OPINION

Një lëvizje e “harruar” dituri-shpërhapëse

09:32 - 18.01.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kisha katolike, në ravën e mundimshme të krijimit të vlerave themelore në rrafshin e kulturës, s’i rreshti përgjatë Mesjetës përpjekjet shqipnore në lëmin e gjuhës e dijes, ku rrëzëllin si një diamant Formula e Pagëzimit (1462), me të cilën është dëshmuar qëndresa e kulturës shqiptare, identiteti dhe entiteti i saj. Gjurmët e shkrimit dhe arsimit shqip hasen qysh në fillimet e mijëvjeçarit të dytë. Duke ecur ravës gjuhësore e arsimore të Mesjetës së hershme, studiuesit sjellin një varg dëshmish, që “në vitin 1349 në Raguzë (Dubrovnik) kishte 24 shkrues noterialë nga Tivari, Ulqini, Pulti, Shkodra dhe fshatrat përreth, dy të tretat e të cilëve ishin shqiptarë, që përveçse në gjuhë të huaj shkruanin edhe në gjuhën amtare me shkronja latine; apo që prelati i Pultit (Shkodër) në vitin 1387 interesohet që të shkollonte të nipin në Raguzë, pasi kishte marrë mësimit e para në vendlindje”. (137)Po ashtu, “janë zbuluar dokumente që flasin për shkolla pranë kuvendeve e katedraleve të qyteteve, si ato humaniste dhe provinciale të shkathtësive mendore dhe të filozofisë në Kotorr duke nisur nga viti 1266, të Durrësit (1278), të Shkodrës (1345) dhe Lezhës (1483)”. (138) Vijmë pastaj në një etapë edhe më të rëndësishme, kur Ipeshkvi i Arbërisë, Imzot Gjon Kolesi, françeskan shqiptar, në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e dioqezës së vet (nga ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës, Dibrës, përfshiheshin në famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe themele të mira të besimit”. Pastaj, të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në Loreto (Itali), “sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n‘ato vende ku s’ka shkolla e as mësues”. Dhe më e rëndësishmja: “mbasi të kenë nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”. (139) Kërkesa të tilla të prelatëve të lartë shqiptarë të shekullit XVII, por dhe të një shekulli më parë, bënë që për nevoja të predikimit shqip dhe formimin e klerit katolik vendas të hapeshin disa shkolla shqipe. “Një rol të rëndësishëm për këtë qëllim luajtën priftërinjtë katolikë shqiptarë, të cilët gjatë shekullit XVII hapën shumë shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe; hartuan tekste shkollore, bënë përkthime të librave fetarë dhe hodhën themelet e letërsisë së shkruar shqipe”.(140) Studiuesit kanë vërejtur se “përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. (141)




Të dhënat për këto çerdhe të para të diturisë sigurisht që nuk janë të mjafta, për shkak të travlimeve politike që kalonte vendi, rrënimit të arkivave e bibliotekave. Por dihet se në Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të dyja asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehjeje latine, secila ishte e parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë marrëveshje mes ipeshkvnish që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit. Ato vijnë përgjatë shekullit të 17-të si dy krenat e një shqiponje, sa në një kreshtë Kurbin-Krujë, në një tjetër Mirditë-Lezhë. Duhet mbajtur parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin osman. Malet ishin më të lira dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkëve. Por më e rëndësishmja ishte se kishim të bënim me një lartësim shpirtëror, moral dhe kulturor në nismën për këto shkolla. Françeskanët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjëra të popullsisë, aq më tepër që në urdhrin françeskan kishte dhe shumë shqiptarë. Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes-Laç, atë të Lezhës, të Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithshëm prej 40 rregulltarësh. Edhe shekullarët i kishin shtuar e përmirësuar shkollat, për faktin se Koncili i Trentos (1545-1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të kishte seminare për përgatitjen e priftërinjve. Krijimi i këtyre seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e veprimtarisë pastorale”.(142)

“Shkollën e Velës e vlerëson veçanërisht në shkrimet e veta edhe profesor Jup Kastrati, kurse akademiku Jorgo Bulo, duke pasr parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se Mirdita është vendi ku shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologjik të shqipes”. (143) Rëndësia e saj dëshmohet edhe nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit (1703) që lëshohet posaçërisht për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i Koncilit Shqiptar mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/Velës porosit që “nxënësit pas përvetësimit të shkrim-këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e para gramatikore (nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” (144) 

At Donat Kurti në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës” më 1935, përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme informacioni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë, sado që ende jo shterues e përfundimtar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës (1628), Shkollën e Pllanës (me 50 nxënës, hapur me 1638 nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës (hapur me 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm), shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës në Kosovë (1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskanët, përfshi dhe Kuvendin e Troshanit (1639), të Rubikut (1582) etj. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërhapje strategjike, edhe pse kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer vetë nga latinishtja në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri më 1634.

“Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628-1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe me vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482. Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëve për shkollim andej dhe këndej Adriatikut.

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmë shekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë.(145) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitër S. Shuteriqi, “ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Evropë, ku, përveç teologjisë, mësohej filosofia dhe studioheshin klasikët”. (146)

Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutueshme, por përafrohet natyrshëm në kohë edhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar? A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, ashtu dhe ata që hapen shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë-ipeshkvinj e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare e dijes? Le të jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin, Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit (35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandës Fide të Romës nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurtë”. ( 147)

Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës edhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit.” (148) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe letërsinë shqipe të asaj kohe për të parë, kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë? Pa u nisur thjesht nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të tillë, d.m.th. jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632!

Kështu, “shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga ipeshkvinjtë shqiptarë: Një traditë që vinte nga shekulli XV, me humanistët shqiptarë në Rilindjen Evropiane, gjer profesorë në Universitetin e Padovas. Por pavarësisht shkrimeve sporadike të karakterit historik të autorëve të ndryshëm, me sa dimë askush ndër studiuesit nuk është ngulur me themel në ndriçimin e kësaj maratone shqiptare për diturinë. Shkollat e para fuqizohen me Kuvendin e Arbënit që mbahet në Mërqi të Lezhës, në kishën e Shën Kollit, me 14-15 janar 1703, me bekimin e Papa Klementit XI, me origjinë shqiptare, përkundër asimilimit otoman. Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nga Durrësi në Shkodër e Kosovë, kishte 21 shkolla fillore me nga 30 nxënës e në Prishtinë deri në 80. Fakti që dokumentet e Kuvendit të Arbnit u botuan si në latinisht, si në shqip, 300 vjet më parë, dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata ishin shkolluar. Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehet aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjes ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.

Referencat

137- Nikollë Loka, “Rruga e arsimit shqip deri më 7 mars 1887, “Albania Press”, Tiranë

138- Po aty

139- Injac Zamputi, “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë…”, vëll.I, fq 371.

140- Menduh Derguti, Sonila Boci, Ledia Dushku, “Historia”, Tiranë, 2010

141- Edvin Zhak, “ Shqiptarët”, fq 313

142- Gian Luca Potesta, Giovanni Vian, “Historia e Krishtërimit”, fq 334

143- Gjon Marku, “Mirdita”, Intervista I, fq 52.

144 – Vincens Malaj, “Kuvendi i Arbërit 1703”, fq 127.

145-Isak Mehmeti, “Stublla”, konferencë mbajtur më 11 maj 2004

146- Dhimitër Shuteriqi, “Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera”, fq 92

147-Artan Shkreli, “Propaganda Fide dhe Shqipëria”, “Shqip”, 17.9.2006

148- Stefan Çapaliku, “Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, fq 35.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.