfaqet akuzues dhe kërkues për të mbajtur përgjegjësinë kryesore të vendit pas 25 prillit. A mendoni se kreu i PD-së dhe aleatët i kanë të gjitha përgjigjet që kërkojnë sot qytetarët shqiptarë?

Mua më pëlqen të jem realist dhe i sinqertë në përgjigjet apo qëndrimet e mia. Ndoshta z. Basha dhe opozita nuk i ka të gjitha përgjigjet, por një gjë është e sigurt: ato më kryesoret i ka. Unë theksova nevojën që ka vendi për rotacion politik, dhe kjo nevojë nuk vjen thjesht për të hequr një individ e për të sjellë një tjetër. Rotacioni politik së pari do të rivendosë një lloj balance pushteti midis së majtës e së djathtës, njëra me pushtetin vendor e tjetra me atë qendror. Rotacioni politik, do ta çlironte shoqërinë shqiptare nga influenca e të fortëve apo e botës së krimit, të cilët praktikisht bashkëqeverisin me Rilindjen. T’i japësh përgjigje një kërkese të tillë që vjen nga qytetarët nuk është gjë e vogël. As z. Basha, as dikush tjetër nga opozita nuk ka premtuar se të nesërmen e 25 prillit, me krijimin e qeverisë së re, Shqipëria nuk do të ketë më asnjë problem, përkundrazi, të gjithë së bashku, përfshirë edhe opozitën e re që do të dalë nga zgjedhjet, do duhet të punojmë për të rivendosur në shina demokratike të gjithë jetën politiko-ekonomike të shoqërisë shqiptare. Çlirimi i ekonomisë nga korrupsioni, tenderët abuzivë, koncesionet shkatërrimtare për ekonominë, taksa e sheshtë prej 9% për biznesin, heqja e taksës Rama mbi karburantin, heqja e taksës së vendosur nga z. Rama në Rrugën e Kombit, rikthimi i shëndetësisë në funksion të qytetarit e jo në shërbim të koncesionarit, besoj se janë disa nga përgjigjet kryesore që qytetarët presin nga opozita dhe sigurisht nga kandidati për kryeministër. Riorientimi i politikës së jashtme drejt integrimit në Bashkimin Evropian, dhe jo krijimi i konflikteve artificiale me institucionet e BE-së për të mbuluar dështimet apo skandalet e brendshme, është një përgjigje tjetër e shqetësimeve të qytetarëve. Një gjë është e sigurt, që vetëm Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar mund të synojë e punojë për t’i zgjidhur këto probleme. Të besosh se do t’i zgjidhin ata të cilët kanë punuar 8 vjet për t’i krijuar, është më shumë se naivitet.

Megjithatë opozita ende nuk ka qartësuar formulën me të cilën do të hyjë në zgjedhjet e 25 prillit. A besoni se është e vonuar në këtë proces, ndërkohë që 100 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare?

Besoj se ka një dallim të qartë ndërmjet qartësimit dhe bërjes publike. Në dijeninë time, detajet kryesore të formulës së garimit të opozitës janë vendosur dhe tashmë janë vetëm sistemimet e fundit. Më shumë sesa formula e bashkëpunimit apo mbyllja e listave, problem është situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19. Kujdesi për të mos pasur takime apo aktivitete masive, krijon një lloj perceptimi sikur forcat politike nuk po punojnë sa duhet apo nuk janë në terren. Kjo është pjesërisht e saktë, nëse krahasimi bëhet me fushatat e shkuara, kur nuk kishte kufizime të tilla. Por sot që bisedojmë, ju siguroj se të gjitha strukturat e PD-së janë në lëvizje, duke shfrytëzuar aq sa munden çdo mundësi në një situatë të tillë. Në këtë prizëm gjykoj se PD-ja dhe opozita është brenda kalendarit të përcaktuar prej saj për të përmbyllur si formulën e pjesëmarrjes në zgjedhje, ashtu edhe elementët e tjerë të fushatës, për të shkuar te qytetarët me një alternativë të besueshme dhe me një program me disa premtime që u japin përgjigje shqetësimeve të shoqërisë shqiptare, të cilat i përmendëm më parë, por premtime të cilat janë të realizueshme.

Çfarë duhet të bëjë opozita për të fituar besimin e qytetarëve? Përse shqiptarët duhet të votojnë PD-në dhe Lulzim Bashën për kryeministër?

Në kuptimin më të gjerë të fjalëve “fitoj besimin”, unë mendoj se PD-ja dhe opozita e bashkuar e ka rifituar besimin e një pjese të mirë të shoqërisë shqiptare që nga momenti i dorëzimit të mandateve. Sigurisht, ai vendim nuk ishte i lehtë për opozitën dhe, në gjykimin tim, çdo zë i sinqertë që e kritikon atë qëndrim, nuk duhet injoruar. Pse them se ai vendim i riktheu besimin te PD-ja dhe opozita një pjese të mirë të shoqërisë? Së pari, opozita u largua nga një parlament i dalë nga një palë zgjedhje ilegjitime. Nëse do kishim një kryeministër dhe një qeveri të moralshme, nuk do kishte nevojë të largohej opozita, por kryeministri do duhej të dorëhiqej dhe vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sapo përgjimet e prokurorisë u bënë publike nga gazeta gjermane “BILD”. Ky vendim, ishte një rikthim i PD-së dhe opozitës te disa vlera morale që duhet të ekzistojnë në politikë dhe që shoqëria ia kërkon politikës. Së dyti, ky vendim rrëzoi teorinë se opozita i trembej reformës në drejtësi. E zhveshur nga çdo lloj imuniteti dhe pa asnjë ndikim tek ajo reformë, opozita u faktoi shqiptarëve se ai që e pengonte dhe nuk e donte atë reformë ishte vetë z.Rama. Ai nuk donte reformën, ai donte Ramaformën. Nga ana tjetër, koha u dha të drejtë të gjitha deklarimeve apo akuzave të ngritura nga PD-ja, duke filluar që nga kanabizimi i Shqipërisë, vjedhja e votës dhe përdorimi i botës së krimit në zgjedhje, korrupsioni në tenderë, aferat me koncesionet.

A mjafton kjo për të fituar besimin e shumicës së qytetarëve, në mënyrë që ky besim të kthehet në mbështetje përmes votës?

Sigurisht që jo, por së paku është një fillim shumë i mirë. Misioni i një opozite është të punojë çdo ditë, të fitojë jo thjesht besimin, por edhe të dijë ta mirëpërdorë atë besim. Unë besoj se më 25 prill, qytetarët shqiptarë, të djathtë apo të majtë, me apo pa parti, së pari duhet të shohin interesin e familjes së tyre, të bëjnë bilancin e premtimeve të mbajtura e atyre të pambajtura nga z. Rama. Nëse shqiptarët nuk kryejnë me vullnet dhe votë të lirë rotacionin politik, atëherë Shqipëria, të cilën deklarojmë se e duam shumë, do të rrudhej e plakej para kohe e me ritme më të shpejta se ç’po plaket. Pas 10 apo 20 vitesh pas 25 prillit, do të jetë shumë vonë për t’u penduar. Unë nuk them se shqiptarët duhet të votojnë z. Basha dhe opozitën thjesht se nuk bën z. Rama. Që z. Rama nuk bën për kryeministër, kjo besoj se është tashmë e qartë për të gjithë. Unë jam i sigurt se me programin që PD-ja do të paraqesë para qytetarëve, me përfshirjen e të rinjve e të rejave, bashkimin e çdo energjie pozitive që kërkon ndryshim, me një bashkëbisedim të sinqertë me qytetarët, me një politikë paqësore dhe jo përçarëse, me një ekip tek i cili qytetarët shohin përfaqësuesit e tyre, arsyet për të votuar z. Basha dhe PD-në janë shumë më të mëdha se ato për të mos votuar z. Rama, pavarësisht se lista e arsyeve për të mos votuar z. Rama është shumë e gjatë. Të gjithë ata të rinj e të reja që votojnë për herë të parë, do ishte mirë që votën e tyre ta hidhnin për ndryshimin, të votonin PD-në. Ashtu siç studentët e 1990-ës rrëzuan një sistem diktatorial, nuk iu trembën ndryshimit, edhe të rinjtë e të rejat e këtij brezi duhet të kenë dëshirën dhe kurajën për të kërkuar ndryshimin. Një votë mund t’i duket pak secilit prej nesh, por të mbledhura bashkë ato rrëzojnë çdo pushtet autokratik. Koha e ka dëshmuar një gjë të tillë. Jam besimplotë se edhe 25 prilli do të hapë një rrugë të re, por të sigurt, për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.