Intervista

“Njohja e vetvetes, çelësi i lumturisë”

11:29 - 18.01.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Doktoresha e psikologjisë, psikiatre Romana Meoli-Speroni flet për lumturinë dhe si mund ta ‘pushtojmë’ atë




Nga AFIZE SEFERI GJIKONDI* – LUMTURIA DHE…

-Znj. Speroni, vërejmë se koha në të cilën jetojmë është tejet e vështirë. Por, si mund të jemi të lumtur përmes këtyre vështirësive që po përjetojmë të gjithë? Në fund të fundit, çfarë është lumturia?

Vërtet, koha që jetojmë “nuk na lejon” të ëndërrojmë për lumturinë. Sepse sot, të flasësh për lumturinë, tingëllon po aq paradoksale sa ç’tingëllon titulli i romanit të mirënjohur në të gjithë botën, me titull “Dashuria në kohërat e kolerës”. Por ja që nuk është kështu.

Sepse, në radhë të parë nuk ka një përkufizim të vetëm të lumturisë. Të gjithë e identifikojnë lumturinë sipas përvojave të tyre.

Vjen nga ato përvoja që shënojnë jetën, të cilat ne i ruajmë së bashku me emocionet që kemi ndjerë, si dhe nga perceptimet që formohen dhe vendosen e mbivendosen njëherazi, brenda nesh.

Përvojat, të cilat zhvillohen në një mjedis të caktuar shoqëror, kulturor, natyror dhe në një periudhë specifike historike. Pra, ne e kuptojmë se si ideja e lumturisë mund të ndryshojë jo vetëm nga personi në person, por edhe brenda vetë personit gjatë jetës së tij.

Në të vërtetë, jeta na befason me ndryshimet e saj të vazhdueshme, të paparashikueshme ose të qëllimshme, që transformojnë planet dhe ndjeshmëritë personale, megjithatë pritet të vazhdojë të jetë kjo aventurë e quajtur jetë. …“Aventurë e ëmbël, e ëmbël”, siç përshkruhet nga Odisea Eliti.

AFIZE SEFERI GJIKONDI
AFIZE SEFERI GJIKONDI

Por çdo përkufizim ka një gjë të përbashkët: zbulon diçka nga kuptimi që udhëtimi personal i jetës ka fituar për ne, përmes roleve të shumëfishta që ne, jemi thirrur të luajmë si njerëz, si individë, si qytetarë, si banorë të planetit Tokë.

Kështu, shfaqen qëllimet, vlerat, dëshirat dhe ëndrrat tona, realizimi i të cilave mund të jetë burim lumturie, qoftë edhe në një çast të vetëm.

Lumturia mund të nënkuptojë sukses, pasuri, gradë, por edhe shëndet, familje, liri, dashuri, bukuri dhe shumë më tepër, të cilat krijojnë momente gëzimi dhe kënaqësie, së bashku me rritjen e dëshirës për t’i mbajtur ato.

Lumturia bëhet kështu qëllimi kryesor, sepse, siç theksohet në “Letrën për Banorin e Ndihmës”, “E tashmja është gjithmonë me ne, pasi ne gjithmonë jetojmë me të”. Domethënë, “kur e kemi, kemi gjithçka, ndërsa kur na mungon, bëjmë gjithçka që ta kemi”. “Prandaj është e drejtë, – tha Epikuri – të ndjekim një jetë të lumtur, duke shtuar se ne e sigurojmë atë, duke siguruar shëndet fizik dhe paqe të mendjes”.

E drejta për të qenë i lumtur, është një e drejtë e theksuar qysh në Deklaratën Amerikane të Pavarësisë të vitit 1776.

Sigurisht, ky kërkim e ka preokupuar njeriun që nga lashtësia dhe shfaqet sot me një interes të veçantë. Kjo dëshmohet nga shumë studime dhe kërkime në të gjitha nivelet shkencore dhe iniciativat origjinale nga institucionet.

“Ministritë e Lumturisë” janë ngritur nga qeveritë, duke dhënë kurse mbi lumturinë dhe strategjitë e saj të “blerjes”, në Universitetet e Harvardit dhe Wellingtonit.

Por edhe OKB në raportet e saj mbi lumturinë globale, nxjerr në pah vendet më të lumtura në botë.

Ne mund të themi në këtë pikë se lumturia është një zgjedhje personale, por ne gjithashtu, duhet të pajtohemi me atë që tha Ciceroni “si quis rei publicae sit infelix, felix esse non potest”. Domethënë: Askush nuk mund të jetë i lumtur, nëse ai nuk bashkëpunon për lumturinë e përbashkët.

I gjithë ky interes për lumturinë, është ndër të tjera, një shembull i realitetit veçanërisht të vështirë në përditshmërinë e sotme, për ta fituar atë në një nivel individual dhe shoqëror.

Kjo ka të bëjë me kushtet e jetesës dhe zgjedhjet, të cilat përkeqësojnë situatat-vatra të vetmisë dhe zhgënjimit, veçanërisht te të rinjtë. Të rinjtë, të cilët “skanojnë” paradoksalisht në epokën e globalizimit, e cila vazhdimisht u krijon atyre përshtypjen e rreme në internet, se… ata “mund t’i kenë të gjitha, e mund të realizojnë gjithçka”. Me një klikim.

“Por jeta nuk është vetëm internet, e as vetëm në internet, – tha Umberto Eco. – Ju mund të udhëtoni në univers. Mbase është më i vështiri udhëtim në shpirtin tuaj, por aty qëndron dhe gjendet përfundimisht lumturia”.

Le të kujtojmë thënien e Pitagorës: “Mos e kërko gjetiu lumturinë. Gjithmonë, ajo ndodhet brenda teje”.

Për një udhëtim të tillë duhet të jesh “jashtë rryme”, të ecësh me ritmin që zgjedh, bazuar në të drejtën e “gradualitetit”, atë për të cilën Luis Sepulveda këmbëngul.

Ky është ritmi që do t’ju lejojë të keni kohë për realizimin e proceseve të brendshme, në mënyrë që të takoni dhe të njihni veten.

Njohja e vetvetes është hapi i parë drejt lumturisë. Ju do të njihni aftësitë tuaja dhe atë aftësi të rëndësishme që keni për të krijuar, për të shpresuar, për të hapur shtigje të reja me guxim dhe gëzim, ndjenjën themelore të një personi të lumtur, sipas filozofit Spinoza. Optimizmi në fakt, së bashku me vetëvlerësimin, vetëbesimin, vendosmërinë dhe shoqërizimin, janë cilësitë që karakterizojnë njerëzit e lumtur.

Duhet patjetër gjithashtu, që sot njerëzit, e kryesisht të rinjtë, të pranojnë faktin që energjia psikike, ushqehet vetëm nga pjesëmarrja në marrëdhëniet njerëzore, në aktivitetet shoqërore.

 

…FRIKA

 

-E nderuar profesoreshë, po frika, sa është njerëzore dhe sa është e justifikuar sot në shekullin XXI?

Frika si ndjenjë është njerëzore. Nga shkaqe e nga faktorë të ndryshëm. Por në kushtet e sotme, të një komunikimi masiv falë internetit, frika mund të shndërrohet shpejt në panik. Paniku mund të përhapet dhe transmetohet, edhe kur një person i vetëm ndien se ekzistenca e tij kërcënohet së bashku me ëndrrat e tij.

Atëherë, gjenden të ngjashmit e tij, në shumë pika të globit(e jo thjesht vetëm brenda një vendi).

Padrejtësitë dhe pabarazia, të cilat na “i ofron me bujari” sistemi që ne vetë kemi ndërtuar, doemos që shkaktojnë pasiguri, ankth, pse jo edhe frikë. Shtoju këtyre, edhe pandeminë që për një vit po torturon botën, patjetër që njeriu do ketë ankth dhe frikë. Por mendoj se “recetat”, i kemi të gatshme nga filozofët e kohërave. Ata që përmendëm më lart, e shumë të tjerë.

Pamundësia dhe vështirësitë për të përmbushur detyrimet financiare, mungesa e të ardhurave që janë problem për shumë njerëz sot, për të siguruar mbijetesën e tyre, krijojnë një klimë të rëndë pasigurie.

Kjo klimë pasigurie, është “ara më e begatë, më pjellore”, për të lindur dhe rritur “shëndetshëm”, pemë-emocione të tilla si ankthi, zemërimi, madje edhe dëshpërimi, me pasoja të paparashikueshme. Deri në vetëvrasje.

Përvoja e vazhdueshme e zhgënjimit, pasigurisë dhe ndjenjës së braktisjes, në një popullsi të madhe, është një element shpërthyes. Një krizë ekonomike nuk ka të bëjë vetëm me çështjet financiare, nuk ka të bëjë vetëm me shkaqet ekonomike dhe pasojat ekonomike. Në kushtet e deficitit, është e vështirë të ëndërrosh. Kur ke borxhe, është e vështirë të shijosh momente lumturie.

Një situatë e tillë më në fund na jep një mësim të rëndësishëm, në nivelin shoqëror dhe personal.

Në nivelin shoqëror, ne e kuptojmë se koha na ka thirrur të gjejmë strategji më efektive, të punojmë, të sigurojmë mbijetesën dinjitoze të njerëzve, në një mjedis që promovon jetën cilësore në të gjitha format e saj.

Në nivelin individual, ne mund të ripërcaktojmë zgjedhjet e mënyrës së jetesës, duke pranuar që çdo zgjedhje ndikon drejtpërdrejt mbi ne, por edhe indirekt në botën e gjerë. Mund të na duhet gjithashtu një ndryshim në hierarkinë e nevojave dhe vlerave, i cili do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se çfarë do të thotë lumturi për ne.

Më së pari, por edhe së fundmi, mbetet që ne si njerëz, personalisht, por edhe si shoqëri, duhet t’i shtrojmë pyetjen vetes sot: A vjen lumturia nga ato që kemi, apo nga ajo çka ne jemi?

Në fund të fundit, investimi më i mirë është gjithmonë njeriu. Sepse, si “Odiseu” modern, njeriu është në gjendje që me zgjuarsinë dhe guximin që e karakterizojnë, të zbulojë limane dhe porte të reja, e më të sigurta. Për sa kohë që të gjithë jemi të vendosur për të mbrojtur harmoninë e ekzistencës, duhet të zgjedhim mjetet që e promovojnë atë.

Falënderimet e mia të përzemërta, doktoreshë Romana, për intervistën që më dhatë.

Edhe unë ju uroj suksese në rrugën e vështirë të gazetarisë!

*Studente e fakultetit të gazetarisë në Greqi


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përgëzime gazetares shqiptare Afize Seferi Gjikondi!
    Në këtë shkrim-intervistë, evidentohen dy “palë”. Njësoj kompetente.
    Profesoresha e Psikologjisë dhe gazetarja shqiptare Afize.
    Problematika që shtjellon intervista, është çështje e ditës, jo vetëm në Shqipëri dhe Greqi, por në të gjithë botën.
    Kompetenca profesionale e gazetares së re shqiptare, është mbresëlënëse. Ajo tanimë është në prag të diplomimit. E pikërisht për këtë arsye, bën përshtypje.
    Përgëzime Gazeta Shqiptare, që përuroni gazetarë të rinj, me parametra premtues!
    Përgëzime gazetares dhe zonjës Speroni!

    Përgjigju ↓